Mirësia e Davidit

“Davidi tha: “A ka mbetur akoma ndonjë nga shtëpia e Saulit, ndaj të cilit mund të sillem mirë për hir të Jonathanit?”. Kishte një shërbëtor në shtëpinë e Saulit, që quhej Tsiba, dhe atë e çuan te Davidi. Mbreti i tha: “Ti je Tsiba?”. Ai u përgjigj: “Jam shërbëtori yt”. Pastaj mbreti pyeti: “A ka njeri tjetër të shtëpisë së Saulit, të cilit mund t’i kushtoj mirësinë e Perëndisë?”. Tsiba iu përgjigj mbretit: “Éshtë akoma një djalë i Jonatanit, që është sakat nga këmbët”. Mbreti i tha: “Ku është?”. Tsiba iu përgjigj mbretit: “Éshtë në shtëpinë e Makirit, birit të Amielit, në Lodebar”. Atëherë mbreti David dërgoi ta marrë nga shtëpia e Makirit, birit të Amielit, në Lodebar. Kështu Mefiboshethi, bir i Jonatanit, bir i Saulit erdhi te Davidi, ra përmbys me fytyrën për tokë. Davidi i tha: “Mefibosheth!”. Ai u përgjigj: “ja shërbëtori yt!”. Davidi i tha: “Mos ki frikë, sepse kam ndër mend të sillem mirë me ty për dashurinë që kisha për Jonatanin, atin tënd; do të të kthej tërë tokat e Saulit, të parit tënd, dhe ti do të hash gjithnjë në tryezën time”. Mefiboshethi ra përmbys dhe tha: “Ç’është shërbëtori yt, që ti të përfillësh një qen të ngordhur si unë?”. Atëherë mbreti thirri Tsiban, shërbëtorin e Saulit, dhe i tha: “Tërë ato që i përkisnin Saulit dhe tërë shtëpisë së tij, po ia jap birit të zotërisë tënd. Kështu, pra, bashkë me bijtë dhe shërbëtorët e tu, do të punosh tokën për të dhe do të mbledhësh prodhimet e saj, me qëllim që i biri i zotërisë tënd të ketë bukë për të ngrënë; por Mefiboshethi, bir i zotërisë tënd do të hajë gjithnjë në tryezën time”. Tsiba kishte pesëmbëdhjetë bij dhe njëzet shërbëtorë. Tsiba i tha mbretit: “Shërbëtori yt do të bëjë të gjitha ato që mbreti, zotëria im, i urdhëron shërbëtorit të tij”. Kështu Mefiboshethi hante në tryezën e Davidit si një nga bijtë e mbretit. Mefiboshethi kishte një djalë të vogël që quhej Mika; dhe tërë ata që rrinin në shtëpinë e Tsibas ishin shërbëtorë të Mefiboshethit. Mefiboshethi banonte në Jeruzalem, sepse hante gjithnjë në tryezën e mbretit. Ishte sakat nga të dy këmbët.” (2 Samuelit 9:1-13).

Parathënie

Në këtë kapitull, Davidin e shohim tek e mban fjalën. Nuk e ka harruar premtimin, që i ka dhënë Saulit, as besëlidhjen, që ka bërë me Jonatanin, edhe pse kanë kaluar shumë vite, që prej vdekjes së tyre. Mefiboshethi kishte qenë 5 vjeç, kur kishte mbetur sakat nga këmbët, por teksti i mësipërm na thotë se ai tani kishte një djalë, të quajtur “Mika” (1 Kronikasve 8:34).

Interesimi i Davidit

Ka të ngjarë që dinastia e Saulit të ishte harruar fare, ndaj edhe Davidi pyet, nëse është gjallë apo jo ndonjë prej pasardhësve të mbretit. U bë një kërkim lart e poshtë, për t’u siguruar mirë. Mos, vallë, Mikali i kishte humbur lidhjet me familjen e saj, ndaj edhe nuk ishte në gjendje t’i përgjigjej pyetjes së Davidit? Davidi mund ta ketë patur në mendje të harruarit e familjes së Saulit, kur shkroi: “E pashë njeriun e pushtetshëm dhe të furishëm të begatohet si një pemë e gjelbër në tokën e tij të lindjes, por pastaj u zhduk; dhe ja, nuk është më; e kërkova, por nuk e gjeta më” (Psalmi 37:35-36).

