Më krahasoni!

“Kujt dëshironi t’i përngjajë Perëndia dhe çfarë figure do t’i vinit përballë?… Me kë kërkoni, pra, të më ngjasoni, që të jem baras me të?,” thotë i Shenjti… Me cilin doni të më barazoni, me cilin doni të më krahasoni që mund të jemi të njëllojtë?” (Isaia 40:18, 25; 46:5).

Parathënie

A nuk ju duken qesharake reklamat në TV, që iu thonë teleshikuesve, apo konsumatorëve, që t’i krahasojnë çmimet e artikujve të ndryshëm, që shiten prej firmave të ndryshme, për të parë cilët janë më të lirët? Edhe populli i Izraelit veproi në të njëjtën mënyrë, kur filloi të zgjidhte perënditë fallco të kombeve, që e rrethonin, në vend që të zgjidhte Perëndinë e vërtetë. Duke vepruar kështu, ata e prishën marrëdhënien që kishin me Të. E njëjta gjë ndodh pothuajse edhe sot, ngaqë njerëzit kujtojnë se po bëjnë ujdi, kur vendosin t’iu shkojnë pas feve të rreme, në vend që t’i besojnë Krishtërimit Biblik.

Nuk mund ta krahasojmë dot Perëndinë me asgjë

Kush i ka matur ujëat me gropën e dorës, kush ka marrë përmasat e qiellit me pëllëmbë, kush ka mbledhur pluhurin e tokës në një masë apo ka peshuar malet me një peshore dhe kodrat e tyre me një kandar?” (Isaia 40:12).

Perëndia ynë krijoi universin dhe gjithçka, që ndodhet në të. Kur e krahasojmë atë që thotë Zanafilla, lidhur me krijimin e botës, me atë që thonë fetë pagane dhe teoria e evolucionit, e shohim se sa të marrë janë njerëzit, që shpikin ide të tilla, të cilat e largojnë popullsinë nga Perëndia. Ai e di me saktësi sasinë e të gjithë ujit dhe të të gjithë dheut në tokë. Atij nuk i duhet ta vrasë mendjen se sa peshojnë malet dhe kodrat.

Askush nuk mund ta kuptojë plotësisht Perëndinë

Kush i ka marrë përmasat e Frymës së Zotit, ose si këshilltari i tij i ka dhënë mësime? Me kë është konsultuar, që t’i jepte mend, t’i mësonte shtegun e drejtësisë, t’i jepte dituri dhe t’i tregonte rrugën e arsyes?” (Isaia 40:13-14).

Shumica e njerëzve të sotshëm kujtojnë se dinë më shumë sesa Perëndia. Kujtojnë se Darvini ishte më inteligjent sesa Zoti. Më shumë iu besojnë teorive fallco dhe mësimeve të njerëzve, sesa Atij, që na e shfaq Veten në Krishtin dhe në Biblën. Kështu, pra, njerëzit kujtojnë se kanë shpikur fe dhe filozofi më të mira, por “ka një rrugë që njeriut i duket e drejtë, por në fund ajo të nxjerr në udhët e vdekjes” (Fjalët e Urta 16:25). E si mund ta krahasojë dot njeriu Perëndinë me diçka tjetër, kur nuk e kupton fare Atë? “Duke qenë se mendimet e mia nuk janë mendimet tuaja, dhe as rrugët tuaja nuk janë rrugët e mia,” thotë Zoti. “Ashtu si qiejtë janë më të lartë se toka, kështu edhe rrugët e mia janë më të larta se rrugët tuaja dhe mendimet e mia janë më të larta se mendimet tuaja” (Isaia 55:8-9).

Mundohen të tregohen më të zgjuar sesa Perëndia

Por nuk e dini, nuk e keni dëgjuar? A nuk ju është njoftuar që në fillim? Nuk e keni kuptuar nga themelet e tokës? Ai është ai që rri ulur mbi rruzullin e tokës, banorët e së cilës janë si karkaleca; ai i shpalos qiejtë si një velo dhe i hap si një çadër ku mund të banosh. Ai i katandis princat në një hiç dhe i bën të panevojshëm gjykatësit e tokës” (Isaia 40:21-23).

