Lartësimi i Krishtit

“Prandaj edhe Perëndia e lartësoi madhërisht dhe i dha një emër që është përmbi çdo emër, që në emër të Jezusit të përkulet çdo gju i krijesave (ose gjërave) qiellore, tokësore dhe nëntokësore, dhe çdo gjuhë të rrëfejë se Jezu Krishti është Zot, për lavdi të Perëndisë Atë.” (Filipianëve 2:9-11).

Parathënie

Fjala “prandaj” në hyrje të këtij studimi i lidh të gjitha ato që Pali i ka shkruar më parë (rreth përuljes dhe poshtërimit të Zotit Jezus Krisht) me lartësimin e madhërishëm të Tij. Emri i Jezusit është mbi të gjithë emrat, pjesërisht për arsye se Ai vuajti në vendin tonë. “Por shohim Jezusin të kurorëzuar me lavdi dhe me nder për vdekjen që pësoi; ai u bë për pak kohë më i vogël se engjëjt” (Hebrenjve 2:9)… “Megjithatë ti e bëre pak më të ulët se Perëndia, dhe e kurorëzove me lavdi dhe me nder. E bëre të mbretërojë mbi veprat e duarve të tua dhe vure çdo gjë nën këmbët e tij!” (Psalmi 8:5-6).

Lavdërimi i Tij

Pali na e bën mëse të qartë se emri i Jezusit është emri më i rëndësishëm në Qiell, në Tokë, apo në Ferr. Asnjë emër tjetër nuk gëzon kaq shumë nder dhe lavdi, ngaqë ky emër është mbi të gjithë emrat e tjerë. “Dhe në asnjë tjetër nuk ka shpëtim, sepse nuk ka asnjë emër tjetër nën qiell që u është dhënë njerëzve dhe me anë të të cilit duhet të shpëtohemi” (Veprat e Apostujve 4:12).

“Çdo gju” (i ateistit, i paganit, apo edhe i atij që nuk e di se ç’beson) do t’i përulet “Zotit të lavdisë” (Jakobi 2:1, 1 Korintasve 2:8). Të gjithë kanë për ta pranuar hapur se Jezusi është Perëndia i Gjithpushtetshëm, Krijuesi, Siguruesi, Mesia dhe Çlirimtari. Çdo anëtar i atyre kulteve, që e mohojnë faktin se Jezusi është Zot, do ta shohë Atë “të lartësuar madhërishëm”, tek ulet mbi fronin e Vet si “Zot i zotërve dhe Mbret i mbretërve” (Zbulesa 17:14). Njerëz të tillë, përsa kohë që ishin gjallë, e mohuan Atë si Perëndi nëpërmjet teologjisë së tyre, por, kur të qëndrojnë përpara “fronit të madh të bardhë”, nuk do t’iu mbetet gjë tjetër veçse ta pranojnë se Ai është “i lumi e i vetmi sundimtar, Mbreti i mbretërve dhe Zot i zotërve” (1 Timoteut 6:15).

Çdo burrë, grua dhe djall do të përulet përpara Zotit Jezus Krisht. “Çdo gjuhë” do të rrëfejë se emri i Tij është “Këshilltar i admirueshëm, Perëndi i fuqishëm, Atë i përjetshëm, Princ i paqes” (Isaia 9:6). Fatkeqësisht, për disa prej këtyre njerëzve, një rrëfim i tillë do të jetë tepër vonë dhe ata nuk do të mund të shpëtohen dot. Në atë ditë të lavdishme, çdo njeri dhe çdo gjë do të jetë nën këmbët e Zotit. “Përmbi çdo principatë, pushtet, fuqi, zotërim dhe çdo emër që përmendet jo vetëm në këtë epokë, por edhe në atë të ardhme” (Efesianëve 1:21). Shpëtimi iu jepet vetëm atyre në tokë, të cilët e rrëfejnë se Ai është Zot. Për momentin, emri i Jezusit përdoret si fjalë sharjeje e mallkimi dhe çnderohet prej njerëzve të ligë dhe prej fesë së rreme. Por ah, sa gjë e tmerrshme ka për të qenë për ta, kur të dalin para Tij! “Është caktuar që njerëzit të vdesin vetëm një herë, dhe më pas vjen gjyqi” (Hebrenjve 9:27).

Të qënit Perëndi

Ka nga ata që thonë se, edhe pse të gjitha ato që thamë më lart lidhur me Jezus Krishtin, janë të vërteta, prapëseprapë kjo nuk do të thotë se Ai është me të vërtetë Perëndi. Njerëz të tillë thonë se Ai mund të jetë Zot, por kjo nuk do të thotë se Ai është hyjnor. Por shumë shpejt e shohim se argumente të tilla janë të pabazuara, kur e krahasojmë pasazhin e Filipianëve 2:9-11 me atë tek Isaia 45:22-23, që thotë: “Kthehuni nga unë dhe do të shpëtoni, ju mbarë skaje të tokës. Sepse unë jam Perëndia dhe nuk ka asnjë tjetër. Jam betuar në veten time, nga goja ime ka dalë një fjalë drejtësie dhe nuk do ta tërheq; çdo gju do të përkulet para meje dhe çdo gjuhë do të betohet për mua”. Nëse të gjithë kanë për t’iu përulur Krishtit dhe kanë për të rrëfyer se Ai është Zot, atëherë kjo do të thotë se Ai është Perëndi.

