Ndiqmëni!

“Ndërsa po kalonte gjatë bregut të detit të Galilesë, ai pa Simonin dhe Andrean, vëllanë e tij, të cilët po hidhnin rrjetën në det sepse ishin peshkatarë. Dhe Jezusi u tha atyre: “Ndiqmëni dhe unë do t’ju bëj peshkatarë njerëzish”. Dhe ata i lanë menjëherë rrjetat dhe e ndoqën.” (Marku 1:16-18).

Parathënie

Tregimi nuk na flet as për motin e asaj dite, as për trupat fizikë të peshkatarëve. Nuk i dimë, p.sh. problemet që kishin, para se ta takonin Jezusin. A ishin judenj besnikë, që i zbatonin mësimet e ligjit, apo ishin thjesht fetarë? Nuk na thuhet asgjë, përveç faktit se Jezusi iu hyri në jetë dhe i ndryshoi përgjithmonë me thirrjen e Tij: “Ndiqmëni!”.

Po ti, a do ta ndjekësh Atë?

Pse e lanë gjithçka dishepujt, për ta ndjekur Jezusin? Ajo që i bëri ata, që të vepronin kështu, është thjesht fakti se e kuptuan se Jezusi po i prekte në zemër. Fjalët e Tij plot autoritet iu depërtuan në shpirt dhe nuk iu mbetej gjë tjetër, veç ta ndiqnin. Ka mundësi që Gjon Pagëzori t’iua kishte zbutur zemrat e t’i kishte përgatitur për këtë ditë. Ata madje mund ta kishin parë Jezusin të pagëzohej, por fakti qëndron këtu se nuk e ndoqën, derisa Ai i thirri. Nuk mund t’i rezistonin dot pranisë së Tij në mes tyre.

Me çfarë po merremi sot, që jemi aq të zënë me punë, saqë s’ka mbetur njeri që ta ndjekë Zotin? Nuk kemi kohë për ta dëgjuar zërin e Tij, ndaj edhe nuk e ndjekim. Por Ai akoma vazhdon të na thërrasë me durim. Zëri i Tij është ende i gjallë dhe i fuqishëm, ashtu siç ishte mbi 2 mijë vjet më parë, në breg të detit të Galilesë. Fryma e Shenjtë vazhdimisht kërkon të na tërheqë vëmendjen dhe të na bindë se duhet të ecim “pas gjurmës së tij” (1 Pjetrit 2:21). Është për të të ardhur keq se Ai na ka thirrur me mijëra herë, por nuk i jemi përgjigjur. Këta katër peshkatarë e ndoqën Jezusin me thirrjen e parë. Në këtë moment, nuk ka rëndësi se pse nuk e kemi ndjekur Atë në të shkuarën. Le ta ndjekim sot.

Ç’do të thotë ta ndjekësh Atë?

Së pari, duhet t’i bëjmë pyetje vetes, nëse jemi me të vërtetë gati për ta ndjekur Krishtin, sepse, përndryshe, kot që e diskutojmë këtë temë. Të qënit dishepull do të thotë t’i bindesh Atij. Por, edhe pse e marrim në konsideratë se sa shumë ka për të na kushtuar, po ta ndjekim Jezusin, prapëseprapë, le të mos i lejojmë mendimet tona, që të na bëhen pengesë. Ta ndjekësh Jezusin do të thotë ta marrësh kryqin, ta braktisësh jetën dhe prioritetet e tua dhe t’ia dorëzosh veten vetëm Atij. “Kushdo që do të vijë pas meje, të mohojë vetveten, të marrë kryqin e vet dhe të më ndjekë” (Marku 8:34).

