Mesia dhe Lajmëtari i Tij

Parathënie

Ungjilli sipas Markut është më i shkurti nga të katër ungjijtë. Në të gjenden më pak thënie të Jezusit sesa në tre ungjijtë e tjerë. Marku e paraqet Jezusin si Shërbëtor Besnik të Perëndisë, duke bërë kështu të mundur që lexuesi ta përqëndrojë vëmendjen tek vepra e Krishtit. Tek Ungjilli sipas Markut, shohim qartë fuqinë mrekulli-bërëse të Jezus Krishtit dhe nuk na mbetet asnjë dyshim se Ai është Biri i Perëndisë.

Shpallet Mesia

Fillimi i Ungjillit të Jezu Krishtit, Birit të Perëndisë” (Marku 1:1).

Që në fillim, Marku shpall se Jezus Krishti është Biri i Perëndisë. Për romakët, kjo do të thoshte se Ai (Jezusi) ishte i gjithë-pushtetshëm, por, për hebrenjtë, një shpallje e tillë kishte kuptimin se Jezusi ishte i barabartë me Perëndinë, “Për këtë Judenjtë kërkonin edhe më tepër ta vrisnin, sepse jo vetëm se shkelte të shtunën, por edhe se thoshte se Perëndia ishte ati i vet, duke e barazuar veten me Perëndinë” (Gjoni 5:18). Besimi ynë është i kotë dhe i pa vlerë, po qe se Krishti nuk është vetë Perëndia. N.q.s. Jezusi nuk është Zot, atëherë tërë shërbesa jonë ndaj Atij, është humbje kohe, dhe, për më tepër, vargjet e mëposhtme biblike janë gënjeshtra: “Sepse na ka lindur një fëmijë, një djalë na është dhënë. Mbi supet e tij do të mbështetet perandoria dhe do të quhet Këshilltar i admirueshëm, Perëndi i fuqishëm, Atë i përjetshëm, Princ i paqes” (Isaia 9:6)… “Në fillim ishte Fjala dhe Fjala ishte pranë Perëndisë, dhe Fjala ishte Perëndi” (Gjoni 1:1).

Në momentin kur cilado lloj kishe heq dorë prej kësaj të vërtete të rëndësishme, atëherë ajo kthehet në një kult. Fakti se Jezusi është Perëndi, është themeli mbi të cilin është ngritur Kisha: “Dhe Simon Pjetri duke u përgjigjur tha: “Ti je Krishti, Biri i Perëndisë të gjallë…dhe mbi këtë shkëmb unë do të ndërtoj kishën time dhe dyert e ferrit nuk do ta mundin atë” (Mateu 16:16, 18). Emri “Jezus” ka të bëjë me karakterin e Tij njerëzor, kurse emri “Krisht” e shpall Jezusin si Perëndi. Fakti se Zoti është Mesia, nuk mund të shkëputet nga fakti tjetër se Ai është gjithashtu edhe Perëndi.

Profetizohet ardhja e Mesias dhe e Lajmëtarit të Tij

Ashtu si është shkruar tek profetët: “Ja, unë po dërgoj lajmëtarin tim para fytyrës tënde, i cili do të përgatit udhën tënde përpara teje” (Marku 1:2).

Zoti Jezus Krisht nuk hyri në skenë papritur, ose në mënyrë të menjëhershme. Përkundrazi, ardhja e Tij kishte me mijëra vite që përgatitej. Ishin Adami dhe Eva, mëkatarët e parë, ata që e dëgjuan për herë të parë lajmërimin e ardhjes së Mesias në Kopshtin e Edenit: “Dhe unë do të shtie armiqësi midis teje dhe gruas, midis farës sate dhe farës së saj; fara e saj do të shtypë kokën tënde, dhe ti do të plagosësh thembrën e farës së saj” (Zanafilla 3:15). Gjatë gjithë Dhiatës së Vjetër, gjejmë profeci të shumta, që flasin për Mesian: “Ju hetoni Shkrimet sepse mendoni të keni nëpërmjet tyre jetë të përjetshme; dhe ato janë këto që dëshmojnë për mua” (Gjoni 5:39).

