Mjeshtri i Bekuar dhe i Verbëri

“Pastaj arriti në Betsaida; dhe i prunë një të verbër e iu lutën ta prekte. Atëherë e mori për dore të verbërin, e nxori jashtë fshatit dhe, pasi i pështyu në sy dhe vuri duart mbi të, e pyeti nëse shihte gjë. Dhe ai, duke hapur sytë, tha: “Po shoh njerëz si pemë që ecin”. Atëherë Jezusi i vuri përsëri duart mbi sytë dhe e bëri të shikojë lart; dhe atij iu kthye të parit dhe shikonte qartë gjithçka. Dhe Jezusi e nisi të shkojë në shtëpinë e tij duke i thënë: “Mos hyr në fshat dhe mos ia trego askujt në fshat” (Marku 8:22-26).

Parathënie

Nga të gjithë autorët e Ungjijve, Marku është i vetmi, që shkruan rreth shërimit të të verbërit nga Betsaida. Në këtë situatë, ashtu siç e pamë edhe në historinë e shurdh-memecit, nuk e dimë arsyen se përse Jezusi përdori pikërisht këtë lloj metode për të sjellë shërim. U desh vetëm një fjalë dhe një prekje e Tij, që të sillte mrekullinë, për të cilën kishte nevojë ky burrë. Historia në fjalë është shumë e shkurtër dhe na prezantohet thjesht si fakt: Jezusi e nxorri të verbërin jashtë qytetit, i pështyu në sy, vuri duart mbi të dhe ia ktheu të parit. Ka nga ata, që kanë bërë pyetjen: “Po pse e nxorri Jezusi të verbërin jashtë qytetit?” Përgjigjen e gjejmë, po t’i krahasojmë vargjet biblike me njëra-tjetrën. Jezusi kishte deklaruar se Betsaida do të shkatërrohej, për shkak të mosbesimit të ligë të banorëve të saj: “Mjerë ti, Korazin! Mjerë ti Betsaida! Sepse, në se në Tiro dhe në Sidon do të ishin kryer veprat e fuqishme që u bënë ndër ju, prej kohësh do të ishin penduar me thes dhe hi. Prandaj unë po ju them se ditën e gjyqit, Tiro dhe Sidoni do të trajtohen me më shumë tolerancë se ju” (Mateu 11:21-22). Mrekullia që Jezusi ishte gati për të kryer, nuk do të kishte aspak vlerë për mendjet e tyre të errësuara prej mëkatit. Prandaj, edhe për këtë arsye Ai e urdhëroi të verbërin të mos i tregonte askujt se ç’i kishte ndodhur.

Jezusi, si Zot që është, vepron sipas vullnetit të Tij sovran. Nuk ka pse të na japë neve llogari se përse vendosi të kryente këtë mrekulli e sipas kësaj lloj metodeje. Ajo që duhet të na tërheqë vëmendjen në këtë pasazh, është natyra graduale e mrekullisë. Me këtë nuk duhet të nënkuptojmë se Jezusi u mat dy herë për ta shëruar të verbërin. Ai mund ta shëronte atë menjëherë. Por, përmes kësaj metode, Ai donte t’iu mësonte pasuesve të Tij të vërteta të rëndësishme. Çdo fjalë e çdo vepër e shërbesës tokësore të Zotit ka një kuptim të thellë.

Errësira mbizotëruese

Shërimi gradual i të verbërit përfaqëson mënyrën, me të cilën Fryma e Shenjtë vepron në shpirtrat e njerëzve. Para se të bëheshim të krishterë, ishim shpirtërisht të verbër dhe ecnim në errësirën e kësaj bote: “Populli që dergjej në errësirë ka parë një dritë të madhe, dhe përmbi ata që dergjeshin në krahinë dhe në hijen e vdekjes, doli drita” (Mateu 4:16)… “Kush ecën në errësirë nuk di se ku shkon” (Gjoni 12:35)… “Të errësuar në mendje, të shkëputur nga jeta e Perëndisë, për shkak të padijes që është në ta dhe ngurtësimit të zemrës së tyre” (Efesianëve 4:18). Të jesh i shpëtuar do të thotë të kesh dritën e Perëndisë, që të ndriçon shpirtin: “Unë jam drita e botës; kush më ndjek nuk do të ecë në errësirë, por do të ketë dritën e jetës” (Gjoni 8:12). Ajo dritë ndriçoi gradualisht në errësirën e zemrës sonë, derisa arriti të penetrojë edhe në qoshet më sekrete: “Zbulimi i fjalëve të tua ndriçon dhe u jep mendje njerëzve të thjeshtë” (Psalmi 119:130). Më pas, tek ne ndodhi një transformim i mrekullueshëm, sepse Perëndia Atë “na bëri të denjë të kemi pjesë trashëgimin e shenjtorëve në dritë. Ai na nxori nga pushteti i errësirës dhe na çoi në mbretërinë e Birit të tij të dashur” (Kolosianëve 1:12-13). Na shpengoi me anë të gjakut të Krishtit: “…sepse Perëndia që tha: “Le të ndriçojë drita në errësirë”, është i njëjti që shkëlqeu në zemrat tona për t’na ndriçuar në njohurinë e lavdisë së Perëndisë, në fytyrën e Jezu Krishtit” (2 Korintasve 4:6)… “Sepse dikur ishit errësirë, por tani jeni dritë në Zotin; ecni, pra, si bij të dritës” (Efesianëve 5:8).

