Mallkimi i Davidit

“Por ja, shërbëtorët e Davidit dhe Joabi po ktheheshin nga një plaçkitje, duke sjellë me vete një plaçkë të madhe; por Abneri nuk ishte më me Davidin në Hebron, sepse ky ishte ndarë me të dhe ai kishte ikur në paqe. Kur mbërritën Joabi dhe tërë ushtarët që ishin me të, dikush ia tregoi ngjarjen Joabit, duke thënë: “Erdhi Abneri, bir i Nerit, te mbreti; ky u nda me të dhe ai iku në paqe”. Atëherë Joabi shkoi te mbreti dhe i tha: “Ç’bëre ashtu? Ja, Abneri të erdhi; pse u ndave me të dhe ai u largua? Ti e di që Abneri, bir i Nerit, erdhi që të të mashtrojë, që të njohë lëvizjet e tua dhe për të mësuar tërë ato që bën ti”. Pasi u largua nga Davidi, Joabi dërgoi lajmëtarë pas Abnerit, të cilët e kthyen prapa nga hauzi i Sirahut pa e ditur Davidi. Kur Abneri u kthye në Hebron, Joabi e mori mënjanë në mes të portës, gjoja për t’i folur fshehtazi, dhe këtu e goditi në bark dhe e vrau për të marrë hakun e gjakut të Asahelit, vëllait të tij. Më vonë Davidi e mësoi këtë ngjarje dhe tha: “Unë dhe mbretëria ime jemi përjetë të pafajshëm përpara Zotit për gjakun e Abnerit, birit të Nerit. Ky gjak rëntë mbi kryet e Joabit dhe mbi tërë shtëpinë e atit të tij; mos iu ndafshin kurrë shtëpisë së Joabit ata që vuajnë nga fluksi apo nga lebra, ata që duhet të mbështeten me shkop, që vdesin nga shpata o që janë pa bukë!”. Kështu Joabi dhe Abishai, vëllai i tij, vranë Abnerin, sepse ky kishte vrarë Asahelin, vëllanë e tyre në Gabaon gjatë betejës” (2 Samuelit 3:22-30).

Parathënie   

Ajo që është për t’u vënë re në mallkimin, që bën Davidi, është fakti se ky mallkim i drejtohet nipit të tij, Joabit. Joabi e urrente tmerrësisht Abnerin, por thellë në zemër, ai ishte shërbëtor besnik i dajës së tij dhe u shqetësua shumë, që Davidi, me sa dukej, nuk ishte treguar i mençur, kur i kishte shtruar banket Abnerit.

Qortimi

Ndërkohë që Joabi kishte shkuar për të kryer detyrën që i kishte caktuar mbreti, Davidi, daja i tij, po e nderonte Abnerin e ligë me një banket. Mund ta imagjinojmë se sa i lumtur do të jetë ndjerë Joabi, kur i paraqiti mbretit tërë atë plaçkë të madhe, që kishte sjellë me vete. Por shumë shpejt, gëzimi iu kthye në zemërim, kur mori vesh se ç’kishte ndodhur gjatë kohës, që ai s’kishte qenë i pranishëm. Joabi ndoshta u mërzit dhe u inatos me Davidin për tre arsye. Së pari, Davidi kishte treguar respekt ndaj një njeriu të poshtër. Së dyti, Davidi e kishte lejuar atë, që i kishte vrarë të nipin, Asahelin, vëllanë e Joabit, të ikte në paqe. Dhe së treti, Davidi dukej sikur nuk po e vriste mendjen fare se po i ofendonte ushtarët e tij besnikë, që kishin luftuar kundër Abnerit në betejë.

Nuk duhet ta justifikojmë Joabin, për inatin që tregoi ndaj Davidit, sepse ndoshta atij i erdhi më shumë keq për veten, sesa për të tjerët. Por në të njëjtën kohë, ai u treguar i mençur, kur e pa se Davidi nuk kishte vepruar siç duhej në këtë drejtim. Sipas Joabit, Abneri ishte lejuar të largohej i lirë dhe kjo liri e Abnerit kishte për t’i sjellë shumë probleme Davidit në të ardhmen. Joabi kujtonte, pa të drejtë, se qëllimi i vetëm i Abnerit ishte që ta mashtronte Davidin dhe ta shkatërronte mbretërinë, d.m.th. të bëhej spiun i Izraelit. Abneri ishte komandant i ushtrisë së Izraelit, ndaj edhe ka mundësi që Joabi e konsideroi atë si konkurrent për postin e komandantit të ushtrisë së Davidit. “N.q.s. Abneri do të pajtohej me Davidin, atëherë ndoshta Joabi nuk do të ishte më i dyti në qeveri” (F. C. Kuk). Kështu pra, Joabi kishte për të humbur shumë gjëra, po qe se armiku i tij do të bëhej anëtar i qeverisë së Davidit.

