Miq të ndarë

“Të nesërmen në mëngjes, Jonathani doli në fushë në vendin e caktuar me Davidin, duke pasur me vete një djalosh. Ai i tha djaloshit: “Vrapo të më sjellësh shigjetat që unë gjuaj”. Ndërsa djaloshi vraponte, ai hodhi një shigjetë që kaloi përtej tij. Kur djaloshi arriti në vendin ku ndodhej shigjeta që Jonathani kishte hedhur, Jonathani i bërtiti nga prapa: “Shigjeta, vallë ka rënë matanë teje?”. Pastaj Jonathani i bërtiti akoma djaloshit: “Vepro shpejt, mbaro punë, mos u ndal!”. Kështu djaloshi i Jonathanit mblodhi shigjetat dhe u kthye tek i zoti. Por djaloshi nuk e dinte asgjë; vetëm Jonathani dhe Davidi e dinin si qëndronte çështja. Pastaj Jonathani ia dha armët e tij djaloshit dhe i tha: “Nisu, çoji në qytet”. Me t’u nisur djaloshi, Davidi u ngrit nga krahu jugor, ra përmbys tri herë me fytyrë për tokë; pastaj të dy puthen me njeri tjetrin dhe qanë bashkë; por Davidi qau më tepër. Pastaj Jonathani i tha Davidit: “Shko në paqe, tani që ne të dy jemi betuar në emër të Zotit; Zoti le të jetë përgjithmonë dëshmitar midis meje dhe teje dhe ndërmjet pasardhësve të tu dhe pasardhësve të mi”. Pastaj Davidi u ngrit dhe iku; dhe Jonathani u kthye në qytet” (1 Samuelit 20:35-42).

Parathënie

Që nga ky moment e për njëzet vjet me rradhë, jeta kishte për t’u bërë tmerrësisht e vështirë për Davidin. Nuk kishte për ta parë më gjallë Jonathanin. Nuk kishte për të patur mundësinë, për t’u kthyer në shtëpinë e vet, tek miqtë e tij. Nuk do të kishte më një vend të caktuar banimi. Do të bënte jetën e një të përndjekuri.

Fati i Davidit

Jonathani e mbajti premtimin, që i kishte bërë Davidit, edhe pse e dinte se Sauli mund të kishte gjithandej spiunët e tij. Plani i tij i shigjetave doli plan i zgjuar. Sapo u gjuajtën shigjetat si sinjal, Jonathani e këshilloi Davidin me fjalë të shifruara, që s’mund të kuptoheshin dot prej të tjerëve. “Vepro shpejt, mbaro punë, mos u ndal!“. Këto fjalë i treguan Davidit se ai nuk ishte më i sigurtë në praninë e mbreti Saul dhe se tani duhej t’ia mbathte me të katra, me qëllim që ta shpëtonte veten. Jonathani nuk u përpoq që ta ëmbëlsonte lajmin e keq, por i tregoi Davidit faktet, ashtu siç ishin. Të shumtë janë ata pastorë sot, të cilët e zbusin fjalën e Perëndisë, duke mos i paralajmëruar mëkatarët rreth fatit të tyre, nëse nuk e pranojnë Krishtin. Kur vjen puna tek shpirtrat e njerëzve, s’ka lajm më të mirë sesa e vërteta.

Hidhërimi i Davidit

E shohim se si të dy miqtë u hidhëruan shumë, kur e kuptuan situatën, në të cilën ndodheshin. “Davidi qau më tepër“. Zemra e tij ishte e mbushur me hidhërim. Jeta e tij si një i arratisur do të thoshte se tani atij i duhej t’i priste të gjitha lidhjet dhe miqësinë me Jonathanin. Të mos e harrojmë se kjo nuk erdhi si pasojë e ndonjë gabimi, që kishte bërë Davidi. Përkundrazi, fajin e kishte Sauli. Ligësia e mbretit do të bëhej shkak i problemeve edhe më të mëdha në Izrael. “Kur sundon i pabesi, populli rënkon” (Fjalët e Urta 29:2).

Fjalët inkurajuese të Jonathanit duhet të kenë qenë një bekim i vërtetë për Davidin. Ai do t’i ruante gjithmonë këto fjalë në zemrën e tij. Ato do t’i sillnin atij ndërmend faktin se, pavarësisht sesa e vështirë mund të bëhej jeta, prapëseprapë Perëndia do të ishte me të në çdo hap. “Çfarë të themi, pra, për këto gjëra? Në qoftë se Perëndia është me ne, kush mund të jetë kundër nesh?… Kush do të na ndajë nga dashuria e Krishtit? Pikëllimi, a ngushtica, a përndjekja, a uria, a të zhveshurit, a rreziku, a shpata? Siç është shkruar: “Për ty po vritemi gjithë ditën; u numëruam si dele për therje”. Por në të gjitha këto gjëra ne jemi më shumë se fitimtarë për hir të atij që na deshi. Sepse unë jam i bindur se as vdekja, as jeta, as engjëjt, as pushtetet, as fuqia dhe as gjërat e tashme as gjërat e ardhshme, as lartësitë, as thellësitë, as ndonjë tjetër krijesë, nuk do të mund të na ndajë nga dashuria e Perëndisë që është në Jezu Krishtin, Zotin tonë” (Romakëve 8:31, 35-39).

Largimi i Davidit

Koha kishte ardhur. Davidi dhe Jonathani duhej të ndaheshin me njëri-tjetrin. Jonathani u kthye në qytet, për t’u ballafaquar përsëri me zemërimin e Saulit, kurse Davidi u ngrit dhe iku, për t’u ballafaquar me një të ardhme të paparashikueshme, i përndjekur prej Saulit. Në atë kohë, të syrgjynosurit me forcë konsiderohej si diçka e turpshme. Davidi nuk do të mund ta adhuronte dot më Perëndinë në Izrael, por i duhej të banonte në një tokë të huaj, të mbushur me idhujtari. Sa të vështirë do ta kishte ta nderonte Zotin në një vend të tillë!

Përfundim

Ja, ku është, pra, i vajosuri i Perëndisë! Jeta e tij nuk ishte pa probleme e vështirësi, pa vuajtje e dhimbje. Në vend të lluksit e rehatisë, Davidi do të provonte uri, etje dhe përçmim. Ishte i destinuar për t’u bërë mbret, por rruga drejt fronit ishte e lyer me djersë, gjak e lotë, jo me florinj e gurë të çmuar. Edhe ne jemi të destinuar për ta adhuruar Krishtin para fronit të Tij. Por rruga jonë s’ka për të qenë e lehtë. Lavdia e përjetësisë na inkurajon, tek udhëtojmë si të huaj në një tokë të huaj. “Dhe nëse jemi bij, jemi dhe trashëgimtarë, trashëgimtarë të Perëndisë dhe bashkëtrashëgimtarë të Krishtit, nëse vuajmë më të dhe lavdohemi me të. Unë mendoj në fakt, se vuajtjet e kohës së tanishme nuk vlejnë aspak të krahasohen me lavdinë që do të shfaqet në ne” (Romakëve 8:17-18).

Mbrapa

Advertisements