Mendjemadhësia shpirtërore

“Mos bëni asgjë për rivalitet as për mendjemadhësi, por me përulësi, secili ta çmojë tjetrin më shumë se vetveten. Mos mendojë secili për interesin e vet, por edhe atë të të tjerëve” (Filipianëve 2:3-4).

Parathënie

Bota, media, madje edhe feja na thonë se duhet ta vlerësojmë shumë veten, sepse e meritojmë lëvdimin. Shumica e njerëzve mundohen të bëhen yje, ose të paktën pretendojnë se janë të tillë! Gjithsecili përpiqet të gjejë diçka, që ka për t’ia ndryshuar përgjithmonë jetën. Bibla, përkundrazi, nuk mendon kështu. “Sepse çdo mish është si bari dhe çdo lavdi njeriu si lule e barit; bari thahet dhe lulja bie” (1 Pjetrit 1:24) dhe “Kushdo që e larton veten do të poshterohet, dhe kush e poshtëron veten do të lartohet” (Luka 14:11). Në fund të fundit, kë ndjek bota? Nuk ndjek Perëndinë. Satanai dikur tha: “Unë do të ngjitem në qiell, do të ngre fronin tim përmbi yjet e Perëndisë; do të ulem mbi malin e asamblesë në pjesën skajore të veriut; do të ngjitem mbi pjesët më të larta të reve, do të jem i ngjashëm me Shumë të Lartin” (Isaia 14:13-14). Por ai u hodh “në thellësitë e gropës” (Isaia 14:15). Këtu përfundojnë edhe ata njerëz, që janë mendjemëdhenj.

Të dhënë pas lavdisë

Gjithmonë ka patur nga ata besimtarë, të dhënë pas lavdisë së tyre. Në kanalet fetare të televizorit, p.sh. shpeshherë shohim njerëz, që e lartësojnë veten, jo Krishtin. Ata që kërkojnë të duken, apo të ngrihen në pozitë, i bëhen në fakt pengesë dhe barrë kishës. Njerëz të tillë nuk ankohen, kur të tjerët iua bëjnë qejfin me lajka, por mjerë ata që i kritikojnë! Ah, sikur ta dinin kuptimin e fjalës “përulje”! “Edhe sikur ti të ngrihesh lart si një shqiponjë dhe ta vije folenë tënde midis yjeve, unë do të të zbres nga atje lart,” thotë Zoti” (Obadia, vargu 4). Nuk e dinë se ç’do të thotë të jesh shërbëtor i Krishtit, apo i kishës së Tij.

Mendjemadhësia është krenari boshe, sepse nuk ia vlen të mburremi për veten. Ai që mburret, kujton se është më i mirë, sesa të tjerët. Mendjemëdhenj të tillë ka si në botë, ashtu edhe në kishë, por mendjemëdhenjtë shpirtërorë janë më të këqinjtë nga të gjithë. “Sepse gjithçka që është në botë, lakmia e mishit, lakmia e syve dhe krenaria e jetës, nuk vjen nga Ati, por nga bota” (1 Gjonit 2:16). Një vlerësim i tillë i vetvetes shkakton përçarje në Trupin e Krishtit (në kishë). Një mendjemadhësi e tillë mund të mos jetë e një niveli shpirtëror. Ka nga ata besimtarë, që iu mburren të tjerëve me rrobat e modës së fundit, që kanë veshur, apo me mënyrën se si flasin, etj. Pali na nxit, që “të mos jemi mburravecë, duke provokuar dhe duke pasur smirë njëri-tjetrin” (Galatasve 5:26)… “Me çdo përulësi e zemërbutësi, me durim, duke e duruar njëri-tjetrin në dashuri” (Efesianëve 4:2)… “Vishuni, pra, si të zgjedhur të Perëndisë, shenjtorë dhe të dashur, me dhembshuri të brendshme, mirësinë, përulësinë, zemërbutësinë dhe me durimin” (Kolosianëve 3:12). Bota nuk e vlerëson më përulësinë. Përkundrazi, egoizmi konsiderohet si gjë ideale. Përulësia e vërtetë ka të bëjë me të qënit i ndërgjegjshëm për dobësitë e tua dhe i gatshëm për t’ia dhënë gjithë lavdinë, meritën dhe nderin Perëndisë. Bota e konsideron të pavlefshme një gjë të tillë.

Ata që kërkojnë Perëndinë

Tani Pali na ofron ilaçin kundra mendjemadhësisë. Përulësia është gjithmonë ilaçi më i mirë. Në fakt, edhe kur kemi bërë diçka, për të cilën mendojmë se jemi të denjë për t’u lavdëruar, duhet të themi: “Jemi shërbëtorë të padobishëm. Bëmë atë që kishim detyrë të bënim” (Luka 17:10). Prandaj, pra, nuk duhet të dukemi para të tjerëve. Bota le të duket – ne, me qetësinë më të madhe, le të vazhdojmë t’i shërbejmë Zotit. Një përulësi e tillë nuk tregon se jemi të dobët. Përulësia nuk është dobësi. Bota mund ta konsiderojë atë të tillë, por Krishti e quan përulësinë “virtyt”. Kur ecim me përulësi, atëherë e shohim se jemi të bashkuar si kishë. Por, kur ecim me mendjemadhësi, vetëm rivalitet, smirë dhe përçarje do të kemi. Në studimet e ardhshme, do ta shohim se si Krishti eci në rrugën e përulësisë, prandaj edhe ne, që jemi dishepujt e Tij, duhet ta imitojmë Atë. Uniteti nuk mund të egzistojë dot, aty ku ka egoizëm, mendjemadhësi, krenari dhe interes.

