Mesia i Shenjtë dhe Zemra e Njeriut

Pasi u takua me skribët dhe farisenjtë, Jezusi iu shpjegoi dishepujve të Tij se çfarë e ndotte me të vërtetë zemrën dhe e bënte njeriun të padenjë për Mbretërinë e Qiellit.

Të kuptuarit

Pastaj thirri gjithë turmën rreth vetes dhe i tha: “Më dëgjoni të gjithë dhe kuptoni: Nuk ka asgjë jashtë njeriut që, duke hyrë në të, mund ta ndotë atë; përkundrazi janë ato gjëra që dalin prej tij që e ndotin. Kush ka veshë për të dëgjuar, le të dëgjojë!” (Marku 7:14-16).

Ata që nuk e vënë re gjendjen e vërtetë, në të cilën ndodhet zemra e tyre, nuk e ndjejnë të nevojshme, që të ecin në shenjtëri e në drejtësi. Shumicës së njerëzve iu duket budallallëk dhe gjë jo biblike, po t’iu sugjerosh se besimtarët duhet të jetojnë një jetë të shenjtëruar. “Dhe njeriu natyror nuk i rrok gjërat që janë të Frymës së Shenjtë; sepse për të janë marrëzi dhe nuk mund t’i njohë; sepse ato gjykohen frymërisht” (1 Korintasve 2:14).

Zemra e njeriut është e korruptuar që në lindje: “Ja, unë jam mbruajtur në paudhësi, dhe nëna ime më ka lindur në mëkat” (Psalmi 51:5). Mëkati infekton jo vetëm zemrën, por edhe vullnetin, ndërgjegjen, kujtesën dhe të kuptuarit. E kemi vënë re se edhe ata të ashtu-quajturit “gjeni” të kësaj bote, nuk arrijnë t’i kuptojnë as të vërtetat më të thjeshta të Biblës. “Sepse, duke qenë se nëpërmjet diturisë së Perëndisë bota nuk e njohu Perëndinë me urtinë e vet…” (1 Korintasve 1:21).

Besimtarët duhet të luten që Fryma e Shenjtë të vazhdojë t’iu ndriçojë zemrat, që ata ta kuptojnë fjalën e Perëndisë: “Që Perëndia i Zotit tonë Jezu Krisht, Ati i lavdisë, t’ju japë juve Frymën e diturisë dhe të zbulesës, në njohurinë e tij, dhe t’u ndriçojë sytë e mendjes suaj, që të dini cila është shpresa e thirrjes së tij dhe cilat janë pasuritë e lavdisë së trashëgimisë së tij në shenjtorët” (Efesianëve 1:17-18). Nuk mjafton vetëm intelekti njerëzor, por nevojitet edhe gatishmëria jonë për të lexuar, për të studiuar e për të medituar mbi Biblën nën udhëheqjen e Frymës së Shenjtë. Ashtu si Davidi, edhe ne, nëse duam ta dimë të vërtetën, duhet të themi: “Më mëso të gjykoj drejt dhe të kem njohje, sepse u besoj urdhërimeve të tua” (Psalmi 119:66).

Gjendja

Më pas, kur ai u kthye në shtëpi, larg turmës, dishepujt e vet e pyetën për kuptimin e shëmbëlltyrës. Dhe ai u tha atyre: “Edhe ju qënkeni kaq të pamend? A nuk e kuptoni se çdo gjë që nga jashtë hyn te njeriu nuk mund ta ndotë, sepse nuk i hyn në zemër, por në bark, dhe pastaj jashtëqitet në gjiriz?”. Duke folur kështu, ai i deklaroi të pastra të gjitha ushqimet” (Marku 7:17-19).

Pastërtia shpirtërore nuk vjen si rezultat i të zbatuarit pikë për pikë të ceremonive dhe riteve fetare. Nuk bëhesh i papastër përpara Perëndisë, po qe se ha një copë buke të mykur. Përkundrazi, është zemra ajo, që e bën njeriun të papastër. Njeriu s’duhet ta fajësojë mjedisin që e rrethon për mëkatin e vet. Është vetë natyra e tij, që meriton fajësimin. Të gjithë kemi tendencë për të mëkatuar, që nga momenti i lindjes. Zemra e njeriut është vetë burimi i ligësisë, prandaj edhe njeriu nuk ka nevojë të mësohet se si të mëkatojë. Mëkaton vetë nga natyra: “Kush mund të nxjerrë një gjë të pastër nga një gjë e papastër? Askush” (Jobi 14:4)… “Ruaje zemrën tënde me shumë kujdes, sepse nga ajo dalin burimet e jetës” (Fjalët e Urta 4:23). Po të mos kishte ndërhyrë Perëndia, ne do të shkatërroheshim, do të humbnim dhe do të ishim të destinuar për në Ferr.

