Lajmi i keq

Megjithatë një nga bijtë e Ahimelekut, bir i Ahitubit, i quajtur Abiathar, shpëtoi dhe u strehua pranë Davidit. Abiathari i njoftoi Davidit që Sauli kishte vrarë priftërinjtë e Zotit. Davidi i tha Abiatharit: “Unë e dija mirë atë ditë që Idumeu Doeg, i cili ndodhej aty, pa dyshim do ta lajmëronte Saulin. Unë jam shkaktari i vdekjes të të gjithë personave të shtëpisë së atit tënd. Rri me mua, mos ki frikë; ai që kërkon jetën time kërkon edhe tënden; por me mua do të jesh i sigurt (1 Samuelit 22:20-23).

Parathënie

Davidi u mërzit shumë, kur e mori vesh se ç’kishte ndodhur në Nob, sidomos ngaqë ai vetë ishte shkaktari i kësaj masakre. Davidi tani ka marrë vendim, për të ecur me Perëndinë, por megjithatë, mëkatet e tij të shkuara kanë lënë pasoja të dhimbshme. “Davidi, me një ndërgjegje të butë karakteristike, e akuzon veten si shkaktar të një kasaphaneje të tillë” (R. P. Smith). 

Dyshimi i Saulit

Kur Sauli mësoi që Davidi dhe njerëzit që ishin me të qenë zbuluar (Sauli ndodhej atëherë në Gibeah poshtë nën drurin e marinës në Ramah, me ushtën e tij në dorë dhe të gjithë shërbëtorët e tij e rrethonin). Sauli u tha shërbëtorëve që i rrinin rreth e qark: “Më dëgjoni tani, Beniaminitë! Biri i Isait do t’ju japë juve ara dhe vreshta. Do t’ju bëjë të gjithëve komandantë të mijëshëve dhe qindëshëve? Të gjithë ju keni komplotuar, dhe asnjë nga ju nuk më ka informuar për besëlidhjen, që im bir ka lidhur me birin e Isait; dhe nuk ka asnjë prej jush që t’i vijë keq për mua dhe të më njoftojë që im bir ka ngritur kundër meje shërbëtorin tim që të më kurdisë kurthe siç bën sot?” (1 Samuelit 22:6-8).

Mbreti Saul e mori vesh se ku kishte qenë Davidi. Por mendjen e kishte aq të turbulluar dhe aq të frikësuar, saqë kujtonte se të gjithë ishin kundra tij, duke komplotuar për ta bërë Davidin mbret. Kjo ngjarje mund të ketë ndodhur gjatë kohës, kur familja e Davidit e pa të arsyeshme të largohej nga Bethlehemi. Sauli s’kishte besim tek askush, madje as edhe tek i biri, Jonathani.

Rrëfimi i Doegut

U përgjegj atëherë Idumei Doeg, që rrinte në krye të shërbëtorëve të Saulit, dhe tha: “Unë e pashë birin e Isait kur erdhi në Nob tek Ahimeleku, bir i Ahitubit; ky është këshilluar me Zotin lidhur me të, i dha ushqime dhe i dorëzoi shpatën e Filisteut Goliath” (1 Samuelit 22:9-10).

Sauli kujtonte se edhe Doegu ishte në mes atyre, që ishin kundra tij. But Doegu kishte ca të dhëna, që do ta bindnin mbretin se ai ishte vërtet shërbëtori i tij besnik. Kështu, pra, ai i tregoi Saulit atë që, sipas tij, kishte ndodhur në Nob. Doegu i shtrëmbëroi faktet, duke e bërë si Davidin, ashtu edhe Ahimelekun, që të dukeshin fajtorë në sytë e Saulit. Historia e Doegut dha efektin e duhur. Sauli tani ishte mëse i bindur se priftërinjtë po mbanin anën e Davidit.

