Lamedi – Fjala e Përjetshme

Gjithnjë, o Zot, fjala jote është e qëndrueshme në qiejtë. Besnikëria jote vazhdon brez pas brezi; ti e ke vendosur tokën dhe ajo ekziston. Qielli dhe toka ekzistojnë deri në ditën e sotme, sepse çdo gjë është në shërbimin tënd. Në qoftë se ligji yt nuk do të kishte qenë kënaqësia ime, do të isha zhdukur në pikëllimin tim. Nuk do t’ i harroj kurrë urdhërimet e tua, sepse me anë të tyre ti më ke dhënë jetën. Unë jam yti; shpëtomë, sepse kam kërkuar urdhërimet e tua. Të pabesët më zënë pusi që unë të vdes, por unë do të mbështetem në parimet e tua. Pashë caqet e çdo gjëje të përsosur, por urdhërimi yt nuk ka asnjë cak” (Psalmi 119:89-96).

Parathënie  

Në këtë pasazh, autori i psalmit e adhuron Perëndinë për përjetësinë e fjalës së Tij. Ai bën një krahasim mes asaj që sheh në botë dhe asaj që sheh tek Bibla, duke nxjerrë si përfundim se, kur vjen puna për mbrojtjen e jetës, Zotit i duhet zënë besë. Pavarësisht nga vështirësitë e ndryshme që mund të kalojmë, Perëndia është me ne në çdo hap të jetës.

Krijimi

Fjala e Perëndisë është “e qëndrueshme”, e pandryshueshme, konstante dhe e përjetshme. Në një botë, ku gjithçka ndodhet në një gjendje fluksi, sa mirë është që ta dimë se fjala e Perëndisë nuk ndryshon kurrë, sepse vetë Perëndia nuk ndryshon kurrë! “Pranë së cilit nuk ka ndërrim dhe as hije ndryshimi” (Jakobi 1:17)… “Unë jam Zoti, nuk ndryshoj” (Malakia 3:6). Feja islame thotë se Bibla që kemi sot, është ndryshe nga origjinali, prandaj edhe asaj nuk mund t’i zihet besë. Një ide e tillë e keqkupton fjalën “versjon”, sepse edhe pse Bibla është përkthyer në shumë gjuhë të botës, ajo është po prapë siç ka qenë në fillim. Për më tepër, botimi i parë i Biblës ruhet në Qiell dhe Perëndia, që është një Qënie inteligjente, ia ka komunikuar gjithmonë njerëzimit fjalën e Tij. Ai është në gjendje që, me anë të Frymës, të veprojë tek përkthyesit e ndryshëm kudo në botë për të prodhuar përsëri sot fjalën e Tij të pandryshuar. Që nga momenti kur Zoti krijoi universin, të gjitha planetet, hënët dhe yjet rrotullohen sot në po të njëjtat orbita si në fillim. Madje kohën dhe orën tonë e masim sipas lëvizjeve të këtyre trupave qiellorë. Kështu ndodh edhe me fjalën e Perëndisë, e cila është gjithmonë e saktë dhe e përjetshme. Ky fakt na vërteton gjithashtu se Zoti i mban gjithmonë premtimet e Tij, ngaqë Ai është besnik “brez pas brezi”. “Le të mbajmë të patundur rrëfimin e shpresës sonë, sepse besnik është ai që premtoi” (Hebrenjve 10:23). Toka që rrotullohet rrotull nesh, vepron kështu pikërisht siç e ka planifikuar Zoti. Të njëjtën gjë mund të themi edhe për fjalën e Perëndisë. “Ashtu si shiu dhe bora zbresin nga qielli dhe nuk kthehen prapa pa vaditur tokën, pa e bërë pjellore, pa bërë që të mbij në mënyrë që ai që do të mbjellëtë marrë farën dhe të sigurojë bukën për të ngrënë, Kështu do të jetë fjala ime e dalë nga goja ime; ajo nuk do të më kthehet bosh mua, pa kryer atë që dëshiroj dhe pa realizuar plotësisht atë për të cilën e dërgova” (Isaia 55:10-11).

Gjithçka e krijuar prej Zotit i bindet dhe i shërben Atij, që nga molekula më mikroskopike e deri tek galaksia më e madhe, që nga krijesa më e vogël e deri tek ëngjëlli më i fuqishëm – i gjithë krijimi dëshmon besnikërinë e Perëndisë. “Sa të shumta janë veprat e tua, o Zot! Ti i ke bërë të gjitha me dituri; toka është plot me pasuritë e tua” (Psalmi 104:24).

