Mesia i Mrekullueshëm dhe Monedha e Vejushës

Në studimet e mëparshme, kemi vënë re përpjekjet e drejtuesve fetarë për ta zënë Jezusin mat me pyetje, që, sipas tyre, ishin shumë të vështira për t’iu përgjigjur. Në këtë studim, shohim Jezusin tek bën një pyetje, që ka si synim t’i bëjë njerëzit të mendojnë thellë rreth Mesias. Shpesh vëmë re se kishat (e ditëve të sotme) debatojnë lidhur me pyetje të papërfillshme, në vend që të diskutojnë çështje, që kanë lidhje me shpëtimin: “Dhe të mos merren me përralla dhe me gjenealogji që s’kanë të sosur, të cilat shkaktojnë përçarje më tepër sesa vepra e Perëndisë, që mbështetet në besim…Në qoftë se dikush mëson një doktrinë tjetër dhe nuk ndjek fjalët e shëndosha të Zotit tonë Jezu Krisht dhe doktrinën sipas perëndishmërisë, ai mbahet më të madh dhe nuk di asgjë, por vuan nga sëmundja e grindjes dhe e të zënit me fjalë, prej nga lindin smira, grindja, të sharat, dyshimet e këqija, debatet e kota të njerëzve me mendje të prishur dhe të shterur nga e vërteta, sepse mendojnë se perëndishmëria është burim fitimi; largohu prej këtyre” (1 Timoteut 1:4; 6:3-5).

Shkrimet

Dhe Jezusi, duke i mësuar në tempull, tha: “Vallë, si mund të thonë skribët se Krishti është Bir i Davidit? Sepse vetë Davidi, nëpërmjet Frymës së Shenjtë, tha: “Zoti i ka thënë Zotit tim: Ulu në të djathtën time, derisa t’i bëj armiqtë e tu stol të këmbëve të tua”. Vetë Davidi, pra, e quan Zot; si mund të jetë vallë bir i tij?”. Dhe pjesa më e madhe e dëgjonte me ëndje” (Marku 12:35-37).

Duke cituar Psalmin 110, Zoti iua shfaqi hapur drejtuesve fetarë paditurinë e tyre lidhur me natyrën dhe karakterin e vërtetë të Mesias. Ata nuk ishin në gjendje t’i interpretonin Shkrimet e Shenjta ashtu siç duhej. E dinin se Mesia do të fliste e do të vepronte njëlloj siç po fliste e po vepronte Jezusi, por prapëseprapë, nuk donin ta pranonin se Ai që po qëndronte para syve të tyre ishte vetë Mesia. Po ta pranonin Jezusin si Mesia, atëherë nuk iu mbetej gjë tjetër veçse të pranonin gjithashtu se Ai ishte Perëndia i ardhur në mish (në formë trupore). Mesia ishte si biri i Davidit, ashtu edhe Biri i Perëndisë. Prandaj Ai duhej të ishte si Njeri, ashtu edhe Perëndi.

Tek Gjoni 5:39, Jezusi thotë: “Ju hetoni Shkrimet sepse mendoni të keni nëpërmjet tyre jetë të përjetshme; dhe ato janë këto që dëshmojnë për mua”. Shkrimet e Dhiatës së Vjetër, së bashku me shprehjet figurative dhe profecitë, kishin si qëllim që t’iu tregonin njerëzve rreth Krishtit. Kjo vihet re sidomos tek libri i Psalmeve, në të cilin lexojmë rreth ardhjes, vuajtjes, vdekjes dhe ringjalljes së Krishtit. Ka nga ata, që e nënvlerësojnë Dhiatën e Vjetër, por, duke vepruar kështu, këta njerëz nuk arrijnë t’i shohin dot mrekullitë e planit të Perëndisë dhe arsyen e ardhjes së Birit të Tij në botë. Përsa i përket të dyja dhiatave: Dhiata e Re përfshihet në të Vjetrën, kurse Dhiata e Vjetër gjen shpjegim në të Renë. Prandaj, do ta shkatërrojmë shpirtin, po ta neglizhojmë qoftë edhe vetëm njërën prej dy dhiatave.

Ata që e heqin veten si të shenjtë

Dhe ai u thoshte atyre në doktrinën e vet: “Ruhuni nga skribët, të cilëve u pëlqen të shëtisin me rroba të gjata dhe t’i përshëndetin në sheshe, dhe të kenë vendet e para në sinagoga dhe vendet e para në gosti, që i gllabërojnë shtëpitë e të vejave dhe, për t’u dukur, luten gjatë; ata do të marrin një gjykim më të rreptë!” (Marku 12:38-40).

Skribëve iu pëlqente të dukeshin. I kishin qejf ceremonitë dhe veshjen në mënyrë fetare. Kishin qejf të lavdëroheshin prej të tjerëve. Ishin në gjendje të bënin lutje të gjata, me qëllim që t’iu linin mbresa atyre, që i dëgjonin. Skribët nuk e donin Perëndinë. Përkundrazi, donin paranë, që iua sillte feja. Të tjerët mund t’i konsideronin si shenjtorë, por, në të vërtetë, gjithçka që bënin skribët, ishte e neveritshme në sytë e Perëndisë. Sipas Dhiatës së Vjetër, këta mësues ligji paguheshin nga ofertat, që jepnin njerëzit. Por ata e kishin abuzuar pozitën e tyre, duke iu vjedhur paratë të tjerëve.