Vrasja e Ahimelekut

Atëherë mbreti dërgoi të thërrasin priftin Ahimelek, birin e Ahitubit, dhe tërë shtëpinë e atit të tij, priftërinjtë që ishin në Nob; dhe ata erdhën të gjithë te mbreti. Sauli tha: “Tani dëgjo, o bir i Ahitubit!”. Ai u përgjegj: Ja ku jam, o imzot”. Sauli i tha: “Pse ti dhe biri i Isait keni komplotuar kundër meje, duke i dhënë bukë dhe një shpatë, dhe je këshilluar me Perëndinë lidhur me të, me qëllim që të ngrihet kundër meje dhe të më kurdisë kurthe siç bën sot?”. Atëherë Ahimeleku iu përgjegj mbretit, duke thënë: “Po midis gjithë shërbëtorëve të tu kush është besnik si Davidi, dhëndër i mbretit, i gatshëm nën urdhrat e tua dhe i nderuar në shtëpinë tënde? Vallë sot kam filluar të këshillohem me Perëndinë për të? Mos qoftë kurrë, që mbreti të akuzojë për gjëra të tilla shërbëtorin e tij apo dikë nga shtëpia e atit tim, sepse shërbëtori yt nuk dinte asgjë nga tërë kjo, as pak e as shumë”. Mbreti tha: “Ti me siguri ke për të vdekur, Ahimelek, ti dhe tërë shtëpia e atit tënd!”. Atëherë mbreti urdhëroi rojet që e rrethonin: “Kthehuni dhe vritni priftërinjtë e Zotit, sepse edhe ata mbajnë anën Davidit dhe e dinin që ai kishte ikur, por nuk më njoftuan”. Por shërbëtorët e mbretit nuk deshën të zgjatnin duart për të goditur priftërinjtë e Zotit” (1 Samuelit 22:11-17). 

Doegu gënjeu, kur tha se prifti i ishte lutur Zotit për Davidin. Ahimeleku vërtet i kishte dhënë Davidit bukë dhe shpatë, por s’ishte këshilluar me Perëndinë për të. Sauli, po ta kishte mendjen në rregull, do t’i kishte besuar Ahimelekut, jo Doegut. Por zemra e mbretit ishte bërë aq e ligë, saqë nuk e preku fare ndërgjegja, lidhur me vrasjen e priftit dhe të familjes së tij. Madje edhe vetë shërbëtorët e Saulit e panë se vendimi i tij ishte i gabuar, ndaj edhe nuk pranuan t’i bindeshin urdhërit të mbretit. Pa dyshim, ky refuzim për t’iu bindur komandantit, s’bëri gjë tjetër veçse e rriti edhe më shumë dyshimin, që Sauli kishte ndaj të gjithë atyre, që e rrethonin.

Paturpësia e Doegut

Atëherë mbreti i tha Doegut: “Kthehu ti dhe godit priftërinjtë!”. Kështu Idumeti Doeg u kthye dhe goditi priftërinjtë; atë ditë vrau tetëdhjetë e pesë persona që mbanin efodin prej liri. Sauli goditi gjithashtu me shpatë Nobin, qytetin e priftërinjve, burrat, gratë, të vegjëlit, foshnjat e gjirit, lopët, gomarët dhe delet; i vrau të gjithë me shpatë” (1 Samuelit 22:18-19).

Pasi vrau 85 priftërinj, Doegu shkoi në qytet, për ta shkatërruar çdo qënie të gjallë: burra, gra, fëmijë e kafshë. Bëri më shumë se ç’e urdhëroi Sauli, ndoshta për ta ngritur lart veten në sytë e mbretit. Nuk e çau kokën se po vriste njeriun e Perëndisë, ngaqë ishte prej Edomit, jo prej Izraelit. Vetë Esau, ati i idomitëve, e kishte hedhur poshtë parëbirninë (shiko Zanafilla 25:31-34). As Doegu, as Sauli nuk e donin Zotin. Ky veprim i ligë shërbeu si paralajmërim për të gjithë: “Nëse e strehoni Davidin, atëherë prisni që të merrni zemërimin e mbretit”. Njerëzit, që e morën vesh lajmin e kësaj masakre, u larguan edhe më shumë prej Saulit.    

Përfundim                              

E gjitha kjo erdhi si rezultat i mëkatit të Davidit, i mungesës së besnikërisë së tij ndaj Perëndisë. Ai e përshkruan mirë këtë ngjarje tek Psalmi 52. E megjithatë, Perëndia kishte arsye të tjera, ndaj edhe e lejoi që të ndodhte kjo ngjarje. Kjo ishte përmbushja e mallkimit të deklaruar mbi familjen e Eliut, për shkak të mëkatit të tyre (shiko 1 Samuelit 2:27-36). “Edhe zemërimi i njerëzve do të shndrrohet në lavdi për ty” (Psalmi 76:10).

Mbrapa

Advertisements