Mjeshtri dhe Martesa

Jetojmë në një epokë, kur martesa mes një burri e një gruaje konsiderohet jashtë mode, si gjë e së shkuarës. Por një konsiderim i tillë i martesës është pikërisht njëri nga shkaqet e shkatërrimit të shoqërisë së sotme. Përbuzja e martesës si institucioni i parë i themeluar prej Perëndisë, i ka hapur derën të gjitha llojeve të imoralitetit. Në këtë studim, do t’i hedhim një sy asaj që na mëson Krishti në lidhje me martesën.

Mësuesi  

Mbasi u nis prej andej, Jezusi shkoi në krahinën e Judesë gjatë Jordanit dhe përsëri u mblodhën rreth tij turma; ai përsëri filloi t’i mësojë, siç e kishte zakon” (Marku 10:1).

Marku e nis këtë pasazh të Biblës, duke na treguar se si Jezusi vazhdimisht, kudo që të shkonte, iu mësonte njerëzve të vërtetën. Kurrë nuk lexojmë në Bibël se Jezusi ndenji kot, qoftë edhe një ditë të vetme, por ashtu siç tha edhe profeti Isaia, Ai u përpoq që të mbillte “në breg të të gjithë ujërave” (Isaia 32:20). Zoti do të korrë një prodhim të begatë nga fara që mbolli në zemrat, që e pranuan mësimin e Tij: “Mbille farën tënde në mëngjes dhe në mbrëmje mos lër dorën tënde të pushojë, sepse ti nuk e di se cili nga të dy do të dalë më mirë; ky apo ai, apo do të jenë të mirë që të dy” (Predikuesit 11:6).

Shoqëria në të cilën jetojmë, ka nevojë ta dijë se ç’thotë Bibla, edhe pse mund t’i mohojë mësimet e saj. Jezusi nuk pushoi së punuari, pavarësisht nga fakti se shumica e atyre që iu foli, i kishin ngurtësuar vetë zemrat dhe i kishin mallkuar vetë shpirtrat. Kurrë nuk duhet të heqim dorë nga të mësuarit e fjalës së Perëndisë, edhe pse, për momentin, nuk shohim fryte për gjithë atë punë e lodhje që kemi bërë. E kemi për detyrë që t’i tregojmë kësaj bote të sëmurë nga mëkati rreth ilaçit të vetëm, që mund ta çlirojë nga sëmundja. Duhet ta mbjellim e ta ujitim farën, por është privilegji i Perëndisë që t’i marrë të korrat: “Kështu, pra, as ai që mbjell, as ai që ujit, nuk është gjë, por Perëndia që rrit” (1 Korintasve 3:7). Mund të dalin ligje të reja, të cilat mund ta ndalojnë predikimin e fjalës së Perëndisë, por ne duhet të vazhdojmë të predikojmë, pavarësisht se ç’thonë ato ligje. Ai do të na shpërblejë për besnikërinë tonë në këtë drejtim: “Por ai që mbjell dhe ai që ujit janë një, dhe secili do të marrë shpërblimin e vet sipas mundit të tij” (1 Korintasve 3:8)… “Të lumtë, shërbëtor i mirë dhe besnik; ti u tregove besnik në gjëra të vogla, unë do të të vë mbi shumë gjëra; hyr në gëzimin e zotit tënd” (Mateu 25:21).

Mësimi

Dhe farisenjtë, për ta vënë në provë, e pyetën: “A është e ligjshme që burri ta lë gruan?”. Dhe ai, duke u përgjigjur, u tha atyre: “Çfarë ju ka urdhëruar Moisiu?”. Ata thanë: “Moisiu ka lejuar të shkruhet letra e shkurorëzimit dhe ta lësh gruan”. Dhe Jezusi, duke u përgjigjur, u tha atyre: “Për shkak të ngurtësisë së zemrës suaj ai e shkroi atë rregull; por në fillim të krijimit, Perëndia i bëri mashkull e femër. Për këtë arsye njeriu do ta braktisë babanë e tij dhe nënën e tij dhe do të bashkohet me gruan e tij; dhe të dy do të jenë një mish i vetëm; kështu nuk janë më dy, por një mish i vetëm. Prandaj njeriu të mos ndajë atë që Perëndia e ka bashkuar!”. Dhe në shtëpi dishepujt e vet e pyetën përsëri për këtë çështje. Atëherë ai u tha atyre: “Ai që lë gruan e vet dhe martohet me një tjetër, shkel kurorën me të. Po ashtu, nëse gruaja lë burrin e vet dhe martohet me një tjetër, shkel kurorën” (Marku 10:2-12).

