Lutja përfundimtare e Palit

“Dhe Perëndia i paqes ju shenjtëroftë ai vetë tërësisht; dhe gjithë fryma juaj, shpirt e trup, të ruhet pa të metë për ardhjen e Zotit tonë Jezu Krisht. Besnik është ai që ju thërret, i cili edhe do ta bëjë. Vëllezër, lutuni për ne. Përshëndetni të gjithë vëllezërit me puthje të shenjtë. Ju përbetoj për Zotin që kjo letër t’u lexohet gjithë vëllezërve të shenjtë. Hiri i Zotit tonë Jezu Krisht qoftë me ju. Amen” (1 Thesalonikasve 5:23-28).

Parathënie

Kemi arritur tek komentet e fundit të Palit, drejtuar kishës së Thesalonikasve. Këto komente janë në formë lutjeje (vargu 23), fjalë inkurajuese (vargu 24), kërkesë lutjeje (vargu 25), udhëzimi (vargu 26), urdhërimi (vargu 27) dhe bekimi (vargu 28).

Një lutje (vargu 23)

Perëndia është Perëndi i paqes dhe Ai dëshiron që në zemrat e fëmijëve të Tij të mbizotërojë po e njëjta paqe. “Dhe paqja e Perëndisë, që ia tejkalon çdo zgjuarësie, do të ruajë zemrat tuaja dhe mendjet tuaja në Krishtin Jezus” (Filipianëve 4:7). E si do të mund ta përjetojmë një paqe të tillë, nëse i kundërvihemi fjalës së Perëndisë?

Shenjtërimi, për të cilin Pali flet shpeshherë, gjatë gjithë letrës së Thesalonikasve, është një shenjtërim, që duhet të bëjë efekt në çdo detaj të jetës së një besimtari. Fjalët “tërësisht“, apo “gjithë fryma juaj, shpirt e trup“, apo “pa të metë” na tregojnë arsyen pse Perëndia dëshiron që ne të shenjtërohemi. Shkurtimisht, pra, apostulli na thotë: “Duhet të jeni plotësisht të shenjtëruar”. Është me rëndësi këtu të theksojmë se apostulli nuk po flet për përsosmërinë absolute e pa mëkat. Ai e di mirë se shenjtërimi arrin përsosshmërinë e tij të plotë, atëherë kur të kthehet Krishti. Shenjtërimi fillon, në momentin kur shpëtohemi e ia falim jetën Jezusit. “Por ne duhet ta falënderojmë vazhdimisht Perëndinë për ju, o vëllezër të dashur nga Zoti, sepse Perëndia ju zgjodhi që në fillim për t’ju shpëtuar, me anë të shenjtërimit të Frymës dhe të besimit në të vërtetën” (2 Thesalonikasve 2:13). Na kërkohet që të jetojmë një jetë të shenjtëruar: “Sepse ky është vullneti i Perëndisë: shenjtërimi juaj; të hiqni dorë nga kurvëria; që secili prej jush të dijë ta mbajë enën e vet në shenjtëri dhe me nder…Sepse Perëndia nuk na thirri në ndyrësi, por në shenjtërim” (1 Thesalonikasve 4:3-4, 7). Është Perëndia Ai, që po e kryen një shenjtërim të tillë brenda nesh dhe që po e çon atë deri në fund: “Për të bërë të pa tundura zemrat tuaja, pa të meta në shenjtëri përpara Perëndisë dhe Atit tonë, në ardhjen e Perëndisë sonë Jezu Krisht bashkë me gjithë shenjtorët e tij” (1 Thesalonikasve 3:13). Faza e fundit e shenjtërimit ka të bëjë me lavdinë tonë qiellore: “Shumë të dashur, tani jemi bij të Perëndisë, por ende nuk është shfaqur ç’do të jemi; por dimë se, kur të shfaqet ai, do të jemi të ngjashëm me të, sepse do ta shohim se si është ai. Dhe kushdo që e ka këtë shpresë në të, le ta pastrojë veten, siç është i pastër ai” (1 Gjonit 3:2-3). Mateo Henri ka thënë: “Apostulli lutet që besimtarët thesalonikas të shenjtërohen edhe më shumë, sepse edhe besimtari më i fortë në këtë botë, është i shenjtëruar vetëm pjesërisht. Prandaj edhe ne duhet të lutemi dhe të rendim pas shenjtërisë së plotë”.

