Memi – Fjala e mençur

Oh, sa shumë e dua ligjin tënd! Ai është përsiatja ime gjithë ditën. Urdhërimet e tua më bëjnë më të urtë se armiqtë e mi, sepse janë gjithnjë me mua. Kuptoj më shumë se të gjithë mësuesit e mi, sepse urdhërimet e tua janë përsiatja ime. Kam më tepër zgjuarësi se pleqtë, sepse respektoj urdhërimet e tua. Kam përmbajtur hapat e mia nga çdo shteg i keq, për të respektuar fjalën tënde. Nuk jam larguar nga dekretet e tua, sepse ti vetë më ke mësuar. Sa të ëmbla janë fjalët e tua në gojën time! Janë më të ëmbla se mjalti në gojën time. Me anë të urdhërimeve të tua unë përfitoj zgjuarësinë; prandaj urrej çdo shteg falsiteti (Psalmi 119:97-104).

Parathënie  

Gjithsecili prej nesh, qoftë besimtar apo jo, duhet të zgjedhë rrugën e tij të jetës. Shumica udhëtojnë në rrugën e veprave të mira, duke shpresuar se bamirësia e tyre ka për t’i çuar në Parajsë. Të tjerët nuk e vrasin mendjen fare për shpirtin e tyre dhe zgjedhin rrugën e mëkatit dhe të egoizmit. Të paktë janë ata, të cilët zgjedhin rrugën e Perëndisë dhe jetojnë sipas parimeve të fjalës së Tij. Zoti Jezus e deklaroi hapur këtë fakt, kur tha: “Hyni nga dera e ngushtë, sepse e gjërë është dera dhe e hapur është udha që të çon në shkatërrim, dhe shumë janë ata që hyjnë nëpër të. Përkundrazi sa e ngushtë është dera dhe sa e vështirë është udha që çon në jetë! Dhe pak janë ata që e gjejnë!” (Mateu 7:13-14). Fatkeqësisht, rruga e Perëndisë hidhet poshtë prej botës. “Ka një rrugë që njeriut i duket e drejtë, por në fund ajo të nxjerr në udhët e vdekjes” (Fjalët e Urta 16:25). 

Libri i udhëzimeve të Perëndisë

Irlandezët e quajnë manualin e udhëzimeve “libri i fjalëve”. Bibla është Libri i Fjalëve, sepse fjala e Perëndisë na jep udhëzimet e duhura, për të jetuar një jetë, që e kënaq Zotin. Shumica e njerëzve, kur blejnë një pajisje të re, fillojnë dhe e përdorin menjëherë, pa e lexuar manualin. Kujtojnë se dinë gjithçka, ndaj s’kanë nevojë për udhëzimet e krijuesit të pajisjes.

Autori i psalmit e adhuron Zotin, duke thënë: “Oh, sa shumë e dua ligjin Tënd!” Sa besimtarë mund ta thonë një gjë të tillë me gjithë zemër? Për më tepër, autori thotë: “Ai është përsiatja ime (ose meditimi im) gjithë ditën”. Gjatë gjithë ditës, pra, mendjen ai e kishte tek fjala e Zotit. Kështu duhet të veprojmë edhe ne, nëse duam të kemi një jetë të bekuar. “Lum njeriu që nuk ecën sipas këshillës të të pabesëve, që nuk ndalet në rrugën e mëkatarëve dhe nuk ulet bashkë me tallësit, por që gjen kënaqësinë e tij në ligjin e Zotit, dhe që mendon thellë ditë e natë mbi ligjin e tij” (Psalmi 1:1-2). Ata që e duan Zotin, e duan gjithashtu edhe fjalën e Tij.

Libri i diturisë së Perëndisë

Po qe se autori i psalmit do të jetonte në ditët e sotshme, a do ta kishte mendjen ai tek televizori, apo radioja, tek interneti apo gazetat? Gjëra të tilla mund të na japin njohuri, por jo mençuri. Mençuria e vërtetë vjen si rezultat i të lexuarit, të studjuarit dhe të medituarit tek fjala e Zotit. “Prandaj, ai që i dëgjon këto fjalë të mia dhe i vë në praktikë, mund të krahasohet prej meje me një njeri të zgjuar, që e ka ndërtuar shtëpinë e tij mbi shkëmb. Ra shiu, erdhi përmbytja, frynë erërat dhe u përplasën mbi atë shtëpi; por ajo nuk u shemb, sepse ishte themeluar mbi shkëmb” (Mateu 7:24-25).

Media sot nuk është mik i krishtërimit biblik. Përkundrazi, e konsideron marrëzi Zotin dhe fjalën e Tij. Tallet me ata, që besojnë tek Krijuesi, Shpëtimtari dhe Zoti. A duhet të kemi frikë prej ofendimeve të tilla? Autori i psalmit e dinte mirë se fjala e Perëndisë e bënte atë më të mençur sesa të gjithë armiqtë e tij. Le të mos e harrojmë faktin se vetë Perëndia e ka deklaruar se jo-besimtarët janë budallenjtë më të mëdhenj (shiko Psalmi 14:1).

