Mjeku i madh dhe i Paralizuari

Parathënie

Kur u kthye në Kapernaum, Zoti filloi të predikonte fjalën e Perëndisë, si edhe të shëronte të sëmurët, që i vinin afër. Mrekullia e shënuar tek Marku 2:1-12, jo vetëm që i habiti njerëzit, por edhe e ballafaqoi Jezusin me drejtuesit fetarë.

Qyteti i zgjedhur

Pas disa ditësh, ai erdhi përsëri në Kapernaum dhe u muar vesh se ai gjendej në shtëpi; dhe menjëherë u mblodhën aq shumë njerëz, sa nuk gjeje më vend as përpara derës; dhe ai u predikonte Fjalën” (Marku 2:1-2).

Jezusi e kishte bazën e Tij në Kapernaum. Asnjë qytet tjetër izraelit nuk i shijoi bekimet e shumta të pranisë së Krishtit, ashtu si ky qytet. Atje, Jezusi predikoi shumë dhe shëroi turma njerëzish, por nuk egziston asnjë dëshmi që të tregojë se banorët e Kapernaumit me të vërtetë ia hapën zemrën Zotit. Ata donin të shihnin mrekullitë që bënte Jezusi, por e hodhën poshtë mesazhin që predikonte Ai. Ata kishin dëgjuar shumë gjëra të mrekullueshme prej buzëve të Tij, por prapëseprapë, nuk kthyen rrugë. E shohim qartë arsyen se përse Jezusi foli fjalët gjykuese e më të fuqishme kundër Kapernaumit: “Dhe ti, o Kapernaum, që u ngrite deri në qiell, do të fundosesh deri në ferr, sepse në se do të ishin kryer në Sodomë veprat të fuqishme që janë kryer në ty, ajo do të ishte edhe sot e kësaj dite. Prandaj unë po ju them se ditën e gjyqit fati i vendit të Sodomës do të jetë më i lehtë se yti” (Mateu 11:23-24). Qyteti i zgjedhur ishte kthyer në një qytet të ndëshkuar, për shkak të mungesës së besimit.

Ajo që u tha për Kapernaumin, mund të thuhet edhe sot për kishat tona. Bibla predikohet prej milliona katedrash kishe, por, prapëseprapë, njerëzit nuk ndjejnë gjë dhe nuk kthehen tek Krishti. Një mosbesim i tillë me të vërtetë që meriton gjykimin dhe zemërimin e Perëndisë. Turmat e të ashtu-quajturve “besimtarëve” dëgjojnë tek iu predikohet e vërteta e mrekullueshme, por ata mbeten “të vdekur në faje dhe në mëkate” (Efesianëve 2:1). Ajo që për njërin është “erë jete”, për tjetrin është “erë vdekjeje” (2 Korintasve 2:16). Në vend që ta ndjekin me të vërtetë Zotin, ata i ngurtësojnë zemrat me dashje dhe në mënyrë mospërfillëse ndaj Zotit. Kisha, ashtu si Kapernaumi, është vendi i zgjedhur i Jezusit: “Sepse, kudo që dy a tre janë bashkuar në emrin tim, unë jam në mes të tyre” (Mateu 18:20). Por prania e Tij nuk bën ndonjë efekt për shumicën e atyre që shkojnë në kishë.

Pasagjeri i paralizuar

Atëhërë i erdhën disa që i paraqitën një të paralizuar, që po e bartnin katër vetë. Por, duke qenë se nuk mund t’i afroheshin për shkak të turmës, zbuluan çatinë në vendin ku ndodhej Jezusi dhe, mbasi hapën një vrimë, e lëshuan vigun mbi të cilin rrinte shtrirë i paralizuari” (Marku 2:3-4).

Turma e madhe i pengoi shokët, që po mbartnin burrin e paralizuar, për ta çuar tek Jezusi. Por këta shokë zbuluan një rrugë të jashtëzakonshme! Ata që ishin rreth e rrotull, duke parë këtë skenë, duhet të kenë thënë me vete: “Këta kanë një dërrasë mangët!” Por shokët ishin në gjendje që ta ulnin të paralizuarin deri tek këmbët e Mjekut të Madh. Besimi i tyre i vërtetë e vuri re Jezusin madje edhe përtej barrikadave. Ishte ky besim i tyre, të cilin e çmoi edhe Jezusi: “Jezusi …pa besimin e tyre” (Marku 2:5). Vini re se fjala “sëmundje cerebrale” (në greqisht, “paralytikos”) ka të bëjë me “paralizën”.

Besimi dhe falja 

Jezusi, kur pa besimin e tyre, i tha të paralizuarit: “O bir, mëkatet e tua të janë falur!” (Marku 2:5).

