Ligjërata e Abigailit

“Ndërsa ajo po zbriste hipur mbi gomar nëpër një shteg të fshehur nga mali, Davidi dhe njerëzit e tij zbrisnin në drejtim të saj, dhe ajo i ndeshi ata. Davidi kishte thënë: “Kam ruajtur më kot tërë ato që ai njeri kishte në shkretëtirë. Nuk i ka dalë mangut kurrë asgjë nga tërë ato që kishte, por ai ma ktheu të mirën me të keqe. Kështu ua bëftë Perëndia armiqve të Davidit, madje edhe më keq, në rast se nga të gjitha ato që ai zotëron kam për të lënë të gjallë një mashkull të vetëm deri në mëngjes”. Kur Abigaili pa Davidin, zbriti shpejt nga gomari dhe ra përmbys me fytyrën për tokë përpara Davidit. Kështu u shtri në këmbët e tij dhe tha: “O imzot, mbi mua, vetëm mbi mua bie faji! Por lejo shërbëtoren tënde të të flasë, dhe ti dëgjo fjalët e saj. Të lutem, mos ia vër re atij njeriu të neveritshëm, Nabalit, sepse ai është pikërisht ashtu si e ka emrin, ai quhet Nabal dhe karakterizohet nga budallallëku; por unë, shërbëtorja jote, nuk i kam parë të rinjtë e dërguar nga zotëria im. Kështu, pra, imzot, ashtu siç është e vërtetë që Zoti rron dhe që shpirti yt jeton, Zoti të ka penguar të derdhësh gjak dhe të vendosësh drejtësi me duart e tua. Armiqtë e tu dhe ata që duan t’i bëjnë keq zotërisë sime qofshin si Nabali! Dhe tani kjo dhuratë që shërbyesja jote i ka sjellë zotërisë sime, t’u jepet të rinjve që ndjekin zotërinë tim. Por falja fajin shërbëtores sate; me siguri Zoti do ta bëjë të qëndrueshme shtëpinë e zotërisë tim, sepse zotëria im lufton në betejat e Zotit, dhe gjatë tërë kohës së jetës sate nuk është gjetur asnjë e keqe te ti. Në rast se del dikush që të të persekutojë dhe të kërkojë jetën tënde, jeta e zotërisë sim do të ruhet në peshtafin e jetës pranë Zotit, Perëndisë tënd, ndërsa jetën e armiqve të tu Zoti do ta flakë si nga zgavra e një hobëje. Kështu, kur Zoti t’i ketë bërë zotërisë tim të mirat që i ka premtuar dhe të të ketë vënë në krye të Izraelit, kjo gjë nuk do të jetë dhimbje për ty, as edhe një brejtje e ndërgjegjes së zotërisë tim; domethënë të ketë derdhur gjak pa shkak dhe të ketë marrë hak me vetëgjyqësi. Por kur Zoti do t’i bëjë të mira zotërisë tim, kujto shërbëtoren tënde” (1 Samuelit 25:20-31).

Parathënie

Në ligjëratën e saj, Abigaili i përmend shumë gjëra Davidit. Ky është, në fakt, fjalimi më i gjatë i mbajtur ndonjëherë prej një gruaje në Bibël. Abigaili, ndoshta ngaqë e pa Davidin tek po vinte gjithë zemërim drejt saj, i foli atij me të shpejtë, duke mos i lënë kështu fare kohë atij për të folur. Abigaili e prezantoi veten si një grua të matur dhe inteligjente. “Nuk mund ta imagjinojmë dot një ligjëratë më prekëse sesa kjo. Çdo fjali ishte e llogaritur, që t’ia prekte zemrën Davidit” (C. H. Makintosh).

Përulësia

Abigaili ra përmbys, me fytyrë përtokë, përpara Davidit. Le të mos e harrojmë se ajo ishte një grua e pasur e me pozitë të lartë në shoqëri dhe, si e tillë, ishte mësuar që të tjerët t’i përuleshin e të tregonin respekt ndaj saj. Por ajo e përuli veten përpara Davidit. Donte që ai ta dëgjonte mirë, para se ta vinte në praktikë planin e vet. Davidi, pra, u pezmatua plotësisht prej kësaj gruaje, si nga ana fizike, ashtu edhe nga ajo mendore dhe shpirtërore.