Konstante

Autori i psalmit e përqëndron vëmendjen tek fjala e Perëndisë. Ashtu siç e ruan Zoti tokën me anë të fuqisë së Tij, ashtu edhe Fjala e Tij i jep forcë të dobtit. Gjatë gjithë historisë botërore, toka ka përjetuar shumë stuhi e fortuna, tërmete apo fatkeqësi të tjera natyrore, por prapëseprapë ajo qëndron e fortë dhe ka për të qëndruar e tillë, derisa të përmbushet vullneti i Perëndisë. “Të gjitha gjërat qëndrojnë në të” (Kolosianëve 1:17). Shumica e problemeve tona vijnë si rezultat i veprimeve të liga të të tjerëve. E megjithatë, Perëndia na ka premtuar se ka për të na mbrojtur dhe se ka për të qenë me ne në çdo hidhërim. A nuk e dërgoi Ai Birin e Tij, për të vuajtur për njerëzimin e për të na treguar se sa shumë kujdeset për ne? “Sepse, duke qenë se ai vetë hoqi kur u tundua, mund t ‘u vijë në ndihmë atyre që tundohen” (Hebrenjve 2:18). Ashtu si autori i psalmit, edhe ne duhet ta besojmë se Perëndia i mban premtimet dhe na jep jetë, ashtu siç i dha Ai jetë dhe fuqi çdo krijese (Zanafilla 1-3). “Perëndia i kohëve të lashta është streha jote dhe poshtë teje ndodhen krahët e tij të përjetshëm” (Ligji i Përtërirë 33:27). Për më tepër, të krishterët kanë fuqinë e shpëtimit, e cila i fuqizon ata kundra çdo sulmi të armikut. “Sepse mesazhi i kryqit është marrëzi për ata që humbin, por për ne që shpëtohemi është fuqia e Perëndisë” (1 Korintasve 1:18).

Përkushtimi

Fjalët “unë  jam yti” kanë të bëjnë me përkushtimin, që autori i psalmit i ka bërë Zotit. Një përkushtim i tillë ishte i plotë, jo gjysmak, dhe vinte si rezultat i deklarimit të besimit të tij në Zotin, i Cili ishte në gjendje ta çlironte prej çdo vështirësie. Autori i thotë Zotit se i kishte qëndruar besnik fjalës së Tij, duke vërtetuar kështu se besëlidhja që ai kishte me Perëndinë ishte akoma e vlefshme. Ai thotë se, pavarësisht nga vështirësitë që po kalonte, ai vazhdimisht e përqëndronte vëmendjen tek shërbesa e Perëndisë dhe bindja ndaj fjalës së Tij. Të paktë janë ata besimtarë sot, që e kanë një përkushtim të tillë. Autori, pas çdo sfide besimi, e kupton edhe më mirë fuqinë e Perëndisë dhe faktin se Ai është në gjendje t’i mbajë premtimet.

Autori flet gjithashtu edhe rreth atyre, që duan ta shkatërrojnë. Por ai ka marrë vendim për të shpresuar tek Zoti dhe për ta ndjekur të vërtetën. “Përsosshmëria” i takon Perëndisë. Autori e di se gjithçkaje në këtë botë do t’i vijë një ditë fundi. Çdo vuajtje ka për të kaluar, të pabesët po ashtu nuk kanë për të qenë më, madje edhe vetë jetës sonë do t’i vijë fundi. Por fjala e Perëndisë është e përjetshme. “Sepse në të vërtetë ju them:Deri sa qielli dhe toka, të kalojnë asnjë jotë a asnjë pikë e ligjit nuk do të kalojnë, para se të plotësohet gjithçka” (Mateu 5:18)… “Qielli dhe toka do të kalojnë, por fjalët e mia nuk do të kalojnë.” (Mateu 24:35). Fjalët “nuk kanë cak” i referohen natyrës së pafund të fuqisë së fjalës së Perëndisë, d.m.th. ajo është e përjetshme.

Përfundim

Kemi një marrëdhënie personale me Perëndinë e Përjetshëm, fjala e të Cilit nuk ndryshon kurrë, as nuk modifikohet për t’iu përshtatur ideve njerëzore, as nuk korruptohet prej mëkatarëve. Fjala e Tij është “e qëndrueshme” në qiejtë. Po kështu është edhe shpëtimi ynë. “Sepse jeni ringjizur jo nga një farë që prishet, por që nuk prishet, me anë të fjalës së Perëndisë së gjallë dhe që mbetet përjetë” (1 Pjetrit 1:23). Le të vazhdojmë t’i besojmë Zotit, ashtu siç veproi edhe autori i psalmit, sepse Perëndia na shpëton, na çliron dhe kujdeset për ne. Armiku mundohet të na shkatërrojë, por vëmendjen nuk e përqëndrojmë tek ai, por tek Zoti, që na do.

Mbrapa

Advertisements