Asnjë fëmijë nuk lind me një natyrë të pamëkatshme. Kjo është edhe arsyeja se përse Perëndia iu ka vënë përgjegjësi prindërve, që t’i rritin fëmijët me njohurinë dhe dashurinë e Tij. Zemrat e fëmijëve janë të pa siguruara, derisa ata një ditë t’ia përkushtojnë veten Krishtit me besim. Deri atëherë, prindërit e kanë për detyrë që t’i mbajnë fëmijët larg mëkatit. Shumica e problemeve tona shoqërore kanë ardhur si pasojë e prindërve, që nuk e kanë kryer siç duhet detyrën e tyre. “Mësoji fëmijës rrugën që duhet të ndjekë, dhe ai nuk do të largohet prej saj edhe kur të plaket” (Fjalët e Urta 22:6). Fara dhe rrënjët e mëkatit duhet të hiqen dhe të zëvendësohen me fjalën e Perëndisë.

Katallogu

Tha akoma: “Ajo që del nga njeriu, e bën atë të ndotur. Sepse nga brenda, domethënë nga zemra e njeriut, dalin mendimet e mbrapshta, shkeljet e kurorës, kurvërimi, vrasjet, vjedhjet, lakmitë, ligësitë, mashtrimet, pafytyrësia, smira, blasfemia, kryelartësia, budallallëku. Të gjitha këto të mbrapshta dalin nga brenda dhe e ndotin njeriut” (Marku 7:20-23).

Jezusi bën një listë të arsyeve të ndryshme, që e bëjnë zemrën e njeriut të ligë në sytë e Perëndisë. Ky katallog mëkatesh vërteton mjaftueshëm se çdo njeri, po qe se nuk është i rilindur, qëndron i dënuar para Perëndisë dhe nuk ka kë të fajësojë tjetër, veç vetes së vet. Teksti bën fjalë për natyrën e vërtetë të të gjithë njerëzve, jo vetëm të vrasësit, apo të vjedhësit, apo të përdhunuesit. Ky katallog i zi mëkatesh gjendet si tek i pasuri, ashtu edhe tek i varfri, si tek i riu, ashtu edhe tek plaku, si tek ai me shkollë, ashtu edhe tek analfabeti, sepse mëkati nuk njeh kufij shoqëror.

Fara e mëkatit qëndron e fjetur në zemër dhe zgjohet atëherë, kur ujitet nëpërmjet vullnetit dhe tundimit. Fuqia e vullnetit mund ta ndalojë njeriun prej së kryerit të mëkatit, por potenciali për të kryer ligësi nga më të tmerrshmet gjendet po aty, në zemër, sepse mëkati është i pranishëm në vetë natyrën e njeriut. Vetëm ata, që e kanë lejuar Zotin, që t’iua çrrënjosë natyrën mëkatare, vetëm ata janë të drejtë në sytë e Tij: “A nuk e dini ju se të padrejtët nuk do të trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë? Mos u gënjeni: as kurvarët, as idhujtarët, as shkelësit e kurorës, as të zhburrëruarit, as homoseksualët, as vjedhësit, as lakmuesit, as pijanecët, as përqeshësit, as grabitësit nuk do të trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë. Dhe të tillë ishit disa nga ju; por u latë, por u shenjtëruat, por u shfajësuat në emër të Zotit Jezus dhe me anë të Frymës së Perëndisë tonë” (1 Korintasve 6:9). “Prandaj nëse dikush është në Krishtin, ai është një krijesë e re; gjërat e vjetra kanë shkuar; ja, të gjitha gjërat u bënë të reja” (2 Korintasve 5:17).  

Përfundim                      

Edhe pse miqtë mund të mos e dinë se si jemi ne në të vërtetë, është Perëndia Ai, që iua lexon mendjet të gjithë njerëzve. Vetëm atëherë, kur njeriu, jo vetëm që i rrëfen mëkatet që ka kryer, por edhe e pranon se është mëkatar në zemër, ai mund të shpëtohet: “Jemi të gjithë si një gjë e papastër, dhe të gjitha veprat tona të drejtësisë janë si një rrobe e ndotur” (Isaia 64:6). “Sepse i pranoj të ligat që kam bërë, dhe mëkati im më rri gjithnjë përpara” (Psalmi 51:3). Si besimtarë që jemi, duhet të jemi vazhdimisht mirënjohës se jemi të rilindur dhe, edhe nëse kryejmë ndonjë mëkat, Jezusi, prapëseprapë, mbetet “besnik dhe i drejtë që të na falë mëkatet dhe të na pastrojë nga çdo paudhësi” (1 Gjonit 1:9). E megjithatë, duhet të tregohemi vigjilentë, lidhur me fjalët e veprimet tona, e sidomos me mendimet tona, sepse mendimet sjellin si pasojë fjalët dhe veprat. “Së fundi, vëllezër, të gjitha gjërat që janë të vërteta, të gjitha gjërat që janë të ndershme, të gjitha gjërat që janë të drejta, të gjitha gjërat që janë të pastra, të gjitha gjërat që janë të dashura, të gjitha gjërat që janë me famë të mirë, nëse ka ndonjë virtyt dhe nëse ka ndonjë lëvdim, këto mendoni” (Filipianëve 4:8).

Mbrapa

Advertisements