Lutja përfundimtare

Po, eja, Zoti Jezus” (Zbulesa 22:20).

Parathënie

Me këto katër fjalë përmblidhet lutja e fundit e Biblës. Është për t’u theksuar fakti se edhe ftesa e fundit ungjillore (që gjendet tek vargu 17-të i kapitullit të mësipërm) përmban gjithashtu fjalën “eja“. “Dhe Fryma dhe nusja thonë: “Eja!”. Dhe ai që dëgjon le të thotë: “Eja!”. Dhe ai që ka etje, le të vijë; dhe ai që do, le të marrë si dhuratë ujin e jetës“. Ata që nuk e pranojnë Krishtin tani, nuk kanë për t’u pranuar prej Tij, kur Ai të kthehet përsëri në tokë. Vetëm ata që e kanë pranuar vërtet Atë si Zot e Shpëtimtar, kanë dëshirë, që Ai të kthehet përsëri.

Pritja

Në vargjet e fundit të Zbulesës, vëmë re se Zoti Jezus flet dy herë me rradhë rreth ardhjes së Tij të dytë: “Dhe ja, unë vij shpejt“… “Po, unë vij shpejt” (Zbulesa 22:12, 20). Po përgjigja jonë, a është e njëjtë me atë të apostullit Gjon? A duam që Zoti të vijë vërtet menjëherë?

Jezusi na premtoi se ardhja e Tij e dytë ka për të qenë e papritur. Pothuajse të gjithë njerëzit kanë për t’u habitur. “Por, ashtu si qe në ditët e Noeut, kështu do të jetë edhe në ardhjen e Birit të njeriut. Sepse, ashtu si në ditët përpara përmbytjes, njerëzit hanin dhe pinin, martoheshin dhe martonin, derisa Noeu hyri në arkë; dhe nuk kuptuan asgjë, deri sa erdhi përmbytja dhe i fshiu të gjithë; kështu do të ndodhë në ardhjen e Birit të njeriut. Atëherë dy do të jenë në arë, një do të merret dhe tjetri do të lihet. Dy gra do të bluajnë në mulli, një do të merret dhe tjetra do të lihet. Rrini zgjuar, pra, sepse nuk e dini në cilën orë do të vijë Zoti juaj. Por dijeni këtë, se ta dinte i zoti i shtëpisë në çfarë orë të natës do të vijë vjedhësi, do të rrinte zgjuar dhe nuk do të lejonte t’i shpërthehej shtëpia. Prandaj edhe ju jini gati, sepse Biri i njeriut do të vijë në atë orë kur ju nuk mendoni” (Mateu 24:37-44). Prandaj edhe ne duhet të jemi vigjilent nga ana shpirtërore. “Prandaj rrini zgjuar, sepse nuk e dini as ditën as orën në të cilët do të vijë Biri i njeriut” (Mateu 25:13). Ai ka për të ardhur e ka për t’i marrë në qiell të gjithë ata, që e ndjekin, aq shpejt, sa hap e mbyll sytë. “Ja, unë po ju them një të fshehtë: të gjithë nuk do të vdesim, por të gjithë do të shndërrohemi në një moment, sa hap e mbyll sytë, në tingullin e burisë së fundit; sepse do të bjerë buria, të vdekurit do të ringjallen të paprisshëm dhe ne do të shndërrohemi” (1 Korintasve 15:51-52).

Pranimi

Të gjithë bëjmë plane afat-gjate për jetën tonë. Por, si do të na vinte, po qe se ardhja e Zotit na i ndërpreu plane të tilla? Po të na jepej mundësia, a do ta linim gjithçka nga pas, për të shkuar me Të? Pa dyshim që është një gjë e mençur të bësh plane për të ardhmen. Por duhet ta pranojmë se asnjëri prej nesh nuk e ka të ardhmen të garantuar. Prandaj edhe duhet ta pranojmë vullnetin e Perëndisë për jetën tonë. “Dhe tani, ju që thoni: “Sot ose nesër do të shkojmë në atë qytet, dhe do të rrijmë atje një vit, do të tregtojmë dhe do të fitojmë”, ndërsa nuk dini për të nesërmen. Sepse ç’është jeta? Është avull që duket për pak, dhe pastaj humbet. Në vend që të thoni: “Në dashtë Zoti dhe në paçim jetë, ne do të bëjmë këtë ose atë gjë” (Jakobi 4:13-15).

Përveç Ardhjes së Dytë të Krishtit, ka edhe shumë gjëra të tjera, që mund të na i ndërpresin planet, si p.sh. vdekja, fatkeqësia, apo sëmundja. Por Gjoni prapëseprapë lutet: “Zot, po vuaj për hatrin Tënd këtu në ishullin e Patmosit. Të lutem, eja menjëherë!” Kjo lutje nuk është për t’u thënë vetëm në kohë të vështira. Edhe kur gjithçka shkon mirë e bukur, prapëseprapë besimtarët e vërtetë duhet të thonë: “Zot, kthehu sot”.

Shfaqja

Nuk duhet ta harrojmë faktin se kemi për të parë Zotin Jezus Krisht. Do të vijë dita, kur do të ballafaqohemi me Atë, që na e bleu shpëtimin tonë me gjakun e Tij. Kjo është pjesa më e rëndësishme e asaj, që quhet: “shpresë e lume“. “Duke pritur shpresën e lume dhe të shfaqurit e lavdisë të të madhit Perëndi dhe të Shpëtimtarit tonë Jezu Krisht, i cili e dha veten për ne, për të na shpenguar nga çdo paudhësi dhe për të pastruar për vete një popull të veçantë, të zellshëm në vepra të mira” (Titit 2:13-14). A është kjo, me të vërtetë, shpresa jonë, apo shpresojmë që të kemi një jetë të gjatë këtu mbi tokë? A kemi dëshirë të madhe, që Jezusi të vijë përsëri? Nëse po, atëherë jo vetëm që do të presim me padurim, që ta shohim Atë, por edhe do të jetojmë sikur sot të ishte dita e ardhjes së Tij. “Shumë të dashur, tani jemi bij të Perëndisë, por ende nuk është shfaqur ç’do të jemi; por dimë se, kur të shfaqet ai, do të jemi të ngjashëm me të, sepse do ta shohim se si është ai. Dhe kushdo që e ka këtë shpresë në të, le ta pastrojë veten, siç është i pastër ai” (1 Gjonit 3:2-3).

Përfundim

Zoti Jezus Krisht do të vijë përsëri, pavarësisht nëse jemi apo jo ne gati. Ka nga ata njerëz të ligë, që shpresojnë që Ai të mos vijë fare, ngaqë nuk duan që t’iu prishen ëndrrat dhe planet e veta. “Ky shërbëtor i mbrapshtë, thotë në zemër të vet: “Zotëria ime vonon të vijë” (Mateu 24:48). Le t’i bindemi Atij me besnikëri dhe t’i ngremë sytë lart, me shpresën në zemër se Ai do të kthehet vërtet një ditë për të na marrë në Qiell. “Dhe kur këto të fillojnë të ndodhin, shikoni lart dhe ngrini kokat tuaja, sepse çlirimi juaj është afër” (Luka 21:28).

Mbrapa