Ndërhyrja

Por një nga shërbëtorët e lajmëroi Abigailin, gruan e Nabalit, duke thënë: “Ja, Davidi ka dërguar lajmëtarë nga shkretëtira për të përshëndetur zotin tonë, por ai i ka fyer. Mirëpo këta njerëz janë sjellë shumë mirë me ne, nuk na kanë bërë asnjë të keqe dhe nuk ka munguar asgjë në kohën që kemi bredhur bashkë me ta nëpër fusha. Ata kanë qenë për ne një mur mbrojtjeje natën e ditën për gjithë kohën që kemi kullotur bashkë me ta kopenë tonë. Dije dhe shiko atë që duhet të bësh, sepse ka për t’i ngjarë ndonjë fatkeqësi zotit tonë dhe tërë shtëpisë së tij; ai është një njeri aq i keq, sa nuk mund t’i flasësh”. Atëherë Abigaili mori me nxitim dyqind bukë, dy calikë verë, pesë dele të gatuara, pesë masa gruri të pjekur, njëqind vile rrush të thatë dhe dyqind bukë fiku dhe i ngarkoi mbi gomarë. Pastaj u tha shërbëtorëve të saj: “Shkoni para meje, unë do t’ju ndjek”. Por nuk i tha asgjë Nabalit, burrit të saj” (1 Samuelit 25:14-19).

Parathënie

Shërbëtorët e Nabalit ishin më të zgjuar sesa ai vetë. E dinin se ishte e kotë ta bindje atë, që të tregohej bujar ndaj Davidit. Kështu që, njëri prej tyre shkoi tek gruaja e Nabalit. Ajo konsiderohej nga të gjithë si një grua e matur dhe inteligjente. Ndërhyrja e shërbëtorit ishte, në fakt, ndërhyrja e vetë Perëndisë, sepse ishte Perëndia Ai, që e frymëzoi shërbëtorin, që të vepronte me shpejtësi, për ta zgjidhur sa më parë situatën.

Gruaja e Nabalit

Nabali ishte vërtet zot i mbretërisë së vet dhe nuk donte aspak, që të tjerët t’i ndërhynin në punët e veta. Kishte si pronë bagëti dhe shërbëtorë të shumtë, madje ishte pronari i vetë Abigailit. Në gjuhën hebraishte, fjala “grua” përkthehet “pronë e tjetrit”, kurse fjala “zot (ose pronar)” e ka prejardhjen prej fjalës “ba’al” (një zot pagan i filistenjve).

Shërbëtorët e dinin gjithashtu se Abigaili do të vepronte me mençuri, ngaqë ajo ishte ndryshe nga Nabali – mund të merreshe vesh me të. Shërbëtori, që iu afrua Abigailit, e la atë të kuptonte se ajo e kishte për detyrë që ta zgjidhte këtë lëmsh, të shkaktuar prej të shoqit. “Dije dhe shiko atë që duhet të bësh”. Kjo do të thotë se edhe pse ajo konsiderohej prej burrit të saj si një pjesë shtesë e pasurisë së tij, në sytë e pjesëtarëve të tjerë të familjes, e ndoshta edhe në sytë e gjithë fshatit, ajo ishte një grua e respektuar e me autoritet. Ajo e përmbushi, pra, të vërtetën e Fjalëve të Urta 21:14, “Një dhuratë që bëhet fshehtas e fashit zemërimin”.

Problemi i Abigailit

Shërbëtori i shpjegoi Abigailit se si qëndronte puna. Nabalit nuk do t’i kishte mbetur asnjë lloj pasurie, po të mos ishte Davidi dhe njerëzit e tij ata, që ia kishin ruajtur pronat. Ia kishin ruajtur Nabalit si bagëtinë, ashtu edhe barinjtë e vet prej hajdutëve të ndryshëm. Shërbëtorët ia përshkruan Davidin Abigailit si një njeri me karakter të fortë e me një sjellje të ndershme, duke i thënë asaj, në këtë mënyrë, se trajtimi që i kishte bërë Nabali atij ishte jo vetëm i padrejtë, por edhe i marrë. Shërbëtorët e dinin se pronari i tyre ishte në dijeni të mbrojtjes, që Davidi i kishte bërë. Por Nabali kishte marrë vendim për ta fyer Davidin, në vend që t’i zgjaste dorën e mikpritjes. Kështu, pra, ishte faji i Nabalit, që Davidi donte ta vriste të gjithë familjen.

