Ndëshkim i Zjarrtë

“Në një zjarr flakërues, për t’u hakmarrë kundër atyre që nuk njohin Perëndi, dhe të atyre që nuk i binden ungjillit të Zotit tonë Jezu Krisht. Ata do të ndëshkohen me shkatërrim të përjetshëm, larg nga fytyra e Zotit dhe nga lavdia e fuqisë së tij” (2 Thesalonikasve 1:8-9).

Parathënie

Në studimin tonë të mëparshëm, vumë re se si apostulli Pal na e tërheq vëmendjen neve, lexuesve të tij, duke na thënë që të mos hakmerremi kundër askujt, që e urren Krishtin, kishën apo neve, si individë. Në këtë studim, ai na tregon se do të vijë dita, kur Perëndia do të merret Vetë me ata, që refuzojnë ta pranojnë Zotin Jezus Krisht si Shpëtimtar. Destinacioni i fundit për të gjithë ata, që nuk besojnë, është mallkimi i përjetshëm.

Zjarri flakërues

Është për t’u habitur fakti se ka akoma besimtarë sot, që thonë se një Perëndi i dashurisë nuk mund t’i ndëshkojë dot kurrë mëkatarët përjetësisht në Ferr. Përkundrazi, Ai do t’i çojë të gjithë njerëzit në Qiell. Por Bibla nuk na thotë kështu: “Dhe tashmë sëpata është në rrënjën e drurëve; çdo dru, pra, që nuk jep fryt të mirë, do të pritet dhe do të hidhet në zjarr” (Mateu 3:10). “Ashtu si mblidhet egjra dhe digjet në zjarr, kështu, do të ndodhë në mbarimin e botës. Biri i njeriut do të dërgojë engjëjt e vet dhe ata do të mbledhin nga mbretëria e tij gjithë skandalet dhe ata që bëjnë paudhësi, dhe do t’i hedhin në furrën e zjarrit. Atje do të ketë qarje dhe kërcëllim dhëmbësh” (Mateu 13:40-42). “Në qoftë se ndokush nuk qëndron në mua, hidhet jashtë si shermendi dhe thahet; pastaj i mbledhin, i hedhin në zjarr dhe digjen” (Gjoni 15:6). Perëndia i dashurisë është gjithashtu “një zjarr që konsumon” (Hebrenjve 12:29). Sytë e Krishtit, kur të vijë për ta gjykuar botën, do të jenë “si flakë zjarri” (Zbulesa 19:12). Ai do të hakmerret kundër të gjithë atyre, që nuk besojnë. “Mua më përket hakmarrja, unë kam për të shpaguar, thotë Zoti” (Romakëve 12:19).

Të ndëshkuar

Fjala “ndëshkoj” (tek 2 Thesalonikasve 1:9) do të thotë “të paguash pasojat”. “Njeriu mendjemprehtë e shikon të keqen dhe fshihet, por naivët shkojnë tutje dhe ndëshkohen” (Fjalët e Urta 27:12). Ndëshkimi nuk është i përkohshëm, apo për një periudhë të shkurtër kohe, por, përkundrazi, është i përjetshëm. “Sepse paga e mëkatit është vdekja, por dhuntia e Perëndisë është jeta e përjetshme në Jezu Krishtin, Zotin tonë” (Romakëve 6:23). Si “paga”, ashtu edhe “dhuntia” janë të përjetshme. Mateo Henri ka thënë: “Mëkatarët do të ndëshkohen një ditë, edhe pse, për momentin, Perëndia tregohet i duruar me ta. Ata kanë bërë punën e mëkatit, ndaj edhe duhet të marrin pagën e mëkatit”. “Dhe ata do të shkojnë në mundim të përjetshëm, dhe të drejtët në jetën e përjetshme” (Mateu 25:46).

Shkatërrimi

Fjala “shkatërrim” ka të bëjë me rrënimin absolut të mëkatarëve, e jo me asgjësimin, shfarosjen, apo zhdukjen e tyre, siç thonë disa kulte. “Sepse shumë nga ata, për të cilët ju kam folur shpesh, edhe tani po jua them duke qarë, ecin si armiq të kryqit të Krishtit, dhe fundi i tyre është humbje, perëndia i tyre është barku dhe lavdia e tyre është në turp të tyre; ata mendojnë vetëm për gjërat tokësorë” (Filipianëve 3:18-19). “Por ata që dëshirojnë të pasurohen, bien në tundim, në lak dhe në shumë pasione të paarsyeshme dhe të dëmshme, që i plandosin njerëzit në rrënim dhe shkatërrim” (1 Timoteut 6:9). Mësimi i rremë i një Perëndie dashurie, i Cili nuk mund t’i mallkojë dot kurrë njerëzit në Ferr, mund të duket një mësim, që të bën për vete. Por ata, që thonë të tilla gjëra, janë fajtorë, ngaqë po mallkojnë shpirtra të panumërt me mësimet e tyre.

Kë do të ndëshkojë Ai?

Pali na thotë se Perëndia do t’i gjykojë si ateistët, që thonë se nuk ka Zot, ashtu edhe ata që besojnë në Zot, por jetojnë njëlloj sikur Ai të mos egzistonte fare. Të dyja këto tipe njerëzish na paraqesin ata, që nuk kanë një marrëdhënie personale me Krishtin, e për këtë arsye, janë njëlloj fajtorë, ngaqë e kanë mohuar Atë si Shpëtimtar. Njerëz të tillë do të largohen njëherë e përgjithmonë nga prania e Tij. Gjon Uesli ka thënë: “Është e nevojshme që ata të ndalohen nga çdo e mirë, madje edhe nga mundësia e së mirës”. Ferri dhe Liqeni i Zjarrit nuk kanë të bëjnë me zhdukje apo shfarosje, por janë, në fakt, egzistenca e vetëdijshme e një torture të përjetshme për të gjithë ata, që nuk e ndjekin Krishtin. “Pastaj pashë një fron të madh të bardhë dhe atë që ulej mbi të, nga prania e të cilit iku dheu dhe qielli, dhe nuk u gjet vënd për ata. Dhe pashë të vdekurit, të mëdhenj e të vegjël, që rrinin në këmbë përpara Perëndisë, edhe librat u hapën; dhe u hap një libër tjetër, që është libri i jetës; dhe të vdekurit u gjykuan në bazë të gjërave të shkruara në libra, sipas veprave të tyre. Dhe deti i dorëzoi të vdekurit që ishin në të, dhe vdekja dhe Hadesi dorëzuan të vdekurit që ishin në ta; dhe ata u gjykuan secili sipas veprave të veta. Pastaj vdekja dhe Hadesi u flakën në liqenin e zjarrit. Kjo është vdekja e dytë. Dhe, nëse ndokush nuk u gjet i shkruar në librin e jetës, u flak në liqenin e zjarrit” (Zbulesa 20:11-15).

Përfundim

Parajsa dhe Ferri janë çështje, që kërkojnë një marrje vendimi personal prej gjithsecilit prej nesh. Njeriu e ka vetë në dorë ose për ta ndjekur, ose për ta mohuar Krishtin. Është pikërisht ky lloj vendimi i tillë, që përcakton se ku do ta kalojë ai/ajo përjetësinë. “Ndërsa qiejt dhe dheu i sotshëm janë ruajtur nga e njëjta fjalë për zjarrin, të rezervuar për ditën e gjyqit dhe të humbjes së njerëzve të pabesë” (2 Pjetrit 3:7).

Mbrapa

Advertisements