Njerëzit, që shpikin doktrina jo-biblike, duan të tregohen më të zgjuar sesa Perëndia. Ata që i besojnë teorisë së evolucionit, p.sh. thonë se Perëndia bëri ca gabime në Krijimin e botës. Por deri më sot, ata vetë s’kanë arritur të krijojnë dot asgjë më të mirë sesa ato që krijoi Perëndia. Kështu, pra, e shohim budallallëkun e atyre, që flasin përçart, duke deklaruar se janë më të mençur se Zoti. Një ditë, të tillë njerëz kanë për të dhënë llogari përpara Atij, të Cilin e kanë hedhur poshtë dhe e kanë tallur. “Sepse mesazhi i kryqit është marrëzi për ata që humbin, por për ne që shpëtohemi është fuqia e Perëndisë. Sepse është shkruar: “Do të bëj të humbasë dituria e të diturve, dhe do ta asgjësoj zgjuarësinë e të zgjuarve” (1 Korintasve 1:18-19).

Njohuria njerëzore ka kufij. E megjithatë, njeriu kujton se di gjithçka. E hedh poshtë egzistencën e Perëndisë, në një kohë që nuk ka njohuri të plotë rreth universit, apo gjërave që e rrethojnë. E si mund ta hedhë poshtë Perëndinë, kur nuk e di dot as numrin e saktë të flokëve të kokës së vet?

Rezistenca është e kotë

Kujtoni këtë dhe tregohuni burra! Silleni atë ndërmend, o shkelës. Kujtoni gjërat e kaluara të kohëve shumë të vjetra, sepse unë jam Perëndia dhe nuk ka asnjë tjetër; jam Perëndia dhe askush nuk më ngjet mua, që shpall fundin që në fillim, dhe shumë kohë më parë gjërat që ende nuk janë bërë, duke thënë: “Plani im do të realizohet dhe do të bëj gjithçka më pëlqen” (Isaia 46:8-10).

Një rezistencë e tillë ndaj autoritetit të Perëndisë ka egzistuar, qëkurse Adami dhe Eva vendosën t’ia vinin veshin gënjeshtrave të Satanait. Por, më në fund, çdo njeri që ka jetuar në tokë, ka për të qëndruar një ditë përpara Fronit të Gjykimit të Perëndisë. “Pastaj pashë një fron të madh të bardhë dhe atë që ulej mbi të, nga prania e të cilit iku dheu dhe qielli, dhe nuk u gjet vënd për ata. Dhe pashë të vdekurit, të mëdhenj e të vegjël, që rrinin në këmbë përpara Perëndisë, edhe librat u hapën; dhe u hap një libër tjetër, që është libri i jetës; dhe të vdekurit u gjykuan në bazë të gjërave të shkruara në libra, sipas veprave të tyre. Dhe deti i dorëzoi të vdekurit që ishin në të, dhe vdekja dhe Hadesi dorëzuan të vdekurit që ishin në ta; dhe ata u gjykuan secili sipas veprave të veta” (Zbulesa 20:11-13). Gjithçka që bën njeriu mëkatar, është një akt rebelimi, “sepse të gjithë mëkatuan dhe u privuan nga lavdia e Perëndisë” (Romakëve 3:23).

Përfundim   

Kokëfortësia e njerëzve, për ta krahasuar Perëndinë me mësimet e mëkatarëve, i çon ata vetëm në një drejtim. Kujtojnë se po bëjnë një ujdi të mirë, por shumë shpejt kanë për ta paguar shtrenjtë çmimin e shpirtrave të tyre. Nuk mund ta krahasojmë dot Perëndinë tonë me fetë e rreme, apo me teorinë e evolucionit, apo me teori të tjera të marra, sepse këto mësime janë mashtrimet e Satanait, për t’i çuar njerëzit në Ferr. “Ai që beson në të nuk dënohet, por ai që nuk beson tashmë është dënuar, sepse nuk ka besuar në emrin e Birit të vetëmlindur të Perëndisë” (Gjoni 3:18). E si mund ta krahasojmë dot Krishtin me diçka tjetër, kur Ai vetë tha: “Unë jam udha, e vërteta dhe jeta; askush nuk vjen tek Ati përveçse nëpërmjet meje” (Gjoni 14:6)? “A ka vallë një Perëndi përveç meje? Nuk ka Shkëmb tjetër, nuk njoh tjetër të tillë” (Isaia 44:8).

Mbrapa

Advertisements