Mbreti i Judës

“Mbas kësaj, Davidi u këshillua me Zotin, duke thënë: “A duhet të shkoj në ndonjë nga qytetet e Judës?”. Zoti iu përgjigj: “Shko”. Davidi e pyeti: “Ku të shkoj?”. Zoti u përgjigj: “Në Hebron”. Kështu Davidi shkoi atje me dy gratë e tij, Jezreeliten Ahinoam dhe Karmelitën Abigail, që kishte qenë gruaja e Nabalit. Davidi çoi edhe njerëzit që ishin me të, secili me familjen e tij, dhe u vendosën në qytetet e Hebronit. Pastaj erdhën njerëzit e Judës dhe e vajosën Davidin mbret të shtëpisë së Judës. Pas kësaj i thanë Davidit se qenë njerëzit e Jabeshit të Galaadit ata që kishin varrosur Saulin. Atëherë Davidi u dërgoi lajmëtarë njerëzve të Jabeshit të Galaadit për t’u thënë: “Qofshi të bekuar nga Zoti për mirësinë që treguat ndaj Saulit, zotërisë suaj, duke e varrosur! Tani Zoti tregoftë mirësi dhe besnikëri ndaj jush. Edhe unë do t’ju bëj të mirë, sepse keni bërë një gjë të tillë. Prandaj le të marrin forcë duart tuaja dhe qofshi trima, sepse Sauli, zotëria juaj, vdiq, por shtëpia e Judës më ka vajosur mbret të saj”” (2 Samuelit 2:1-7).

Parathënie   

Perëndia ia kishte hapur rrugën Davidit, për t’u bërë mbret i Izraelit. Viteve të persekutimit, të mërgimit e të arratisjeve tani iu erdhi fundi. Kishte 12 vjet, që Davidi i kishte lënë pas delet e të atit e tani kishte arritur në këtë pikë, ku kishte mundësinë ta drejtonte popullin e Perëndisë. Por kjo nuk do të thotë se ai nuk ka për të vuajtur më hidhërim e dhimbje.

Vullneti i Perëndisë

Pas një periudhe agjërimi për vdekjen e Saulit e të Jonatanit, Davidi u lut, që ta dinte vullnetin e Perëndisë për jetën e tij. E kuptoi se kishte nevojë për udhëheqje e drejtim, ngaqë kishte qenë i arratisur prej një kohe kaq të gjatë. Kjo na tregon se ai kërkonte të ishte i mençur gjatë gjithë mbretërimit të tij në Izrael. Tek Efesianëve 5:17, Pali shkruan: “Prandaj mos u bëni të pakujdesshëm, por kuptoni cili është vullneti i Zotit”. Ndoshta, po të mos i ishte lutur në fillim Perëndisë, Davidi do të kishte shkuar në Jeruzalem dhe do ta kishte marrë me sulm pallatin mbretëror e do të ishte bërë vetë mbret.

Davidit iu tha, që të shkonte në Hebron, ndaj edhe ai nuk vonoi, por iu bind Zotit, duke i marrë me vete të gjithë ata, që i kishin shkuar nga pas. Shumica e këtyre njerëzve ishin nxjerrë jashtë krahinës së Judesë gjatë kohës së Saulit si mbret. Por tani, falë Davidit, ata u bashkuan përsëri me familjet dhe miqtë e tyre. Davidi i kishte prurë në Tokën e Premtuar. “Hebroni ishte kryeqyteti dhe qendra e Judës dhe një nga qytetet levitikase. Banorët e tij kishin afrimitet të madh me Davidin dhe ishin dakort me kauzën e tij, sidomos që nga koha e masakrës së Nobit” (Nga komentimi që i bëjnë Biblës autorët Xhejmisën, Foset dhe Braun). Hebroni ka qenë gjithnjë vendi i bekimit në Bibël. Pikërisht këtu Abrahami hodhi hapat e para në tokën izraelite dhe në këtë vend atij iu premtua mrekullia e një djali, ndonëse ai vetë ishte i thyer në moshë. Hebroni është vendi, ku janë varrosur shumica e patriarkëve dhe e matriarkëve të Biblës. Në Hebron, Jozueu mori në zotërim Tokën e Premtuar. Rëndësia e Hebronit, pra, është një studim i tërë më vete.