Mirësia e Davidit

Kishin kaluar 20 vjet, qëkurse Davidi kishte bërë një besëlidhje me Jonatanin dhe, edhe pse shoku i kishte vdekur, Davidi ishte i vendosur për t’i qëndruar besnik marrëveshjes. Kjo na tregon se ai nuk e kishte harruar të shkuarën e tij, si edhe miqësinë mëse të nevojshme në kohë vështirësie. Davidi nuk i hodhi poshtë premtimet, që kishte bërë, por përkundrazi, u përpoq për të gjetur mënyrën se si t’i përmbushte ato premtime. Për hatër të Jonatanit, aii donte t’i bënte mirë ndonjë anëtari të famijes së Saulit, që ishte akoma gjallë. Fjala ‘mirësi’ ka kuptimin e dhembshurisë apo dashurisë njerëzore ndaj dikujt tjetri. Shekspiri, tek ‘Makbethi’, përdor shprehjen; ‘plot me qumështin e mirësisë njerëzore’, që do të thotë ‘të jesh tepër i interesuar për mirëqënien e të tjerëve, deri sa ta sakrifikosh veten’. Kjo mirësi është e perëndishme dhe mund të shfaqet vetëm prej besimtarëve. Jonatani i kishte kërkuar Davidit: “Deri sa të jem gjallë, a nuk do të përdorësh ndaj meje mirësinë e Zotit, me qëllim që mos vritem?”. Por nuk do të heqësh dorë kurrë të përdorësh mirësinë ndaj shtëpisë sime, as atëherë kur Zoti të ketë shfarosur nga faqja e dheut tërë armiqtë e Davidit” (1 Samuelit 20:14-15). Mefiboshethi nuk kishte bërë asgjë, për ta merituar një mirësi të tillë. Nuk mund të bëhej kurrë, p.sh. një ushtar i mirë në ushtrinë e Davidit, ngaqë ishte sakat. Nuk mund t’ia kthente dot, pra, Davidit borxhin. Ndaj edhe mirësia e Davidit ishte dhënë falas, si dhuratë, jo si shpërblim. Këtë fakt mund ta krahasojmë me favorin falas e të pamerituar, që Perëndia na ka dhënë përmes Krishtit.

Problemi i Mefiboshethit

Sauli i kishte sjellë mallkimin tërë familjes së saj, ngaqë s’kishte pranuar ta nderonte e t’i bindej Zotit. Ndoshta fakti që Mefiboshethi ishte sakat, ishte pasojë e mëkatit të Saulit. Mefiboshethi njihet gjithashtu edhe me emrin “Merib-baali” (1 Kronikasve 8.34). Ishte bërë sakat pikërisht në ditën, kur kishin vdekur Sauli dhe Jonatani. “Por Jonathani, bir i Saulit, kishte një djalë sakat nga këmbët; ai ishte pesë vjeç kur erdhi nga Jezreeli lajmi i vdekjes së Saulit dhe të Jonathanit. Taja e tij e mori dhe ikën, por, duke ikur me nxitim, fëmija u rrëzua dhe mbeti i çalë. Emri i tij ishte Mefibosheth” (2 Samuelit 4:4).

Mefiboshethi jetonte aty, ku s’e njihte askush, në një zonë të shkretuar të Gileadit, shumë larg prej Jeruzalemit. ‘Lodebar’ do të thotë ‘pa kullota’, ‘një vend i shkretë’. Kjo na tregon se ai ishte larg pallatit mbretëror dhe do të kishte bërë një jetë tjetër, po të kishte qenë Sauli akoma gjallë. Gjithashtu, ai ndoshta jetonte me frikë, ngaqë mund ta gjenin e ta vrisnin, se ishte pjesëtar i familjes së Saulit. E marrim me mend, sesa i frikësuar do të kishte qenë, kur i pa ushtarët e Davidit, tek i trokitën në derë.

Ngritja në pozitë e Mefiboshethit

Mirësia e Davidit e nxjerr Mefiboshethin nga errësira, varfëria dhe frika. Ai vjen në Jeruzalem të ulet me mbretin! Davidi mund ta kishte mbajtur premtimin, duke ia bërë jetën Mefiboshethit më të lehtë aty në Lodebar. Por ai bëri më shumë sesa kaq, duke e sjellë atë të jetonte me vetë mbretin, në pallatin mbretëror.

Mefiboshethi, tek i afrohet mbretit, dëgjon t’i thirret emri me dashamirësi, gjë që do ta kishte gëzuar atë pa masë e do t’ia kishte hequr gjithë frikën, që kishte. E kupton se ai nuk e meriton një mirësi të tillë, ndaj edhe bie përmbys me fytyrë përtokë përpara Davidit, duke e krahasuar veten me një shërbëtor e me një qen të ngordhur. I doli frika, sapo i foli Davidi. Do të nderohej shumë në mbretërinë e Davidit, tamam si një nga bijtë e mbretit, pavarësishte se ç’mund të thonin të tjerët. As nuk do t’i binte në qafë mbretit për asgjë, sepse do t’i jepeshin në zotërim të gjitha pronat e Saulit. Ky njeri, që dikur kishte qenë sakat e i varfër, tani do të kishte shërbëtorët dhe pasurinë e vet.    

Përfundim   

Kjo është, pra, historia e një njeriu të varfër, që u bë pasanik. Mefiboshethi nuk pati fat, që u bë i pasur, por ishte mirësia e Davidit ajo, që e pasuroi. Nuk do të kishte nevojë për asgjë tjetër, përsa kohë që do t’i qëndronte besnik Davidit, mikut më të ngushtë të babait të vet. Jeta e Mefiboshethit ishte absolutisht e siguruar prej mbretit. Përsëri, pra, Davidin e shohim tek i qëndron besnik fjalës së vet.

Mbrapa

Advertisements