Mbreti dhe Puthja

Në këtë pasazh të Ungjillit sipas Markut, do të shohim metodën, me anë të së cilës Juda Iskarioti e tradhtoi Zotin Jezus Krisht në duart e armiqve të Tij.

Shpata

Dhe në atë çast, ndërsa ai ende po fliste, erdhi Juda, një nga të dymbëdhjetët, dhe me të një turmë e madhe me shpata e shkopinj, e dërguar nga krerët e priftërinjve, nga skribët dhe nga pleqtë. Dhe ai që po e tradhtonte u kishte dhënë atyre një shenjë: “Kë do të puth, ai është. Kapeni dhe çojeni me shoqërim të sigurt”. Dhe si arriti, u afrua menjëherë tek ai dhe tha: “Rabbi, Rabbi!”; dhe e puthi përzemërsisht! Atëherë ata vunë dorë mbi të dhe e arrestuan. Dhe një nga të pranishmit nxori shpatën, i ra shërbëtorit të kryepriftit dhe ia preu veshin. Atëherë Jezusi, duke iu përgjigjur, i tha: “Paskeni ardhur me shpata e me shkopinj që të më kapni sikurse të isha një cub? E pra, përditë isha midis jush në tempull duke i mësuar njerëzit dhe ju nuk më kapët” (Marku 14:43-49a).

Armiqtë e Krishtit nuk arritën dot ta kuptonin se mbretëria e Tij nuk ishte e kësaj bote. Ata kujtonin se armët ishin të domosdoshme për ta kapur Krishtin me forcë. Ndoshta besonin se pasuesit e Tij do t’i dilnin në mbrojtje, por, në fakt, të gjithë dishepujt e braktisën Jezusin, edhe pse Pjetri u përpoq për ta mbrojtur (shiko më poshtë). “Mbretëria ime nuk është e kësaj bote; po të ishte mbretëria ime e kësaj bote, shërbëtorët e mi do të luftonin që të mos u dorëzohesha Judenjve; porse tani mbretëria ime nuk është prej këtej” (Gjoni 18:36). Juda e tradhtoi Mbretin e Mbretërve me një puthje tradhtari, sepse ai nuk besonte në Mbretërinë e Perëndisë. Ç’mendime i vinin në mendje, vallë, tradhtarit, kur e pyeti Zoti: “Judë, ti po e tradhton Birin e njeriut me një puthje?” (Luka 22:48).

Mbasi i tha këto gjëra, Jezusi doli me dishepujt e vet dhe shkoi përtej përroit të Kedronit, ku ishte një kopsht, në të cilin hyri ai me dishepujt e tij. Dhe Juda, i cili po e tradhtonte, e njihte edhe ai atë vend, sepse shpesh herë Jezusi tërhiqej atje me dishepujt e tij. Atëherë Juda mori një grup ushtarësh dhe rojat e dërguara nga krerët e priftërinjve dhe nga farisenjtë, erdhi atje me fenerë, pishtarë dhe me armë. Atëherë Jezusi, duke ditur gjithçka që do t’i ndodhte, doli dhe i pyeti: “Kë kërkoni?”. Ata iu përgjigjën: “Jezusin Nazareas”. Jezusi u tha atyre: “Unë jam!”. Por Juda, që po e tradhtonte, ishte edhe ai me ta. Sapo ai u tha atyre: “Unë jam”, ata u zmbrapsën dhe ranë për dhe. Atëherë Jezusi i pyeti përsëri: “Kë kërkoni?”. Ata thanë: “Jezusin Nazareas”. Jezusi u përgjigj: “Ju kam thënë se unë jam; prandaj nëse më kërkoni mua, i lini këta të shkojnë”; që të përmbushej fjala që kishte thënë: “Nuk kam humbur asnjë nga ata që më ke dhënë”. Atëherë Simon Pjetri, që kishte një shpatë, e nxori, i ra shërbëtorit të kryepriftit dhe ia preu veshin e djathtë; dhe ai shërbëtor quhej Malk” (Gjoni 18:1-10). Këtu e shohim se si madje edhe vetë dishepujt e Jezusit kujtonin se Mbretëria ishte e kësaj bote. Jezusit i mjaftonte që të fliste vetëm një fjalë dhe të gjithë armiqtë e Tij do të shkatërroheshin. Por Ai vendosi që të mos fliste, sepse ishte vullneti i Atit të Tij që Ai të ishte Shpëtimtari i botës: “A kujton ti, vallë, se unë nuk mund t’i lutem Atit tim, që të më dërgojë më shumë se dymbëdhjetë legjione engjëjsh?” (Mateu 26:53).

