Mësimi i Mjeshtrit në Malin e Shpërfytyrimit

Shpërfytyrimi i Zotit Jezus, ashtu siç na paraqitet edhe tek kapitulli 9 i Markut, është i lidhur drejtpërsëdrejti me fundin e kapitullit të mëparshëm. Në atë kapitull, Zoti flet rreth vdekjes së Tij në kryq dhe rreth Mbretërisë së lavdishme. Në historinë e shpërfytyrimit, shohim sadopak premtimin e jetës së përjetshme, pasi t’i vijë fundi kësaj së tanishmes në tokë. Besimtarit kjo jetë tokësore mund t’i duket e vështirë, por atë e pret një shpërblim i përjetshëm.

Ngjarja e lavdishme

Pastaj u tha atyre: “Në të vërtetë ju them se midis jush që jeni këtu ka disa që nuk do ta shijojnë vdekjen para se të shohin të vijë me fuqi mbretëria e Perëndisë”. Mbas gjashtë ditësh Jezusi mori me vete Pjetrin, Jakobin e Gjonin dhe i çoi në vetmi, vetëm ata, mbi një mal të lartë; dhe u shpërfytyrua përpara tyre. Dhe rrobat e tij u bënë të shndritshme dhe krejt të bardha, si bora, më të bardha nga sa nuk mund t’i zbardhojë asnjë rrobalarës mbi tokë. Dhe atyre iu shfaqën Elia me Moisiun, që po bisedonin me Jezusin” (Marku 9:1-4).

Jezusi iu ngjit malit për të biseduar me të Atin: “Dhe ndodhi që afërsisht tetë ditë pas këtyre thënieve, Ai mori me vete Pjetrin, Gjonin Jakobin dhe u ngjit në mal për t’u lutur. Dhe ndërsa po lutej, pamja e fytyrës së tij ndryshoi dhe veshja e tij u bë e bardhë dhe e ndritshme” (Luka 9:28-29). Për çfarë po flisnin Jezusi, Moisiu dhe Elia me njëri-tjetrin? Sipas Lukës 9:30-31, ata po diskutonin vdekjen e Tij në kryq: “Dhe ja, dy burra po bisedonin me të; ata ishin Moisiu dhe Elia, të cilët, të shfaqur në lavdi, i flisnin për ikjen e tij nga kjo jetë që do të kryhej së shpejti në Jeruzalem”. Është interesante për t’u vënë re se, ngaqë Moisiu ishte i pranishëm, Zoti përdor fjalën “ikje”, që në greqisht do të thotë “eksod”. Jezusi kurrë nuk pushoi së egzistuari, por thjesht iku nga një vend në tjetrin.

Kjo ngjarje e lavdishme ka ç’të na mësojë rreth paqes dhe gëzimit të përjetshëm në Qiell. Gjatë gjithë jetës së Tij në tokë, Zoti Jezus kishte qenë i varfër e i përulur, por këtu në këtë histori, të tre dishepujve iu zuri syri madhështinë mbretërore të Birit të Perëndisë. Kjo na tregon se, kur të shfaqet përsëri Jezusi, edhe shenjtorët e Tij do të shfaqen bashkë me Të, ashtu siç u shfaqën edhe Moisiu dhe Elia. Edhe pse besimtari, ashtu si edhe Jezusi, tallet dhe persekutohet në këtë jetë, ngaqë i përket Krishtit, prapëseprapë, një ditë ai do të vishet me nder e lavdi në praninë e Tij. Ngjarjet në malin e shpërfytyrimit kumtojnë mbretërimin njëmijëvjeçar të Krishtit dhe të shenjtorëve të Tij. W.H.Roxhers ka thënë: “Tek shpërfytyrimi shohim të manifestuara në miniaturë (d.m.th. në shkallë të zvogëluar) të gjitha karakteristikat e spikatura të mbretërisë së ardhshme”.

