Mbetsh me shëndet!

“Dhe vetë Zoti i paqes ju dhëntë vazhdimisht paqe në çdo mënyrë. Zoti qoftë me ju të gjithë. Të falat me shëndet janë nga dora ime, nga mua, Pali; dhe kjo është një shenjë në çdo letër prej meje; unë shkruaj kështu. Hiri i Zotit tonë Jezu Krisht qoftë me ju të gjithë. Amen” (2 Thesalonikasve 3:16-18).

Parathënie

Letra e dytë e Palit drejtuar kishës së Thesalonikut, mbyllet me bekimin e mësipërm, që është i shprehur në formë lutjeje.

Paqe

Dhe paqja e Perëndisë, që ia tejkalon çdo zgjuarësie, do të ruajë zemrat tuaja dhe mendjet tuaja në Krishtin Jezus” (Filipianëve 4:7).

Pali lutet që paqja e Perëndisë të jetë mbi këta besimtarë thesalonikas, sidomos ngaqë ata, jo vetëm që po vuanin e po persekutoheshin për hatër të Krishtit, por edhe po ballafaqoheshin me probleme të ndryshme, të shkaktuara prej mësuesve të rremë dhe anëtarëve të padisiplinuar të kishës. Një paqe e tillë mund të merret vetëm prej “Zotit të paqes“. Ngushëllimi, që vjen si rezultat i pranisës së Tij në mes të besimtarëve, iu jep forcë atyre, për t’i bërë ballë çdo situate. Vetë Krishti është paqja jonë. “Ai në fakt, është paqja jonë, ai që ka bërë nga të dy popujt një dhe ka shembur murin e ndarjes” (Efesianëve 2:14). Mbretëria e Perëndisë është e themeluar mbi një paqe të tillë. “Sepse mbretëria e Perëndisë nuk është të ngrënët dhe të pirët, por drejtësia, paqja dhe gëzimi në Frymën e Shenjtë” (Romakëve 14:17). Kjo paqe është si për jetën tonë fizike, ashtu edhe për atë shpirtërore. Në komentimin, që i ka bërë vargut në hyrje të këtij studimi, Gjon Uesli ka thënë: “Perëndia ju dhëntë paqe në çdo mënyrë, d.m.th. në çdo situatë”. Kurse në komentimin e këtij vargu, autorët Xhejmisën, Foset dhe Braun thonë kështu: “Një paqe të pandërprerë, që nuk ndryshon sipas situatave të jashtme”.

Letër e nënshkruar

Ka të ngjarë që Pali t’ia ketë diktuar këtë letër dikujt tjetri, ndoshta Silas apo Timoteut. Por, tani, në fund të saj, ai e merr vetë penën në dorë, për të shprehur bekimin e tij përfundimtar mbi besimtarët thesalonikas. Në këtë mënyrë, dukej hapur se ato letra, që ishin të firmosura e të vulosura prej dorës së Palit, ishin origjinale, jo fallco. Ai veproi njëlloj edhe me letrën drejtuar Filemonit, vargu 19: “Unë, Pali, i shkrova me dorën time“. Të mos e harrojmë faktin se mësuesit e rremë fallsifikonin letra, duke shpallur se ato ishin shkruar prej dorës së Palit. “Të mos lejoni që menjëherë t’ju prishet mendja ose të trazoheni as prej fryme, as prej fjale, as prej ndonjë letre gjoja të shkruar prej nesh, thua se ja, erdhi dita e Krishtit” (2 Thesalonikasve 2:2). 

Hiri          

“Hiri, mëshira dhe paqja qofshin me ju nga Perëndia Ati dhe nga Zoti Jezu Krisht, Biri i të Atit, në të vërtetë dhe në dashuri” (2 Gjonit, vargu 3).

Pali, ashtu si në të gjitha letrat e tjera të tij, e përfundon edhe këtë letër, duke u lutur që hiri i Perëndisë të qëndrojë mbi këta besimtarë. Ky nuk është hiri i shpëtimit, por bekimi, që Perëndia iu jep atyre, që i besojnë dhe e ndjekin Atë. Psalmi 23:6 na ndihmon për ta kuptuar më mirë se ç’kuptim ka ky hir bekues: “Me siguri pasuri dhe mirësi do të më shoqërojnë në gjithë ditët e jetës ime“. Zoti i paqes dhe i hirit do të merret Vetë një ditë me armikun më të madh të besimtarit. “Tani Perëndia e paqes do ta dërmojë së shpejti Satananë nën këmbët tuaja. Hiri i Zotit tonë Jezu Krisht qoftë me ju” (Romakëve 16:20).

Vini re se Pali përdor fjalën “të gjithë“, për të treguar se ai përfshin këtu me këtë bekim edhe ata, që kishin gabuar e që ishin larguar nga rruga e drejtë, duke i shkaktuar kishës probleme. Ky veprim na shfaq zemrën e një pastori të vërtetë, sepse secili prej këtyre njerëzve i kishte dëgjuar mësimet e Palit, ndaj edhe vetë Pali ndihej i detyruar për t’u kujdesur për ta.

Përfundim

Paqja dhe hiri janë elementë të rëndësishëm të një jete vërtet të bekuar, si për individët e krishterë, ashtu edhe për mbarë kishën. “Edhe Perëndia e paqes qoftë me ju të gjithë” (Romakëve 15:33)… “Hiri i Zotit tonë Jezu Krisht qoftë me frymën tuaj” (Filemonit, vargu 25).

Mbrapa

Advertisements