Ndërtimi dhe konkubinat

“Kështu Davidi u vendos në qytetin e fortifikuar dhe e quajti Qyteti i Davidit. Pastaj Davidi filloi të ndërtojë rreth e qark duke nisur nga Milo dhe në drejtim të pjesës së brëndshme. Davidi bëhej gjithnjë më i madh dhe Zoti, Perëndia i ushtrive, ishte me të. Pastaj Hirami, mbret i Tiros, i dërgoi Davidit lajmëtarë, dru kedri, zdrukthtarë dhe muratorë, që i ndërtuan një shtëpi Davidit. Atëherë Davidi u bind se Zoti po e vendoste si mbret të Izraelit dhe e lartësonte mbretërinë e tij për dashurinë që kishte për popullin e Izraelit. Pas arritjes së tij nga Hebroni, Davidi mori konkubina dhe bashkëshorte të tjera nga Jeruzalemi dhe kështu i lindën bij dhe bija të tjera. Këta janë emrat e bijve që i lindën në Jeruzalem: Shamua, Shobab, Nathan, Salomon, Ibhar, Elishua, Nefeg, Jafia, Elishama, Eliada, Elifelet” (2 Samuelit 5:9-16).

Parathënie

Në këto vargje, Davidin e shohim tek e konsolidon veten si mbret në kryeqytetin e ri të Izraelit. E shohim tek ndërton shtëpinë e tij dhe tek e shton familjen e vet me shumë fëmijë. Në këtë studim, pra, do t’i hedhim një sy të dyja aspekteve të projektit të tij ndërtimtar. Por, ashtu siç do ta shohim edhe në studimin e ardhshëm, një punë e tillë ka për t’u vënë re edhe prej filistenjve.

Qyteti

“Qyteti i fortifikuar” është qyteti i Jeruzalemit, i cili ishte një “kështjellë e fortë” (citat i marrë nga autori B. Dale). Jeruzalemi do të bëhej, pra, kryeqyteti i Davidit dhe fortesa e tij. Por ai duhej të tregohej i kujdesshëm, që të mos bëhej armiku i asnjërit prej fiseve, që përbënin tani kombin e bashkuar të Izraelit. Ngaqë Jeruzalemi ishte në kufi të Judës me Izraelin, atëherë si judenjtë, ashtu edhe izraelitët duhej të binin dakort me vendimin e Davidit, për ta bërë Jeruzalemin kryeqytetin e tërë vendit, edhe pse ai i përkiste në fakt territorit të fisit të Benjaminit (Jozueu 18:28). Më vonë, Jeruzalemi do të njihej me emrin “Qyteti i Davidit” dhe “Sioni”. “I madh është Zoti dhe meriton të lëvdohet në kulm në qytetin e Perëndisë tonë, në malin e tij të shenjtë. I bukur për nga lartësia e tij, gëzimi i gjithë dheut është mali i Sionit, nga ana e veriut, qyteti i Mbretit të madh” (Psalmi 48:1-2). Nuk mendojmë se Davidi u tregua mendjemadh, kur e quajti qytetin sipas emrit të tij. “Qyteti i Davidit” ndoshta ka kuptimin se ishte Davidi ai, që u përdor prej Perëndisë, për ta pushtuar qytetin. Ky emër vazhdoi të përdorej edhe në Dhiatën e Re (Luka 2:4, 11), madje përdoret edhe sot e kësaj dite, në një këngë të kënduar për Krishtlindje.

Ndërtimi

Davidi nisi një projekt ndërtimi, për ta përmirësuar dhe për ta zgjeruar qytetin. Këtu përfshihej edhe ndërtimi i një pallati mbretëror për veten e tij. Ka mundësi që, për shekuj me rradhë, Jeruzalemi të kishte vuajtur shumë prej pasojave të sulmeve të ndryshme, ndaj edhe qyteti kishte nevojë për t’u riparuar e për t’u mbrojtur edhe më mirë. Davidi u bë vetë mbikqyrësi i kësaj pune, ndërkohë që Joabi ishte përgjegjës për riparimin e pjesës tjetër të qytetit. “Pastaj ai bëri ndërtime përreth qytetit nga Milo dhe në gjithë perimetrin e tij; Joabi meremetoi pjesën tjetër të qytetit” (1 Kronikasve 11:8). “Milo ka të ngjarë të ketë qenë bashkia, apo godina e qeverisë afër murit të qytetit të Sionit” (Gjon Uesli). “Milo ndoshta ishte kulla qëndrore e atij muri të fortifikuar” (Xhejmisën, Foset dhe Braun).

