Mirësia ndaj Kejlahut

Parathënie

Në këtë studim, do ta shohim se si Davidi u tregua i gatshëm për ta mbrojtur popullin e Izraelit, në një kohë kur vetë mbreti Saul duhej ta kryente këtë detyrë kombëtare, në vend që ta vriste Davidin. Në këtë ngjarje, kur filistenjtë sulmojnë banorët e Kejlahut, Davidi na paraqitet si një udhëheqës i ardhshëm. Gjëja më kryesore për t’u vënë re në këtë pasazh, është fakti se Davidi i lutet Perëndisë, që ta drejtojë e t’i tregojë rrugën.

Drejtimi

Pastaj i thanë Davidit: “Ja, Filistejtë janë duke luftuar kundër Kejlahut dhe po plaçkisnin lëmenjtë”. Kështu Davidi u këshillua me Zotin, duke thënë: “Të shkoj unë t’i mund këta Filistej?”. Zoti iu përgjegj me këto fjalë Davidit: “Shko, mundi Filistejtë dhe shpëto Kejlahun” (1 Samuelit 23:1-2).

Ndërkohë që ishte në pyllin e Harethit, Davidit i erdhi lajmi se filistenjtë po sulmonin Kejlahun. Menjëherë, Davidi, në vend që të ngrihej e të luftonte, u këshillua në fillim me Perëndinë dhe iu lut Atij, që t’i tregonte vullnetin e Tij lidhur me këtë çështje. Arat e grurit, duke qenë se ishin jashtë mureve të qytetit, ndodheshin vazhdimisht në rrezik sulmi prej armiqve. Nuk ishte, pra, hera e parë që ndodhte një gjë e tillë. Ndaj edhe veprimet e Davidit do të konsideroheshin marrëzi, po qe se ai nuk do t’i lutej Perëndisë që ta drejtonte e t’i tregonte se si të vepronte në këtë rast.

Të shumtë janë ata të krishterë, të cilët kujtojnë se e dinë vullnetin e Zotit për jetën e tyre, ndaj edhe nuk kanë nevojë që t’i luten Atij. Por Davidi e dinte rëndësinë e lutjes, ngaqë kohët e fundit i kishte përjetuar problemet, që kishin ardhur si rezultat i mungesës së lutjes në jetën e tij. Ai i bëri një lutje të thjeshtë Perëndisë, duke i kërkuar Atij që ta drejtonte. Jo se nuk mund të luftonte dot, por a ishte ky vullneti i Perëndisë? Çarls Çapman shkruan kështu, lidhur me Davidin: “Me përjashtim të Shpëtimtarit tonë, nuk ka patur asnjë njeri tjetër si Davidi, që t’ia ketë përulur vazhdimisht jetën e tij vullnetit hyjnor”. Apostulli Pal na inkurajon, që të mos bëhemi “të pakujdesshëm”, por ta kuptojmë “cili është vullneti i Zotit” (Efesianëve 5:17).

E shohim se si askush nuk shkoi me vrap tek Sauli, që t’i kërkonte ndihmë. Përkundrazi, erdhën tek Davidi, sepse e dinin se ai do t’i ndihmonte. Tërë Izraeli do ta mbante mend mirë këtë ngjarje dhe, në momentin e kurorëzimit të Davidit si mbret, njerëzit kishin për të thënë: “Edhe në të kaluarën, kur Sauli mbretëronte mbi ne, ishe ti që udhëhiqje dhe e çoje në rrugë të drejtë Izraelin. Zoti të ka thënë: “Ti do të ushqesh popullin tim, Izraelin, ti do të jesh princ që do të sundojë mbi Izraelin”” (2 Samuelit 5:2). Davidi iu lut Perëndisë, ngaqë kishte dhembshuri për popullin e Kejlahut.

Zoti i dha leje Davidit, që të shkonte e t’i çlironte banorët e Kejlahut prej filistenjve. E shohim, pra, se si jeta e Davidit nuk qeverisej më prej rrethanave, apo prej njerëzve të ndryshëm, por prej autoritetit të fjalës së Perëndisë.

Dyshimi

Por njerëzit e Davidit i thanë: “Ja, ne na ka zënë frika që këtu në Jude, si do të bëhet pastaj në rast se shkojmë në Kejlah kundër trupave të Filistejve?” (1 Samuelit 23:3).

Gjithmonë ka për të dalë dikush, i cili nuk ka për të rënë dakort me ne, kur bëhet fjalë për vullnetin e Perëndisë, të shfaqur në jetën tonë. Njerëz të tillë, zakonisht, reagojnë nga frika, jo nga besimi. Davidi, p.sh. ishte gati ta mundte armikun, por disa nga pasuesit e tij e quajtën marrëzi një vendim të tillë. Njerëz të tillë nuk kishin për t’i hyrë në punë fare Davidit, po qe se silleshin si frikacakë, në vend që të tregoheshin trima. Edhe neve na duhet si besimi, ashtu edhe kurajoja, me qëllim që ta zbatojmë vullnetin e Perëndisë. “Ji i fortë dhe trim” (Jozueu 1:9). Pak rëndësi ka se ç’mendojnë të tjerët. Rëndësi ka se ç’mendon Perëndia.

