Mefiboshethi zemërgjerë

“Edhe Mefiboshethi, nip i Saulit, i doli përpara mbretit. Ai nuk i kishte mjekuar këmbët, nuk e kishte rruar mjekrën dhe nuk i kishte larë rrobat nga dita që kishte ikur mbreti deri në kthimin e tij në paqe. Kur arriti nga Jeruzalemi për të takuar mbretin, ky i tha: “Pse nuk erdhe me mua, Mefibosheth?”. Ai u përgjigj: “O mbret, imzot, shërbëtori im më mashtroi, sepse shërbëtori yt kishte thënë: “Unë do të shaloj gomarin, do të hip mbi të dhe do të shkoj me mbretin,” sepse shërbëtori yt është çalaman. Përveç kësaj, ai ka shpifur kundër shërbëtorit tënd pranë mbretit, zotërisë sime; por mbreti, zotëria im, është si një engjëll i Perëndisë; bëj, pra, atë që do të të pëlqejë. Në fakt tërë ata të shtëpisë së atit tim nuk meritojnë tjetër gjë veç vdekjes përpara mbretit, zotërisë tim; megjithatë ti e kishe caktuar shërbëtorin tënd ndër ata që hanin në tryezën tënde. Prandaj çfarë të drejte tjetër do të kisha për t’i bërtitur mbretit?”. Mbreti i tha: “Nuk është nevoja të shtosh fjalë të tjera. Unë kam vendosur; Ti dhe Tsiba ndajini tokat”. Atëherë Mefiboshethi iu përgjigj mbretit: “Le t’i marrë të gjitha, sepse mbreti, zotëria im, u kthye në paqe në shtëpinë e tij”” (2 Samuelit 19:24-30).

Parathënie

Mefiboshethi u gëzua vërtet, kur e mori vesh se Davidi po kthehej në Jeruzalem. Nuk arriti të fliste dot me të pranë lumit Jordan, por i doli përpara në pallatin mbretëror.

Mënyra e veshjes

Mefiboshethi (i biri i Jonatanit dhe nipi i Saulit) i kishte qëndruar besnik Davidit dhe ishte dëshpëruar shumë, kur Absalomi e kishte detyruar që të largohej prej Jeruzalemit. Hidhërimi i tij dukej qartë nga mënyra sesi ishte veshur. Ishte i parruar e i palarë, duke shfaqur kështu pakënaqësinë e tij ndaj qeverisë së re të Absalomit dhe besnikërinë e tij ndaj Davidit.

Përgjigja

Edhe pse Davidi e pa se Mefiboshethi i kishte qëndruar besnik dhe ishte treguar i sinqertë, prapëseprapë e pyeti se pse nuk i kishte shkuar pas, por kishte qëndruar në Jeruzalem. Deri në atë moment, Davidi dinte vetëm ato që i kishte thënë Tsiba, shërbëtori i Mefiboshethit, ndaj edhe e akuzoi Mefiboshethin pa të drejtë.

Përgjigja e Mefiboshethit e la Davidin të kuptojë se Tsiba e kishte mashtruar. Mefiboshethi, në vend që t’i kundërvihej ofendimit të mbretit, i shpjegoi atij sesi Tsiba i kishte mashtruar ata që të dy. Tsiba e kishte gënjyer Mefiboshethin, lidhur me shalimin e gomarit, sepse Tsiba, në vend që ta çonte të zotin e vet tek mbreti, e kishte ngarkuar gomarin me rezerva ushqimore dhe ia kishte çuar ato vetë Davidit, duke u dukur sikur ishte gjoja shërbëtor besnik i mbretit (2 Samuelit 16:1). Pastaj Tsiba kishte shpikur një histori si e si që ta ulte poshtë Mefiboshethin, duke i thënë Davidit se i zoti po kurdiste plane për t’u bërë vetë mbret (2 Samuelit 16:3). Ajo që na bën më shumë përshtypje rreth fjalëve të Mefiboshethit, është fakti se ai, edhe pse po tregon të vërtetën, prapëseprapë as nuk kërkon që të hakmerret kundra Tsibës, as nuk e ofendon atë.