Fjalët “Jezus Krishti është Zot” kanë kuptimin “Jezus Krishti është Jehovai”. Apostulli Pal e dinte mirë se ç’po bënte, kur citoi prej librit të Isaias, ndaj edhe teksti nuk i referohet Jezusit si Zot personal – “krijesat nëntokësore” nuk mund ta kenë Jezusin si Zot personal! Prandaj, pra, kjo do të thotë se Ai është Perëndia i Gjithpushtetshëm, Sunduesi Më i Madh i të gjithë krijesave. Në “krijesat nëntokësore” futen edhe të gjithë ëngjëjt e humbur dhe mëkatarë. Secili prej tyre ka për ta nderuar një ditë Jezusin, edhe pse mund ta nderojë Atë nga frika, jo se e do shumë. “Ti beson se ka vetëm një Perëndi. Mirë bën; edhe demonët besojnë dhe dridhen” (Jakobi 2:19). E pranojmë faktin se Jezusi është Zoti suprem i Qiellit dhe Tokës. Këtë gjë e dinë mirë ata që janë në Ferr. “Sepse është shkruar: “Rroj unë, thotë Perëndia, se çdo gjë do të ulet para meje, dhe çdo gjuhë do ta lavdërojë Perëndinë!”. Kështu, pra, secili nga ne do t’i japë llogari Perëndisë për veten e vet” (Romakëve 14:11-12)… “Edhe dëgjova çdo krijesë që është në qiell, mbi dhe, nën dhe dhe ato që janë në det dhe gjitha gjërat sa janë në to, që thoshnin: “Atij që rri ulur mbi fron dhe Qengjit i qofshin bekimi, nderi, lavdia dhe forca në shekuj të shekujve” (Zbulesa 5:13)… “Pastaj Jezusi u afrua dhe u foli atyre duke thënë: “Mua më është dhënë çdo pushtet në qiell e në tokë” (Mateu 28:18).

Është e lehtë të quash Jezusin “Zot”. Është më e vështirë ta besosh vërtet këtë fakt dhe ta jetosh jetën duke e ditur se Ai është vërtet Zot. Disa kujtojnë se shpëtohen, po ta thonë thjesht se Jezusi është Zot. Por kjo nuk është e vërtetë. “Sepse, po të rrëfesh me gojën tënde Zotin Jezus, dhe po të besosh në zemrën tënde se Perëndia e ngjalli prej së vdekurish, do të shpëtohesh” (Romakëve 10:9). Është besimi në zemër ai, që ngre peshë, jo fjalët që dalin nga goja. Ka nga ata që e konsiderojnë rrëfimin si biletën e tyre, për t’i shpëtuar Ferrit, d.m.th. si garanci ndaj zjarrit! Vetëm ai, që është penduar me të vërtetë dhe është sjellë tek Zoti nëpërmjet Frymës së Shenjtë, e njeh Krishtin si Zot. “Prandaj ju bëj të ditur se askush që flet në Frymën e Shenjtë nuk thotë: “Mallkuar qoftë Jezusi!”; edhe asnjë nuk mund të thotë: “Jezusi është Zot”, veçse në Frymën e Shenjtë” (1 Korintasve 12:3). Në greqisht, fjala “zot” (“kurios”) do të thotë “pronar” dhe “mjeshtër”. Në gjuhën hebraishte, kjo fjalë përkthehet “Adonai” dhe ky është emri që përdornin judenjtë në vend të emrit “Jehova”. Në Dhiatën e Re, kjo fjalë përdoret në vend të fjalës “Perëndi”, prandaj edhe e çnderojmë Krishtin, kur ia mohojmë kuptimin e emrit të Tij. A e shohim, pra, arsyen pse kultet dhe fetë e ndryshme të rreme nuk e rrëfejnë kurrë Jezusin si Perëndi të Gjithpushtetshëm?

Përfundim                                       

E nderojmë dhe i japim lavdi Atit, kur e rrëfejmë Jezusin si Perëndi. Ata që nuk e rrëfejnë Atë si të tillë, bëhen armiq të Tij. Jezusi është epiqendra e adhurimit dhe e lavdërimit tonë. Duhet ta pranojnë se Ai është Zot dhe ta adhurojmë Atë si Perëndi të Gjithpushtetshëm. Një ditë, të gjithë ata që e kanë mohuar Atë, do ta deklarojnë veten e tyre si budallenjtë më të mëdhenj. “I pamendi ka thënë në zemër të tij: “Nuk ka Perëndi””. (Psalmi 14:1).

Mbrapa

Advertisements