Murtaja si ndëshkim

“Por, mbasi bëri regjistrimin e popullsisë, zemra e Davidit e qortoi shumë rëndë atë dhe ai i tha Zotit: “Kam kryer një mëkat shumë të rëndë duke vepruar në këtë mënyrë; por tani, o Zot, shlyej paudhësinë e shërbëtorit tënd, sepse kam vepruar shumë pa mend”. Kur në mëngjes Davidi u ngrit, fjala e Zotit iu drejtua profetit Gad, shikuesit të Davidit, duke thënë: “Shko e i thuaj Davidit: Kështu thotë i Zoti: “Unë të propozoj tri gjëra; zgjidh njerën prej tyre dhe unë do ta bëj atë për ty””. Kështu Gadi shkoi te Davidi për t’i njoftuar ngjarjen dhe i tha: “A do që të vijnë për ty shtatë vjet zi buke në vendin tënd, apo tre vjet arratisje përpara armiqve që të ndjekin, apo tri ditë murtaje në vendin tënd? Tani mendohu dhe shiko pak se çfarë përgjigje duhet t’i jap atij që më ka dërguar”. Davidi i tha Gadit: “Gjendem në një situatë tërë ankth! Le të bie edhe në duart e Zotit, sepse dhembshuria e tij është e madhe, por mos rënça në duart e njerëzve!”. Kështu Zoti dërgoi murtajën në Izrael, nga ai mëngjes deri në kohën e caktuar. Shtatëdhjetë mijë veta të popullit vdiqën nga Dani deri në Beer-Sheba. Ndërsa engjëlli e shtrinte dorën mbi Jeruzalem për ta shkatërruar, Zotit i erdhi keq për këtë fatkeqësi dhe i tha engjëllit që shfaroste popullin: “Mjaft! Tani tërhiqe dorën!”. Engjëlli i Zoti ndodhej afër lëmit të Araunahut, Gebuseitit. Kur Davidi pa engjëllin që godiste popullin, i tha Zotit: “Ja, unë kam kryer një mëkat, kam vepruar në mënyrë të padrejtë, por këto dele ç’kanë bërë? Prandaj dora jote të drejtohet kundër meje dhe kundër shtëpisë së atit tim!”” (2 Samuelit 24:10-17).

Parathënie

Davidit iu deshën pothuajse dhjetë muaj, që ta ndërronte mendjen lidhur me regjistrimin e popullsisë. Por edhe pse ai u pendua, mëkati prapëseprapë duhej ndëshkuar.

Lutja

Davidi u bind për gabimin që kishte bërë dhe ndërgjegja i tha që të lutej. Sa keq që nuk u lut që para se të jepte urdhër për regjistrimin e popullsisë! Donte ta dinte se kishte një numër të mjaftueshëm ushtarësh, për t’i bërë ballë çdo sulmi të armikut, por tani ai po korrte pasojat e mëkatit. Fryma e Shenjtë e bindi, duke e bërë që të pendohej, por në fillim, atij do t’i duhej ta kuptonte ligësinë e mëkatit, që kishte bërë. Iu rrëfye Perëndisë, duke i thënë se kishte mëkatuar shumë përpara Tij. Me pak fjalë, pra, ai nuk mund të jetonte dot më, po të mos i vinte në fillim gjërat nëpër vijë me Zotin. U lut që Perëndia ta falte dhe pa dyshim, Ai e fali. Por mëkati i Davidit ishte me pasoja të pashmangshme. “Ata që pendohen vërtet për mëkatin e tyre, falen prej Perëndisë. E megjithatë, këtyre njerëzve shpesh iu duhet që të ballafaqohen me pasojat e krijuara prej mëkatit, që kanë bërë” (Mateo Henri).

Murtaja

Profeti Gad shkoi tek Davidi me një mesazh prej Perëndisë. Atij i duhej të zgjidhte mes shtatë viteve të zisë së bukës, tre muajve të arratisjes, apo tre ditëve të murtajës. Dy të parat mund të linin pasoja afatgjata për popullin. Duke zgjedhur të tretën, Davidi nuk po shpresonte se kjo do të ishte metoda më e shpejtë e ndëshkimit. Përkundrazi, ai po i varte shpresat tek Perëndia dhe mëshira e Tij.