A do të thotë kjo se do ta ndjekim vazhdimisht Krishtin me besnikëri çdo ditë të jetës sonë? Nuk ka mundësi që të ketë patur njeri në historinë e kishës, që ta ketë arritur një gjë të tillë. Prandaj edhe nuk ia vlen që të presim, derisa të bëhemi të përsosur. Të shumtë kanë qenë ata njerëz, të cilët e kanë harxhuar kot jetën, duke u përpjekur të bëhen absolutisht të përsosur, para se t’i përkushtohen Zotit. Mund të jenë lutur për këtë qëllim, madje edhe e kanë studjuar Biblën nga fillimi deri në fund, por në fakt, nuk kanë bërë atë, që iu ka kërkuar Jezusi, d.m.th. nuk e kanë ndjekur. Të jesh dishepull nuk do të thotë të jesh i përsosur, por i bindur ndaj Perëndisë. Bindja e forcon shpirtin e jo thjesht veprat e mira që bëjmë. Por të shkuarit pas Jezusit i duket si një gjë e thjeshtë atij që është fetar. Një njeri i tillë ka nevojë të bëjë vepra bamirësie, duke kujtuar se Perëndia kënaqet, kur ai vepron kështu. Por ajo që ka rëndësi, nuk është puna që bëjmë ne, por ajo që është në gjendje të bëjë Perëndia nëpërmjet nesh. Jezusi tha: “Ejani tek unë, o ju të gjithë të munduar dhe të rënduar, dhe unë do t’ju jap çlodhje. Merrni mbi vete zgjedhën time dhe mësoni nga unë, sepse unë jam zemërbutë dhe i përulur nga zemra; dhe ju do të gjeni prehje për shpirtrat tuaj. Sepse zgjedha ime është e ëmbël dhe barra ime është e lehtë!” (Mateu 11:28-30). Ta ndjekësh Jezusin do të thotë ta përqëndrosh vëmendjen tek Ai, jo tek vetvetja. Duhet ta vëzhgojmë se ç’bën Ai dhe ta kopjojmë atë që bën. Nuk duhet ta vrasim mendjen shumë rreth kuptimit të të qënit dishepull. Përkundrazi, duhet të jemi thjesht dishepujt e Tij, sepse i përkasim Atij.

Po, është e vërtetë se të shkuarit pas Jezusit ka pasojat e veta, disa prej të cilave nuk janë të këndshme për mishin. Por nuk duhet ta kemi mendjen tek pasojat. Dishepujt nuk e dinin se ku po i çonte Zoti. Ata thjesht i shkuan pas Atij. Le ta lëmë Atë, që të na drejtojë, sipas qejfit të Vet. “Unë jam dera; nëse dikush hyn nëpërmjet meje, do të shpëtohet; do të hyjë, do të dalë dhe do të gjejë kullotë” (Gjoni 10:9). Rruga në të cilën udhëtuan peshkatarët, nuk ishte e lehtë. Ajo qe një rrugë sakrifice, keqkuptimi, humbjeje, hidhërimi, dhimbjeje dhe vdekjeje. E megjithatë, pavarësisht nga ky çmim i lartë, ajo qe një rrugë shërbimi të gëzuar ndaj Zotit. Ku do të na çojë Jezusi, po ta ndjekim? Ai që na thotë që t’i shkojmë pas, e di se cila është rruga më e mirë për këmbët tona.

Përfundim   

Neve na takon, që ta marrim vendimin për ta pranuar thirrjen e për ta ndjekur Zotin. Nuk është Zoti Ai, që merr një vendim të tillë. Ai nuk i bën njerëzit me zor, që ta ndjekin, sepse, përndryshe, të gjithë do ta ndiqnin. Na e lë neve, që ta marrim vetë vullnetarisht vendimin. “Sepse shumë janë të thirrur, por pak janë të zgjedhur” (Mateu 22:14). Ky është, pra, një moment i rëndësishëm. A do ta humbim një mundësi të tillë, për ta ndjekur Krishtin, apo do t’ia dorëzojmë jetën Atij dhe do të shkojmë me Të, kudo që të na drejtojë? E ardhmja jonë është e lidhur me të ndjekurit e Krishtit. Kur i shkojmë pas Atij, i japim jetës sonë kuptim dhe qëllim. “Kur do të shkoni djathtas ose kur do të shkoni majtas, veshët e tu do të dëgjojnë prapa teje një fjalë që do të thotë: “Kjo është rruga, ecni në të!” (Isaia 30:21).

Mbrapa

Advertisements