Disa komentatorë e kanë krahasuar shpërfytyrimin e Jezusit me një “shkëlqim aq verbues”, që doli prej Tij, saqë madje edhe rrobat e Tij ndriçuan e u bënë më të bardha se vetë bora. Mali, që përmendet në këtë pasazh, mund të ketë qenë Mali Hermon, i cili qëndron i mbuluar me borë gjatë gjithë vitit. Ky fakt e bën edhe më të rëndësishme përmendjen e borës në këtë pasazh. Shpërfytyrimi i Zotit na e ndriçon perspektivën tonë në këtë botë të errët e mëkatare, ku Krishti mohohet vazhdimisht. Ngjarja e lavdishme në mal bën fjalë rreth gjërave të mrekullueshme, që ka përgatitur Perëndia për ne. Një ditë, Ai, që u kryqëzua në Kalvar, do të kthehet me fuqi e lavdi të madhe. “Kur të shfaqet Krishti, jeta jonë, atëherë edhe ju do të shfaqeni në lavdi bashkë me të” (Kolosianëve 3:4)… “Dhe atëherë do të duket në qiell shenja e Birit të njeriut; dhe të gjitha kombet e dheut do të mbajnë zi dhe do ta shohin Birin e njeriut duke ardhur mbi retë e qiellit me fuqi dhe lavdi të madhe. Ai do t’i dërgojë engjëjt e vet me tinguj të fuqishëm borie; dhe ata do t’i mbledhin të zgjedhurit e tij nga të katër erërat, nga një skaj i qiellit te tjetri” (Mateu 24:30-31).

Prania e Moisiut dhe e Elias, jo vetëm që bën fjalë rreth Ligjit dhe Profetëve, por përfaqëson gjithashtu edhe të gjithë shenjtorët, që kanë vdekur dhe ata që do të transportohen direkt për në Qiell, ashtu siç ndodhi edhe me Elian (shiko 2 Mbretërve 2).

Përvoja e mirë

Atëherë Pjetri e mori fjalën dhe i tha Jezusit: “Mësues, për ne është mirë të jemi këtu; bëjmë, pra, tri çadra: një për ty, një për Moisiun dhe një për Elian!”. Në fakt ai nuk dinte çfarë thoshte, sepse ata ishin të trembur” (Marku 9:5-6).

Dishepujt nuk e panë dot gjithçka që ndodhi në mal, sepse Perëndia bëri që ata të binin në gjumë, sapo u shpërfytyrua Jezusi. “Pjetri dhe shokët e tij ishin të këputur nga gjumi; po kur u zgjuan plotësisht, panë lavdinë e tij dhe ata dy burra që ishin bashkë me të” (Luka 9:32). Vetëm kur u zgjuan, ata arritën t’i shikonin edhe Moisiun dhe Elian.

Deri në atë moment, dishepujt e kishin parë Jezusin nëpërmjet syve mishorë. Por Perëndia iu lejoi që ta shikonin lavdinë e zbuluar të Krishtit. Pjetri e kuptoi se kjo që po përjetonin, ishte një gjë e mrekullueshme dhe qiellore, por fjalët e tij vërtetuan se ai nuk e kishte kuptuar akoma se Jezusi kishte ardhur në tokë për të vuajtur e për të vdekur për mëkatarët. Gjithashtu Pjetri nuk e vlerësoi parësinë e Krishtit, por përkundrazi, e vuri Atë në të njëjtën pozitë me Moisiun dhe Elian. Nga frika, Pjetri sugjeroi që të bënin tre çadra. Kjo ngjarje e kishte emocionuar aq shumë, saqë donte të bënte diçka për ta përkujtuar atë që kishin parë. Kur Pjetri u emocionua tek pa dy shenjtorët në lavdi, vallë, ç’do të ndjejnë besimtarët, që do të jenë pjesë e kishës së transportuar për në Qiell? Tre dishepujt shijuan paraprakisht atë, që ne do ta shijojmë plotësisht. 

Inkurajimi i madh

Pastaj erdhi një re dhe i mbuloi me hijen e vet; dhe nga reja doli një zë që tha: “Ky është Biri im i dashur; dëgjojeni!”. Dhe menjëherë ata shikuan rreth e qark, por nuk panë më asnjëri, përveçse Jezusi fill i vetëm me ta” (Marku 9:7-8).

Moisiu dhe Elia përfaqësonin Ligjin dhe Profetët. Shfaqja e tyre kishte si qëllim që të dëshmonte se Dhiata e Vjetër e gjen plotësinë e saj në Jezus Krishtin. Largimi i tyre na tregon faktin se vetëm Jezusi është Shpëtimtari. Vëmë re se Ati e përmendi Jezusin si Ai, që duhet dëgjuar. Vetëm Ai ka vend kryesor dhe vetëm Ai duhet të mbretërojë në jetën tonë. Si Perëndi që është, Jezusi nuk e ndan lavdinë e Tij me dikë tjetër.

“Reja” që përmendet këtu, mund të ketë qenë lavdia e Perëndisë, e cila mbushte Vendin më të Shenjtë në tempullin e Dhiatës së Vjetër. Ishte shprehja e dukshme e pranisë së Perëndisë mes popullit të Tij.

