Mjeshtri dhe Peshkatarët e Tij

Parathënie

Marku na jep shumë të dhëna në vargjet e mëposhtme (të këtij studimi). E vëmë re përsëri se, edhe pse ai i tregon shkurtimisht detajet e ngjarjeve, prapëseprapë ne mund të arrijmë në një përfundim të pamënjanueshëm, se Jezusi nuk është thjesht njeri. Ai është, në të vërtetë, Bir i Perëndisë.

Pagëzimi i Krishtit

Dhe ndodhi në ato ditë që Jezusi erdhi nga Nazareti i Galilesë dhe u pagëzua nga Gjoni në Jordan. Dhe menjëherë, kur po dilte nga uji, pa se qiejtë po hapeshin dhe Fryma po zbriste mbi të si një pëllumb. Dhe një zë erdhi nga qielli: “Ti je Biri im i dashur në të cilin jam kënaqur” (Marku 1:9-11).

Judenjtë erdhën për t’u pagëzuar dhe për të rrëfyer mëkatet e tyre (Marku 1:5), por, nëpërmjet pagëzimit të Tij, Jezusi tregoi se Ai ishte Ai, që kishte ardhur për të larë mëkatet. Vetëm gjaku i Shpëtimtarit mund ta lante mëkatin, jo uji i lumit Jordan. Përmes pagëzimit, Jezusi e bëri veten të barabartë me njerëzit,  njëlloj si Kryeprifti i Madh.

Që në fillim të shërbesës së Tij publike, e shohim se Jezusi kishte miratimin absolut të të Atit dhe dashurinë e Tij të përjetshme. Deklarata hyjnore e vërteton se Biri i Perëndisë është e vetmja mënyrë e mundshme shpëtimi, për të gjithë ata që pendohen për mëkatet e tyre. Uji, zëri dhe Fryma e Shenjtë – të gjitha këto bënë fjalë rreth vajosjes që ishte mbi Jezusin.

Nëse Ati është i kënaqur me të Birin, atëherë, pa dyshim se Ai është i kënaqur edhe me ata, që janë në Birin. Vini re se një gjë e tillë nuk iu tha asnjërit prej atyre, që ndodheshin në turmë, e që po pagëzoheshin në lumin Jordan, sepse një mëkatar mund të pranohet prej Perëndisë vetëm nëpërmjet Krishtit: “Për lëvdim të lavdisë së hirit të tij, me të cilin na bëri të pëlqyer në të dashurin Birin e tij” (Efesianëve 1:6).

Tundimi i Krishtit

Fill pas kësaj, Fryma e Shenjtë e çoi në shkretëtirë; dhe qëndroi në shkretëtirë dyzet ditë, i tunduar nga Satanai. Ishte bashkë me bishat dhe engjëjt i shërbenin” (Mateu 1:12-13).

Për t’iua vërtetuar të tjerëve se Jezusi ishte me të vërtetë Mesia pa mëkat, Fryma e Shenjtë e çoi Atë në shkretëtirë, që të tundohej prej Djallit për dyzet ditë dhe netë. Satanai provoi çdo lloj mënyre, që ta bënte Zotin që ta kompromentonte pozitën dhe shërbesën e Tij. Jezusit iu ofruan rrugë të ndryshme dhe të shkurtra drejt lavdisë dhe pushtetit, por Ai e mohoi secilën prej tyre. Ai kishte ardhur në botë për të bërë vullnetin e të Atit: “Atëherë unë thashë: “Ja, unë po vij; në rotullin e librit është shkruar për mua; për të bërë, o Perëndi, vullnetin tënd“” (Hebrenjve 10:7). Pagëzimi i Tij ishte simbol i jetës së re për besimtarin, por tundimi i Tij tregoi se, përsa kohë që ne qëndrojmë në Krishtin, mëkati dhe Satanai nuk mund të korrin fitore kundra nesh.

Predikimi i Krishtit

Dhe mbasi e burgosën Gjonin, Jezusi erdhi në Galile duke predikuar ungjillin e mbretërisë së Perëndisë, dhe duke thënë: “U mbush koha dhe mbretëria e Perëndisë është afër. Pendohuni dhe besoni ungjillin” (Mateu 1:14-15).

Mesazhi i Jezusit ngjasonte me atë të Gjon Pagëzorit (Marku 1:4). Ky mesazh ishte pikërisht i njëjtë gjithashtu edhe me mesazhin e atyre që e ndoqën Jezusin: “Duke u deklaruar solemnisht Judenjve dhe Grekëve mbi pendimin te Perëndia dhe për besimin në Zotin tonë Jezu Krisht” (Veprat e Apostujve 20:21). Ky mesazh i thjeshtë nuk duhet të ndryshohet kurrë, sepse është fjala që e ka vajosur Perëndia për të thirrur të humburit tek Krishti. Duhet t’iu tregojmë atyre se ata duhet të pendohen dhe të besojnë, nëse duan që të shpëtohen. Nuk ka formula, apo metoda njerëzore që ta prekin zemrën e mëkatarit. Ky mesazh i thjeshtë është po aq i vjetër sa edhe Arka e Noeut: “Dhe nuk kurseu botën e lashtë, por shpëtoi bashkë me shtatë të tjerë Noeun, predikues të drejtësisë, kur solli përmbytjen mbi botën e të pabesëve” (2 Pjetrit 2:5). Prandaj, përse vazhdojmë të përdorim mënyra që nuk japin rezultat?

