Ligji i Davidit

“Pastaj Davidi arriti te dyqind njerëzit që kishin qenë tepër të lodhur për të shkuar pas Davidit që ai i kishte lënë në përruan e Besorit. Këta i dolën para Davidit dhe njerëzve që ishin me të. Kështu Davidi iu afrua atyre dhe i përshëndeti. Atëherë tërë njerëzit e këqij dhe të poshtër që kishin shkuar me Davdin filluan të thonë: “Me qenë se këta nuk erdhën me ne; nuk do t’u japim asgjë nga plaçka që kemi shtënë në dorë, përveç grave dhe fëmijve të secilit; t’i marrin dhe të ikin!”. Por Davidi tha: “Mos u sillni kështu, o vëllezërit e mi, me atë që Zoti na ka dhënë duke na mbrojtur dhe duke vënë në duart tona bandën që kishte ardhur kundër nesh. Po kush do t’ju dëgjojë në këtë propozim? E njëjtë ka për të qenë pjesa e atij që shkon për të luftuar dhe e atij që rri pranë plaçkave; do t’i ndajmë pjesët bashkë”. Qysh prej asaj dite u veprua kështu; Davidi e bëri atë statut dhe normë për Izraelin deri në ditën e sotme. Kur Davidi u kthye në Tsiklag, një pjesë të plaçkës ua dërgoi pleqve të Judës, miq të tij, duke thënë: “Ja një dhuratë e ardhur nga plaçka që u morëm armiqve të Zotit”. U dërgoi atyre të Bethelit, të Ramothit të Negevit dhe atyre të Jatirit, atyre të Areorit, atyre të Sifmothit, atyre të Eshtemoas, atyre të Rakalit, atyre të qyteteve të Jerameelitëve dhe atyre të qyteteve të Kenejve, atyre të Hormahut, atyre të Kor-Ashanit, atyre të Athakut, atyre të Hebronit dhe atyre të të gjithë vendeve nga kishte kaluar Davidi me njerëzit e tij” (1 Samuelit 30:21-31).

Parathënie

Në këtë tekst, na tregohet se si Davidi themeloi një parim, që më vonë u bë ligj për popullin e Izraelit. Ky parim kishte të bënte me ndarjen e plaçkës së luftës mes atyre që kishin luftuar në fushën e betejës dhe atyre që kishin ndenjur për të mbrojtur kampin. Autori W. G. Bleiki e përshkruan Davidin si “një nga ata njerëz, që bekohen ngaqë japin më shumë sesa marrin”. Këtu, pra, e shohim qartë sesa i drejtë e i ndershëm ishte Davidi.

Protesta

Mund të na vijë çudi, që disa nga njerëzit e Davidit nuk ishin dakort me idenë e të ndarit të plaçkës së luftës me ata, që kishin mbetur në kamp. Por duhet të mos e harrojmë faktin se të tillë njerëz nuk ishin edhe aq të ndershëm sa ç’tregoheshin. Davidit i kishin shkuar nga mbrapa shumë prej atyre, të cilët i kishte hedhur poshtë shoqëria. Edhe Zoti Jezus Krisht kishte Judë Iskariotin si pasues të Vet (Marku 14:10). Bibla i quan këta njerëz “njerëz të këqij” (1 Samuelit 2:12), ose “njerëz të pavlefshëm”. Kjo shprehje përdorej për t’iu referuar atyre, që i shkonin pas Satanait. “Ti e bërë Belialin (djallin) ëngjëll të armiqësisë e të korruptimit. Të gjithë nënshtetasit e tij janë në errësirë. Qëllimi i tij është që të sjellë sa më shumë ligësi e paturpësi në botë” (citat i marrë nga Papirusët e Detit të Vdekur). Ja, si e përshkruan edhe apostulli Pal djallin (ose belialin): “Dhe ç’harmoni ka Krishti me Belialin?” (2 Korintasve 6:15).