Këtu, Jezusi flet rreth dinjitetit dhe rëndësisë së martesës. Edhe në epokën e Tij, njerëzit synonin me mënyra nga më të ndryshmet që ta hedhnin poshtë martesën, duke u munduar të gjenin të çara brenda Ligjit të Perëndisë dhe brenda ligjit të vendit. Ata ia kishin mbushur mendjen vetes, duke thënë se nyja, që e mbante të bashkuar lidhjen martesore, nuk ishte aq e fuqishme dhe se burri mund të ndahej nga gruaja qoftë edhe për arsyen më të vogël. Por, pikërisht për këtë arsye, Moisiu shkroi në këtë mënyrë: “Kur një njeri merr një grua dhe martohet me të, dhe më vonë ndodh që ajo nuk e kënaq më, sepse ai ka gjetur në të diçka të turpshme, le të shkruajë një shkresë ndarjeje, t’ia japë në dorë dhe ta dëbojë nga shtëpia e saj; në qoftë se ajo del nga shtëpia e saj dhe bëhet bashkëshorte e një burri tjetër, në rast se bashkëshorti i fundit fillon ta urrejë, ai shkruan për të një shkresë ndarjeje, ia jep në dorë dhe e dëbon nga shtëpia e tij, ose në se bashkëshorti i fundit që e kishte marrë për grua vdes, burri i parë që e kishte dëbuar nuk do të mund ta marrë përsëri për grua, pasi ajo është ndotur, sepse kemi të bëjmë me një akt të neveritshëm në sytë e Zotit; dhe ti nuk do ta njollosësh me mëkat vendin që Zoti, Perëndia yt, të jep si trashëgimi” (Ligji i Përtërirë 24:1-4). E njëjta gjë vihet re edhe në shoqërinë tonë mëkatare, prandaj edhe jemi nën gjykimin e Perëndisë.

Rrallëherë dëgjojmë të përdoret fjala “bashkëshort” apo “bashkëshorte”. Përkundrazi, në vend të këtyre fjalëve, dëgjojmë të përdoret fjala “partner”. Në shumicën e rasteve, kjo ndodh, ngaqë personat në fjalë nuk janë të martuar, por bashkëjetojnë me njër-tjetrin. Ka njerëz që i ndrrojnë gratë, siç i ndrron edhe vetë mbreti! Të bashkëjetuarit jashtë martesës është mëkat.

Jezusi këtu na vë një standart të lartë e të shenjtë. Ai iu kujton farisenjve Krijimin, kur Perëndia themeloi martesën e parë mes burrit dhe gruas së parë. Në këtë martesë të parë, nuk egziston asgjë, që të sugjerojë qoftë edhe mundësinë e divorcit. Ishte mëkati ai, që i ndryshoi gjërat. Divorci vjen gjithmonë si rezultat i mëkatit në jetën e njërit apo të të dy bashkëshortëve. Zoti e thotë qartë se Perëndia kurrë nuk e pati si synim divorcin: “Për këtë arsye njeriu do të braktisë babanë dhe nënën e tij dhe do të bashkohet me gruan e tij, dhe do të jenë një mish i vetëm” (Zanafilla 2:24). Perëndia do t’i gjykojë të gjithë ata, që synojnë ta thyejnë këtë parim, duke e lejuar divorcin, homoseksualitetin dhe çdo lloj imoraliteti tjetër: “Prandaj njeriu të mos ndajë atë që Perëndia e ka bashkuar!” (Marku 10:9). Divorci lejohet vetëm në rast kurvërie: “Por unë ju them se kushdo që e lëshon gruan e vet, përveç rastit të kurvërisë, dhe martohet me një tjetër, shkel kurorën; edhe ai që martohet me gruan e ndarë, shkel kurorën” (Mateu 19:9). Lejimi i divorcit në këtë rast bëhet jo vetëm ngaqë gruaja apo burri nuk i kanë qëndruar besnik premtimeve të tyre martesore, por, sidomos, ngaqë kanë shkelur urdhërimin e shtatë: “Nuk do të shkelësh besnikërinë bashkëshortore” (Eksodi 20:14).