Çdo lloj feje që përdor armë për të mbrojtur kauzën e saj, e vërteton se është prej mishit (prej njeriut), jo prej Perëndisë. Arsenali i besimtarit nuk përbëhet prej bombash, pistoletash, apo thikash: “Sepse armët e luftës sonë nuk janë prej mishi” (2 Korintasve 10:4)… “Jo për fuqinë dhe as për forcën, por për Frymën time,” thotë Zoti i ushtrive” (Zakaria 4:6). Ungjilli i vërtetë mbrohet me anë të fuqisë së Frymës së Shenjtë dhe rritet e zë rrënjë në zemrën dhe ndërgjegjen e njeriut vetëm nëpërmjet ndikimit me anë të kësaj Fryme. Ata që përdorin dhunë për të propaganduar teoritë e fesë së tyre, kanë për të humbur: “Sepse të gjithë ata që rrokin shpatën, prej shpate do të vdesin” (Mateu 26:52).

Shkrimet e Shenjta (Bibla)

Por kjo po ndodh që të përmbushen Shkrimet!” (Marku 14:49b).

Çdo njeri i pranishëm në kopësht atë natë, pavarësisht nga qëllimet e veta, po luante rolin e tij në përmbushjen e profecisë. Fjalët e Psalmit 22 dhe të profetit Isaia u përmbushën pikë për pikë nga Gjetsemania e deri në Kalvar. Plani dhe qëllimi i Perëndisë për të dërguar në botë Birin e Tij të Vetëmlindurin ishte paratreguar me kohë në Bibël. Ajo që ndodhi, ishte rezultat i planit të madh të Perëndisë për të siguruar mënyrën e shpëtimit për një botë të humbur në mëkat.

Nganjëherë, na duket sikur bota rreth e rrotull nesh është në kaos e në rrëmujë të plotë. Por le të jemi të sigurtë se Perëndia i Gjithëpushtetshëm është nën kontroll të plotë të gjithçkaje dhe është në gjendje t’i hedhë poshtë planet e njerëzve: “Perëndia mbretëron mbi kombet; Perëndia ulet mbi fronin e tij të shenjtë” (Psalmi 47:8). Pavarësisht se mund të na duket se gjërat nuk po na shkojnë për së mbari, “ne e dimë se të gjitha gjëra bashkëveprojnë për të mirë për ata që e duan Perëndinë, për ata që janë të thirrur sipas qëllimit të tij” (Romakëve 8:28). Qeveritë e kësaj bote mund të thurin kompllote së bashku kundër Zotit dhe popullit të Tij, por Perëndia është ende i ulur në fron: “Mbretërit e dheut mblidhen dhe princat këshillohen bashkë kundër Zotit dhe të vajosurit të tij, duke thënë: “Le t’i këputim prangat e tyre dhe t’i heqim qafe litarët e tyre”. Ai që ulet në qiejtë do të qeshë, Zoti do të tallet me ta” (Psalmi 2:2-4). Gjithçka do të kryhet sipas vullnetit të Perëndisë.

Shpërndarja

Atëherë dishepujt e lanë dhe ikën të gjithë. Dhe një farë djaloshi, që ishte i mbështjellur me një çarçaf mbi trupin e zhveshur, po e ndiqte, por ata e kapën. Por ai e lëshoi çarçafin dhe iku lakuriq nga duart e tyre” (Marku 14:50-52).

Sapo u arrestua Zoti, të njëmbëdhjetë dishepujt ikën me vrap për të shpëtuar jetën e tyre. Sapo u ballafaquan me rrezikun, ata i harruan tërë deklaratat e besimit, që kishin bërë më parë. Duhet të nxjerrim mësim prej këtij incidenti, me qëllim që të mos mburremi kurrë për forcën që kemi. Salomoni pati të drejtë kur shkroi: “Frika e njeriut përbën një lak” (Fjalët e Urta 29:25).

Përfundim

Gjithçka u përmbush në përputhje me profecitë e Dhiatës së Vjetër dhe në përputhje me vetë fjalët e Jezusit, lidhur me mënyrën me të cilën u tradhtua Ai. Dishepujt nuk kishin, pra, pse të habiteshin. U habitën, ngaqë nuk e kishin dëgjuar me vëmendje Zotin, kur iu fliste. Edhe ne sot kemi Biblën në dorë, por a e dëgjojmë zërin e Frymës së Shenjtë, tek i lexojmë dhe i studiojmë faqet e saj?

Mbrapa

Advertisements