Mbreti i Perëndisë

Le të mos e harrojmë se Davidi ishte vajosur mbret i Izraelit që para 12 vjetësh. “Atëherë Samueli mori bririn e vajit dhe e vajosi para vëllezërve të tij; që nga ajo ditë Fryma e Zotit zbriti te Davidi” (1 Samuelit 16:13). Por tani ai do të shfaqej si mbreti i zgjedhur i Perëndisë. Kurorëzimi i Davidit do të zhvillohej në dy pjesë. Pjesa e parë ishte një kurorëzim privat, i kryer prej pleqve të qyteteve të Judës. Juda ishte fisi mbretëror, nga gjiri i  të cilit do të dilte një ditë edhe “Mbreti i mbretërve”, i cili është “Luani i fisit të Judës” (Zbulesa 19:16, 5:5). Do të duheshin edhe 7 vjet e gjysëm, para se Davidi të mbretëronte mbi të gjitha fiset e Izraelit. Do ta shohim se jo të gjithë ishin dakort me mbretërimin e Davidit. Në fakt, kushëriri i Saulit, Abneri, do të vinte një mbret tjetër në vend të Davidit. Ndoshta i kishte ngrënë, pra, gënjeshtrat e Saulit!

Pas këtij kurorëzimi të fshehtë privat, Davidi mori vesh se si banorët e Jabeshit të Galaadit i kishin marrë trupat e Saulit e të bijve të tij dhe i kishin varrosur. “Por kur banorët e Jabeshit të Galaadit mësuan atë që Filistejtë i kishin bërë Saulit, tërë njerëzit trima u ngritën, ecën tërë natën dhe hoqën nga muret e Beth-Shanit kufomën e Saulit dhe kufomat e bijve të tij; pastaj u kthyen në Jabesh dhe këtu i dogjën ato. Pastaj muarrën kockat e tyre, i varrosën poshtë marinës në Jabesh dhe agjëruan shtatë ditë me radhë” (1 Samuelit 31:11-13). Davidi i lavdëroi ata për trimërinë që kishin treguar dhe iu premtoi se do t’i bekonte dhe do t’i shpërblente. Ky është urdhërimi i parë i Davidit si mbret, me anë të së cilit na tregohet se ai nuk kishte fare inat e zemërim ndaj Saulit, pavarësisht nga të gjitha ato që i kishte bërë ai. Për më tepër, ai nuk iua fshehu këtyre pasuesve të Saulit faktin se Juda e kishte kurorëzuar atë mbret të tyrin. Veproi kështu, për t’i inkurajuar ata, e jo për t’iu shkaktuar atyre dhimbje të mëtejshme. “Prandaj forconi duart e kapitura dhe gjunjët e këputur” (Hebrenjve 12:12)… “Forconi duart e dobësuara, bëjini të qëndrueshëm gjunjët e pasigurt!” (Isaia 35:3). “Davidi nuk donte, që ata ta kishin mendjen tek i vdekuri” (Mateo Henri), por që të kishin shpresë në ditët në vazhdim. Ka të ngjarë që këta banorë ishin të frikësuar, duke kujtuar se filistenjtë kishin për t’i sulmuar nga çasti në çast, ngaqë iua kishin marrë trupat e Saulit e të bijve të tij. Por Davidi i siguron ata se do t’iu dilte vetë në mbrojtje. “Mos kini frikë se filistenjtë kanë për t’ju ndëshkuar. Kini kurajo. Unë kam për t’ju mbrojtur” (Gjon Uesli).      

Përfundim   

Ishte me rëndësi të madhe fakti, që Davidi duhej ta fillonte mbretërimin e tij në atë pozicion, ku e kërkonte Perëndia. Ky fakt është i nevojshëm edhe në jetën tonë, nëse duam vërtet që të përdoremi fuqimisht prej Zotit. Si Davidi, ashtu edhe ne, duhet t’ia dorëzojmë veten Perëndisë, duke iu lutur Atij dhe duke qenë gati për t’iu bindur vullnetit të Tij për ne. “O vëllezër, po ju bëj thirrje, nëpërmjet dhembshurisë së Perëndisë, ta paraqisni trupin tuaj si fli të gjallë, të shenjtëruar, të pëlqyer te Perëndia, që është shërbesa juaj e mënçur. Dhe mos u konformoni me këtë botë, por transformohuni me anë të ripërtëritjes së mendjes suaj, që të provoni cili është i miri, i pëlqyeri dhe i përsosuri vullnet i Perëndisë” (Romakëve 12:1-2).  

Mbrapa

Advertisements