Nabali ishte vërtet një izraelit, por, ashtu siç e theksoi me të drejtë edhe shërbëtori i tij, ai ishte, në fakt, “një njeri i keq”. Vini re se si shërbëtori nuk e pati problem t’ia thoshte këtë fakt gruas së Nabalit, gjë që vërteton se ai e dinte se Abigaili do të binte vetë dakort me këtë lloj përshkrimi të të shoqit dhe se ajo nuk do t’i konsideronte fjalët e shërbëtorit si mungesë respekti. Abigaili veproi me shpejtësi të madhe, para se të keqësohej edhe më tej gjendja. Por ajo veproi pa dijeni e Nabalit. Kjo na tregon se asnjëri prej shërbëtorëve  nuk shkoi për t’i thënë pronarit se ç’po bënte e shoqja. Ata kishin, pra, shumë respekt për Abigailin. Ajo, nga ana tjetër, mund të ishte shqetësuar e mund të kishte patur frikë, se mos e merrte vesh i shoqi se ku po shkonte. E megjithatë, ajo veproi për të mirën e të gjithëve, “ngaqë e dinte se i shoqi më mirë do pranonte të vdiste, sesa t’i jepte leje, që të shkonte e t’i fliste Davidit” (citat i marrë nga Bibla Studimore e Gjenevës).

Gostia e Davidit

Edhe pse Abigaili kishte ndër mend ta takonte Davidin personalisht, prapëseprapë, ajo vendosi, që t’i dërgonte atij ushqim të mjaftueshëm për veten dhe për njerëzit e tij, para se ta takonte. “Ose cili mbret, kur niset të luftojë kundër një mbreti tjetër, nuk ulet më parë të gjykojë në se mund ta përballojë me dhjetë mijë atë që po i vjen kundër me njëzet mijë? Në mos, ndërsa ai është ende larg, i dërgon një delegacion për të biseduar për paqe” (Luka 14:31-32).

Nabali ishte treguar dorështrënguar. Abigaili u tregua bujare. Davidi më parë i kishte kërkuar Nabalit thjesht një furnizim minimal, por tani ai po merrte ushqime me shumicë. Davidit do t’i ishte bërë qejfi, po të kishte ngrënë qoftë edhe tepricat e gostisë, kurse tani Abigaili i dërgoi atij ushqimin më të mirë të festës. Gjithçka ishte e gatuar më së miri, gati për t’u ngrënë, kështu që Davidit s’i mbetej gjë tjetër veçse të ulej e të hante një banket, të paguar krejt prej Nabalit. “Armët e të pandershmit janë të poshtra; ai kurdis plane të këqija për të shkatërruar të mjerin me fjalë gënjeshtare, edhe kur i mjeri pohon të drejtën. Por njeriu fisnik mendon plane fisnike dhe i vë vetes qëllime fisnike” (Isaia 32:7-8). 

Përfundim

Kësaj pjese të jetës së Davidit do t’i vinte shumë shpejt fundi, po të mos kishte qenë Abigaili ajo, që u tregua e shkathët për ta zgjidhur situatën. E dimë gjithashtu se Perëndia po vepronte pas skenës. Ishte pikërisht Ai, që e frymëzoi si shërbëtorin, ashtu edhe gruan e Nabalit, që të bënin diçka për ta ballancuar marrëzinë, inatin dhe mosmirënjohjen e këtij njeriu të keq. “Nuk është koha për t’u marrë me gjëra të kota, kur rreziku është afër” (Mateo Henri).

Mbrapa