Mendja e Krishtit

“Kini në ju po atë ndjenjë që ishte në Jezu Krishtin, i cili, edhe pse ishte në trajtë Perëndie, nuk e çmoi si një gjë ku të mbahej fort për të qenë barabar me Perëndinë” (Filipianëve 2:5-6).

Parathënie   

Filipeu ishte një qytet kozmopolitan, me banorë prej grupesh të ndryshme etnike, ndaj edhe padyshim që ishte e vështirë që të kishte unitet në shoqëri. Por një problem i tillë nuk duhet të bëhet pengesë për kishën. “Nuk ka as Jude, as Grek, nuk ka as skllav as të lirë, nuk ka as mashkull as femër, sepse të gjithë jeni një në Jezu Krishtin” (Galatasve 3:28).

Nuk është e lehtë t’i ndryshojmë mendimet tona, sepse kohën më të madhe të jetës sonë e kalojmë duke menduar për veten. E megjithatë, kur rilindemi përsëri, gjithçka transformohet prej Krishtit. “Prandaj nëse dikush është në Krishtin, ai është një krijesë e re; gjërat e vjetra kanë shkuar; ja, të gjitha gjërat u bënë të reja” (2 Korintasve 5:17). Që prej atij momenti, duhet të mendojmë për të tjerët e jo thjesht për veten tonë. Pali e ngre Krishtin lart si shembull të përsosur të përulësisë, sepse fjalët “Kini në ju…” janë vazhdimësi e vargjeve 4 dhe 6 të po të njëjtit kapitull. Këtu ai na shpreh detajisht se çfarë do të thotë të mendosh si Krishti.

Mendja

Është shumë e lehtë të bëhesh egoist dhe ta përçash unitetin e kishës, ngaqë natyra jonë mëkatare kërkon ta përqëndrojë vëmendjen tek vetvetja, në vend që t’i vërë mënjanë ambicjonet dhe dëshirat personale. Si besimtarë që jemi, duhet ta përqëndrojmë vëmendjen tonë tek Zoti, tek kisha e Tij dhe tek mënyra se si t’i kthejmë të humburit tek Krishti. “Kini në mend gjërat që janë atje lart, jo ato që janë mbi tokë” (Kolosianëve 3:2). Nuk është për t’u habitur, atëherë, pse Pali na vë në dukje Krishtin si shembull përulësie, duke na thënë: “Kini në ju po atë ndjenjë (ose po atë mendje) që ishte në Jezu Krishtin”. Përulësinë e Zotit e shohim të vënë në praktikë, kur Ai iu lau këmbët dishepujve të Vet (shiko Gjonin 13:3-17).

Ç’bekim i mahnitshëm është të kesh mendjen e Krishtit! Por është e pamundur ta kesh këtë mendje, pa patur edhe përulësi. Përshkrimi i mrekullueshëm i Krishtit në vargjet e këtij studimi na tregon si përulësinë e Tij, ashtu edhe sakrificën. Askush nuk ka qenë në gjendje ta përulë veten, deri në atë shkallë sa Zoti, prandaj edhe Ai është shembulli i vetëm i vetëmohimit, i sakrificës dhe i të shërbyerit. Duhet ta imitojmë një shembull të tillë. “Sepse edhe Krishti nuk i pëlqeu vetes së tij, por sikurse është shkruar: “Sharjet e atyre që të shanin ty, ranë mbi mua” (Romakëve 15:3). Me këto vargje, pra, apostulli kërkon të na thotë: 1. Kini po të njëjtën mendje si të Krishtit. 2. Kini po të njëjtën dashuri si të Krishtit. 3. Jini të bashkuar. 4. Jini të përulur. 5. Mendoni për të tjerët. Ky është, pra, themeli, mbi të cilin duhet ndërtuar uniteti i kishës.