Kështu pra, Perëndia iu dërgoi njerëzve murtajën. Por pse veproi Ai kështu, në një kohë që fajin e kishte patur vetëm Davidi? Le të mos e harrojmë faktin se “zemërimi i Zotit u ndez përsëri…kundër popullit” (2 Samuelit 24:1). Ky zemërim na shpjegon edhe arsyen pse Perëndia e lejoi Satanain, që ta frymëzonte Davidin, lidhur me idenë e regjistrimit të popullsisë. Ka të ngjarë që, për vite me rradhë, Izraeli ta kishte harruar fare ligjin e “taksës së shpengimit”. “Kur do të bësh llogarinë e bijve të Izraelit, për regjistrimin e tyre, secili do t’i japë Zotit shpengimin e jetës së tij, kur do të numërohen, me qëllim që të mos goditen nga ndonjë plagë, kur do të bësh regjistrimin e tyre. Kjo është ajo që do të japë secili nga ata që paguajnë taksë: gjysmë sikli, simbas siklit të shenjtërores, (sikli është baras me njëzet gere), një gjysmë sikli do të jetë oferta që duhet t’i bëhet Zotit. Kushdo që do të përfshihet nga regjistrimi, njëzet vjeç e lart, do t’i japë Zotit këtë ofertë. I pasuri nuk do të japë më tepër, as i varfëri më pak se gjysmë sikli, kur do t’i bëhet kjo ofertë Zotit për të shlyer fajet e jetës suaj. Do të marrësh, pra, nga djemtë e Izraelit këto të holla të shërbimit dhe do t’i përdorësh për shërbimin e çadrës së mbledhjes: kjo do të jetë për bijtë e Izraelit një kujtim para Zotit për të bërë shlyerjen për jetën tuaj” (Eksodi 30:12-16). Duke mos paguar taksën e shpengimit, izraelitët ndoshta nuk e konsideronin veten si mëkatarë, që kishin nevojë për Shpëtimtar. Prandaj edhe murtaja ishte ndëshkim për moszbatimin e këtij ligji. Ka të ngjarë që një kërkesë e tillë ligjore të mos jetë vënë re me kujdes. E prapëseprapë, ai që nuk është në dijeni të ligjit, nuk është i pafajshëm!

70.000 veta vdiqën prej murtajës. Sa i pavlefshëm ishte regjistrimi i popullsisë tani! Kjo nuk ishte një murtajë e zakonshme natyrore, sepse njerëzit u goditën papritur e pakujtuar. Ç’kënaqësi do të merrte Davidi tani prej regjistrimit të popullsisë?  Vërtet, pra, “përpara shkatërrimit vjen kryelartësia” (Fjalët e Urta 16:18). Engjëlli që ishte përgjegjës për derdhjen e zemërimit të Perëndisë, nuk u lejua që ta godiste Jeruzalemin. Perëndia u tregua i mëshirshëm, ndaj edhe Davidi i besonte Atij. Vendi, ku Perëndia dha urdhër që murtaja të ndalohej, ishte mali Moriah (2 Kronikasve 3:1), i njëjti vend, në të cilin Abrahami ishte përgatitur për ta ofruar Isaakun si flijim, por ishte ndaluar prej Zotit dhe nuk e kishte vrarë të birin (Zanafilla 22:2). Gjithashtu, Salomoni e ndërtoi Tempullin po në këtë mal. Në Tempull ndodhej edhe Froni i Mëshirës. Kështu pra, e shohim se sa i rëndësishëm ishte ky vend. Ndëshkimi zgjati vetëm pak orë: nga ora 6-ë e mëngjesit deri në orën 3 të mbasdites. Jezusi gjithashtu e pagoi çmimin për mëkatin tonë po në të njëjtën orë (Mateu 27:46).

 Përfundim

Bibla na mëson se “paga e mëkatit është vdekja” (Romakëve 6:23). Davidi e kuptoi se kishte gabuar, duke i sjellë kaq dëm popullit të Izraelit. I duhej edhe një herë që të nxirrte mësim dhe ta kuptonte se pasojat e mëkatit nuk i përkasin vetëm atij, që e kryen atë mëkat. Le të mos e harrojmë faktin se 70.000 vetë vdiqën atë ditë. Mos vallë, këta ishin pjesë e ushtrisë, që Davidi donte ta numëronte?

Mbrapa

Advertisements