Shpjegimi i madh

Tani kur po zbrisnin nga mali, Jezusi i urdhëroi të mos i tregojnë askujt gjërat që kishin parë, derisa i Biri i njeriut të ringjallej prej së vdekuri. Ata e mbajtën porosinë dhe diskutonin mes tyre se ç’do të thoshte të ringjallesh prej së vdekuri. Pastaj e pyetën duke thënë: “Përse skribët thonë se më parë duhet të vijë Elia?”. Dhe ai, duke u përgjigjur, u tha atyre: “Elia me të vërtetë duhet të vijë më parë dhe të rivendosë çdo gjë; por, ashtu siç është shkruar për Birin e njeriut, ai duhet të vuajë shumë gjëra dhe të përçmohet. Por unë po ju them se Elia erdhi dhe me të bënë ç’deshën, ashtu siç është shkruar për të” (Marku 9:9-13).

Dishepujt e kuptuan plotësisht rëndësinë e asaj që kishin përjetuar, vetëm pasi Jezusi u ngjall për së vdekurish. Por tani, ata ishin të paqartë rreth disa profecive të caktuara të Dhiatës së Vjetër, sidomos asaj të gjendur tek Malakia 4:5, “Ja, unë do t’ju dërgoj Elian, profetin, para se të vijë dita e madhe dhe e llahtarshme e Zotit”. Po qe se Elia s’kish ardhur akoma, atëherë, pa dyshim, që as Jezusi nuk mund të shkonte dot në kryq. Por, Elia kishte ardhur dhe njerëzit nuk e njohën. E abuzuan, e mohuan dhe e vranë. Dhe ashtu siç e mohuan lajmëtarin, ashtu do ta mohonin edhe Mbretin: “Por unë ju them se Elia ka ardhur dhe ata nuk e kanë njohur, madje u sollën me të si deshën; kështu edhe Birit të njeriut do t’i duhet të vuajë prej tyre” (Mateu 17:12). Gjon Pagëzori nuk ishte Elia i vërtetë, por ai kishte të njëjtën vajosje (fuqi) si Elia: “Dhe do të shkojë përpara tij në frymë dhe pushtet të Elias, për t’i kthyer zemrat e prindërve te fëmijët dhe rebelët në urtinë e të drejtëve, për t’ia bërë gati Zotit një popull të përgatitur mirë” (Luka 1:17). “Dhe, në daçi ta pranoni, ai është Elia, që duhej të vijë” (Mateu 11:14). Mateu 17:13 na shpjegon se dishepujt e kuptuan se Jezusi po i referohej Gjon Pagëzorit: “Atëherë dishepujt e kuptuan se u kishte folur për Gjon Pagëzorin”.

Përfundim

Ata që e ndjekin Zotin Jezus Krisht, janë thirrur që t’ia dëgjojnë zërin Atij, jo drejtuesve fetarë apo botës, sepse vetëm Ai ka “fjalë jete të përjetshme” (Gjoni 6:68). Nëse i bindemi zërit të Tij, atëherë nuk do të mëkatojmë dhe nuk do të mashtrohemi kurrë prej djallit. “Delet e mia e dëgjojnë zërin tim, unë i njoh dhe ato më ndjekin; dhe unë u jap atyre jetën e përjetshme dhe nuk do të humbasin kurrë, e askush nuk do t’i rrëmbejë nga dora ime” (Gjoni 10:27-28). Pjetri na thotë se bindja ndaj Biblës është më e vlefshme për besimtarin, sesa të parit e shpërfytyrimit të Jezusit: “Sepse nuk jua bëmë të njohur fuqinë dhe ardhjen e Zotit tonë Jezu Krisht, duke shkuar pas përralla të sajuara me mjeshtri, por sepse jemi dëshmitarë okular e madhështisë së tij. Sepse ai mori nder dhe lavdi nga Perëndia Atë, kur i erdhi ky zë nga lavdia e madhërishme: “Ky është Biri im i dashur, në të cilin jam kënaqur”. Dhe ne e dëgjuam këtë zë që vinte nga qielli, kur qemë bashkë me të në malin e shenjtë. Ne e kemi edhe më të vërtetuar fjalën profetike, të cilën bëni mirë ti kushtoni kujdes, si një kandil që ndriçon në një vend të errët, derisa të zbardhë dita dhe ylli i dritës të lindë në zemrat tuaja” (2 Pjetrit 1:16-19).

Mbrapa

Advertisements