Hakmarrja

Nuk kishte fjalë as shpjegime të Davidit, që t’ia ndryshonin mendjen Joabit. Atij i ishte mbushur mendja, për ta ndëshkuar Abnerin. Kur i pa lajmëtarët, Abneri kujtoi se po e thërriste vetë Davidi. Hebroni, qyteti i strehimit (Jozueu 20:7), u zgjodh si vendi, ku do të vritej Abneri. Kështu pra, vendi i mëshirës u përdor si vendi i vrasjes. “Joabi, i vendosur për ta hequr qafe Abnerin, shpiku një arsye, ndoshta edhe në emër të mbretit, dhe e thirri Abnerin, e takoi dhe ia nguli papritur thikën” (Nga komentimi që i bëjnë Biblës autorët Xhejmisën, Foset dhe Braun).

Joabi e kishte akuzuar Davidin se s’kishte vepruar mirë. Por tani ai po vepronte vetë njësoj si mbreti. Ky akt mashtrimi dhe vrasjeje do ta dërrmonte bashkimin e Judës me Izraelin. Joabi bëri gjoja sikur donte të bisedonte me Abnerin si shoku me shokun, por përkundrazi, ia nguli thikën. Ky ishte një akt hakmarrës dhe frikacak, sepse Abneri nuk ishte në gjendje ta mbronte vetveten. Po, ishte e vërtetë se Abneri kishte vrarë Asahelin, por ai kishte vepruar  kështu në vetë-mbrojtje (2 Samuelit 2:23), sepse, siç na thuhet edhe në tekstin e studimit, Abneri e vrau Asahelin në betejë. “Në betejë – d.m.th. Abneri veproi kështu, me qëllim për ta mbrojtur veten në fushën e betejës, ndaj edhe kjo vrasje tradhtare e Joabit nuk mund të justifikohej dot” (Gjon Uesli).

Neveria

Davidi, kur e mori vesh se ç’kishte bërë Joabi, u mbush me neveri dhe e ndëshkoi atë për këtë vepër të ligë. “Ai ka shtrirë duart kundër atyre që jetonin në paqe me të, ka shkelur besëlidhjen e tij. Goja e tij ishte më e ëmbël se gjalpi, por në zemër ai kishte luftën; fjalët e tij ishin më të buta se vaji, por ishin shpata të zhveshura” (Psalmi 55:20-21).

Davidi gjithashtu bëri një mallkim ndaj familjes së Joabit. Në fakt, Joabi duhej të ishte egzekutuar për krimin, që kreu, por Davidi ndoshta mendoi se një vendim i tillë do të shkaktonte përçarje si tek ushtria, ashtu edhe tek populli. “Ndoshta Davidi do të ishte dukur më i mirë si mbret, po të kishte marrë vendim të menjëhershëm kundra këtij vrasësi, sesa thjesht t’i mallkonte brezat e ardhshëm të familjes së tij” (Gjon Uesli).

“Davidi duhet të kishte bërë punën e tij si mbret dhe t’ia kishte lënë Perëndisë të merrej me pasojat e kësaj çështjeje. Një vendim mishor prej Davidit ia fali jetën Joabit” (Mateo Henri). Davidi donte, që të gjithë ta dinin se ai s’kishte të bënte fare me atë, që kishte kryer Joabi, prandaj edhe fjalët e tij ndoshta iu drejtuan më shumë Izraelit, sesa Judës. 

Përfundim

Davidi nuk veproi me maturi as ndaj Abnerit, kur i shtroi banket, as ndaj Joabit, kur nuk e egzekutoi për krimin, që bëri. Joabi kishte për t’iu bërë ferr Davidit gjatë gjithë jetës. Pasojat e këtij krimi u bënë më të dukshme në mbretërinë e Rehoboamit, kur Izraeli do të ndahej përsëri nga Juda. Abneri u vra vetëm pak orë pas nënshkrimit të traktatit të paqes, ndaj edhe nuk jemi dot në gjendje ta dimë se si do të ishin zhvilluar ngjarjet, po të jetonte akoma ai.

Vullneti i Perëndisë ishte ri-bashkimi i Izraelit me Judën. Por ka shumë të ngjarë që Davidi të mos ketë qenë duke vepruar sipas vullnetit të Perëndisë, ndaj edhe, në një farë mënyre, mund të themi se edhe ai vetë u bë shkaktar i vrasjes së Abnerit. Para se të vdiste, Davidi tha: “Edhe ti e di ç’më ka bërë mua Joabi, bir i Tserujahut, dhe ç’u ka bërë dy krerëve të ushtrive të Izraelit, Abnerit, birit të Nerit, dhe Amas, birit të Jetherit, që ai i vrau; në kohë paqeje ka derdhur gjak lufte dhe ka njollosur me gjak lufte brezin që mbante në mes dhe sandalet që mbante në këmbë” (1 Mbretërve 2:5). Mosbindja ndaj vullnetit të Perëndisë gjithmonë sjell pasoja negative.

Mbrapa

Advertisements