E dimë se Perëndia dha urdhër që bota të popullohej nëpërmjet martesës: “Dil nga arka ti, gruaja jote, bijtë e tu dhe gratë e bijve të tu bashkë me ty. Nxirr me vete tërë kafshët që janë bashkë me ty, të çdo mishi që të jenë: zogj, bagëti dhe tërë rrëshqanorët që zvarriten mbi tokë, me qëllim që të rriten shumë mbi tokë dhe të jenë pjellorë e të shumohen mbi tokë” (Zanafilla 8:16-17). Martesa ishte jo vetëm për lumturinë dhe begatinë e njeriut, por gjithashtu edhe për të sjellë në jetë më shumë shpirtra, që të mund të popullonin Mbretërinë e Qiellit. Çdo gjë tjetër, që është jashtë këtij rregulli, mund të sjellë vetëm ngatërresa dhe, më në fund, mund të shkatërrojë edhe vetë shoqërinë. A i sjell kujt lumturi divorci e imoraliteti? Përkundrazi, ato janë shkaqe për shumë probleme shoqërore. Ato ta shkatërrojnë jetën. Fëmijët kanë nevojë që nëna e babai të jenë të martuar e të jetojnë së bashku, me qëllim që të rriten në një familje stabël e të qëndrueshme. Sa më shumë që ligjet e një kombi t’i ngjajnë ligjit të Krishtit, aq më i lartë do të jetë standarti moral i atij kombi.

Ka njerëz, që i hyjnë martesës, pa u menduar mirë. Martesa, divorci dhe të martuarit përsëri janë në modë mes njerëzve të famshëm (aktorëve, etj.). Por do të vijë dita, kur këta njerëz do ta paguajnë shtrenjtë liberalizmin e tyre. Shumica e martesave vijnë si rezultat i papjekurisë, i pasioneve, apo i arsyeve egoiste. Kështu pra, nuk është për t’u habitur që ka edhe kaq shumë divorce sot. Edhe Salomoni, një nga burrat më të zgjuar që ka parë bota, mëkatoi në këtë drejtim: “A nuk mëkatoi, vallë, Salomoni, mbret i Izraelit, për këto gjëra? Megjithatë midis kaq kombeve nuk pati një mbret si ai; e donte Perëndia i tij, dhe Perëndia e kishte vendosur mbret mbi tërë Izraelin; por gratë e huaja e bënë edhe atë të mëkatojë” (Nehemia 13:26). Shumë njerëz e kuptojnë me vonesë se nuk janë martuar me personin e duhur. Kjo është arsyeja pse besimtarët nuk duhet të martohen me jobesimtarë. Por edhe në këtë situatë, Perëndia është në gjendje të kryejë mrekulli: “Në qoftë se një vëlla ka një grua jobesimtare dhe ajo pranon të jetojë bashkë me të, të mos e lërë atë. Edhe gruaja, që ka një burrë jobesimtar, në qoftë se ai pranon të jetojë bashkë me të, të mos e lërë atë, sepse burri jobesimtar është shenjtëruar me anë të gruas, dhe gruaja jobesimtare është shenjtëruar me anë të burrit, sepse përndryshe fëmijët do të ishin të papastër; kurse kështu janë të shenjtë. Nëse jobesimtari ndahet, le të ndahet; në këto raste vëllai ose motra nuk janë më të lidhur; por Perëndia na ka thirrur në paqe. Sepse çfarë di ti, o grua, nëse ke për ta shpëtuar burrin? Ose ç’di ti, o burrë, nëse ke për ta shpëtuar gruan?” (1 Korintasve 7:12-16).     

Përfundim

Bota ka nevojë që të prezantohet përsëri me ato që thotë Jezusi lidhur me martesën. Djalli është përpjekur që ta shkatërrojë atë, që Perëndia e ka themeluar si rregull. Dhe si rezultat, vetëm konflikte e ngatërresa ka patur, kurdoherë që djalli, me çfarëdo lloj mënyre, ia ka arritur qëllimit të vet. Shkatërrimi i martesës është bërë shkak i pranisë së imoralitetit në kombin tonë sot. Kjo jo vetëm që sjell hidhërim në jetën e atyre që divorcohen, por shkatërron familje të tëra. E, si rrjedhim, themeli mbi të cilin është ngritur kombi, shkatërrohet.

Mbrapa

Advertisements