Të gjithë besimtarët duhet të jetojnë me përulësi kundrejt Perëndisë dhe ndaj të tjerëve, madje deri aty sa t’i çmojnë të tjerët më të rëndësishëm sesa vetja. “Sepse, për hirin që më është dhënë, unë i them secilit prej jush të mos e vlerësojë veten më shumë se sa duhet ta çmojë, por të ketë një vlerësim të përkorë, sipas masës së besimit që Perëndia i ndau secilit” (Romakëve 12:3). Perëndia iu qëndron afër atyre, që janë të përulur. “Sepse kështu thotë i Larti dhe i Madhërishmi që banon përjetësinë dhe emri i të cilit është i “Shenjti”: “Unë banoj në vendin e lartë dhe të shenjtë dhe bashkë me atë që është i penduar dhe i përulur nga fryma, për të ngjallur frymën e të përulurve, për të ngjallur frymën e të penduarve” (Isaia 57:15)… “O njeri, ai të ka bërë të njohur atë që është e mirë; dhe çfarë tjetër kërkon Zoti nga ti, përveç se të zbatosh drejtësinë, të duash mëshirën dhe të ecësh përulësisht me Perëndinë tënd?” (Mikaia 6:8).

Ata që kërkojnë hirin

Por ai jep hir edhe më të madh; prandaj thotë: “Perëndia u kundërvihet mendjemëdhenjve dhe u jep hir të përulurve” (Jakobi 4:6). Të përulurit do të bekohen gjithmonë me hirin e Perëndisë, sepse janë gati t’i vënë të tjerët përpara vetes. Nuk duken për vete, por duan t’i nderojnë dhe t’i respektojnë besimtarët e tjerë. I konsiderojnë të tjerët si më të mirë (d.m.th. më të dobishëm) sesa vetja. Fjala më kryesore në pasazhin në hyrje të këtij studimi është fjala “të tjerët”. “Duani njeri tjetrin me dashuri vëllazërore; në nderim tregoni kujdes njeri me tjetrin” (Romakëve 12:10). Një “dashuri” e tillë mund të ndahet me të tjerët, vetëm atëherë kur i bindemi urdhërave të Perëndisë. “Sepse, për hirin që më është dhënë, unë i them secilit prej jush të mos e vlerësojë veten më shumë se sa duhet ta çmojë, por të ketë një vlerësim të përkorë, sipas masës së besimit që Perëndia i ndau secilit” (Romakëve 12:3).

Natyra jonë mëkatare nuk e kupton dot përulësinë. Prandaj edhe përulësia është e mundur, nëpërmjet fuqisë së pranisë së Frymës së Shenjtë tek ne. Si besimtarë që jemi, duhet t’iu përkushtohemi dhe t’iu shërbejmë të tjerëve. “Nëse dikush don të jetë i pari, le të bëhet i fundit i të gjithëve dhe shërbëtori i të gjithëve” (Marku 9:35)… “Dhe kushdo nga ju që do të dojë të jetë i pari, do të jetë skllavi i të gjithëve” (Marku 10:44). Është pikërisht ky hir i madh i Perëndisë, që e largon egoizmin dhe mendjemadhësinë nga kisha. Nuk po themi se duhet ta kalojmë jetën, duke e nënvlerësuar gjithmonë veten, apo duke bërë gjëra, sa për t’u dukur se jemi të përulur. Një përulësi e tillë është në fakt mendjemadhësi. Përkundrazi, duhet ta heqim nga mendja çdo dëshirë, që mund të kemi për t’u dukur dhe thjesht le t’iu shërbejmë të tjerëve, njëlloj sikur t’i shërbenim vetë Zotit.

Përfundim                                         

Fjala e Perëndisë është më se e qartë, lidhur me përulësinë në kishë. Vetëm veten gënjejmë, kur mendojmë se mund të mbijetojmë pa patur përulësi. “Kini të njëjtat mendime njeri me tjetrin; mos lakmoni për lart, por rrini me të përunjurit; mos e mbani veten për të mënçur” (Romakëve 12:16). Le të mos bëhemi si Diotrefi, i cili ishte mendjemadh dhe donte që të dukej, lidhur me shërbesën e tij, ndaj edhe nuk mori bekime. “I shkrova kishës, por Diotrefi, që do të jetë i pari ndër ta, nuk na pret” (3 Gjonit, vargu 9).

Mbrapa

Advertisements