Luani dhe ariu

Duke u larguar prej tij, iu drejtua një tjetri dhe i bëri po atë pyetje; dhe njerëzit i dhanë po atë përgjigje të mëparshme. Sa dëgjuan fjalët që Davidi kishte thënë, ia treguan Saulit dhe ky dërgoi njerëz që ta thërresin. Davidi i tha Saulit: “Asnjeri të mos ligështohet për shkak të tij! Shërbëtori yt do të shkojë të luftojë me këtë Filiste”. Sauli i tha Davidit: “Ti nuk mund të shkosh të luftosh kundër këtij Filisteu, sepse ti je akoma djalosh, ndërsa ai është një luftëtar qysh në të ritë e tij”. Por Davidi iu përgjegj Saulit: “Shërbëtori yt kulloste kopenë e atit të tij; kur një luan ose një ari vinte për të rrëmbyer një dele nga kopeja, unë e ndiqja, e godisja dhe ia rrëmbeja nga goja; në qoftë se ai kthehej kundër meje, unë e kapja nga krifa, e godisja dhe e vrisja. Po, shërbëtori yt ka vrarë luanin dhe ariun; dhe ky Filiste i parrethprerë do të pësojë të njëjtin fat, sepse ka fyer ushtrinë e Perëndisë të gjallë”. Davidi shtoi: “Zoti që më shpëtoi nga kthetrat e luanit dhe nga panxha e ariut, do të më shpëtojë edhe nga dora e këtij Filisteu”. Atëherë Sauli i tha Davidit: “Shko dhe Zoti qoftë me ty” (1 Samuelit 17:30-37).

Parathënie

Ky pasazh biblik është sa frymëzues, aq edhe qesharak: frymëzues, ngaqë Davidin e shohim tek ofron jetën për Zotin dhe popullin e Tij; qesharak, ngaqë e shohim se si Sauli, ushtari mbret i Izraelit, merr kurajo prej një djali bari.

Ja, ku është heroi ynë!

Nuk e dimë arysen pse njerëzit vrapuan për t’i treguar Saulit se kishin gjetur dikë, që ishte gati të luftonte kundër Goliathit. Por mund ta marrim me mend zhgënjimin e mbretit, kur i sollën përpara një djalë të ri bari, muzikantin e pallatit mbretëror. Menjëherë, të gjitha shpresat e Saulit do të ishin shkërmoqur. “Pritja e zgjatur e ligështon zemrën” (Fjalët e Urta 13:12). S’ka dyshim se Sauli do të jetë ndjerë njësoj si Goliathi, kur Davidi i doli përpara. Një djalë nuk bën dot punën e një burri! Por të gjithë po e gjykonin Davidin nga pamja e jashtme. Sauli bëri po të njëjtin gabim, si më parë: nuk e përfshiu Perëndinë në skenarin e kësaj drame. Kur vinte puna për luftime të rrezikshme, Davidi “nuk ishte aq pa përvojë, saç e kujtonte Sauli” (Mateo Henri).

Ariu dhe luani

Mbreti i duruar, në vend që ta largonte menjëherë nga vetja këtë të ri të shkathët, ka të ngjarë që të ketë debatuar gjerë e gjatë me të. Ndoshta kjo situatë iu duk qesharake edhe vetë Saulit. Por fjalët e tij demoralizuese ranë në vesh të shurdhur. Le të ishte sa të donte i stërvitur dhe i kalitur mirë në luftë Goliathi – ai s’e kishte Perëndinë me vete.

Davidi, pavarësisht nga fakti se ishte thjesht një djalë bari, e konsideronte veten të stërvitur mirë, gati për të luftuar me Filisteun. Dhe, jo vetëm kaq, por ai kishte besim se do ta mundte. Pse? Ngaqë Perëndia, që e kishte mbrojtur atë prej bishave të egra, do t’i qëndronte pranë edhe në fushën e betejës. Ai kishte besim, se, edhe pse nuk ishte ushtar me përvojë, ai kishte marrë vajosjen prej Perëndisë dhe aftësinë për të korrur sukses kundër gjigandit. “Davidi mund të ishte i ri nga mosha, por i vjetër nga përvoja, sepse e kishte parë vetë në veprim dorën e Zotit” (Çarls H. Spurxhën). Besimi dhe guximi i Davidit ishin letrat e tij kredenciale për luftë kundër armikut të Izraelit.

