Lutja e Palit

“Edhe për këtë ne vazhdimisht po lutemi për ju, që Perëndia ynë t’ju bëjë të denjë për këtë thirrje dhe të përmbushë me fuqinë çdo qëllim të mirë dhe veprën e besimit, që të lëvdohet emri i Zotit tonë Jezu Krisht në ju dhe ju në të, sipas hirit të Perëndisë sonë dhe të Zotit Jezu Krisht” (2 Thesalonikasve 1:11-12).

Parathënie

Lutja e Palit ka të bëjë me çështjet e përmendura në vargjet e mëparshme të këtij kapitulli e, sidomos, me persekucionin në rritje, me të cilin po ballafaqohej kisha e thesalonikasve. Vini re se, në lutjen e tij, Pali nuk thotë se këtij persekucioni dhe këtyre vuajtjeve po iu vjen fundi, apo se jeta e këtyre besimtarëve do të bëhet më e rehatshme e më e pasur. Ai thjesht po shtjellon më detajisht vargun 5, që thotë: “Ky është një dëftim i gjyqit të drejtë të Perëndisë, që ju të çmoheni të denjë për mbretërinë e Perëndisë për të cilën edhe vuani“. Lutja gjithashtu i ndihmon besimtarët thesalonikas që të mos e harrojnë faktin se vuajtjet e tyre janë pjesë e planit hyjnor dhe rezultati i tyre do të shfaqet në përjetësi.

Të denjë për thirrje

E vetmja mënyrë për t’u konsideruar të denjë për thirrje është kjo: “ të ecni denjësisht për Perëndinë, që ju thërret në mbretërinë dhe lavdinë e tij” (2 Thesalonikasve 2:12). Kjo do të thotë se besimtarët duhet ta vënë në praktikë atë që besojnë dhe të mos kompromentohen me botën, apo me fenë e rreme. Një tundim të tillë kanë përjetuar edhe shumica e atyre, që kanë vuajtur për kauzën e Krishtit. Por, historia mban mend vetëm ata, që kanë qëndruar të fortë për Zotin deri në fund. Ajo që ka më shumë rëndësi për jetën dhe besimin e krishterë, është të qënit i denjë dhe besnik në ditën e gjyqit. Pak rëndësi ka se ç’mendon bota për ne sot. Ajo që ka rëndësi është se ç’do të mendojë Perëndia për ne ditën e gjyqit të madh.

Qëllimi i mirë

Këto fjalë janë të ngjashme me mendimet e shprehura tek 1 Thesalonikasve 2:4 dhe 5:23, “Por, duke qenë se u miratuam prej Perëndisë që të na besohet ungjilli, kështu ne flasim jo që t’u pëlqejmë njerëzve, por Perëndisë, që provon zemrat tona…Dhe Perëndia i paqes ju shenjtëroftë ai vetë tërësisht; dhe gjithë fryma juaj, shpirt e trup, të ruhet pa të metë për ardhjen e Zotit tonë Jezu Krisht“. Pali i referohet jetës, që është e pëlqyeshme në sytë e Perëndisë, nëpërmjet bindjes ndaj së vërtetës. Këtë lloj jete Gjon Uesli e quan: “shenjtëri të përsosur”.

Vepra e besimit me fuqi

Duke kujtuar vazhdimisht veprën tuaj të besimit, mundimin e dashurisë suaj dhe qëndrueshmërinë e shpresës në Zotin tonë Jezu Krisht përpara Perëndisë, Atit tonë” (1 Thesalonikasve 1:3). Pali lutet që besimtarët thesalonikas të vazhdojnë në rrugën, që kanë nisur. Ai i ka lavdëruar ata më parë për besimin e tyre. “Besimi juaj po rritet shumë” (1 Thesalonikasve 1:3). Tani ai lutet që ky besim të rritet e të bëhet edhe më i fuqishëm. Vepra e besimit është besimi i vënë në praktikë. “Ne, në fakt jemi vepra e tij, e krijuar në Krishtin Jezus për veprat e mira që Perëndia përgatiti që më parë, që ne të ecim në to” (Efesianëve 2:10). Fuqia për të jetuar jetën e krishterë, pavarësisht nga pengesat e ndryshme, është në vetvete, vepra e Perëndisë brenda nesh. “Tani atij që, sipas fuqisë që vepron në ne, mund të bëjë jashtë mase më tepër nga sa kërkojmë ose mendojmë” (Efesianëve 3:20).

Lavdia dhe hiri i Krishtit

Jetojmë për lavdinë e Perëndisë, jo për lavdinë tonë. Shpëtimin e kemi marrë vetëm prej hirit të Tij: “Edhe atëherë kur ishim të vdekur në faje, na dha jetë me Krishtin (ju jeni të shpëtuar me anë të hirit), edhe na ringjalli me të, dhe me të na vuri të rrimë në vendet qiellore në Krishtin Jezus, për të treguar në epokat që do të vijnë pasurinë e pamasë të hirit të tij, me anë të mirësisë ndaj nesh në Krishtin Jezus. Ju në fakt, jeni të shpëtuar me anë të hirit, nëpërmjet besimit, dhe kjo nuk vjen nga ju, po është dhurata e Perëndisë, jo nga vepra, që të mos mburret askush” (Efesianëve 2:5-9)… “Që ne, të shfajësuar me anë të hirit të tij, të bëhemi trashëgimtarë të jetës së përjetshme, sipas shpresës që kemi” (Titit 3:7). Vetëm një jetë e jetuar me pëlqimin e Perëndisë do t’i sjellë lavdi Krishtit në ditën e fundit.

Përfundim

Si do të reagonim ne, po të na persekutonin e po të ishim gati për t’u vrarë për kauzën e Krishtit? Edhe ne, ashtu si të krishterët, të cilëve iu shkroi Pali, duhet të kënaqemi, kur e dimë se dikush po lutet për ne. Lajmi se Pali po i mbante ata në lutje, duhet t’i ketë bekuar vërtet besimtarët e Thesalonikut. Ata u inkurajuan, kur dëgjuan Palin, që fliste për durimin e tyre ndaj persekucionit të ashpër. “Që prova e besimit tuaj, që është shumë më i çmuar nga ari që prishet, edhe pse provohet me zjarr, të dalë për lëvdim, nder e lavdi në zbulesën e Jezu Krishtit” (1 Pjetrit 1:7).

Mbrapa

Advertisements