Mbartësi i mëkatit

“Sepse ai bëri të jetë mëkat për ne ai që nuk njihte mëkat, që ne të bëhemi drejtësia e Perëndisë në të” (2 Korintasve 5:21).

Parathënie
Dhimbja fizike që duroi Krishti, është vështirë për t’u imagjinuar. Filmat e ndryshëm, si p.sh. ‘Pasioni i Krishtit’, e përqëndrojnë vëmendjen e tyre gabimisht tek kjo pjesë e jetës së Tij, dhe për këtë arsye, ata nuk e paraqesin drejt qëllimin pse Krishti erdhi në botë. Por ky problem zmadhohet edhe më shumë për faktin se ka shumë pak njerëz, madje edhe nga ata brenda kishës, që nuk e kuptojnë dhimbjen psikologjike që provoi Zoti, kur mbarti mbi supet e Tij mëkatin dhe fajin tonë. Po të përqëndrohemi vetëm tek një aspekt i vuajtjes së Zotit, (d.m.th. tek aspekti fizik), atëherë nuk do ta kuptojmë siç duhet sakrificën e Tij. 

Përsosshmërisht i shenjtë
Si besimtarë, ne ndiejmë turp dhe keqardhje, kur nuk i bindemi Zotit. E kuptojmë se mëkati ynë ka shkaktuar një ndarje të shoqërisë sonë me Perëndinë (Isaia 59:2). Si pasojë, kjo na bën të ndihemi fajtorë dhe të ndëshkuar. Sa më shumë që të dëshirojmë të jetojmë një jetë të shenjtëruar, aq më i madh do të jetë shqetësimi që ndjejmë kur mëkatojmë kundër Perëndisë.

Si do të ishte ndjerë Jezusi, pra, kur mori mbi Vete “mëkatin e botës” (Gjoni 1:29)? Ai ishte absolutisht i shenjtë në çdo drejtim. Ngaqë ishte Perëndi, Ai do ta kishte urryer tmerrësisht mëkatin. Ai ishte i shenjtë, ndaj mëkati ishte diçka e panjohur për Të (1 Pjetrit 2:24; 2 Korintasve 5:21; Hebrenjve 7:26). E megjithatë, për shkak se Ai e deshi Atin Perëndi dhe mëkatarët, Ai vullnetarisht mbarti mbi supe tërë peshën e mëkatit tonë. Është e pamundur në këtë botë që ne ta kuptojmë plotësisht dhimbjen e brendshme që ndjeu Jezusi, kur Ai u bë mbartësi i mëkatit. 

U bë të jetë mëkat
Të gjithë i dinë fjalët e mrekullueshme të regjistruara tek Isaia 53:6, 12, që thonë: “Zoti bëri që të bjerë mbi të paudhësia e ne të gjithëve… ai ka mbajtur mëkatin e shumë vetave”. Gjon Pagëzori, pa dyshim, iu referua Isaias 53, kur deklaroi se Jezusi ishte “Qengji i Perëndisë, që heq mëkatin e botës” (Gjoni 1:29). Apostulli Pal gjithashtu na mëson se Jezusi u bë “të jetë mëkat për ne” (2 Korintasve 5:21). Ky portretizim i Mesisë si mbartës i mëkatit, do të zgjasë në përjetësi (Zbulesa 5:12).

U bë mallkim për ne
Tek Galatasve 3:13, Pali përdor një shprehje shumë të fuqishme, kur thotë se Krishti “u bë mallkim për ne”. Ai i referohet Ligjit të Përtërirë 21:22-23, ku bëhet fjalë për kriminelin që “ka kryer një krim që meriton vdekjen” dhe egzekutimi i tij (varja në pemë) vërtetonte se ai ishte “i mallkuar nga Perëndia”. Nuk është çudi, pra, që Isaia e përshkruan Krishtin si “të rrahur nga Perëndia”, kur “Zoti bëri që të bjerë mbi të paudhësia e ne të gjithëve” (Isaia 53:5, 6). Biri i shenjtë dhe i vetëmlindur i Perëndisë mbarti mallkimin mbi Vete!

Ai mori fajin tonë
Faji ynë iu ngarkua Krishtit në të njëjtën mënyrë ashtu siç mëkati i Adamit na u ngarkua neve. Ati Perëndi e konsideroi Jezusin fajtor, ngaqë Ai, si mbartës i mëkatit, mori mbi Vete çdo aspekt të mëkatit të njeriut. Kjo nuk do të thotë se natyra e Jezusit u bë mëkatare, por se faji ynë iu transferua Atij në mënyrë vullnetare. Kështu Ai u bë i vetmi person, i denjë për ta pranuar tërë forcën e zemërimit të Perëndisë (Romakëve 8:1).

Përfundim
Shpëtimtari ynë e plotësoi çdo kërkesë të ligjit, duke kënaqur kështu drejtësinë e Perëndisë. Çmimi për shlyerjen e fajit tonë nuk mund të paguhet nëpërmjet veprave të mira, apo veprimeve fetare, apo ndershmërisë së njeriut. Perëndia pret që ne thjesht t’i besojmë Atij që pagoi çmimin, që u bë zëvendësi ynë dhe që bëri të mundur që ne të hyjmë “në shenjtore”, në vendin e shenjtë (Hebrenjve 10:14-20).

Mbrapa

Advertisements