Mbajtja lart e Ungjillit

“Duke mbajtur lart fjalën e jetës, që unë të kem me se të krenohem në ditën e Krishtit, se nuk vrapova kot dhe as nuk u mundova kot. Por, edhe sikur unë të jem derdhur si flijim dhe shërbesë të besimit tuaj, gëzohem dhe ngazëlloj me ju të gjithë. Po ashtu edhe ju gëzohuni dhe ngazëllohuni me mua” (Filipianëve 2:15-18).

Parathënie

Në një farë mënyre, ta vësh në praktikë besimin tënd, do të thotë t’iu dëshmosh të tjerëve rreth Zotit. Apostulli Pal e konsideronte si një gjë shumë të rëndësishme predikimin dhe mësimin e fjalës së Perëndisë. Sipas tij, nëse besimtarët filipianë nuk i kushtonin rëndësi kësaj çështjeje, atëherë ai vetë nuk e kishte kryer siç duhej detyrën e tij si mësues inkurajues. Nëse ata nuk ishin të zotët të dëshmonin rreth Krishtit, atëherë ai vetë nuk e kishte kryer siç duhej detyrën e tij si shërbëtor i Krishtit.

Mbajtja lart

Duke mbajtur lart fjalën e jetës” – këto fjalë janë një moto e shkëlqyer për çdo kishë apo për çdo besimtar. Duhet të dëshirojmë ta mbajmë lart fjalën e Perëndisë, si me fjalë, ashtu edhe me vepra. “Ta mbash lart” do të thotë “ta vësh në zbatim”, d.m.th. duhet të jemi mbajtës të pishtarit, duke ndriçuar fuqishëm me “fjalën e jetës” kudo që ndodhemi. “Fjala e jetës” është gjithashtu Krishti, që jeton brenda nesh dhe përmes nesh. “Atë që ishte nga fillimi, atë që dëgjuam, atë që pamë me sytë tanë, atë që vështruam dhe që duart tona e prekën lidhur me Fjalën e jetës” (1 Gjonit 1:1). Duhet ta vëmë në zbatim atë që na thotë Bibla, lidhur me temën e shenjtërisë në jetën tonë të përditshme, sidomos ngaqë jetojmë në një botë mëkatare, mes atyre që nuk e kanë për turp ta shtrembërojnë fjalën e Perëndisë. Është për të të ardhur keq, që shumë të krishterë, në vend që t’i qëndrojnë besnik Biblës dhe parimeve të saj, i rrinë aq afër botës, saqë janë bërë të pafuqishëm si dëshmitarë të Krishtit. Na është dhënë e drejta për ta ndryshuar botën, jo për ta lejuar atë të na ndryshojë neve. “Ju do të merrni fuqi kur Fryma e Shenjtë do të vijë mbi ju dhe do të bëheni dëshmitarët e mi në Jeruzalem dhe në gjithë Judenë, në Samari dhe deri në skajin e dheut” (Veprat e Apostujve 1:8)… “Pastaj u tha atyre: “Dilni në mbarë botën dhe i predikoni ungjillin çdo krijese” (Marku 16:15).

Shprehja “dita e Krishtit” i referohet kohës, kur kisha do të shfaqet përpara Zotit si nusja e Tij. “Që ta nxjerrë atë përpara vetes të lavdishme, pa njolla a rrudha a ndonjë gjë të tillë, por që të jetë e shenjtë dhe e paqortueshme” (Efesianëve 5:27). Asnjë pastor nuk ka qejf ta shohë mundin dhe djersën e vet t’i shkojë kot, kur anëtarët e kishës së tij largohen nga besimi. Përkundrazi, ai do që ata të qëndrojnë një ditë përpara Krishtit si anëtarë të kishës së Tij të shenjtë. Për këtë arsye, një pastor i vërtetë iu thotë vazhdimisht dëgjuesve të vet që të jenë besnikë, të shenjtë dhe të veçuar nga bota. Kisha ka për të qëndruar në tokë vetëm deri në “ditën e Krishtit”, me qëllim që t’iu dëshmojë mëkatarëve rreth Tij. “Dhe Fryma dhe nusja thonë: “Eja!”. Dhe ai që dëgjon le të thotë: “Eja!”. Dhe ai që ka etje, le të vijë; dhe ai që do, le të marrë si dhuratë ujin e jetës” (Zbulesa 22:17).