Këta njerëz kujtonin se të dyqind burrat, që kishin mbetur në kamp, nuk kishin bërë asnjë lloj pune, ndaj edhe, me përjashtim të grave dhe fëmijëve të tyre, nuk e meritonin që të merrnin gjë tjetër nga plaçka e luftës, d.m.th. asnjë lloj kompensimi për pronat që iua kishin vjedhur Amalekitët. Kjo ide e ligë do t’i linte ata pa patur një mjet jetese. Për më tepër, ata donin që t’i largonin këta dyqind vetë, së bashku me famijet e tyre, jashtë kampit. Mos vallë, të tillë njerëz të këqij kishin dashur gjithashtu që ta vritnin edhe më parë Davidin me gurë?

Parimi

Në përgjigjen e tij, Davidi vë në dukje faktin se kishte qenë Perëndia Ai, që iua kishte kthyer përsëri atyre të gjitha pronat e pasurinë, me anë të hirit të Tij e jo nëpërmjet fuqisë ushtarake. Me këto fjalë, Davidi donte t’i qortonte kundërshtarët e vet. Ata po tregoheshin egoistë e zemërgurë, ngaqë po mburreshin se e kishin korrur fitoren me forcat e veta. Nuk po i jepnin lavdi Zotit dhe nuk po e merrnin në konsideratë mundin e atyre, që kishin ndenjur në kamp, për t’i ruajtur plaçkat e të gjithëve. Në mënyrë që të mos ndodhte më një gjë e tillë, Davidi themeloi në parim të drejtë, kur të vinte puna për të ndarë plaçkën e luftës, një parim, i cili shumë shpejt u bë ligj në Izrael. Të shumtë janë ata, që i ngrenë heronjtë në pjedestal, por i harrojnë fare ata, që bëjnë punën e shërbëtorit. “Dhe Perëndia i vuri disa në kishë, së pari apostuj, së dyti profetë, së treti mësues; pastaj vepra të fuqishme; pastaj dhuntitë e shërimit, të ndihmës e të qeverisjes dhe të larmive të gjuhëve” (1 Korintasve 12:28). Ata që shërbejnë në kishë, p.sh. që fshijnë e pastrojnë dyshemetë, janë po aq të rëndësishëm sa edhe të tjerët, që këndojnë apo predikojnë. Kemi nevojë për njëri-tjetrin, edhe kur nuk e kuptojmë këtë të vërtetë. “Që të mos kishte përçarje në trup, por të gjitha gjymtyrët të kenë të njëjtin kujdes për njera-tjetrën” (1 Korintasve 12:25). Nuk do të ketë më egoizëm mes nesh, po qe se e vlerësojmë njëri-tjetrin ashtu siç duhet, sepse secili prej nesh, që merret me punën e Zotit, duhet të konsiderohet si pjesëmarrës i nderit dhe i fitores.

Dhurata

Kaq e madhe ishte plaçka e luftës, saqë Davidi vendosi që t’iua çonte një pjesë të saj si dhuratë banorëve të ndryshëm të Judesë. Sauli i kishte trajtuar keq këta banorë, për shkak të Davidit, ndaj edhe ai donte që t’iua lehtësonte barrën. Ishin pikërisht këta njerëz, që e kishin mbrojtur dhe e kishin strehuar Davidin, në momentet kur ai përpiqej që t’i largohej mbretit. Këta ishin, pra, shokë të Davidit. Por, vini re se si Davidi nuk iu dha gjë banorëve të Zifit, apo të Keilasë, sepse banorë të tillë ishin bërë armiq të Davidit dhe e kishin tradhtuar para Saulit. “As zifenjtë, as ata të Keilasë nuk morën asnjë dhuratë. Kështu, pra, Davidi iu tregoi atyre se, edhe pse ishte shenjtor, kur vinte puna për të mos u hakmarrur, nuk ishte aq budalla, sa të mos e vinte re tradhtinë” (Mateo Henri).                   

Përfundim

Kjo ngjarje na vë në dukje drejtësinë, mëshirën, hirin dhe bujarinë e Davidit dhe shërbeu si një sinjal, që tregonte se mbretërimi i tij në Izrael do të ishte komplet ndryshe prej atij të Saulit. Gjëja kryesore që i dallonte këta dy burra ishte perëndishmëria. Davidi ishte me të vërtetë një njeri simbas zemrës së Perëndisë.

Mbrapa

Advertisements