Një fjalë inkurajuese (vargu 24)

Nganjëherë, kur i hedhim një sy vetes, ndihemi sikur nuk do ta arrijmë dot kurrë shenjtërinë e plotë. Por vini re se shenjtërimi nuk është vepër e jona, por e Perëndisë. Jemi thirrur për t’iu bindur Perëndisë dhe, nëse ecim me Të, atëherë Ai do ta përfundojë atë punë, që e nisi, në momentin kur u rilindëm: “Duke qënë i bindur për këtë, se ai që nisi një punë të mirë në ju, do ta përfundojë deri në ditën e Jezu Krishtit” (Filipianëve 1:6)… “Perëndia nuk është një njeri, që mund të gënjejë, as edhe bir njeriu që mund të pendohet. Kur ka thënë një gjë, nuk do ta bëjë? Ose kur ka shpallur një gjë, nuk do ta kryejë?” (Numrave 23:19). Shpëtimi, duke përfshirë këtu edhe punën e shenjtërimit, fillon dhe përfundon me Perëndinë (shiko Romakëve 8:28-39). I shërbejmë një Perëndie besnik. “Besnik është Perëndia, nga i cili jeni thirrur në bashkësinë e Birit të tij Jezu Krishtit, Zotit tonë” (1 Korintasve 1:9)… “Por Zoti është besnik, dhe ai do t’ju forcojë dhe do t’ju ruajë nga i ligu” (2 Thesalonikasve 3:3).

Një kërkesë për lutje (vargu 25)

Në këtë varg, shohim një kërkesë të shkurtër për lutje nga ana e Palit për veten e tij, si edhe për grupin e misionarëve, që udhëtonin me të. Në shumë prej letrave të tij, Pali iu kërkon besimtarëve, që të luten për të (shiko Romakëve 15:30-32, 2 Korintasve 1:11, Efesianëve 6:19-30, Filipianëve 1:19, Kolosianëve 4:3, 18 dhe Filemonit vargu 22). Le të mos harrojmë që të lutemi për ata, që janë të angazhuar me punën e Zotit.

Një udhëzim (vargu 26)

Shprehjen “puthje e shenjtë” e gjejmë të përmendur edhe katër herë të tjera në Dhiatën e Re (tek Romakëve 16:16, 1 Korintasve 16:20, 2 Korintasve 13:12 dhe 1 Pjetrit 5:14). Kjo shprehje nënkupton një përqafim dhe një puthje, të ngjashme me mënyrën e të përshëndeturit, që praktikohet në shumicën e vendeve evropiane dhe mesdhetare. Është thjesht një përshëndetje e krishterë, e dalë nga zemra. Ne, në Angli, nuk e puthim njëri-tjetrin, kur përshëndetemi, por thjesht japim dorën. Megjithatë, pavarësisht nga mënyra se si përshëndetemi me njëri-tjetrin, përshëndetja jonë duhet të jetë e shenjtë. Juda Iskarioti e tradhtoi Zotin me një të puthur (Mateu 26:48-49).

Një urdhërim (vargu 27)

Kjo letër duhej lexuar, kudo që lartësohej emri i Krishtit. Mesazhi i saj iu drejtohet atyre, që kanë marrë vendim që të ecin në shenjtëri, ndërkohë që presin ardhjen e Zotit. Pali ishte i bindur se gjithçka që kishte shkruar, ishte e frymëzuar prej Perëndisë, ndaj edhe ishte e vlefshme për besimtarët e çdo brezi.

Një bekim (vargu 28)

Në mbyllje të letrës, Pali nuk po iu thoshte thjesht “mirupafshim” thesalonikasve, por po lutej për gjendjen e tyre shpirtërore, që ata të vazhdonin të jetonin për Zotin. Ai donte që ata të përjetonin pasuritë e hirit të Perëndisë në jetën e tyre të përditshme. Një lutje e tillë doli nga zemra e dikujt, që i donte me të vërtetë njerëzit, sidomos ata, për të cilët ishte ngarkuar për t’iu mësuar fjalën e Perëndisë.

Përfundim

Letra e 1 Thesalonikasve ka si temë nevojën për shenjtëri personale, ndërkohë që besimtari pret Ardhjen e Dytë të Jezus Krishtit. Kjo temë shtjellohet edhe më shumë në letrën e 2 Thesalonikasve.

Mbrapa

Advertisements