Mbrojtësit e Davidit

“Pastaj Davidi arriti në Mahanaim; dhe Absalomi kaloi Jordanin me gjithë njerëzit e Izraelit. Absalomi kishte vënë në krye të ushtrisë Amasan në vend të Joabit. Amasan ishte bir i një burri të quajtur Jithra Izraeliti, i cili kishte pasur marrëdhënie seksuale me Abigailin, bijën e Nahashit, motër e Tserujahut, nënë e Joabit. Kështu Izraeli dhe Absalomi e ngritën kampin e tyre në vendin e Galaadit. Kur Davidi arriti në Mahanaim, Shobi, bir i Nahashit nga Rabahu dhe i bijve të Amonit, Makiri, bir i Amielit nga Lodebaru dhe Barzilai, Galaaditi nga Rogelimi,   sollën shtretër, legena, enë prej dheu, grurë, elb, miell, grurë të pjekur, bathë, thjerrëza, perime të pjekura, miell, gjalpë, dele dhe djathë lope për Davidin dhe për njerëzit që ishin me të, me qëllim që të hanin, sepse thonin: “Këta njerëz kanë vuajtur nga uria, nga lodhja dhe nga etja në shkretëtirë”. Davidi kaloi në revistë njerëzit që ishin me të dhe caktoi mbi ta komandantë të mijëshëve dhe të qindshëve. Pastaj Davidi nisi përpara një të tretën e njerëzve të tij nën komandën e Joabit, një të tretën nën komandën e Abishait birit të Tserujahut, vëlla i Joabit, dhe një të tretën nën komandën e Itait të Gathit. Pastaj mbreti i tha popullit: “Dua të vij edhe unë me ju!”. Por populli u përgjigj: “Ti nuk duhet të vish, sepse po të na vënë përpara, nuk do të na jepnin rëndësi; edhe po të vdiste gjysma jonë, nuk do të na jepnin rëndësi; por ti vlen sa dhjetë mijë nga ne; është më mirë të rrish gati të na ndihmosh nga qyteti”. Mbreti iu përgjigj me këto fjalë: “Do të bëj atë që ju duket më mirë”. Kështu mbreti mbeti pranë portës së qytetit, ndërsa tërë populli dilte në formacion nga njëqind dhe nga një mijë veta” (2 Samuelit 17:24-18:4).

Parathënie

Davidi dhe Absalomi ishin në prag të betejës, për të parë se kush ishte mbreti i denjë i Izraelit. Absalomi e kishte marrë vesh se ku ishte fshehur i ati dhe donte medoemos që ta shkatërronte njëherë e mirë influencën që Davidi kishte mbi popullin. Në vargjet e mësipërme, mësojmë diçka rreth të dyja ushtrive dhe mënyrën se si u përgatitën ato për konfliktin në vazhdim.

Ushtria e Absalomit

Ushtria e Absalomit zuri pozicjon në Galaad. Ajo quhej me emrin “Izrael”, për të vënë në dukje faktin se pothuajse shumica e popullit kishte mbajtur anën e Absalomit. Kjo ushtri ishte më e madhe në numër, sesa grupi i vogël i atyre, që e ndiqnin Davidin, të cilët njiheshin me emrin “shërbëtorë” (2 Samuelit 18:7, 9). E dimë se ushtria e Absalomit duhet të ketë qenë goxha e madhe, ngaqë 20 mijë ushtarë të saj u vranë në betejë. Nuk duhet ta presupozojmë se ushtarët u detyruan, që të regjistroheshin me forcë në ushtrinë e Absalomit, sepse Bibla na thotë se kryengritja fillestare kishte qenë e mbështetur prej popullit, ndaj edhe këta njerëz ishin të lumtur, që po luftonin për mbretin e tyre të ri.

Amasa u bë komandanti i ushtrisë së Izraelit, ngaqë Joabi shkoi me Davidin, kur Absalomi e shpalli veten mbret. Amasa ishte kushëriri i Joabit dhe nip i Davidit. Edhe pas betejës, Amasa u caktua si komandant i ushtrisë së ri-bashkuar të Izraelit (2 Samuelit 19:13). Kjo gjë e ofendoi shumë Joabin. Shumë shpejt, Amasa do të vritej prej duarve të kushëririt të tij (2 Samuelit 20:10). Pa dyshim, Amasa, që sipas 1 Kronikasve 2:17 ishte Ismaelit, u gëzua pa masë, që u zgjodh për të përmbushur një rol kaq të rëndësishëm në ushtrinë e Izraelit. Të atit të Amasës, Jetherit, i ishte vënë emrin “Jithra”, për ta dalluar se ai ishte kthyer tek feja e judenjve. Jetheri ishte martuar me njërën prej motrave të Davidit, Abigailin.

