Mbreti dhe Familja e Tij

Parathënie

Në një studim të mëparshëm, e kemi vënë re se njerëzit e farefisit të Jezusit e keqkuptuan natyrën e shërbesës së Tij: “Dhe kur të afërmit e tij e morën vesh, shkuan ta marrin atë, sepse flitej: “Nuk është në vete” (Marku 3:21). E pranojmë se ata duhet ta kenë dashur Jezusin, por kjo dashuri nuk i ndaloi nga të përpjekurit për ta bindur, që të hiqte dorë nga puna e Tij. Madje edhe Maria nuk arriti që ta kuptonte plotësisht se pse ishte dërguar Jezusi në botë. Kur kishte qenë një djalë dymbëdhjetë vjeçar, Jezusi iua kishte thënë qartë Maries dhe Jozefit: “Duhet të merrem me punët e Atit tim” (Luka 2:49-50).

As akuzat shpifëse të armiqve, as sugjerimet dashamirëse të familjes, nuk ishin në gjendje ta kthenin Jezusin mbrapsht nga qëllimi i ardhjes së Tij. Pavarësisht se ç’mendonin të tjerët, Zoti ishte i vendosur për ta përfunduar detyrën e Tij: “Tani unë kam një pagëzim me të cilën duhet të pagëzohem dhe jam në ankth deri sa të kryhet” (Luka 12:50). Ashtu si Nehemia, edhe Ai refuzoi që t’i dëgjonte vërejtjet e atyre, që përpiqeshin t’ia pengonin punën: “Jam duke bërë një punë të madhe dhe nuk mund të zbres. Pse duhet ta ndërpresim punën, kur unë po e lë për të zbritur tek ju?” (Nehemia 6:3).

Farefisi tokësor

Ndërkaq erdhën vëllezërit e tij dhe e ëma dhe, si ndaluan përjashta, dërguan ta thërrasin. Turma ishte ulur përreth tij; dhe i thanë: “Ja, nëna jote dhe vëllezërit e tu janë përjashta dhe po të kërkojnë” (Marku 3:31-32).

S’ka dyshim që Zoti kishte një dashuri dhe respekt të thellë për atë, që e mbajti në bark dhe i dha gji. Ai ishte rritur pranë familjes së Tij tokësore, prandaj edhe zemra

i digjej për ta. Shpeshherë, Ai duhet të jetë lutur, që ata të pendoheshin e të ktheheshin tek Perëndia. Por tek i kundërviheshin, ata po e bënin veten armiq të Tij: “Dhe armiqt e njeriut do të jenë ata të shtëpisë së vet” (Mateu 10:36). Ata i thërritën Jezusit me zë të lartë, jo ngaqë donin të shpëtoheshin, por ngaqë donin ta largonin nga turma, që po e dëgjonte. Është për të ardhur keq, që madje edhe vëllezërit dhe motrat e Zotit nuk i besuan Atij: “Prandaj vëllezërit e tij i thanë: “Nisu prej këndej dhe shko në Jude, që edhe dishepujt e tu t’i shohin veprat që ti bën. Askush në fakt nuk bën asgjë në fshehtësi kur kërkon të nijhet botërisht; kur ti do të bësh gjëra të tilla, tregohu botës!”. Në fakt as vëllezërit e tij nuk besonin në të” (Gjoni 7:3-5).

Marrëdhënia e përjetshme

Por ai u përgjigj atyre duke thënë: “Kush është nëna ime, ose vëllezërit e mi?”. Pastaj duke vështruar rreth e qark mbi ata që ishin ulur rreth tij, tha: “Ja nëna ime dhe vëllezërit e mi! Sepse kushdo që bën vullnetin e Perëndisë, ai është vëllai im, motra ime dhe nëna!” (Marku 3:33-35).

Vëllezërit e vërtetë të Jezus Krishtit janë ata që i binden vullnetit të Tij. Marrëdhënia që kemi me Zotin është më e ngushtë sesa ajo e gjakut apo e mishit. Prandaj edhe Jezusi tha: “Ai që e do të atin ose nënën më shumë se unë, nuk është i denjë për mua; dhe ai që e do birin ose bijën më shumë se unë, nuk është i denjë për mua” (Mateu 10:37). Jezusi e do kishën e Tij, sepse çdo anëtar është pjesë e familjes së Tij të përjetshme. Pak rëndësi ka se kush jemi në jetë – dashuria e Tij është e njëjtë për të gjithë. Familja dhe miqtë mund të na mohojnë dhe të na mënjanohen, por Zoti kurrë nuk do të na mohojë: “Edhe sikur babai im dhe nëna ime të më kishin braktisur, Zoti do të më pranonte” (Psalmi 27:10)… “Është një mik që është më i lidhur se një vëlla” (Fjalët e Urta 18:24)… “Nuk do të të lë, nuk do të të braktis” (Hebrenjve 13:5). Këto premtime të çmuara janë për ata që “i besojnë dhe i binden Atij”.

Përfundim

Këto vargje na mësojnë sesa të rëndësishëm jemi në sytë e Zotit. Farefisi i vërtetë i Zotit Jezus Krisht, pjesëtarët e familjes së përjetshme të Mbretit të Qiellit, janë ata që refuzojnë që ta lejojnë diçka apo dikë në këtë botë, që t’ua kthejë mendjen nga të qënit besnik ndaj Perëndisë. Ai është me ta në çdo hap dhe do t’ua marrë hakun në prani të armiqve të tyre: “Sepse Hakmarrësi i tyre është i fuqishëm; ai do të mbrojë çështjen e tyre kundër teje” (Fjalët e Urta 23:11).

Ç’mik na është Jezus Krishti
Në çdo rast ai na mbron
Ç’privilegj t’i shpiem Zoti
Çdo gjë zemrën na lëndon
O ç’paqtim shumë herë largojmë
O ç’mundime heqim kot
Vetëm se s’ia bëjmë të njohur
Me të falur të madhit Zot.

Kemi ngasje dhe mundime
Jemi mbushur me hidhërim
Le t’ia bëjmë të njohur Zotit
Na dhuron Ai paqëtim
Mund të gjejmë mik të tillë
Tjetër Mik si Zotin Krisht
Jo pra zemrën hap tregoji
Ç’të mundon ty kotësisht.

Nëse je rëndë i ngarkuar
Edhe barrën nuk mban dot
Ngri lart sytë dhe vështro Zotin
Veten mos mundo më kot
Të mërzisin njerëzia
Nuk të mbet mbi dhe një mik
Ia thuaj të gjitha Zotit
Ai të është mik besnik.

Mbrapa

Advertisements