Miqësia e përtërirë

“Davidi banoi në fortesa të shkretëtirës dhe qëndroi në krahinën malore të shkretëtirës së Zifit. Sauli e kërkonte vazhdimisht, por Perëndia nuk ia dorëzoi në dorë. Davidi, duke ditur që Sauli ishte nisur për ta vrarë, mbeti në shkretëtirën e Zifit, në pyll. Atëherë Jonathani, bir i Saulit, u ngrit dhe shkoi te Davidi në pyll; dhe e ndihmoi të gjejë forcë te Perëndia. Pastaj i tha: “Mos ki frikë, sepse Sauli, ati im, nuk do të arrijë të të shtjerë në dorë; ti do të mbretërosh mbi Izraelin dhe unë do të jem i dyti pas teje. Vetë Sauli, ati im, e di këtë”. Kështu të dy bënë një besëlidhje para Zotit; pas kësaj Davidi mbeti në pyll, kurse Jonathani shkoi në shtëpinë e tij” (1 Samuelit 23:14-18).

Parathënie

Vargjet në hyrje të këtij studimi na tregojnë se si Sauli nuk kishte hequr dorë prej së ndjekurit të Davidit. Çdo ditë, ai merrte të dhëna, lidhur me vendin, ku fshihej armiku i tij. Kishte njerëz, që e dinin vendin e strehimit të Davidit, por nuk i kishin thënë asgjë mbretit për këtë fakt. Edhe Jonathani e dinte me saktësi se ku ndodhej shoku i tij. Davidi gjendej nën mbrojtjen e Perëndisë dhe vetëm ata që kishin qëllime të mira, mund ta gjenin se ku fshihej i arratisuri David. Si qeveria, ashtu edhe fetë e rreme të kësaj bote mund të duan të na shkatërrojnë, por Kisha e vërtetë e Krishtit nuk ka për t’u mposhtur. “Mbi këtë shkëmb unë do të ndërtoj kishën time dhe dyert e ferrit nuk do ta mundin atë” (Mateu 16:18)… “Të shumta janë vuajtjet e njeriut të drejtë, por Zoti e çliron nga të gjitha” (Psalmi 34:19).

Inkurajmi

As Davidi, as njerëzit që e rrethonin, nuk po bënin një jetë lluksoze, aty në mes të shkretëtirës së Zifit. Vetëm një pyll të vogël kishin si vend mbrojtjeje. Në mes të një vuajtjeje të tillë, Perëndia dërgoi dikë, për ta inkurajuar Davidin. Sa shumë do të jetë gëzuar heroi ynë, kur pa mikun e tij, Jonathanin, qoftë edhe për një kohë fare të shkurtër! Të njëjtin gëzim ndjeu edhe Pali, kur i erdhi Titi për vizitë. “Por Perëndia, që ngushëllon të pikëlluarit, na ngushëlloi me ardhjen e Titit” (2 Korintasve 7:6). Perëndia, pra, nuk na harron, kur ndodhemi në vështirësi. “Perëndia është për ne një strehë dhe një forcë, një ndihmë gjithnjë e gatshme në fatkeqësi” (Psalmi 46:1).

Le të mos e harrojmë faktin se Jonathani po e vinte veten në rrezik, për ta takuar Davidin. Sauli ishte gati ta vriste cilindo, që do ta ndihmonte Davidin. Për më tepër, vetë luftëtarët e Davidit do ta kishin vrarë Jonathanin, po të mos e dinin se ai ishte mik i vërtetë i komandantit të tyre. Kjo ishte dëshmi, pra, e dashurisë miqësore që Davidi dhe Jonathani kishin ndaj njëri-tjetrit. “Askush s’ka dashuri më të madhe nga kjo: të japë jetën e vet për miqtë e tij” (Gjoni 15:13).