Perëndia do të më shpëtojë

Davidi kishte besim tek Perëndia i gjithë-fuqishëm, që ishte në gjendje t’i çlironte të gjithë ata, që i besonin Atij dhe nuk i mbanin sytë tek pengesat. Apostulli Pal e dinte mirë këtë të vërtetë, ngaqë u ballafaqua vetë me vështirësi e tundime. “Por Zoti më ndenji pranë dhe më dha fuqi, që me anën time predikimi i ungjillit të kryhej plotësisht dhe ta dëgjonin të gjithë johebrenjtë; dhe unë shpëtova nga goja e luanit. Edhe Zoti do të më shpëtojë nga çdo vepër e keqe dhe do të më ruajë për mbretërinë e tij qiellore. Lavdi atij në shekuj të shekujve” (2 Timoteut 4:17-18). Davidi, më vonë, shkroi: “Tani e di që Zoti shpëton të vajosurin e tij; do t’i përgjigjet nga qielli i tij i shenjtë me forcën shpëtimtare të dorës së tij të djathtë. Disa kanë besim te qerret dhe të tjerë te kuajt, por ne do të kujtojmë emrin e Zotit, Perëndisë tonë. Ata u përkulën dhe ranë; por ne u ngritëm përsëri dhe mbahemi në këmbë” (Psalmi 20:6-8). Ai, që na mbajti për dore, në mes të vështirësive të së kaluarës, do të na japë forcë për ta ballafaquar edhe të ardhmen. “Sepse vetë Perëndia ka thënë: “Nuk do të të lë, nuk do të të braktis”. Kështu mund të themi, me plot besim: “Perëndia është ndihmuesi im dhe unë nuk do të kem frikë; ç’do të më bëjë njeriu?”… Krishti është i njëjtë dje, sot e përjetë” (Hebrenjve 13:5-6, 8). Nëse Krishti na shpëtoi prej kthetrave të armikut të shpirtit tonë, atëherë a nuk duhet t’i besojmë Atij, që të na çlirojë edhe prej problemeve të tjera? “I cili na ka çliruar dhe na çliron nga një vdekje kaq e madhe, dhe tek i cili ne shpresojmë se do të na çlirojë edhe më” (2 Korintasve 1:10).

Përfundim

Davidi ishte kujdesur besnikërisht për delet e veta. E kishte parë se Perëndia kishte qenë me të, kur i ishte deshur t’i çlironte qengjat prej kthetrave të luanëve apo prej panxhave të arinjve. Davidi ishte treguar besnik në punë të vogla, e tani, Perëndia po i besonte atij vetë popullin e Izraelit. Edhe Sauli zemërgur, kur e pa se Davidi ishte gati të luftonte me Goliathin, e kuptoi se Perëndia kishte qenë dhe do të vazhdonte të ishte me të. Davidi atë mëngjes u largua nga shtëpia thjesht si një djalë bari, por në mbrëmje ai do të bëhej shpëtimtari i Izraelit.

Të shumtë janë ata, që duan të kryejnë vepra të mëdha për Perëndinë, por që nuk janë të gatshëm për të bërë në fillim punët më të thjeshta. “Shumë njerëz kanë luanë e arinj, por nuk kanë përvojë” (Çarls H. Spurxhën). Kishat shpesh janë fajtore, ngaqë iu caktojnë besimtarëve poste e përgjegjësi në kishë, me qëllim që besimtarë të tillë të mos largohen nga kisha. Por, përkundrazi, detyra e përgjegjësi në kishë duhet t’iu jepen vetëm atyre, që e kanë treguar veten besnikë. “Kush është besnik në të vogla, është besnik edhe në të mëdhatë” (Luka 16:10)… “Në rast se ti fugon me këmbësorët dhe ata të lodhin, si mund të hysh në garë me kuajt? Në rast se e ndjen veten të sigurt vetëm në një vend paqësor, çfarë do të bësh kur Jordani do të fryhet?” (Jeremia 12:5). Në komentimin, që i bën Davidit, Gjon Butler shkruan: “Ti kujdesu për zhvillimin tënd si njeri dhe Perëndia do të kujdeset për punën, që do të bësh në të ardhmen”.

Mbrapa

Advertisements