Kemi shumë për të mësuar prej besimit këmbëngulës të shokëve të të paralizuarit, sepse sa prej nesh heqin dorë së besuari, menjëherë sapo na vihet në provë besimi! Të gjithë e panë se njeriu i shtrirë në vig kishte nevojë për t’u shëruar, e megjithatë, Jezusi foli rreth faljes së mëkateve të tij. Falja është mrekullia dhe bekimi më i madh që mund të marrë ndonjë njeri prej Zotit. Nuk ka dyshim se, për vite me rradhë, i paralizuari do ta lavdëronte Perëndinë për sëmundjen që kishte, sepse ishte paraliza ajo, që e kishte sjellë atë në praninë e Jezusit. Zoti, jo vetëm që e shëroi, por edhe ia fali mëkatet të paralizuarit.

Edhe ne mund të ballafaqohemi me shumë vuajtje në jetë, por, kur ia japim Atij të gjitha barrat tona, secila prej këtyre vuajtjeve mund të na sjellë drejtpërsëdrejti në praninë e Perëndisë: “Dhe gjithë merakun tuaj hidheni mbi të, sepse ai merakoset për ju” (1 Pjetrit 5:7). Madje edhe problemet tona mund të bëhen mjete, përmes të cilave Zoti mund të na mësojë të vërteta të rëndësishme: “Ka qenë një e mirë për mua të jem pikëlluar, që kështu të mësoja statutet e tua” (Psalmi 119:71).

Prerogativi i çuditshtëm

Por aty po rrinin ulur disa shkribë, të cilët, në zemër të vet, po mendonin: “Pse vallë ky po flet blasfemi. Kush mund të falë mëkatet, veç Perëndisë vetë?”. Por Jezusi, i cili menjëherë kuptoi në frymën e vet se ata po i mendonin këto gjëra në veten e tyre, u tha atyre: “Pse i mendoni këto gjëra në zemrat tuaja? Çfarë është më lehtë: t’i thuash të paralizuarit: “Mëkatet e tua të janë falur,” apo t’i thuash: “Çohu, merre vigun tënd dhe ec”? Dhe tani, që ta dini se Biri i njeriut ka pushtet të falë mëkatët mbi dhe, unë po të them (i tha të paralizuarit): Çohu, merre vigun tënd dhe shko në shtëpinë tënde!””. Dhe ai u ngrit menjëherë, mori vigun e vet dhe doli përjashta në praninë e të gjithëve dhe kështu të gjithë u habitën dhe lëvduan Perëndinë duke thënë: “Një gjë të tillë s’e kemi parë kurrë!” (Marku 2:6-12).

Feja e rreme dhe pseudo-krishtërimi e kanë të vështirë ta pranojnë se Jezus Krishti me të vërtetë fal mëkatet dhe i shpëton mëkatarët. Vetëm Perëndia i fal mëkatet, por, po qe se edhe Jezusi vepron kështu, atëherë kush është Ai? Skribët e dinin me saktësi se ç’do të thoshte kjo, por i ngurtësuan zemrat përkundrejt Jezusit. Nëse Jezusi do ta kishte sharë e blasfemuar Perëndinë, në momentin kur i fali të paralizuarit mëkatet, atëherë Ati nuk do ta kishte nderuar të Birin, duke i dhënë Atij fuqinë për të shëruar këtë të paralizuar. Asnjë lloj arsyetimi i rremë, apo zemër e ngurtësuar nuk mund ta ndalonte Jezusin së shëruari të sëmurin.

Asnjë sekt apo pastor nuk ka fuqinë për të falur mëkatet. As ëngjëjt nuk e kanë këtë lloj pushteti. Prandaj Jezusi duhet të jetë pikërisht ashtu siç e deklaroi edhe vetë: “Biri i njeriut”, Mesia: “Në fakt një është Perëndia, dhe një i vetëm është ndërmjetësi midis Perëndisë dhe njerëzve: Krishti Jezus njeri” (1 Timoteut 2:5). Ai, jo vetëm që mund t’i lajë mëkatet, por gjithashtu mund ta largojë edhe ndjenjën e fajit dhe të ndëshkimit. Vetëm Ai mund t’i japë mëkatarit “paqe me Perëndinë” (Romakëve 5:1). Ai është shpresa e vetme për mëkatarin.          

  Përfundim

Sytë e verbër dhe zemrat e ngurtësuara kurrë nuk i shohin gjërat ashtu siç i shohim ne. Ata, ose nuk na kuptojnë, kur iu flasim për Krishtin, ose bëjnë sikur nuk kuptojnë. Me kokëfortësinë e tyre, ata refuzojnë që të vijnë tek Ai për shpëtim. Ka shumë nga ata në kishat tona, që edhe pse deklarojnë se janë pasues të Krishtit, i shërbejnë Atij vetëm për qejf, por, nga ana tjetër, ia bëjnë veshin shurdh fjalës së Tij. Po ne, vallë, a kënaqemi me praninë e mrekullueshme të Zotit, por, në të njëjtën kohë, hezitojmë që t’ia përkushtojmë gjithçka Atij?

Mbrapa

Advertisements