Kisha e Krishtit e ka për detyrë ta “mbajë lart fjalën e jetës”, “ungjillin e Krishtit”, që është “fuqia e Perëndisë për shpëtimin e cilitdo që beson” (Romakëve 1:16). Ungjilli është “fjala e jetës”, sepse ai iua transformon jetën, atyre që e dëgjojnë dhe e vënë atë në zbatim. Por si mund t’iua transformojë jetën njerëzve ungjilli, nëse nuk e “mbajmë lart”? “Si do ta thërrasin, pra, atë, të cilit nuk i besuan? Dhe si do të besojnë tek ai për të cilin nuk kanë dëgjuar? Dhe si do të dëgjojnë, kur s’ka kush predikon?” (Romakëve 10:14). Mbajtja lart e vërtetës biblike, pra, duhet bërë si me fjalë, ashtu edhe me vepra.

Flijim dhe shërbesë

Vini re se si Pali na e thekson edhe një herë idenë e flijimit personal. Ai ishte gati ta flijonte veten për kishën e filipianëve, d.m.th. ai ishte gati më mirë të vdiste, sesa t’i shihte ata të korruptuar prej mësimeve fallco apo prej inatit e smirës. Do të ishte vërtet kënaqësi për të ta jepte jetën për hir të shëndetit shpirtëror të këtyre besimtarëve. Fjala “derdhem” ka kuptimin e vdekjes fizike, sepse e njëjta fjalë përdoret edhe tek 2 Timoteut 4:6, ku Pali shkruan: “Sa për mua, po derdhem si ofertë pije, dhe koha e nisjes sime arriti”. Vargu në vazhdim na tregon se ai e kishte mbajtur lart ungjillin gjatë gjithë jetës së tij, duke na vërtetuar kështu se Pali ia kishte përkushtuar jetën e vet Krishtit dhe kishës së Tij. “Luftën e mirë e luftova, e përfundova vrapimin, e ruajta besimin” (2 Timoteut 4:7). Për më tepër, fjala “derdhem” ka të bëjë gjithashtu edhe me përulësinë e Krishtit, për të cilën Pali na ka shkruar edhe më parë. “E përuli vetveten duke u bërë i bindur deri në vdekje, deri në vdekje të kryqit” (Filipianëve 2:8).

Flijimi dhe shërbesa janë dy pjesë të pandara të jetës së një besimtari, përsa kohë që ai jeton në këtë botë. Zoti Jezus pret që të gjithë ata, që i shkojnë pas Atij, të kenë një nivel të tillë bindjeje. “Nëse dikush do të vijë pas meje, le ta mohojë vetveten, ta marrë çdo ditë kryqin e vet dhe të më ndjekë” (Luka 9:23). Pali na thotë të njëjtën gjë tek Romakëve 12:1-2, “O vëllezër, po ju bëj thirrje, nëpërmjet dhembshurisë së Perëndisë, ta paraqisni trupin tuaj si fli të gjallë, të shenjtëruar, të pëlqyer te Perëndia, që është shërbesa juaj e mënçur. Dhe mos u konformoni me këtë botë, por transformohuni me anë të ripërtëritjes së mendjes suaj, që të provoni cili është i miri, i pëlqyeri dhe i përsosuri vullnet i Perëndisë”. Një flijim dhe shërbesë e tillë vërteton se besimtari ia ka përkushtuar jetën plotësisht Zotit. “Sepse u bletë me një çmim! Përlëvdoni Perëndinë, pra, në trupin tuaj dhe në frymën tuaj, që i përkasin Perëndisë” (1 Korintasve 6:20).

Pali donte që kisha e filipianëve të gëzohej. Besimtarët atje ishin të lumtur që po predikonin fjalën e Perëndisë dhe ky fakt e ngazëlloi pa masë apostullin. Shumë shpejt, ata kishin për t’u gëzuar edhe më shumë, kur apostulli të lirohej prej burgu, sepse atëherë do ta shihnin përsëri ballë për ballë njëri-tjetrin.

Përfundim

Pali, edhe sikur të vdiste në burg, prapëseprapë ishte i lumtur, duke e ditur se kishte bërë të pamundurën, për ta ndihmuar kishën filipiane për të jetuar për Zotin. Edhe ne, duke e “mbajtur lart fjalën e jetës”, një ditë do të ngazëllohemi në praninë e Krishtit. Do të na duhet flijim, shërbesë dhe përkushtim nga ana jonë, me qëllim që mëkatarët të kthehen tek Zoti. Kjo detyrë nuk mund të kryhet dot, po qe se jetës sonë i mungon shenjtëria dhe perëndishmëria, sepse përndryshe, jemi thjesht hipokritë dhe ata që na ndjekin, janë “dy herë më të keq” sesa ne (Mateu 23:15)! Nëse kemi për ta jetuar vërtet jetën e krishterë, atëherë le ta jetojmë atë sipas parimeve të Biblës. Nëse duam t’i kthejmë vërtet mëkatarët tek Krishti, atëherë le të përdorim metodat, që na cakton Bibla.

Mbrapa

Advertisements