Mjeshtri Mbretëror dhe Pasaniku

Në këtë studim, do t’i hedhim një sy historisë së të riut pasanik, e cila gjendet gjithashtu edhe në Ungjijtë sipas Mateut dhe Lukës. Kjo përsëritje e trefishtë ka si qëllim të përforcojë faktin se hyrja për në Qiell nuk mund ta blihet me anë të veprave të mira, apo pasurisë.

Zbatimi i Ligjit

Tani kur po bëhej gati për rrugë, i doli përpara dikush me vrap; u gjunjëzua para tij dhe e pyeti: “Mësues i mirë, çfarë duhet të bëj që të trashëgoj jetën e përjetshme?”. Dhe Jezusi i tha: “Përse më quan i mirë? Askush nuk është i mirë, përveç një të vetmi, domethënë Perëndisë. Ti i njeh urdhërimet: “Mos shkel kurorën. Mos vrit. Mos vidh. Mos bëj dëshmi të rreme. Mos mashtro. Ndero atin tënd dhe nënën tënde””. Dhe ai, duke iu përgjigjur, i tha: “Mësues, të gjitha këto i kam zbatuar që në fëmijërinë time” (Marku 10:17-20).

Njeriu, që erdhi me vrap tek Jezusi, nuk ishte në dijeni të gjendjes së tij të vërtetë shpirtërore, sepse, edhe pse e dinte se kishte nevojë të shpëtohej, ai, prapëseprapë, kujtonte se veprat e mira ishin të mjaftueshme për të trashëguar jetën e përjeshme. Mund t’i recitonte përmendësh të gjitha urdhërimet dhe të deklaronte se po jetonte sipas tyre, por e dinte se jetës së tij i mungonte diçka. Pasaniku po përulej përpara Atij, që zotëronte përgjigjen ndaj shqetësimit që kishte, por, a do ta pranonte, vallë, ilaçin për sëmundjen?

Ka shumë njerëz sot, që, ashtu si i riu pasanik, janë shpirtërisht të verbuar. Janë gati ta pranojnë Jezusin si Mësues të Mirë, por, në të njëjtën kohë, refuzojnë të besojnë se Ai është Perëndi. Nëse Jezusi donte të thoshte se Ai nuk ishte Perëndi, atëherë Ai nuk ishte as i Mirë. Po qe se besojmë se Ai është i mirë, atëherë Ai duhet të jetë gjithashtu edhe vetë Perëndi, përndryshe nuk ka asnjë mënyrë tjetër llogjike për ta interpretuar Markun 10:18. Pasaniku i ri nuk e kuptoi se Ai, me të cilin po fliste, ishte me të vërtetë Perëndia.

Ka me miliona të ashtu-quajtur “të krishterë”, të cilët nuk e kanë fare idenë se sa mëkatarë dhe se sa fajtorë janë në sytë e Perëndisë. Ia bëjnë qejfin vetes, ngaqë nuk merren me vepra të këqija, por e kanë harruar se Perëndia është i shenjtë. E studiojnë Biblën, duke e patur zemrën të mbuluar me një vel të trashë, ngaqë nuk e vënë në zbatim fjalën e Perëndisë në jetën e tyre. E kanë veshur veten me drejtësinë e tyre dhe kujtojnë se janë të denjë për në Qiell: “Sepse ti thua: “Unë jam i pasur, u pasurova dhe s’kam nevojë për asgjë”; edhe nuk e di se ti je qyqar e mjeran, i varfër, i verbër dhe i zhveshur” (Zbulesa 3:17). Krishti nuk iu vlen fare këtyre njerëzve, përsa kohë që mendojnë se mund të shkojnë në Qiell, duke zbatuar Ligjin e Moisiut. Ligji do t’ia hapë zemrën mëkatarit, duke e bindur atë për mëkatin, por Ligji nuk mund ta shpëtojë dot. Vetëm Krishti mund ta shpëtojë shpirtin mëkatar.

Dashuria e derdhur

Atëherë Jezusi e vështroi në fytyrë, ndjeu dashuri për të dhe i tha: “Një gjë të mungon; shko, shit të gjitha ato që ke dhe jepua të varfërve dhe do të kesh një thesar në qiell; pastaj eja, merre kryqin tënd dhe më ndiq” (Marku 10:21).

