Maria – Shërbëtorja e Zotit

“Në muajin e gjashtë, engjëlli Gabriel u dërgua nga Perëndia në një qytet të Galilesë, që quhej Nazaret, te një e virgjër, që ishte e fejuar me një njeri që quhej Jozef, nga shtëpia e Davidit; dhe emri i virgjëreshës ishte Maria. Dhe engëlli hyri te ajo dhe tha: “Tungjatjeta, o hirplote, Zoti është me ty; ti je e bekuar ndër gratë”. Por kur e pa atë, ajo mbeti e shqetësuar nga fjalët e tij, dhe pyeste vetveten çfarë kuptimi mund të kishte një përshëndetje e tillë. Dhe engjëlli i tha: “Mos ki frikë, Mari, sepse ke gjetur hir para Perëndisë. Dhe ja, ti do të mbetesh shtatzënë dhe do të lindësh një djalë, dhe do t’ia vesh emrin Jezus. Ai do të jetë i madh dhe do të quhet Biri i Shumë të Lartit; dhe Zoti Perëndi do t’i japë fronin e Davidit, atit të tij; dhe do të mbretërojë mbi shtëpinë e Jakobit përjetë, dhe mbretëria e tij nuk do të ketë kurrë të sosur”. Dhe Maria i tha engjëllit: “Si do të ndodhë kjo, përderisa unë nuk njoh burrë?”. Dhe engjëlli duke u përgjigjur, i tha: “Fryma e Shenjtë do të vijë mbi ty dhe pushteti i Shumë të Lartit do të të mbulojë me hijen e vet; prandaj i shenjti që do të lindë prej teje do të quhet Bir i Perëndisë. Dhe ja, Elizabeta, e afërmja jote, edhe ajo, në pleqërinë e saj, mbeti shtatzënë me një djalë; dhe ky është muaji i gjashtë për të, që e quanin shterpë, sepse me Perëndinë asgjë s’është e pamundshme”. Atëherë Maria tha: “Ja shërbëtorja e Zotit; le të më ndodhë sipas fjalës sate”. Dhe engjëlli u largua prej saj” (Luka 1:26-38).

Parathënie

Mund t’ju duket çudi, që po e përqëndrojmë vëmendjen tani tek ky pasazh biblik, i cili predikohet zakonisht rreth periudhës së Krishtlindjeve. Por kemi si qëllim, që të studjojmë karakterin e Maries, nënës së Jezusit. Nuk e kemi të lehtë ta përfytyrojmë me saktësi Marien në Bibël, por një gjë është e sigurtë: ajo nuk iu përngjan fare pikturave murale, që adhurohen nëpër kishat e ndryshme. Mësime të tilla fallco, të shpikura rreth këtij personazhi biblik, e shkatërrojnë fare natyrën e vërtetë të gruas, e cila u zgjodh prej vetë Perëndisë, që të lindte Mesian.

Maria si njeri

Duhet t’i hedhim poshtë traditat dhe zakonet e shpikura rreth jetës së Maries. Përkundrazi, duhet ta përqëndrojmë vëmendjen vetëm tek ajo që thotë Bibla. Maria, kur i foli ëngjëlli, duhet të ketë qetë një grua shumë e re në moshë, por gjithashtu e një moshe të përshtatshme për martesë. Isaia 7:14 thotë: “Ja, e virgjëra do të mbetet me barrë dhe do të lindë një fëmijë të cilin do ta quajë Emanuel”. Kështu pra, ka të ngjarë që ajo të ketë qenë poshtë të njëzetave.

Edhe pse e re në moshë, Maria na paraqitet shumë e mençur, tek ia përul veten vullnetit të Perëndisë. Një mençuri e tillë na shfaqet edhe në vargje të tjera në Bibël, ku na tregohet qartë se përkushtimi i saj ndaj Perëndisë nuk pushoi, edhe kur ajo u moshua. “Bëni gjithçka që ai t’ju thotë!” (Gjoni 2:5). Ajo e pranoi pa frikë mesazhin e ëngjëllit, ndoshta ngaqë ajo i dinte mirë historitë dhe mësimet e Dhiatës së Vjetër. Pa dyshim që kishte një kujtesë të mirë dhe nuk i harronte lehtë ato që kishin ndodhur. “Maria i ruante të gjitha këto fjalë, duke i medituar në zemrën e saj” (Luka 2:19)…“E ëma i ruante të gjitha këto fjalë në zemrën e saj” (Luka 2:51). Kënga e saj, që gjendet tek Luka 1:46-55, na tregon sesa mirë i njihte ajo Shkrimet e Shenjta. “Shpirti im e madhëron Zotin, dhe fryma im ngazëllon në Perëndinë, Shpëtimtarin tim, sepse ai e shikoi me pëlqim ultësinë e shërbëtores së tij; sepse ja, tani e tutje të gjitha brezat do të më shpallin të lume, sepse i Pushtetshmi më bëri gjëra të mëdha, dhe i Shenjtë është emri i tij! Dhe mëshira e tij shtrihet nga brezi në brez për ata që e druajnë. Ai veproi pushtetshëm me krahun e vet; i shpërndau krenarët me mendimet e zemrave të tyre; i përmbysi pushtetarët nga fronat e tyre dhe i ngriti të përulurit; i mbushi me të mira të uriturit dhe i ktheu duarbosh të pasurit. Ai e ndihmoi Izraelin, shërbëtorin e vet, duke i kujtuar për mëshirën e tij, ashtu si ua pati deklaruar etërve tanë, Abrahamit dhe pasardhësve të tij, për gjithmonë”. Shumica e komentatorëve të Biblës na sugjerojnë se Luka i mori të gjitha të dhënat rreth vizitës së ëngjëllit prej vetë Maries, por është për t’u vënë në dukje se ai vendosi që t’i linte ca detaje të paregjistruara, duke e përqëndruar më shumë vëmendjen tek Jezusi, sesa tek nëna e Tij tokësore.