Mëkatari nuk mund të shpëtohet pa u penduar dhe pa besuar. Ka shumë njerëz që kujtojnë se do të shkojnë në Qiell, ngaqë janë pagëzuar, kur ishin foshnje. Por nuk është uji ai, që e bën njeriun anëtar të vërtetë të kishës së Krishtit. Nuk është uji ai, që e bën njeriun të aftë për të hyrë në Qiell. E kemi për detyrë që t’iu tregojmë drejtpërsëdrejti njerëzve të vërtetën dhe jo të përpiqemi që t’i bindim se janë të humbur në mëkat: “Si do ta thërrasin, pra, atë, të cilit nuk i besuan? Dhe si do të besojnë tek ai për të cilin nuk kanë dëgjuar? Dhe si do të dëgjojnë, kur s’ka kush predikon?” (Romakëve 10:14).

Peshkatarët e Krishtit

Ndërsa po kalonte gjatë bregut të detit të Galilesë, ai pa Simonin dhe Andrean, vëllanë e tij, të cilët po hidhnin rrjetën në det sepse ishin peshkatarë. Dhe Jezusi u tha atyre: “Ndiqmëni dhe unë do t’ju bëj peshkatarë njerëzish”. Dhe ata i lanë menjëherë rrjetat dhe e ndoqën. Mbasi eci edhe pak, pa Jakobin, bir in e Zebedeut dhe Gjonin, vëllanë e tij, të cilët ndreqnin rrjetat e tyre në barkë. Dhe i thirri menjëherë; dhe ata e lanë atin e tyre Zebedeun në barkë me mëditësit dhe e ndoqën” (Marku 1:16-20).

Pasuesit e parë të Krishtit nuk ishin zotërinj prej dere të lartë, por thjesht peshkatarë të përulur. Krishti nuk shkoi tek priftërinjtë, apo mësuesit e ligjit, por tek burrat dhe gratë e thjeshta të asaj kohe. Mbretëria e Perëndisë nuk përparon nëpërmjet fesë, apo politikës, apo pasurisë, por, përkundrazi, ajo përparon me anë të fuqisë vajuese të Frymës së Shenjtë: “Jo për fuqinë dhe as për forcën, por për Frymën time,” thotë Zoti i ushtrive” (Zakaria 4:6). Zoti nuk ka nevojë për njerëz të mëdhenj, që t’ia kryejnë punën. Vetë misionarët e së kaluarës e vërtetojnë këtë fakt: “Shikoni në fakt thirrjen tuaj, vëllezër, sepse ndër ju ka jo shumë të ditur sipas mishit, jo shumë të fuqishëm, jo shumë fisnikë, por Perëndia ka zgjedhur gjërat e marra të botës për të turpëruar të urtët; dhe Perëndia ka zgjedhur gjërat e dobëta të botës për të turpëruar të fortët; dhe Perëndia ka zgjedhur gjërat jo fisnike të botës dhe gjërat e përçmuara, edhe gjërat që nuk janë, për të asgjësuar ato që janë, që asnjë mish të mos mburret përpara tij” (1 Korintasve 1:26-29). Krishtërimi u përhap në të gjithë botën, ngaqë Fryma e Shenjtë përdori ca peshkatarë pa shkollë.

Jezusi donte që Pjetri, Andrea, Jakobi dhe Gjoni ta vazhdonin tregtinë e tyre të peshkimit, por jo për të kapur peshq, por për të kapur (për të shpëtuar) shpirtrat e njerëzve. Gjatë gjithë jetës së tyre, këta peshkatarë duhej të angazhoheshin me sjelljen e mëkatarëve tek Krishti. Atyre do t’iu duhej po aq durim, mund dhe zell, sa edhe po të ishin duke zënë peshq.     

Përfundim

Vini re se ky pasazh fillon me shërbesën e Mjeshtrit dhe përfundon me mandatin që iu jep Ai peshkatarëve të Tij. Ai i thirri ata, prandaj edhe ata duhet që t’i thërrasin të tjerët. Pasuesit e Krishtit duhej që të vazhdonin atë punë, që kishte filluar Jezusi. Në çfarë pikash dështojnë shpesh peshkatarët e sotshëm?

1.      Ata kanë dëgjuar gënjeshtrat e Satanait dhe i kanë rënë për shkurt rrugës që të çon drejt suksesit, lavdisë dhe pasurisë.

2.      Kanë refuzuar që ta braktisin gjithçka për kauzën e Krishtit.

3.      E kanë zëvendësuar mesazhin e thjeshtë me dredhi, për të tërhequr mëkatarët për në kishë.

Mund të njihemi me të vërtetë si peshkatarët e Tij, vetëm atëherë, kur të kthehemi tek mesazhi i Mjeshtrit.

Mbrapa

Advertisements