Vini re se sa i do Jezusi mëkatarët. E deshi të riun pasanik, edhe pse ai ishte i humbur në mëkat. Krishti pa një shpirt, që po luftonte me pasojat e mëkatit dhe po përpiqej ta qetësonte ndërgjegjen, duke kryer vepra të mira. Kjo dashuri e Tij ishte e përzier me hidhërim, sepse Jezusi e kupton plotësisht gjendjen e atyre, që janë të humbur në mëkat: “Sepse ne nuk kemi kryeprift që nuk mund t’i vijë keq për dobësitë tona, po një që u tundua në të gjitha ashtu si ne, por pa mëkatuar” (Hebrenjve 4:15)… “Sepse, duke qenë se ai vetë hoqi kur u tundua, mund t’u vijë në ndihmë atyre që tundohen” (Hebrenjve 2:18). Jezusi është zemërgjerë. Ai ka mëshirë me bollëk. Tregon dhembshuri e kujdeset për ata, që nuk e njohin Atë si Zot e Shpëtimtar. Mund t’i themi me guxim botës se Krishti e do. Shpëtimi i ofrohet edhe mëkatarit më të madh dhe atij i duhet vetëm që të vijë tek Krishti, për ta marrë këtë shpëtim. Nuk e ka fajin Perëndia, kur njerëzit nuk vijnë tek Ai. Arsyeja e vetme pse nuk vijnë, gjendet tek Gjoni 3:19 dhe 5:40, “Tani gjykimi është ky: Drita erdhi në botë dhe njerëzit deshën errësirën më tepër se dritën, sepse veprat e tyre ishin të mbrapshta”… “Por ju nuk doni të vini tek unë që të keni jetën”. Pali e shpreh kështu dhuratën falas të shpëtimit: “Por Perëndia e tregon dashurinë e tij ndaj nesh në atë që, kur ende ishim mëkatarë, Krishti vdiq për ne” (Romakëve 5:8).

Ata që nuk pranojnë t’i lënë pasuritë e kësaj bote, ta marrin kryqin dhe ta ndjekin Krishtin, do ta humbasin jetën e përjetshme: “Nëse dikush do të vijë pas meje, le ta mohojë vetveten, ta marrë çdo ditë kryqin e vet dhe të më ndjekë. Sepse kush do ta shpëtojë jetën e vet, do ta humbasë; por kush do ta humbasë jetën e vet për shkakun tim, do ta shpëtojë. E pra, ç’dobi ka njeriu po të fitojë tërë botën, dhe pastaj të shkatërrojë veten dhe të shkojë në humbje?” (Luka 9:23-25).

Të joshurit pas pasurisë

Por ai u trishtua për këto fjalë dhe u largua me keqardhje, sepse kishte shumë pasuri. Atëherë Jezusi, mbasi e hodhi vështrimin përreth, u tha dishepujve të vet: “Sa vështirë është për ata që kanë pasuri të hyjnë në mbretërinë e Perëndisë!”. Dishepujt u habitën shumë nga këto fjalë të tij. Por Jezusi foli përsëri dhe u tha atyre: “O bij, sa e vështirë është që të hyjnë në mbretërinë e Perëndisë ata që mbështeten te pasuria. Është më e lehtë që një deve të kalojë nëpër vrimën e një gjilpëre, se sa të hyjë një i pasur në mbretërinë e Perëndisë”. Dhe ata u çuditën edhe më tepër dhe i thoshin njëri-tjetrit: “Atëherë kush vallë mund të shpëtohet?”. Por Jezusi, duke i ngulur sytë mbi ta, u tha: “Kjo për njerëzit është e pamundur, por jo për Perëndinë, sepse gjithçka është e mundur për Perëndinë” (Marku 10:22-27).

Epoka në të cilën jetojmë, e ka përmbushur atë që thotë Bibla: “Sepse lakmia për para është rrënja e gjithë të këqijave dhe, duke e lakmuar atë fort, disa u larguan nga besimi dhe e depërtuan veten e tyre në shumë dhimbje” (1 Timoteut 6:10). Ashtu si i riu pasanik, edhe sot njerëzit e duan paranë më shumë se ç’duan shpirtin. Kjo është e vërtetë edhe për kishën. Jezusi nuk tha se të pasurit nuk mund të shpëtohen, por se njerëzit nuk mund të shpëtohen, nëse i varin shpresat tek pasuria. Këto fjalë të Zotit do të dalin të vërteta në ditën e Gjykimit.

Duhet ta ruajmë zemrën prej lakmisë për para, e në fakt, prej gjithçkaje të kësaj bote: “Mos e doni botën, as gjërat që janë në botë. Ne qoftë se ndokush do botën, dashuria e Atit nuk është në të” (1 Gjonit 2:15). Lakmia për para është kurth jo vetëm për të varfërit, por edhe për të pasurit. Duhet të jemi të kënaqur me ato që na ka bekuar Perëndia, në mënyrë që të themi edhe ne si Pali: “Unë jam mësuar të kënaqem në gjëndjen që jam” (Filipianëve 4:11).

Përfundim

Bota kujton se “paraja është gjithçka”, por, në fakt, ajo e çon botën drejt një përjetësie të humbur. A do të jepte i riu pasanik gjithçka, me qëllim që ta kishte Jezusin si Zot të jetës së Tij? A ishte gati për ta rrëfyer Jezusin si Perëndi? Jo, e as bota nuk është gati, sepse i var shpresat tek vetë-drejtësia e saj dhe tek lakmia për pasuri. Paraja (mamoni), perëndia e rreme, duhet të rrëzohet nga froni i zemrës, para se Jezusi të sundojë në të: “Askush nuk mund t’u shërbejë dy zotërinjve, sepse ose do të urrejë njërin dhe do ta dojë tjetrin; ose do t’i qëndrojë besnik njerit dhe do të përçmojë tjetrin; ju nuk mund t’i shërbeni Perëndisë dhe mamonit” (Mateu 6:24). 

Mbrapa

Advertisements