Mëkatet e neglizhencës

Sa herë që përmendim temën e mëkatit, mendja na shkon tek gjërat e ndryshme që bëjmë, të cilat janë të neveritshme në sytë e Zotit. Këto janë mëkatet e vetëdashjes. Por nuk na shkon mendja tek ato gjëra, që i dimë se duhen bërë, por që i neglizhojmë, i lëmë pa bërë. Këto janë mëkatet e neglizhencës. Në një farë mënyre, të dyja këto lloj mëkatesh janë mëkate, që kryhen me vetëdashje dhe lënë pasoja serioze në jetën tonë. Në këtë studim, do t’i hedhim një sy mëkateve të neglizhencës.

Qëllime të mira

Një fjalë e urtë thotë: “Rruga drejt Ferrit është e shtruar me qëllime të mira”. Sa herë i kemi premtuar vetes se do të jetojmë një jetë të perëndishme, apo se do t’i bindemi Perëndisë në lidhje me një çështje të caktuar dhe s’e kemi mbajtur fjalën? Ndoshta e kemi dëgjuar Frymën e Shenjtë të na sjellë ndërmend faktin se disa aspekte të caktuara të jetës sonë nuk janë në përputhje me vullnetin apo me fjalën e Perëndisë, por e kemi neglizhuar një këshillë të tillë. Ose ndoshta kemi lexuar një pasazh biblik, që na ka bindur apo që na ka nxitur për t’i shërbyer edhe më shumë Zotit, por e kemi larguar atë shumë shpejt nga mendja. Kështu pra, kur nuk i bindemi Perëndisë, apo kur nuk veprojmë shpejt sipas urdhërit të Tij, për të kryer atë që Ai na kërkon, atëherë kryejmë mëkatet e neglizhencës.

Ai, pra, që di të bëjë të mirë edhe nuk e bën, bën mëkat” (Jakobi 4:17). Jakobi na e bën më se të qartë faktin sesa serioz është mëkati i neglizhencës. Por ky nuk është një mësim i ri, i shpikur prej apostullit. Përkundrazi, kjo është një përmbledhje e shkurtër dhe e përpiktë e asaj që tha vetë Jezusi tek Mateu 25:41-46: “Pastaj ai do t’u thotë edhe atyre që do të jenë në të majtë: “Largohuni nga unë, të mallkuar, në zjarr të përjetshëm, të përgatitur për djallin dhe engjëjt e tij. Sepse pata uri dhe nuk më dhatë për të ngrënë, pata etje dhe nuk më dhatë për të pirë, isha i huaj dhe nuk më pritët, i zhveshur dhe nuk më veshët, i sëmurë dhe në burg dhe nuk erdhët të më shihni”. Atëherë edhe ata do t’i përgjigjen duke thënë: “Zot, kur të pamë të uritur ose të etur, ose të huaj, ose të zhveshur, ose të lëngatë ose në burg dhe nuk të shërbyem?”. Atëherë ai do t’u përgjigjet atyre duke thënë: “Në të vërtetë ju them: sa herë nuk ia keni bërë këtë ndonjërit prej këtyre më të vegjëlve, këtë nuk ma bëtë as edhe mua”. Dhe ata do të shkojnë në mundim të përjetshëm, dhe të drejtët në jetën e përjetshme”. Edhe pse drejtuesit fetarë të kohës së Jezusit ishin të zellshëm dhe nuk kryenin mëkate të caktuara, prapëseprapë ata ishin të verbuar ndaj faktit se ishin fajtorë për mëkatet e neglizhencës. “Mjerë ju, skribë dhe farisenj hipokritë! Sepse ju llogaritni të dhjetën e mëndrës, të koprës dhe të barit të gjumit, dhe lini pas dore gjërat më të rëndësishme të ligjit: gjyqin, mëshirën dhe besimin; këto gjëra duhet t’i praktikoni pa i lënë pas dore të tjerat” (Mateu 23:23).

Neglizhenca merr të njëjtin ndëshkim si edhe mëkati, që bëjmë me vetëdashje. Kujtojmë sikur Zoti e bën një sy qorr e një vesh shurdh, kur ne nuk i bindemi, apo kur nuk i shërbejmë Atij ashtu siç duhet. Por Ai shikon dhe dëgjon gjithçka. “Shërbëtori që e dinte vullnetin e zotërisë së tij dhe nuk u bë gati e nuk e kreu vullnetin e tij, do të rrihet shumë” (Luka 12:47). Ai që e neglizhon detyrën që i jep Zoti, është i marrë dhe po shkon drejt shkatërrimit. “Përkundrazi ai që i dëgjon këto fjalë dhe nuk i vë në praktikë, do të krahasohet me një njeri budalla, që e ka ndërtuar shtëpinë e tij mbi rërë. Më pas ra shiu, erdhi përmbytja, frynë erërat dhe u përplasën mbi atë shtëpi; ajo u shemb dhe rrënimi i saj qe i madh” (Mateu 7:26-27).