Keqkuptimi

Për shekuj me rradhë, ky pasazh biblik është keqkuptuar shumë. Ata që i besojnë “Teorisë Kenosis (ose Teorisë së Boshllëkut) ” (në greqisht ‘kenosis’ do të thotë “boshllëk”), thonë se Krishti u zhvesh prej çdo lloj perëndishmërie, për t’u bërë njeri. Por një doktrinë e tillë nuk përputhet me faktin se Jezusi ishte “Perëndia me ne” (Mateu 1:23). Jezusi, as edhe për një çast të vetëm, nuk pushoi së qëni “Unë Jam” (Gjoni 8:58, Eksodi 3:14). Jezus Krishti gjithmonë ka qenë Perëndi nga natyra, i barabartë me Atin, si para ardhjes së Tij në tokë, ashtu edhe gjatë jetës së Tij, si edhe pas ringjalljes së Tij. Ka nga ato versjone të Biblës, që e mbështesin një teori të tillë kulti, duke e përkthyer vargun e Filipianëve 2:7 në këtë mënyrë: “Krishti u bë askushi”. Do ta shohim më detajisht këtë teori në studimin tonë të ardhshëm. Për dekada me rradhë, ka patur edhe shumë ‘këngë të krishtera’, që e kanë ringjallur një teori të tillë. Një pikëpamje e tillë u prezantua në fillim në vitet 1800 në Gjermani, prej një teologu Luterian me emrin Gotfrid Tomasi (1802-1875). Teoria e Boshllëkut është një doktrinë e rrezikshme, që thotë se Jezus Krishti nuk ishte plotësisht hyjnor, kur erdhi në tokë. E nëse Krishti nuk ishte plotësisht Perëndi, atëherë sakrifica e Tij shpenguese në kryq nuk ishte e mjaftueshme për ta çliruar botën prej mëkatit. Doktrina e drejtë është ajo që quhet “Bashkimi Hipostatik”, sipas së cilës Jezusi është si plotësisht Perëndi, ashtu edhe plotësisht njeri dhe nuk i dorëzoi asnjë prej cilësive të Tij hyjnore, përsa kohë që jetoi si njeri në tokë. “Sepse tek ai banon trupërisht gjithë plotësia e Hyjnisë” (Kolosianëve 2:9).

Fjalët “i cili edhe pse ishte në trajtë Perëndie” na tregojnë se kush ishte Jezusi, para se të vinte në tokë. Por vini re se Pali përdor fjalën “trajtë”, e cila përshkruan esencën e pandryshuar e të përhershme të një personi. Nëse apostulli donte të na e përshkruante Jezusin jo si hyjnor, atëherë ai mund të kishte përdorur fjalën greke “schema”, që do të thotë “shfaqje”, ose “paraqitje”. Kështu pra, Krishti la mënjanë, vetëm për një farë kohe, manifestimin sipërfaqësor të karakteristikave të Perëndisë. Ai, që “ishte në trajtë Perëndie”, me vullnetin e Vet (pa e detyruar kush), mori “trajtë shërbëtori” (Filipianëve 2:7). Bibla na thotë se Ai është Perëndi, edhe pse mori trajtë njeriu, për të jetuar mes nesh. “Ai është shëmbëllesa e Perëndisë së padukshëm” (Kolosianëve 1:15)… “Krishti, që është shëmbëllimi i Perëndisë” (2 Korintasve 4:4)… “Ai, duke qenë shkëlqimi i lavdisë së tij dhe vula e qenies së tij dhe duke i mbajtur të gjitha me fjalën e fuqisë së tij, mbasi e bëri vetë pastrimin nga mëkatet tona, u ul në të djathtën e Madhërisë në vendet e larta” (Hebrenjve 1:3).