Mefiboshethi ia bën të qartë mbretit se ai i ka qenë dhe do t’i jetë gjithmonë një shërbëtor besnik. Ia lë mbretit në dorë gjykimin e Tsibës, në një kohë që ai vetë e pranon se gjithë pasurinë që ka, e ka për shkak të bujarisë dhe mëshirës së Davidit. Mefiboshethi ishte gati, pra, ta humbte gjithçka, vetëm e vetëm që të jetonte në pallatin mbretëror të Davidit. Në fakt, Davidi ia kishte dhënë me kohë Tsibës të gjithë pasurinë e Mefiboshethit (2 Samuelit 16:4).

Pranimi

Davidi e pranoi të vërtetën që i tha Mefiboshethi. Ai e kuptoi se Tsiba e kishte mashtruar. Por prapëseprapë, ai nuk e ktheu mbrapsht vendimin që kishte marrë dikur, lidhur me pasurinë e Mefiboshethit, përkundrazi, e ndau këtë pasuri gjysëm për gjysëm mes Tsibës dhe Mefiboshethit. Disa komentatorë sugjerojnë se, për shkak të influencës politike që kishte Tsiba (duke qenë se ishte nga fisi i Beniaminit), Davidi nuk donte ta ofendonte. Por, nga ana e jashtme, Davidi u soll shumë ashpër me Mefiboshethin, duke i thënë që të pushonte së ankuari për atë që kishte ndodhur. Po t’i vëmë re me hollësi të gjitha faktet, gjykimi i Davidit nuk na duket aspak i drejtë, sepse, në fund të fundit, ai nderoi dhe shpërbleu një njeri të ligë. “Davidi veproi gabimisht, kur ia mori pasurinë Mefiboshethit dhe ia dha atë Tsibës, pa i ditur mirë të gjitha faktet. Por, akoma më keq, kur e mori vesh të vërtetën, ai nuk e ktheu mbrapsht vendimin, që kishte marrë” (Shënime nga Bibla e Gjenevës). “Gjykatësi do ta hetojë me kujdes çështjen; dhe në rast se del që ai dëshmitar është një dëshmitar i rremë, që ka deponuar gënjeshtra kundër vëllait, atëherë do t’i bëni atij atë që kishte ndër mënd t’i bënte vëllait të tij. Kështu do ta shkulni të keqen nga mesi juaj” (Ligji i Përtërirë 19:18-19). Mos vallë, Davidi e pati të vështirë ta pranonte se kishte bërë gabim? Mos vallë, e harroi premtimin që i kishte bërë Jonatanit, lidhur me mbrojtjen, që do t’iu bënte pasardhësve të tij?

Përsëri, pra, Mefiboshethi, në vend që të ofendohej prej fjalëve të Davidit, e pranoi gjykimin e mbretit dhe ishte gati ta linte Tsibën, që ta mbante për vete gjithçka që ia kishte vjedhur. Për Mefiboshethin, bekimi më i madh ishte ardhja shëndoshë e mirë e mbretit në Jeruzalem. E shohim sesi Mefiboshethi kishte vuajtur padrejtësi gjatë gjithë jetës dhe kurrë s’ishte ankuar rreth fatit të tij. Vërtet ishte sakat, vërtet që e kishin mashtruar dhe e kishin përulur të tjerët, por sytë i kishte të fiksuara tek bekimet e vërteta të Perëndisë.

Përfundim

Mefiboshethi ishte një nga ato personazhe, që gjenden rrallë – fisnik dhe pa ligësi, madje edhe kur e ofenduan dhe e keqtrajtuan shumë. E dinte si ishte e vërteta, ndaj edhe qëndroi i palëkundur, pavarësisht nga ngjarjet e tmerrshme, që i solli jeta. Mefiboshethi, në vend që të ankohej, ishte i kënaqur. Nuk ishte një shërbëtor egoist i mbretit, por ishte një njeri me karakter dhe plot zemërgjerësi.

Mbrapa

Advertisements