Mençuria

Davidi u këshillua përsëri me Zotin dhe Zoti iu përgjegj dhe i tha: “Çohu, zbrit në Kejlah, sepse unë do t’i jap Filistejtë në duart e tua” (1 Samuelit 23:4).

Pak a shumë, frikacakët mund ta kenë frikësuar Davidin, duke ia dobësuar për pak besimin. Ndoshta prandaj edhe ai iu lut përsëri Zotit. E megjithatë, Davidi veproi ashtu siç duhej. Vërtet mund të kishte dyshime në mendje, lidhur me vullnetin e Perëndisë. Por ai nuk mblodhi këshillin, që të vendoste se cili ishte vullneti i Zotit. Përkundrazi, iu drejtua Atij vetë përsëri në lutje. Mori të njëjtën përgjigje, si më parë, ngaqë fjala e Perëndisë nuk ndryshon kurrë.

Borxhi

Atëherë Davidi shkoi me njerëzit e tij në Kejlah, luftoi kundër Filistejve, ua mori bagëtinë dhe bëri kërdi të madhe në radhët e tyre. Kështu Davidi çliroi banorët e Kejlahut. Kur Abiathari, bir i Ahimelekut, u strehua pranë Davidit në Kejlah, solli me vete edhe efodin” (1 Samuelit 23:5-6). 

Davidi iu bind Perëndisë dhe e çliroi Kejlahun prej filistenjve. Vërtet që kishte problemet e veta, por e vuri vullnetin e Perëndisë dhe, sidomos bindjen ndaj këtij vullneti, në plan të parë në jetën e tij. Pa dyshim se banorët e Kejlahut duhej t’i ishin borxhlinj tani Davidit për mirësinë, që iu kishte treguar. Por, a ishte kjo e vërteta?

Rreziku

Saulin e njoftuan që Davidi kishte arritur në Kejlah. Atëherë Sauli tha: “Perëndia e ka dorëzuar në duart e mia, sepse vajti të mbyllet në një qytet që ka porta dhe shule.”. Sauli mblodhi tërë popullin për luftë, për të zbritur në Kejlah dhe për të rrethuar Davidin dhe njerëzit e tij. Kur Davidi mësoi që Sauli po kurdiste të keqen kundër tij, i tha priftit Abiathar: “Sille këtu efodin”. Pastaj Davidi tha: “O Zot, Perëndi i Izraelit, shërbëtori yt e ka kuptuar qartë që Sauli kërkon të vijë në Kejlah për ta shkatërruar qytetin për shkakun tim. Krerët e Kejlahut a do të më dorëzojnë në duart e tij? A do të zbresë Sauli si ka dëgjuar shërbëtori yt? O Zot, Perëndi i Izraelit, bëja të ditur shërbëtorit tënd!”. Zoti u përgjegj: “Ka për të zbritur”. Davidi pyeti akoma: “Krerët e Kejlahut a do të më dorëzojnë mua dhe njerëzit e mi në duart e Saulit?”. Zoti u përgjegj: “Do t’ju dorëzojnë” (1 Samuelit 23:7-12).

Davidi e dinte se gjithë jetën do t’i duhej t’ia mbathte me të katra prej Saulit, por nuk e priste që banorët e Kejlahut ta tradhtonin në këtë mënyrë. Përsëri, ai iu drejtua Zotit në lutje. Kishte nevojë tani si për vullnetin, ashtu edhe për mençurinë e Perëndisë, që ta dinte se si të vepronte. “Por në qoftë se ndonjërit nga ju i mungon urtia, le të kërkojë nga Perëndia, që u jep të gjithëve pa kursim, pa qortuar, dhe atij do t’i jepet” (Jakobi 1:5).

Largimi

Atëherë Davidi dhe njerëzit e tij, rreth gjashtëqind veta, dolën nga Kejlahu dhe brodhën sa andej e këtej. Kur Sauli u njoftua që Davidi kishte ikur nga Kejlahu, ai hoqi dorë nga fushata e tij” (1 Samuelit 23:13).

Davidi, kur e mori vesh prej Perëndisë se banorët e Kejlahut do ta dorëzonin në duart e Saulit, vendosi që të largohej prej atij vendi. Tanimë, grupit të tij i ishin shtuar edhe 200 burra të tjerë. Ka të ngjarë që disa prej tyre të ishin prej Kejlahut. Sauli, nga ana tjetër, kur e mori vesh se Davidi nuk ishte më në Kejlah, vendosi të mos e ndiqte më.

Përfundim

Davidi, në vend që të nderohej, u mohua dhe u hodh poshtë prej vetë atyre njerëzve, që ishte munduar t’i ndihmonte. Por kjo nuk e dëshpëroi. Tani ai ishte bërë njeri i lutjes dhe i besimit – një njeri, i cili ishte gati të udhëhiqej prej Frymës së Perëndisë, e jo prej dëshirave të veta, apo të të tjerëve.  

Mbrapa

Advertisements