Jonathani, si bir mbreti që ishte, mund ta kishte demoralizuar Davidin, duke i futur frikën. Por, përkundrazi, ai “e ndihmoi [Davidin] të gjejë forcë te Perëndia”. “E ngushëlloi dhe i dha forcë , duke i sjellë atij ndërmend premtimet e patundshme, që i kishte dhënë Perëndia, si edhe mbrojtjen, që i kishte siguruar dhe do të vazhdonte t’ia siguronte Ai gjatë gjithë kësaj kohe” (Gjon Uesli). Jonathani ishte i bindur se Davidi ishte mbreti i ardhshëm i Izraelit, prandaj edhe e inkurajoi atë, që të mos e harronte këtë fakt. Ka mundësi që Jonathani t’i kishte sjellë Davidit armatime të nevojshme, por më e rëndësishmja nga të gjitha ato, që i solli ai, ishte “Shpata e Frymës” (Efesianëve 6:17). Ishte pikërisht këshilla shpirtërore e Jonathanit, që ia ngushëlloi dhe ia forcoi zemrën Davidit, duke e bërë gati atë për t’u ballafaquar me ato, që do t’i sillte e nesërmja. Jonathani i tha Davidit të mos frikësohej prej “dorës së Saulit”, sepse vetë “dora e Perëndisë” ishte me të. Shprehja “mos ki frikë” përmendet shpesh në Bibël dhe “çdo herë ajo vë në dukje besimin, që duhet të kemi tek Perëndia – besimin, që shfaqi edhe Jonathani. Davidi e kuptoi mirë këshillën e Jonathanit, ngaqë edhe ai vetë ishte njeri i besimit, ashtu si shoku i tij” (Uilljam G. Bleiki).

Jonathani ishte gati të pranonte një post më të ulët sesa ai i mbretit, edhe pse vetë ishte princ. Por ngaqë ishte i përulur përpara Perëndisë, Jonathani nuk e kishte problem t’i përulej si vullnetit të Zotit, ashtu edhe atij të Davidit. Jonathani tha se Sauli e kishte kuptuar se Davidi ishte zgjedhur prej Zotit, për ta qeverisur Izraelin. E shohim, pra, se si, duke e ditur një gjë të tillë, mbreti, prapëseprapë, e ndiqte Davidin këmba-këmbës – aq i ligë ishte, pra, Sauli. Këtë fakt ai e pranon edhe në kapitullin 24. “Tani e di me siguri që ti do të mbretërosh dhe që mbretëria e Izraelit do të jetë e qëndrueshme në duart e tua” (1 Samuelit 24:20).

Besëlidhja

Ishte hera e tretë, që Jonathani bëri një besëlidhje me Davidin. Besëlidhja e këtij kapitulli ishtë thjesht një ri-afirmim i premtimeve të mëparshme. Ata po thonin se do t’i qëndronin besnik njëri-tjetrit, pavarësisht se ç’mund t’iu ndodhte në të ardhmen. Një ri-afirmim i tillë bëhet akoma më i rëndësishëm për faktin se kjo do të ishte hera e fundit, që Davidi do ta shihte Jonathanin të gjallë. Ligësia e Saulit do t’i ndante përgjithmonë miqtë nga njëri-tjetri.

Përfundim

Zoti gjithmonë dërgon dikë, që të na ndihmojë, kur ndodhemi në mes të një shkretëtire. Inkurajimi, që i dha Jonathani Davidit, e forcoi dhe e përgatiti atë për t’u ballafaquar me problemet, që do t’i dilnin në të ardhmen. Edhe ne duhet ta pranojmë fuqinë, që na jep Perëndia, përmes fjalës dhe Frymës së Tij, sepse kjo botë kërkon të na shkatërrojë më shumë, sesa ç’donte ta shkatërronte Sauli Davidin. “Po, sikurse atëherë ai që lindi sipas mishit përndiqte atë që kishte lindur sipas Frymës, kështu është edhe tani” (Galatasve 4:29). 

Mbrapa

Advertisements