Mu në qendër!

Filisteu shikonte me kujdes dhe, me të parë Davidin, e përçmoi sepse ishte vetëm një i ri, kuqalash dhe i hijshëm. Filisteu i tha Davidit: “Mos jam vallë një qen që po del kundër meje me shkop në dorë?”. Dhe Filisteu e mallkoi Davidin në emër të perëndive të tij. Pastaj Filisteu i tha Davidit: “Eja këtu, dhe unë do t’ia jap mishin tënd shpendëve të qiellit dhe kafshëve të fushave”. Atëherë Davidi iu përgjegj Filisteut: “Ti po më vjen me shpatë, me shtizë dhe me ushtë; kurse unë po të dal në emër të Zotit të ushtërive, Perëndisë të ushtrisë së Izraelit që ti ke fyer. Pikërisht sot Zoti do të të dorëzojë në duart e mia; dhe unë do të të rrëzoj, do të pres kokën tënde dhe do t’u jap pikërisht sot kufomat e ushtrisë së Filistejve shpendëve të qiellit dhe bishave të tokës, me qëllim që gjithë dheu të mësojë se ka një Perëndi në Izrael. Atëherë gjithë kjo turmë do të mësojë që Zoti nuk të shpëton me anë të shpatës as me anë të shtizës; sepse përfundimi i betejës varet nga Zoti, dhe ai do t’ju dorëzojë në duart tona”. Kur Filisteu lëvizi dhe shkoi përpara për t’u ndeshur me Davidin, edhe Davidi nxitoi menjëherë drejt mejdanit, ballë Filisteut; vuri dorën në thes, nxori prej tij një gur, e hodhi me hobenë dhe e goditi në ballë Filisteun; guri iu fut në ballë dhe ai ra me fytyrë për tokë. Kështu Davidi me një hobe dhe një gur mundi Filisteun; e goditi dhe e vrau, megjithëse Davidi nuk kishte asnjë shpatë në dorë. Pastaj Davidi vrapoi, u hodh mbi Filisteun, ia mori shpatën dhe e vrau duke i prerë me të kokën. Kur Filistejtë e panë që heroi i tyre vdiq, ikën me vrap” (1 Samuelit 17:42-51).

Parathënie

Ndërkohë që Goliathi ulërinte, Davidi, me qetësinë më të madhe, vrapoi drejt fushës së betejës, për t’u ballafaquar me të. Ky fakt na tregon se fitoren nuk e korrin ata, që bërtasin më fort.

Fyerjet

Goliathi, që ishte një ushtar i stërvitur e i armatosur më së miri, u ofendua, kur e pa Davidin, tek i doli përpara. Mos, vallë, po e vinin në lojë izraelitët, duke i dërguar një djalë të ri si kundërshtar? S’është për t’u habitur, pra, që Goliathi filloi ta mallkonte Davidin në emër të perëndive të tij pagane, duke i thënë se do ta bënte copë-copë djalin bari. Mos, vallë, kujtonin ata se ai ishte një qen? Po të ishte qen ai, atëherë, sipas tij, Davidi ishte thjesht një mizë. Goliathit iu cënua krenaria, para se t’i vritej trupi.

Emri i Zotit

Gjigandi i doli përpara Izraelit në emër të perëndive të tij, kurse Davidi i doli atij përpara në emrin dhe autoritetin e të vetmit Perëndi të gjallë. Davidi e parashikoi rezultatin e betejës, ngaqë kishte besim në zemër. Ai e paralajmëroi Goliathin, duke i thënë se pas pak minutash, ai dhe e gjithë ushtria e filistenjve do të mundej, jo me forcën e tij, por nëpërmjet fuqisë së Perëndisë së Izraelit. Goliathi e kishte mendjen tek nderi i vet, kurse Davidi e kishte mendjen vetëm tek nderi i Perëndisë. Rezultati i këtij dueli do të varej pikërisht mbi këto dy pikëpamje. “Pra, nëse hani, nëse pini, nëse bëni ndonjë gjë tjetër, të gjitha t’i bëni për lavdinë e Perëndisë” (1 Korintasve 10:31)… “Dhe çdo gjë që të bëni, me fjalë a me vepër, t’i bëni në emër të Zotit Jezus, duke e falënderuar Perëndinë Atë nëpërmjet tij” (Kolosianëve 3:17).

Mund ta imagjinojmë se si të gjithë ushtarët si në kampin izraelit, ashtu edhe në atë të filistenjve, do të kishin mbetur gojëhapur, kur dëgjuan Davidin tek i fliste një armiku kaq të fuqishëm. Për dyzet ditë e netë me rradhë, ata s’kishin dëgjuar gjë tjetër, veçse zhurmë, të bërtitura dhe fyerje prej gjigandit, kurse tani, në një qetësi vdekjeprurëse, ata po vështronin djalin, që po i afrohej kundërshtarit.

Mu në qendër!

Do të bënim gabim, po të thonim se nuk kishte mundësi fare që Davidi të mos qëllonte në shenjë. Ai nuk po vepronte me të njëjtën kurajo, siç kishte vepruar edhe kundër luanit e ariut. Ai arriti të qëllojë në shenjë, ngaqë ishte Perëndia Ai, që e drejtoi gurin drejt destinacionit të planifikuar. Ajo pjesë e pambrojtur e ballit të Goliathit, i dha Davidit mundësinë për ta rrëzuar gjigandin.

Ka nga ata njerëz, që i kanë parë me mëdyshje faktet e kësaj historie. A veproi vërtet Davidi, ashtu siç na thotë Bibla? A mund të qëllonte dot ai aq mirë në shenjë, saqë ta rrëzonte gjigandin me një preçizion kaq të saktë? Tek libri i Gjyqtarëve 20:16, lexojmë rreth 700 burrave prej fisit të Benjaminit, që kishin një saktësi të tillë, kur vinte puna për ta hedhur gurin me hobe. “Midis tërë këtyre njerëzve kishte shtatëqind burra të zgjedhur, që ishin mëngjarashë. Tërë këta ishin të aftë të hidhnin një gur me hoben kundër një fije floku, pa gabuar goditjen“. “Në fakt, hobja ishte pushka e asaj kohe. Ata që e praktikonin një art të tillë, godisnin aq mirë në shenjë, sa edhe qitësat e sotëm” (D. Freizër).

Filistenjve s’po iu besonin sytë. Kampioni i tyre ndodhej i rrëzuar, përpara këmbëve të anëtarit më të vogël të ushtrisë së kampit izraelit. U habitën tmerrësisht, kur panë Davidin tek ngriti lart shpatën e Goliathit për t’i prerë kokën. Nuk e kishin imagjinuar dot kurrë se do të iknin me vrap prej një djali bari!     

Përfundim

Kjo histori e vërtetë nuk është thjesht një dëshmi historike. Ajo na tregon se edhe shenjtori më i dobët mund të arrijë gjëra të mëdha, kur Perëndia është me të. Nuk duhet ta nënvlerësojmë asnjërin prej njerëzve të Perëndisë, sepse, nëse ata ecin me besim, edhe malet arrijnë t’i rrëzojnë. “Tani atij që, sipas fuqisë që vepron në ne, mund të bëjë jashtë mase më tepër nga sa kërkojmë ose mendojmë…” (Efesianëve 3:20)… “Unë mund të bëj gjithçka me anë të Krishtit që më forcon” (Filipianëve 4:13).

Mbrapa

Advertisements