Ndjenja e përgjegjësisë

Abigaili u tregua më e matur nga të gjithë pjesëtarët e familjes së saj. E ndjeu veten përgjegjëse për mungesën e edukatës së të shoqit. Ishte gati ta sakrifikonte veten, me qëllim që ta shpëtonte familjen prej mallkimit të Davidit. Abigaili i kërkoi Davidit falje, edhe pse vetë s’kishte bërë ndonjë gabim. “Më bëj mua fajtore për mëkatin e Nabalit dhe, po të duash, më ndëshko. Ja, ku jam, gati për ta ofruar veten si flijim. E gjithë kjo ligjëratë e Abigailit na shfaq mençurinë e saj të madhe, një mençuri, që me përuljen më absolute, i kërkoi mëshirë Davidit, pa pretenduar t’i justifikohej për atë që kishte bërë Nabali. Abigaili përpiqet që t’i drejtohet zemërgjerësisë së Davidit, duke i kërkuar atij që ta falte. Tamam si një oratore e mirë, ajo nuk lë gur pa lëvizur” (Gjon Uesli).

Abigaili nuk e fshehu mëkatin e Nabalit, por, përkundrazi, e përshkruan të shoqin ashtu siç është, duke i treguar kështu Davidit se i tërë ky episod ishte vepër e një njeriu të marrë, me të cilin ajo fatkeqësisht edhe ishte martuar.

Kujtesa

Abigaili pastaj i sjell Davidit ndërmend faktin se dora e Perëndisë ishte mbi të. Ç’i duhej atij të hakmerrej në këtë rast? Ajo po mundohej ta ndihmonte Davidin, që ta kuptonte se do të bënte një gabim të rëndë, po qe se do ta vinte në zbatim qëllimin që kishte, për ta vrarë të gjithë familjen e Nabalit. E kishte vënë në dukje mëkatin e të shoqit, por tani, po i thoshte Davidit se edhe ai kishte mëkat në zemër. Vetëm një grua e zgjuar dhe inteligjente mund të guxonte të fliste në këtë mënyrë. Abigaili i thotë Davidit, që të falë e të mos hakmerret. Ai duhej të mendohej mirë, para se ta hidhte poshtë sugjerimin e saj, sepse Aigaili i thotë se ishte Perëndia Ai, që e kishte prurë për ta bindur Davidin, që të hiqte dorë prej planit të tij. Abigaili, pra, me shumë takt e maturi, ia korrigjoi Davidit mendimet e liga. E si do të mund ta dëmtonte Davidin fyerja e Nabalit, kur vetë Perëndia i kishte dalë atij me dhjetëra herë në mbrojtje?

Abigaili i sjell ndërmend Davidit gjithçka, që kishte bërë Perëndia për të. Iu kishte shpëtuar kthetrave të Saulit, kishte vrarë Goliathin dhe kishte korrur fitore kundër të gjithë armiqve të tij, ngaqë Perëndia kishte qenë me të. Prandaj, pra, a nuk ishte Perëndia Vetë në gjendje të merrej me Nabalin, në momentin e duhur, sipas metodës së Tij? Po qe se Perëndia e kishte bërë plan, që Davidi të bëhej mbret i Izraelit, ashtu siç e dinte edhe Abigaili, atëherë ai nuk duhej ta fillonte periudhën e mbretërimit të vet, duke derdhur gjak të pafajshëm, një veprim ky, për të cilin atij do t’i vinte shumë keq në të ardhmen.

Përfundim

Vetëm në fund të ligjëratës, Abigaili i kërkon Davidit, që të mos e vrasë. Kjo na tregon se sa vetëmohuese ishte ajo, edhe pse e dinte se i shoqi ishte një njeri i keq, mëkati i të cilit e kishte shkaktuar tërë këtë problem. E megjithatë, ajo nuk e vë veten në krye të listës, kur vjen puna për t’i shpëtuar zemërimit të Davidit. Zemrën e kishte të mbushur plot dashuri për familjen e saj, për miqtë dhe për shërbëtorët.

Mbrapa

Advertisements