Po mësuesit, shkencëtarët, etj., a janë ata më të mençur sesa shenjtorët e Perëndisë? Mund të jenë më të zgjuar dhe mund të kenë më shumë njohuri, por mund t’iu mungojë mençuria për të ditur se si ta përdorin njohurinë që kanë. Një shprehje japoneze thotë kështu: “Njohuria pa mençurinë është njëlloj si shumë libra në kurriz të gomarit!” Sa e vërtetë është kjo! Mençuria jonë vjen prej Perëndisë së Biblës. “Por në qoftë se ndonjërit nga ju i mungon urtia, le të kërkojë nga Perëndia, që u jep të gjithëve pa kursim, pa qortuar, dhe atij do t ‘i jepet” (Jakobi 1:5). Mendimet, arsyetimi dhe llogjika e mëkatarëve, pavarësisht sesa e zgjuar mund të na duket nga ana e jashtme, është produkt i një “mendjeje të çoroditur” (Romakëve 1:28). Bota kujton se “filozofët e lashtë” ishin të mençur, por shumica e tyre jetuan një jetë pagane, hedoniste dhe mëkatare. E njëjta gjë ndodh edhe me humanistët e sotshëm, të ashtu-quajturit “të zgjuar”, të cilët e urrejnë të mirën, por propagandojnë gjithçka, që është ofenduese për Zotin. Autori nuk kishte nevojë për mençurinë e së kaluarës. Përkundrazi, ai kishte zgjedhur mençurinë e përjetshme dhe të pandryshuar të Zotit dhe kishte marrë vendim të jetonte sipas parimeve të Tij. Fëmija i përulur i Perëndisë është i pajisur me mençurinë e vërtetë. Mund të mësojmë më shumë prej Biblës, sesa prej njerëzve mëkatarë apo prej bibliotekave të botës.

Libri praktik i Perëndisë

Njohuria pa mençuri është marrëzi, por mençuria është e pavlefshme, po nuk u praktikua. Ashtu si autori i psalmit, edhe ne duhet ta vëmë në praktikë të vërtetën. “Dhe bëhuni bërës të fjalës dhe jo vetëm dëgjues, që gënjejnë vetveten. Sepse nëse dikush është dëgjues i fjalës dhe jo bërës, ai i përngjan një njeriu që e shikon fytyrën e tij natyrale në një pasqyrë; ai e shikon veten dhe pastaj ikën, duke harruar menjëherë si ishte. Ndërsa ai që do të shikojë me vemendje ligjin e përsosur, i cili është ligji i lirisë, dhe ngulmon në të, duke mos qenë një dëgjues harraq, por një bërës i veprës, ai do të jetë i lumtur në veprimtarinë e vet” (Jakobi 1:22-25). Si pasojë, autori e ruajti veten prej gjithçkaje, që Perëndia thotë se është e ligë. Nëse i bindemi fjalës së Perëndisë, atëherë kemi për ta ruajtur veten prej mëkatit. Nëse Perëndia është mësuesi ynë, nuk kemi për ta gjetur kurrë veten në rrugë të gabuar. “Por, kur të vijë ai, Fryma e së vërtetës, ai do t ‘ju prijë në çdo të vërtetë, sepse ai nuk do të flasë nga vetja, por do të thotë gjitha ato gjëra që ka dëgjuar dhe do t’ ju kumtojë gjërat që do vijnë” (Gjoni 16:13). Disa e konsiderojnë Biblën si pengesë për të bërë atë që na do qejfi, por në fakt, njeriu pa Zotin shumë shpejt ngatërrohet në mëkat. “Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them:Kush bën mëkatin është skllav i mëkatit” (Gjoni 8:34). Krishti i çliron njerëzit. “Pra, nëse Biri do t ‘ju bëjë të lirë, do të jeni me të vërtetë të lirë” (Gjoni 8:36). Një e vërtetë e tillë është liri e përsosur. “Do ta njihni të vërtetën dhe e vërteta do t ‘ju bëjë të lirë” (Gjoni 8:32).      

Përfundim

Autori i psalmit e do fjalën e Perëndisë. Për të, ajo nuk është pengesë, por diçka “e ëmbël”. Bibla është kënaqësia e tij. Fjalët e Zotit janë për të si “mjalti” për shpirtin. Ai e di se, nëse Zoti i vë kushte, Ai vepron kështu vetëm për ta mbrojtur atë prej “shtegut të falsitetit” (apo rrugës së rreme). Ky ishte një njeri, pra, që jetonte sipas parimeve absolute të së vërtetës, jo sipas moralitetit të botës, që ishte gjithmonë në një gjendje fluksi. Ai e urrente me gjithë shpirt gënjeshtrën e formave të ndryshme. Ndoshta ka ardhur koha, që edhe ne të marrim vendim, për të jetuar sipas manualit udhëzues të Krijuesit! 

Mbrapa

Advertisements