Lutja këmbëngulëse

“Lutuni pa pushim” (1 Thesalonikasve 5:17).

Parathënie

Ç’do të thotë Pali me këtë varg? A po na sugjeron se duhet të lutemi vazhdimisht, pa pushuar fare? Nëse përgjigja është ‘po’, atëherë as vetë Pali nuk ia arriti dot këtij qëllimi! Në komentimin që i bën këtij vargu, Mateo Henri shkruan: “Duhet t’i caktojmë vetes një kohë të veçantë për lutje. Duhet të jemi këmbëngulës në lutje. Kjo nuk do të thotë që njeriu të mos bëjë gjë tjetër, veçse të lutet ditë e natë, por, përkundrazi, që nuk duhet të ketë asgjë tjetër, që ta pengojë njeriun për t’u lutur në kohën e tij të caktuar. Çdo lloj pune e ligjshme dhe e mirë përparohet e begatohet për shkak të lutjes”. Me anë të këtij vargu, na jepet urdhëri, që t’i caktojmë vetes momente të veçanta për lutje dhe të mos e neglizhojmë të luturit në momente të tilla.

Duhet të lutemi

Ngulmoni në të lutur, duke ndenjur zgjuar në të me falendërim” (Kolosianëve 4:2). Lutja nuk është thjesht një formim fjalësh, që dalin nga goja, por një shprehje e zemrës. Gjon Bunjani ka thënë: “Shpeshherë, lutjet më të mira përmbajnë më shumë psherëtima sesa fjalë”. Mund të mos jemi në gjendje të shkojmë diku (në kishë, p.sh.) për t’u lutur, apo mund të ketë momente, kur situata të paparashikuara na ndalojnë që të lutemi rregullisht. Megjithatë, në zemër duhet të kemi gjithmonë dëshirën për t’u lutur. Pali i inkurajon besimtarët që të vazhdojnë “të gëzuar në shpresë, të qëndrueshëm në shtrëngime, këmbëngulës në lutje” (Romakëve 12:12). Kjo do të thotë se lutjen nuk duhet ta kemi kurrë larg zemrës e mendjes. “Duke u lutur në çdo kohë dhe me çdo lloj lutjeje dhe përgjërimi në Frymën, duke ndenjur zgjuar për këtë qëllim me çdo ngulmim dhe lutje për të gjithë shenjtorët” (Efesianëve 6:18), apo siç thuhet edhe tek Luka 18:1, “Duhet të lutemi vazhdimisht pa u lodhur“. Kori ten Bum ka thënë: “Djalli buzëqesh, kur një i krishterë nuk shkon në kishë. Djalli shkrihet së qeshuri me të madhe, kur një i krishterë nuk lexon Biblën. Djalli hidhet përpjetë nga gëzimi, kur një i krishterë pushon së luturi”. E si mund të lutemi, kur nuk qëndrojmë e kur nuk duam të qëndrojmë në praninë e Zotit? “Sigurisht të drejtët do të kremtojnë emrin tënd, dhe njerëzit e ndershëm do të banojnë të praninë tënde” (Psalmi 140:13).

Lutja del nga zemra

Perëndisë nuk i bën shumë përshtypje lutja, sepse ka shumë njerëz të feve të ndryshme që luten, por “shumë fuqi ka lutja e të drejtit kur bëhet me gjithë shpirt” (Jakobi 5:16). Perëndia nuk kënaqet, as kur dëgjon fjalë të përsëritura vazhdimisht prej një libri lutjesh. “Por kur ju luteni, mos përdorni përsëritje të kota siç bëjnë paganët, sepse ata mendojnë se do t’u plotësohet lutja se kanë përdorur shumë fjalë” (Mateu 6:7). Lutja, që të dëgjohet prej Zotit, duhet të dalë nga zemra. “Ky popull me buzë më nderon, por zemra e tyre rri larg meje” (Marku 7:6). Lutja e vërtetë nuk është thjesht të lëvizurit e buzëve, por të hapurit e zemrës Perëndisë. Gjoni 4:24 mund të vihet në zbatim edhe përsa i përket lutjes: “Perëndia është Frymë, dhe ata që e adhurojnë duhet ta adhurojnë në frymë dhe në të vërtetën”.

Po qe se nuk i lutemi Perëndisë për atë që na shqetëson, pavarësisht nëse ka shumë a pak rëndësi si çështje, atëherë nuk kemi pse të shqetësohemi për atë problem. Kori ten Bum ka thënë: “Një problem që është aq i parëndësishëm, saqë nuk ia vlen të lutesh për të, është i parëndësishëm si problem. Kot që shqetësohesh atëherë për të”. Profeti Daniel është shembull i njeriut, lutja e së cilit doli nga zemra. Ai nuk ishte këmbëngulës në lutje, thjesht sa për t’iu kundërvënë mbretit, por, përkundrazi, ai u lut, ngaqë besonte se të luturit rregullisht nuk duhej të pengohej nga asgjë, e nga asnjë. Ai e kishte lutjen në zemër: “Kur Danieli mësoi që dokumenti ishte nënshkruar, hyri në shtëpinë e vet. Pastaj në dhomën e tij të sipërme, me dritaret e saj të hapura në drejtim të Jeruzalemit, tri herë në ditë gjunjëzohej, lutej dhe falenderonte Perëndinë e tij, siç e bënte zakonisht më parë” (Danielit 6:10). Lutja e regjistruar tek Danielit kapitulli 9-të na tregon barrën që kishte profeti në zemër. Ai ishte i brengosur, ngaqë populli i Perëndisë kishte mëkatuar dhe ndodhej, si rezultat, në robëri.

Përfundim                      

Të luturit pa pushim nuk është një ideal i lartë, që arrihet të realizohet prej shenjtorëve super-shpirtërorë, por një ideal që arrihet të realizohet prej çdo anëtari të Trupit të Krishtit. Lutja e vërtetë është të jetosh, të mendosh e të lëvizësh në praninë e Perëndisë. Që të lutemi rregullisht, na duhet disiplinë dhe besim. Nuk duhet të ketë datë në kalendarin tonë, ku të thuhet, “Ndalohet lutja në këtë ditë!” Është e pamundur që të jetojmë një jetë fitimtare, pa u lutur.

Mbrapa

Advertisements