Mposhtja e bishës me sy jeshile

Tek tragjedia “Otello”, Uilliam Shekspiri shkroi këto fjalë: “Ki kujdes, imzot, prej xhelozisë. Ajo është një bishë me sy jeshilë, që të tall”. Bibla na e  bën të qartë se xhelozia është një mëkat shkatërrimtar. Ata që janë xhelozë, nuk janë pasues të vërtetë të Zotit. “Në fakt sepse midis jush ka smirë, grindje e përçarje a nuk jeni të mishit dhe a nuk ecni sipas mënyrës së njerëzve?” (1 Korintasve 3:3). Xhelozia duhet mposhtur prej të gjithë atyre që e duan Krishtin. “Le të mos jemi mburravecë, duke provokuar dhe duke pasur smirë njëri-tjetrin” (Galatasve 5:26).

Dashuria triumfon mbi gjithçka

Dashuria është e durueshme; plot mirësi; dashuria nuk ka smirë, nuk vë në dukje, nuk krekoset, nuk sillet në mënyrë të pahijshme, nuk kërkon të sajat, nuk pezmatohet, nuk dyshon për keq” (1 Korintasve 13:4-5). Kur e përqëndrojmë vëmendjen tek gjërat e  kësaj bote, sidomos kur lakmojmë gjërat e të tjerëve, e shohim se nuk po i shërbejmë Zotit ashtu siç duhet. Sepse, po ta donim vërtet Zotin, nuk do t’i shkelnim urdhërimet e Tij. “Nuk do të dëshirosh…” (Eksodi 20:17). Në fakt, xhelozia na e ngurtëson zemrën aq shumë, saqë nuk i marrim dot bekimet e Perëndisë. “Sepse zemra e këtij populli është bërë e pandjeshme, ata janë bërë të rëndë nga veshët dhe kanë mbyllur sytë, që nuk shohin me sy dhe nuk dëgjojnë me vesh, dhe nuk gjykojnë me zemër dhe nuk kthehen, dhe unë t’i shëroj” (Mateu 13:15). Ah, sikur ta lejonim Frymën e Shenjtë të na udhëhiqte gjithmonë! Ç’ndryshim do të na sillte në jetë!

Natyra jonë mëkatare ka prirje për të bërë atë që na e ka ndaluar Perëndia, por kjo prirje të çon drejt Ferrit. “Dhe veprat e mishit janë të zbuluar dhe janë: kurorëshkelja, kurvëria, ndyrësia, shthurja, idhujtaria, magjia, armiqësimi, grindjet, xhelozitë, mëritë, zënkat, përçarjet, tarafet, smira, vrasjet, të dehurit, grykësia dhe gjëra të ngjashme me këto, për të cilat po ju paralajmëroj, si kurse ju thashë edhe më parë, se ata që i bëjnë këto gjëra nuk do të trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë” (Galatasve 5:19-21). Perëndia mund të na e ndryshojë jetën, nëse duam që Ai të veprojë tek ne. “Por fryti i Frymës është: dashuria, gëzimi, paqja, durimi, mirëdashja, mirësia, besimi, zemërbutësia, vetëkontrolli. Kundër këtyre gjërave nuk ka ligj. Edhe ata që janë të Krishtit e kanë kryqëzuar mishin bashkë me pasionet dhe lakmitë të tij. Në qoftë se rrojmë në Frymë, në Frymë edhe duhet të ecim. Le të mos jemi mburravecë, duke provokuar dhe duke pasur smirë njëri-tjetrin” (Galatasve 5:22-26). E shohim, pra, se Fryma e Shenjtë mund ta shkatërrojë frymën xheloze.

Ji i kënaqur!

Xhelozia është shenjë, që tregon se nuk jemi të kënaqur me bekimet që na ka dhënë Zoti, apo me ato që na ka premtuar Ai. Të qënit xheloz nënkupton një mungesë besimi nga ana jonë, sepse na duket sikur Ai po i bekon të tjerët më shumë sesa ne. Edhe pse mund të mos e kuptojmë për momentin, xhelozia është diçka e ligë, që i ka rrënjët në errrësirën e Ferrit. “Nata u thye dhe dita u afrua; le të flakim, pra, veprat e errësirës dhe të veshim armët e dritës. Le të ecim me ndershmëri, si ditën, jo në orgji dhe në dehje, jo në imoralitet dhe sensualizëm, jo në grindje e në smirë” (Romakëve 13:12-13). Xhelozia na bën të irrituar ndaj atyre, që kanë më shumë sesa ne. Xhelozia është një farë, që rritet në tokën e egoizmit.