Krishti në trajtë njeriu kishte të gjitha cilësitë e Perëndisë. Qielli e deklaroi Atë Perëndi dhe e adhuroi si të tillë. Nuk ishte thjesht “një perëndi”, siç thonë Dëshmitarët e Jehovait, por Perëndia i Gjithpushtetshëm i Biblës, d.m.th. Jehovai, Zoti Sovran. Në të njëjtën kohë, Ai nuk ishte njeri me ‘cilësi hyjnore’, por përkundrazi, Krijuesi i universit. “Prandaj vet Zoti do t’ju japë një shenjë: Ja, e virgjëra do të mbetet me barrë dhe do të lindë një fëmijë të cilin do ta quajë Emanuel” (Isaia 7:14)… “Por ti, o Betlem Efratah, megjithëse je i vogël midis mijërave të Judës, nga ti do të dalë për mua ai që do të jetë sundues në Izrael, origjinat e të cilit janë nga kohërat e lashta, nga ditët e përjetësisë” (Mikeu 5:2)… “Në fillim ishte Fjala dhe Fjala ishte pranë Perëndisë, dhe Fjala ishte Perëndi. Ai (fjala) ishte në fillim me Perëndinë” (Gjoni 1:1-2)… “Ndërsa për të Birin thotë: “Froni yt, o Perëndi është në shekuj të shekujve; skeptri i mbretërisë sate është skeptër drejtësie” (Hebrenjve 1:8). Zoti Jezus Krisht i vuri në praktikë cilësitë e Tij hyjnore, atëherë kur e deshi puna.

Fjalët “si gjë ku të mbahej fort” në greqisht kanë kuptimin “ta vjedhëdh, ose ta marrësh diçka me forcë, si hajdut”. Të vjedhësh dikë, do të thotë t’i marrësh atij/asaj diçka, që nuk të përket ty. Jezusi nuk vodhi atë, që kishte qenë gjithmonë e Tija! Pali, pra, na mëson se Jezusi është i barabartë me Perëndinë dhe, po qe se kjo nuk do të ishte e vërtetë, atëherë Pali po kryente një mëkat të pafalshëm. Si farise që ishte, Pali do ta ketë ditur se ç’thoshte Isaia 46:5, “Me cilin doni të më barazoni, me cilin doni të më krahasoni që mund të jemi të njëllojtë?”. Prandaj, pra, nuk kemi ç’të themi tjetër, veçse ta pranojmë hyjninë e plotë të Krishtit. Me pak fjalë, vargu 6 na thotë se, edhe pse Jezusi ishte me të vërtetë “Perëndia me ne” (Mateu 1:23), Ai nuk e shfrytëzoi hyjninë e Tij për nevoja personale. “Unë dhe Ati jemi një”. Prandaj Judenjtë morën përsëri gurë për ta vrarë me gurë. Jezusi u përgjigj atyre: “Ju tregova shumë vepra të mira nga Ati im; për cilën nga këto më vrisni me gurë?”. Judenjtë u përgjigjën duke thënë: “Ne nuk të vrasim me gurë për asnjë vepër të mirë, po për blasfemi, dhe sepse ti, duke qenë njeri, e bën veten Perëndi” (Gjoni 10:30-33). Në këtë rast, drejtuesit fetarë nuk e keqkuptuan atë që iu tha Jezusi, edhe pse herë të tjera ishin treguar shpirtësisht të verbuar.      

Përfundim                      

Shkrimtarët e Dhiatës së Re as që e vinin në dyshim fare hyjninë e Jezusit, ndaj edhe nuk u përpoqën për ta vërtetuar. Zoti Jezus Krisht nuk ishte “si” Perëndi. Përkundrazi, Ai ishte dhe është dhe gjithmonë ka për të qenë Perëndi. Nëse nuk e shohim Atë si Perëndi në trup, atëherë e keqkuptojmë dhe e shtrembërojmë këtë mësim të thjeshtë dhe shumë të rëndësishëm të Biblës. “Krishti është i njëjtë dje, sot e përjetë” (Hebrenjve 13:8).

Mbrapa

Advertisements