Tek Luka 1:47, vëmë re një fjali, e cila, në kundërshtim me atë që thotë feja katolike, na e paraqet qartë faktin se Maria nuk ishte pa mëkat. “Fryma im ngazëllon në Perëndinë, Shpëtimtarin tim”. Ka nga ata që kujtojnë se virgjëria është njëlloj si dlirësia pa mëkat, por është e qartë se një ide e tillë nuk është e vërtetë. Për më tepër, Maria nuk mbeti gjithmonë e virgjër. Ajo lindi edhe fëmijë të tjerë, pasi “lindi djalin e saj të parëlindur” (Luka 2:7; Mateu 12:47; Marku 6:3). Maria ishte mëkatare dhe kishte nevojë për një Shpëtimtar.

Maria nën presion

Besimi i saj u vu nën presion, kur dëgjoi mesazhin e ëngjëllit, sepse, në ato kohë, të qënit me barrë para martesës ishte mëkat, që meritonte vrasjen me gurë në sytë e të gjithëve. Maria vendosi që t’i besonte Perëndisë dhe t’ia linte Atij në dorë të gjitha detajet, që kishin të bënin me lindjen e Birit të Tij. Të kishte qenë vajzë tjetër, do të kishte ikur me vrap prej fshatit! Më vonë, Simeoni i tha: “Edhe ty vetë një shpatë do të ta tejshpojë shpirtin”, duke i shpjeguar asaj kështu arsyen e ardhjes së Mesias (Luka 2:35).

Edhe pse Maria e dinte se kush ishte i biri, fëmijët e saj e patën më të vështirë për ta besuar atë, që iu kishte thënë e ëma. “Në fakt as vëllezërit e tij nuk besonin në të” (Gjoni 7:5). Ky fakt do ta ketë dëshpëruar shumë Marien. Kur iu rritën fëmijët, ajo e shoqëroi Jezusin në disa prej vizitave të Tij, sepse na thuhet se, pas dasmës në Kanë, “Ai zbriti në Kapernaum me nënën e tij, vëllezërit e tij dhe me dishepujt e tij” (Gjoni 2:12). Ka plot shembuj në Bibël, që tregojnë përkushtimin e Maries ndaj Jezusit, ndaj edhe nuk është për t’u habitur që ajo ndodhet aty, kur Atë e gozhdojnë mbi kryq. “Por afër kryqit të Jezusit, qendronin nëna e tij…Atëherë Jezusi …pa nënën e tij” (Gjoni 19:25-26). Kjo ngjarje mund t’ia kishte dëmtuar Maries besimin, por jo. Edhe pse shpirtin e kishte në agoni, e dinte arsyen pse duhej të ndodhte kështu. Pas vdekjes së Krishtit, ajo ishte një nga pasuesit e Tij, të mbledhur në dhomën e sipërme. “Të gjithë këta ngulmonin me një mendje të vetme në lutje dhe përgjërim së bashku me gratë, me Marinë, nënën e Jezusit, dhe me vëllezërit e tij” (Veprat e Apostujve 1:14). Dhe, si pasojë, ajo duhet të ketë qenë e pranishme atëherë, kur Fryma e Shenjtë u derdh mbi besimtarët që prisnin (Veprat e Apostujve 2).

Përfundim   

Maria na shfaqet si një grua me një besim të jashtëzakonshëm, plot mençuri dhe përulje. Ajo e konsideroi veten si shërbëtore të Perëndisë. E bëri të vetin vullnetin e Tij, pavarësisht nga sprovat, që do të vinin për t’ia dobësuar besimin. Nëpërmjet saj e shohim se ç’gjëra të mrekullueshme është në gjendje të bëjë Perëndia me atë njeri, i cili i dorëzohet plotësisht Atij. “Prandaj, ai që do ta pastrojë veten prej atyre gjërave, do të jetë enë nderi, i shenjtëruar, i dobishëm për Mjeshtrin, i përgatitur për çdo punë të mirë” (2 2 Timoteut 2:21).

Mbrapa

Advertisements