Në Shkrimet e Dhiatës së Vjetër flitet gjithashtu edhe për pararendësin, ose lajmëtarin e Krishtit: “Ja, unë po dërgoj lajmëtarin tim për të përgatitur rrugën para meje. Dhe menjëherë Zoti, që ju kërkoni, do të hyjë në tempullin e vet, engjëlli i besëlidhjes që ju kërkoni me endje, ja, do të vijë,” thotë Zoti i ushtrive” (Malakia 3:1)… “Zëri i dikujt që bërtet në shkretëtirë: “Shtroni udhën e Zotit, hapni në shkretëtirë një rrugë për Perëndinë tonë” (Isaia 40:3).

Detyra e Gjonit

Ka një zë që bërtet në shkretëtirë: “Përgatitni udhën e Zotit, drejtoni shtigjet e tij””. Gjoni erdhi në shkretëtirë duke pagëzuar dhe duke predikuar një pagëzim pendese për faljen e mëkateve. Dhe gjithë vendi i Judës dhe ata nga Jeruzalemi shkonin tek ai, dhe pagëzoheshin të gjithë nga ai në lumin Jordan, duke rrëfyer mëkatet e tyre. Por Gjoni ishte i veshur me lesh deveje, mbante një brez lëkure përreth ijëve dhe ushqehej me karkaleca dhe me mjaltë të egër” (Marku 1:3-6).

Gjoni kishte për detyrë që, nëpërmjet predikimit të mesazhit të pendesës, të përgatiste udhën për ardhjen e Mesias. Predikimi i tij ngjalli emocion mes hebrenjve, sepse, që nga koha e profetëve, ata s’kishin dëgjuar asnjë njeri që të fliste në këtë mënyrë. Pas 400 vjetësh errësire shpirtërore, Gjoni foli rreth gjërave të mrekullueshme, ngaqë vajosja e Perëndisë ishte mbi të. Ai ishte si një dritë, që shkëlqen në errësirë: “Ai ishte një kandil që digjet e ndriçon; dhe ju deshët të gëzoheni për pak kohë në dritën e tij” (Gjoni 5:35). Gjoni ishte një predikues i famshëm, i cili foli rreth domosdoshmërisë për t’u penduar dhe rreth besimit në Perëndinë. Nuk ishte pasuria e tij ajo që i tërhoqi njerëzit tek ai, por ishte vetëm fakti se vetë Perëndia e kishte vajosur Gjonin për t’i shërbyer.

E megjithëse i gjithë populli shkoi ta dëgjonte Gjonin tek predikonte, të paktë ishin ata që e ndoqën Krishtin. Nuk duhet të gëzohemi shumë, kur shohim se turma të tëra shkojnë për të dëgjuar një predikues të famshëm. Si në kohën e Gjonit, ashtu edhe sot, të paktë janë ata që pendohen vërtet për mëkatet e tyre dhe ia përkushtojnë jetën Krishtit.

Mesazhi i Gjonit

Ai predikonte duke thënë: “Pas meje po vjen një që është më i fortë se unë. Unë nuk jam i denjë as të ulem para tij për t’i zgjidhur lidhësat e sandaleve të tij. Unë ju pagëzova me ujë, ndërsa ai do t’ju pagëzojë me Frymën e Shenjtë” (Marku 1:7-8).

Gjoni mund të kishte thënë: “Pritni, se s’keni parë gjë akoma!”. Por, jo. Ai nuk u përpoq që ta reklamonte veten e vet, por i përgatiti zemrat e njerëzve për Krishtin. Ai i drejtoi njerëzit drejt një Lajmëtari më të madh dhe drejt një pagëzimi më të fuqishëm.

Ky mesazh duhet të jetë edhe sot mesazhi i të gjithë shërbëtorëve të ungjillit të Krishtit. Nëse nuk shpallim se përveçse në Jezusin, nuk ka shpëtim tjetër, atëherë nuk kemi fare asnjë mesazh për të shpallur: “Dhe në asnjë tjetër nuk ka shpëtim, sepse nuk ka asnjë emër tjetër nën qiell që u është dhënë njerëzve dhe me anë të të cilit duhet të shpëtohemi” (Veprat e Apostujve 4:12).    

Përfundim

A e kemi takuar me të vërtetë Krishtin, rreth të cilit foli Gjon Pagëzori? Shumë predikues ngrenë lart veten dhe shërbesën e tyre, në vend që të lartësojnë Zotin. Gjoni ishte një pishtar, që përgatiti udhën për ardhjen e “diellit të drejtësisë” (Malakia 4:2). Duhet të tregojmë kujdes që të mos e fshehim “Dritën e botës” prapa “babunes” së mishit (mëkatit) tonë (Gjoni 8:12, Marku 4:21).

Mbrapa

Advertisements