Epoka e tanishme

Kjo nuk do të thotë se tani shohim gjithçka aq qartë sa s’ka ku të shkojë më, sepse për momentin, Fryma e Shenjtë po punon akoma, me qëllim që drita e Krishtit të na ndriçojë çdo ditë mendjen. Sa herë kemi patur pyetje rreth doktrinave të caktuara, apo rreth veprimeve të ndyshme të krishtera, e më pas, e kemi gjetur përgjigjen, atëherë kur kemi gërrmuar thellë e më thellë në fjalën e Perëndisë? Ka shumë gjëra, të cilat mund të mos i kuptojmë menjëherë, por me durim, Fryma e Perëndisë përdor “urdhër mbi urdhër, urdhër mbi urdhër, rregull mbi rregull, rregull mbi rregull, pak këtu, pak atje” (Isaia 28:13), derisa të jemi në gjendje ta kuptojmë “me të gjithë shenjtorët cila është gjërësia, gjatësia, thellësia dhe lartësia” e fjalës së Tij (Efesianëve 3:18). Përsa kohë që Krishtin nuk e shohim dot ballë për ballë, plotësia e lavdisë së Tij do të na duket paksa e mjegulluar dhe atë nuk do ta kuptojmë dot thellësisht: “Tani në fakt, ne shohim si në pasqyrë, në mënyrë të errët, por atëherë do të shohim faqe për faqe; tashti njoh pjesërisht, kurse atëherë do të njoh thellë ashtu sikurse njihem” (1 Korintasve 13:12). Ashtu si i verbëri i kësaj historie, edhe ne i shohim ‘njerëzit si pemë që ecin’. Fillojmë të ecim në dritën e shenjtërisë, vetëm atëherë kur vepra e Krishtit ka depërtuar thellë në zemrën dhe në jetën tonë të përditshme, e kur jemi të pjekur në Krishtin. Kur ishim besimtarë fillestarë, nuk ia dinim shumë rëndësinë domosdoshmërisë për dlirësi dhe përkushtim ndaj Zotit. Por, pasi Fryma e Shenjtë vazhdimisht na zbuloi vargje biblike, atëherë e kuptuam doktrinën ashtu siç duhej: “Fjala jote është një llambë në këmbën time dhe një dritë në shtegun tim” (Psalmi 119:105)… “Ne e kemi edhe më të vërtetuar fjalën profetike, të cilën bëni mirë t’i kushtoni kujdes, si një kandil që ndriçon në një vend të errët, derisa të zbardhë dita dhe ylli i dritës të lindë në zemrat tuaja” (2 Pjetrit 1:19). Nëse zemrën e kemi të gatshme për t’u udhëhequr prej Frymës së Shenjtë, atëherë të parit do ta kemi të përsosur: “Duke qënë i bindur për këtë, se ai që nisi një punë të mirë në ju, do ta përfundojë deri në ditën e Jezu Krishtit” (Filipianëve 1:6).

Përfundim

Zoti Jezus Krisht nuk e la të verbërin gjysëm të shëruar. Prekja e Tij e dytë ia ktheu atij të parit. Fakti që Fryma e Shenjtë u dërgua në ditën e Pentikostit, na tregon se Perëndia dëshironte që Kisha e Tij të ecte në dritë: “Por, kur të vijë ai, Fryma e së vërtetës, ai do t’ju prijë në çdo të vërtetë, sepse ai nuk do të flasë nga vetja, por do të thotë gjitha ato gjëra që ka dëgjuar dhe do t’ju kumtojë gjërat që do vijnë” (Gjoni 16:13). Ai vazhdon të punojë tek ne, deri në ditën kur Krishti të kthehet për Kishën e Tij: “Vjen nata kur askush nuk mund të veprojë” (Gjoni 9:4). Deri atëherë, ne rrimë zgjuar, presim dhe punojmë për ardhjen e Zotit dhe përjetojmë gëzimin që vjen, ngaqë e kemi të përsosur të parit tonë shpirtëror. E megjithatë, ka shumë nga ata në kishat tona, që nuk i kanë të qarta doktrinat e Krishtit. Ka të tjerë, që nuk dinë fare se për çfarë bëjnë fjalë këto doktrina. Këtyre njerëzve Zoti iu thotë: “Vajos sytë e tu me kolir, që të shohësh” (Zbulesa 3:18). Shëruesi i Madh është akoma në gjendje “për t’u hapur sytë të verbërve” (Isaia 42:7).

Mbrapa

Advertisements