Udhëzimet e mira

Duke marrë parasysh ato që thamë më lart, le t’iu hedhim një sy disa vargjeve biblike, të cilat na tregojnë se ç’duhet të bëjë një shenjtor i vërtetë i Perëndisë në jetën e tij të përditshme. Po t’i lëmë pa bërë veprime të tilla, zemrën e kemi të mbushur me mëkat dhe, si pasojë, na pret vetëm gjykimi.

  1. A po e vëmë Perëndinë në plan të parë në jetën tonë? “Dhe Jezusi i tha: “”Duaje Zotin, Perëndinë tënde me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd dhe me gjithë mendjen tënde” (Mateu 22:37).
  2. A po e lexojmë dhe po e studjojmë Biblën? “Mundohu të dalësh përpara Perëndisë si i sprovuar, si punëtor që nuk ka pse të turpërohet, që thotë drejt fjalën e së vërtetës” (2 Timoteut 2:15).
  3. A po jetojmë një jetë të shenjtë në sytë e Zotit? “Kërkoni paqe me të gjithë dhe shenjtërim, pa të cilin askush nuk ka për të parë Perëndinë” (Hebrenjve 12:14).  
  4. A po shoqërohemi dhe a po mblidhemi së bashku me besimtarë të tjerë? “Pa hequr dorë nga të mbledhurit bashkë tonin, sikurse kanë zakon disa, por të nxisim njeri tjetrin, aq më tepër se e shihni ditën që po afrohet” (Hebrenjve 10:25).   
  5. A po lutemi? “Pastaj u tha atyre edhe një shëmbëlltyrë, për të treguar se duhet të lutemi vazhdimisht pa u lodhur” (Luka 18:1).
  6. A i duam njerëzit e Perëndisë (vëllezërit dhe motrat tona në Krishtin)? “Ne e dimë se kemi kaluar nga vdekja në jetë, sepse i duam vëllezërit; kush nuk e do vëllanë e vet, mbetet në vdekje” (1 Gjonit 3:14).
  7. A sillemi ndaj të tjerëve ashtu siç duam që ata të sillen ndaj nesh? “Por, ashtu siç dëshironi që t’ju bëjnë juve njerëzit, po ashtu bëni me ta” (Luka 6:31).
  8. A jemi gati ta falim çdo padrejtësi? “Atëherë Pjetri iu afrua dhe tha: “Zot, në se vëllai im mëkaton kundër meje, sa herë duhet ta fal? Deri shtatë herë?”. Jezusi i tha: “Unë nuk të them deri shtatë herë, por deri shtatëdhjetë herë shtatë” (Mateu 18:21-22).
  9. A po e ndajmë me të humburit mesazhin e shpëtimit? “Shkoni, pra, dhe bëni dishepuj nga të gjithë popujt duke i pagëzuar në emër të Atit e të Birit e të Frymës së Shenjtë, dhe duke i mësuar të zbatojnë të gjitha gjërat që unë ju kam urdhëruar” (Mateu 28:19-20).

Pa dyshim që lista e mësipërme mund të jetë edhe më e gjatë sesa kaq, por a nuk na tregon ky fakt se të gjithë jemi fajtorë ndaj mëkateve të neglizhencës? Në këto 9 pasazhe biblike përmblidhen pikat kryesore, në të cilat të gjithë kemi tendencën për ta neglizhuar vullnetin e Zotit.

Përfundim                    

Marrëdhënia jonë me Perëndinë nuk përfshin vetëm faktin e të qënit i ndërgjegjshëm për atë të ligë që bëjmë, por gjithashtu i të qënit i ndërgjegjshëm edhe për atë të mirë që nuk e bëjmë. Nuk duhet t’i kryejmë gjërat e mira vetëm atëherë kur të na e dojë qejfi. Ashtu siç jemi thirrur për të qenë vazhdimisht vigjilentë ndaj tundimeve dhe mëkatit, ashtu edhe jemi thirrur për t’i shkuar pas drejtësisë dhe shenjtërisë. Pavarësisht se ç’lloj mëkati kryejmë, të gjitha llojet e mëkateve tregojnë se e kemi shkelur ligjin e Perëndisë dhe nuk i kemi arritur dot standartet që na ka vënë Ai. Mëkatet e neglizhencës janë thjesht refuzim i të ecurit në dritën, që Perëndia i ka dhënë secilit prej nesh si individë. Nëse Perëndia na ka thënë për ta kryer diçka që duhet bërë dhe ne nuk e kryejmë, atëherë është njëlloj sikur t’i themi Atij: “Jo, nuk dua të të bindem”. Një mëkat i tillë është po aq i neveritshëm sa edhe mëkatet e tjera dhe na bën që të mos përfitojmë prej bekimeve të shumta të Perëndisë, si edhe prej mundësive që na jep Ai, për t’u bërë bekim për të tjerët. Një mëkat i tillë nuk vjen si rezultat i harresës. Përkundrazi duhet ta pranojmë se kemi mëkatuar, duhet të pendohemi dhe të marrim vendim për të ecur në Frymë. “Dhe unë them: Ecni sipas Frymës dhe nuk do ta përmbushni dëshirat e mishit” (Galatasve 5:16).

Mbrapa