Në Bibël, Perëndia e konsideron besimin e rremë dhe hipokrizinë si diçka të urryer, gati për t’u ndëshkuar. Hipokritët thonë se janë pasues të Krishtit, por, në fakt, ata i shërbejnë botës dhe vetes së tyre. Besimtari duhet të veshë rrobat e drejtësisë, jo mantelin e mashtrimit. Të tjerët mund t’i mashtrojmë, por Perëndinë, që sheh gjithçka, nuk e mashtrojmë dot kurrë: “Sepse fjala e Perëndisë është e gjallë dhe vepruese, më e mprehtë se çdo shpatë me dy tehe dhe depërton deri në ndarjen e shpirtit dhe të frymës, të nyjeve dhe të palcave, dhe është në gjendje të gjykojë mendimet dhe dëshirat e zemrës. Dhe nuk ka asnjë krijesë që të jetë e fshehur para tij, por të gjitha janë lakuriq dhe të zbuluara para syve të Atij, të cilit ne do t’i japim llogari” (Hebrenjve 4:12-13). Kënaqësia e hipokritit zgjat vetëm për një moment, por shumë shpejt atij do t’i vijë Dita e Gjykimit. Hipokriti mund t’i vërë një nam të keq krishtërimit. Prandaj neve na del si detyrë, që të jetojmë duke u bazuar sinqerisht tek fjala e Perëndisë dhe t’i tregojmë botës se pasuesit e vërtetë të Krishtit janë të përkushtuar ndaj Tij si nga ana shpirtërore, ashtu edhe nga ajo praktike.

Oferta

Dhe Jezusi u ul përballë arkës së thesarit dhe vërente se njerëzit hidhnin aty denar; shumë të pasur hidhnin shumë. Erdhi një e ve e varfër dhe hodhi dy monedha të vogla, domethënë një kuadrant. Dhe Jezusi i thirri dishepujt e vet pranë vetes dhe u tha atyre: “Ju them në të vërtetë se kjo e ve e varfër ka hedhur në thesar më shumë se të gjithë të tjerët. Sepse të gjithë hodhën aty nga teprica e tyre, kurse ajo, me skamjen e vet, hodhi gjithë sa kishte për të jetuar” (Marku 12:41-44).

Marku e krahason hipokrizinë e drejtuesve fetarë me besnikërinë e të vesë së varfër. Po t’iu jepej mundësia, drejtuesit fetarë do t’ia grabisnin vejushës edhe ato dy monedha që kishte. Ajo ofroi më shumë se ç’e kishte për detyrë të ofronte nga ana fetare. Pasanikët jepnin, ngaqë kishin mundësi të jepnin, ndërsa vejusha dha ofertë, edhe kur nuk kishte mundësi ta jepte. Pasanikët jepnin, se ishin të detyruar të jepnin, kurse vejusha ofroi me një zemër të pastër, të përkushtuar ndaj shërbesës së Perëndisë. Pasanikët nuk e kuptojnë se ç’do të thotë “ofertë”.

Për shekuj me rradhë, nuk kanë qenë biznesmenët ata, që kanë kontribuar më shumë për ndërtimin e kishës (së Krishtit), apo për punën e misionarëve. Përkundrazi, kanë qenë shumat e vogla, por të vazhdueshme, të parave të atyre, që kanë qenë të frymëzuar prej Frymës së Shenjtë. Kishës së rreme i pëlqejnë bamirësit e vet, por kishës së vërtetë i pëlqejnë anëtarët sakrifikues të saj. Të paktë janë ata, që janë me të vërtetë të “pasur ndaj Perëndisë” (Luka 12:21). Shumica e besimtarëve i harxhojnë lekët për vete dhe kontribojnë shumë pak për punën e Krishtit. Perëndia nuk na gjykon se sa lekë i japim Atij, por se me ç’shpirt i ofrojmë ofertat tona: “Secili le të veprojë ashtu si ka vendosur në zemrën, as me keqardhje as nga shtrëngimi, sepse Perëndia do një dhurues të gëzuar” (2 Korintasve 9:7).

Le ta mbështesim punën e Perëndisë, aq sa kemi mundësi e përsa kohë që jemi gjallë. Zoti e sheh ofertën tonë sot, ashtu siç e shihte dikur edhe ofertën, që hidhte çdo njeri në kutinë e ofertave në Tempull.

Përfundim

Hipokrizia dhe të keqkuptuarit e Shkrimeve nuk i bëjnë mirë shpirtit. Zoti Jezus i gjykoi dhe vazhdon t’i gjykojë që të dyja. Në mënyrë që të mos bëhemi hipokritë, na duhet që t’i zbatojmë me gjithë zemër mësimet e Shkrimeve në jetën tonë.

Mbrapa

Advertisements