Gjithashtu, ashtu siç përmendet edhe në tekstin e mësipërm, Davidi hapi rrugë tregare, për transportimin e drurit dhe të gurëve, që duheshin për të ndërtuar qytetin dhe pallatin e tij mbretëror. Si pasojë, Izraeli u pasurua tej mase. Hirami, mbreti i Tiros, ishte mëse i kënaqur, që të luante një rol në ndërtimin e Jeruzalemit. Ai më vonë siguroi materialet dhe fuqinë punëtore, për të ndërtuar Tempullin nën mbretërimin e Solomonit. Filistenjtë ishin armiq si të Izraelit, ashtu edhe të Tiros, ndaj edhe marrëdhëniet e mira ndërkombëtare mes të dyja kombeve kishin vërtet një rëndësi të madhe.

Konkubinat

Davidi mori gjithashtu edhe shumë konkubina dhe bashkëshorte nga Jeruzalemi, duke e shtuar kështu familjen e vet, si me të rritur, ashtu edhe me fëmijë. E kemi përmendur edhe më parë poligaminë e Davidit, të cilën nuk mund ta justifikojmë aspak. “Duket sikur ky ishte plani i Davidit, për ta shtuar familjen e tij e për t’i forcuar interesat e veta, nëpërmjet aleancave të ndryshme me një numër të konsiderueshëm familjesh të tjera” (Gjon Uesli). Por kjo do t’i kthehej Davidit në mallkim e jo në bekim. Poligamia dhe fëmijët, që rrodhën prej saj, nuk e përparuan aspak mbretërinë e Davidit, por i shkaktuan atij shumë dhimbje e probleme në jetë. Ka të ngjarë që Davidi të mendonte ashtu si bota, se prania e shumë bashkëshorteve dhe e fëmijëve të panumërt e bënte atë një mbret të vërtetë, sepse një mbret i Lindjes së Mesme vlerësohej e matej jo vetëm prej pasurisë, por edhe prej masës së haremit, që kishte. Adoptimi i metodave të botës për ta avancuar mbretërinë e Perëndisë gjithmonë përfundon në tragjedi. “Në qoftë se Zoti nuk ndërton shtëpinë, me kot lodhen ndërtuesit; në qoftë se Zoti nuk ruan qytetin, më kot e ruanë rojet” (Psalmi 127:1). “Davidi shkeli një ligj të njohur, që e ndalonte mbretin e Izraelit të merrte shumë gra për vete” (Xhejmisën, Foset dhe Braun). “Nuk duhet të ketë një numër të madh grash, me qëllim që zemra e tij të mos shthuret” (Ligji i Përtërirë 17:17). “Familja e Davidit u shtua në numër… Por a duhet ta lavdërojmë atë për këtë gjë? Jo, as nuk duhet ta lavdërojmë Davidin, as nuk duhet ta justifikojmë, madje as nuk duhet ta falim. Davidi kishte shumë bashkëshorte dhe, prapëseprapë, ky fakt nuk e ndaloi atë prej së lakmuarit të gruas së fqinjit të vet, duke kryer mëkat me të. Njeriu, kur e kalon kufirin, fillon e endet pa pushim, sa andej këtej” (Mateo Henri).           

Përfundim   

Këtu, pra, i shohim qartë si veprimet e mençura, ashtu edhe ato të pamençura të Davidit. Nga njëra anë, ai veproi pikërisht, ashtu siç e kishte planifikuar Zoti. Por, nga ana tjetër, ai ndoqi planet e tij mishore. Veprimet e para do të bëheshin bekim për të, kurse të dytat do të ktheheshin në një mallkim shkatërrues. Këtu shohim një njeri, që po mundohej të jetonte në të dyja kampet, e që më vonë, do të vuante pasojat e vendimeve të tij të gabuara. E megjithatë, teksti i studimit tonë na thotë se Zoti ishte me Davidin, duke e bekuar e duke e udhëhequr. “Atëherë Davidi e pranoi që Zoti e kishte vendosur mbret të Izraelit, sepse mbretëria e tij qe lavdëruar shumë për shkak të popullit të tij, Izraelit” (1 Kronikasve 14:2).

Mbrapa

Advertisements