Bibla na thotë të jemi të kënaqur. “Sjellja juaj të jetë pa lakmi paraje dhe kënaquni me atë që keni, sepse vetë Perëndia ka thënë: “Nuk do të të lë, nuk do të të braktis” (Hebrenjve 13:5). Mëkati i xhelozisë mposhtet atëherë, kur i përngjajmë gjithnjë e më shumë Jezusit dhe nuk merakosemi aq shumë për veten, apo për gjërat që nuk i kemi. Duhet ta lexojmë e ta studjojmë Biblën, të lutemi dhe të mblidhemi bashkë me besimtarët e tjerë në kishë. Duhet t’iu shërbejmë të tjerëve, me qëllim që të kemi më pak kohë për t’i gjykuar ata, apo për t’u ankuar kundra Zotit. Në këtë mënyrë, jetën do ta kemi edhe më të lumtur. “O vëllezër, po ju bëj thirrje, nëpërmjet dhembshurisë së Perëndisë, ta paraqisni trupin tuaj si fli të gjallë, të shenjtëruar, të pëlqyer te Perëndia, që është shërbesa juaj e mënçur. Dhe mos u konformoni me këtë botë, por transformohuni me anë të ripërtëritjes së mendjes suaj, që të provoni cili është i miri, i pëlqyeri dhe i përsosuri vullnet i Perëndisë” (Romakëve 12:1-2).

Shmanguni xhelozisë!
Xhelozisë, ashtu si edhe çdo mëkati tjetër, duhet t’i shmangemi. Po ata që kanë një shpirt lakmitar? “Ai mbahet më të madh dhe nuk di asgjë, por vuan nga sëmundja e grindjes dhe e të zënit me fjalë, prej nga lindin smira, grindja, të sharat, dyshimet e këqija, debatet e kota të njerëzve me mendje të prishur dhe të shterur nga e vërteta, sepse mendojnë se perëndishmëria është burim fitimi; largohu prej këtyre” (1 Timoteut 6:4-5). Aty ku mbretëron xhelozia, aty banojnë edhe të liga të tjera. “Por në qoftë se ne zemrën tuaj keni smirë të hidhur dhe grindje, mos u mbani me të madh dhe mos gënjeni kundër së vërtetës. Kjo nuk është dituri që zbret nga lart, por është tokësore, shtazore, djallëzore. Sepse atje ku ka smirë dhe grindje, atje ka trazirë dhe gjithfarë veprash të këqija” (Jakobi 3:14-16). Ndoshta kujtojmë se mund t’i shmangemi të qënit xheloz si shokët tanë, por xhelozia në fakt është një virus, që e infekton cilindo, që e vë këtë ves në praktikë. “Por kush mund t’i bëjë ballë xhelozisë?” (Fjalët e Urta 27:4). Xhelozia është gjithmonë shkatërrimtare. “Zemërimi në fakt e vret të pamendin dhe zilia e vret budallanë” (Jobit 5:2). E shohim, pra, se duhet t’i shmangemi xhelozisë.

Përfundim

Të paktë janë ata njerëz sot, që e vrasin mendjen për xhelozinë, madje bëjnë shaka, kur i shohin fëmijët e tyre që janë xhelozë dhe plot smirë. Ndoshta lakmia është më e përhapur në këtë epokë teknologjike, në të cilën jetojmë. Po ne, ç’mendim kemi rreth xhelozisë – a e shohim atë si diçka të parëndësishme, apo si diçka që duhet shkatërruar? Perëndia e di se për çfarë kemi nevojë, ndaj edhe dëshira jonë duhet të jetë që të kemi një marrëdhënie edhe më të mirë me Të. Duhet të dëshirojmë që të rritemi edhe më shumë shpirtërisht, që t’i ndihmojmë të tjerët dhe të jemi të lumtur, kur miqtë tanë të krishterë begatohen e pasurohen. Perëndia na bekon çdo ditë dhe na jep gjithçka që kemi nevojë në kohën e duhur. Si të krishterë që jemi, secili prej nesh ka nevoja të ndryshme, si fizike, ashtu edhe shpirtërore. Perëndia nuk na jep të gjithëve të njëjtat gjëra. Përkundrazi, na jep pikërisht atë që Ai e di se është më e mira për ne. Le të mos harrojmë të bëjmë vullnetin e Zotit, jo të tonin. Bisha me sy jeshile mund të mundet prej Atij, që u shfaq “për të shkatërruar veprat e djallit” (1 Gjonit 3:8).

Mbrapa