Vendimi i Absalomit për të zënë pozicjon në Galaad – një zonë me një terren të ashpër – ishte një vendim i marrë, sepse kjo do të ishte njëra prej arsyeve e disfatës së shpejtë të tij. Davidi ishte mësuar me këto kodra e lugina. I kishte ato si në pëllëmbë të dorës. Një gabim i tillë nga ana e Absalomit ndodhi, ngaqë ai po e hapte i pari betejën ndaj Davidit. E pati gabim, pra, që në fillim. Po të ishte treguar pak më i duruar, ndoshta i ati do të përpiqej për ta ri-marrë Jeruzalemin dhe Absalomi do ta mundte kollaj atë atëherë. Shumica e burrave, që e rrethonin Davidin, ishin prej Galaadit, ndaj Davidi ishte në avantazh, madje edhe para se të fillonte beteja.

Mbrojtësit e Davidit

Ushtria e vogël e Davidit kishte zënë pozicjon në Mahanaim dhe po bëhej gati për betejën e ardhshme. Mahanaimi ishte një qytet i fortifikuar, tamam si Jeruzalemi, ndaj edhe këtu Davidi kishte gjetur mbrojtjen e duhur, nëse Absalomi do ta sulmonte. Historiani jude, Jozefi, thotë se ushtria e Davidit përbëhej vetëm prej 4000 vetëve. Gratë dhe fëmijët nuk do të përfshiheshin fare në konflikt. Perëndia e bekoi Davidin me rezerva të bollshme ushqimi. Kjo iu dha fuqi njerëzve, pasi kishin ecur për rreth 75km në shkretëtirë. Për më tepër, këto rezerva mund të hynin shumë në punë, po qe se qyteti do të rrethohej prej armikut për një kohë të gjatë.

Shohim të përmenden emra të ndryshëm të atyre njerëzve, që e mbështetën Davidin. Por ai që na bie më shumë në sy, është emri i Shobit. Ky ishte vëllai i Hanunit, mbretit të Amonit, i cili i kishte ofenduar dikur ambasadorët e Davidit dhe si rezultat, ishte bërë shkak i betejës mes Amonitëve dhe Izraelit (2 Samuelit 10). Ka të ngjarë që Shobi t’i kishte ngjarë të atit, Nahashit, i cili kishte qenë mik i Davidit (2 Samuelit 10:2). Një tjetër person që na përmendet, është Makiri. Ai kujdesej për Mefiboshethin sakat (2 Samuelit 9). Atij pa dyshim që i ishte bërë qejfi, që Davidi po vazhdonte të tregonte kujdes për çdo nevojë të Mefiboshethit, ndaj edhe i vuri si qëllim vetes, që t’i sillte Davidit rezerva ushqimore, atëherë kur ai kishte më shumë nevojë për to. Barzilai ishte një njeri i moshuar, i cili e mbështeti Davidin me aq sa kishte mundësi. Emrin e tij e shohim të na përmendet këtu për herë të parë, por ai ka për të luajtur një rol të rëndësishëm në të ardhmen. Secili prej këtyre burrave ishte kreu i zonës prej nga vinin e megjithatë, ishin të gatshëm për ta nderuar e për ta ndihmuar Davidin.

Ata që i kishin dalë në mbrojtje Davidit, nuk ishin aq të shumtë në numër, sa ushtria e Absalomit. Por Davidi i organizoi njerëzit e tij në tre grupe, nën udhëheqjen e Joabit, të Abishait dhe të Itait, duke planifikuar kështu ,që të sulmonte prej tre fronteve. E shohim se si Davidi po i përdorte me kujdes ato pak materiale që kishte në dorë, duke i përhapur shërbëtorët e tij sa më shumë, nga të gjitha anët. E kishte bërë plan, që të luftonte vetë në krye të betejës. Ndoshta po i kujtohej koha, kur Izraeli po luftonte kundra Amonitëve, kurse ai vetë kishte qëndruar në pallatin mbretëror dhe kishte mëkatuar. Po i vuante tani pasojat e atij mëkati. Por ata që e rrethonin, i kërkuan që të qëndronte në qytet dhe të lutej për ta. Nuk donin që ta kapte Absalomi dhe besonin se Davidi ishte më i vlefshëm sesa 10 mijë ushtarë të marrë së bashku. Davidit, pra, iu dha detyra, që të bëhej ushtar lutjeje, jo një mbret ushtar. Ai qëndroi pranë portave të qytetit, ndërkohë që shërbëtorët iu nisën për në betejë.

Përfundim   

Absalomi iu afrua fushës së betejës plot me krenari, sepse, sipas tij, grupi i vogël i shërbëtorëve të të atit as që krahasohej me ushtrinë e tij të madhe. Por strategjisë së Absalomit i mungonte elementet më kryesore: mençuria dhe përvoja. Davidi i kishte me bollëk si mençurinë, ashtu edhe përvojën. E përveç kësaj, Davidi kishte Perëndinë me vete. Ushtarët e Davidit, të disiplinuar mirë e me përvojë, kishin për t’u treguar më të fortë, sesa ushtria civile dhe e paorganizuar e Absalomit.

Mbrapa

Advertisements