Ndriçimi i shpirtit

“Dërgo dritën tënde dhe të vërtetën tënde; këto le të më udhëheqin dhe të më çojnë në malin tënd të shenjtë dhe në vendin e banesës sate” (Psalmi 43:3).

Parathënie
Fuqia shenjtëruese e Perëndisë brenda nesh nuk varet nga të ndriçuarit e nga të kuptuarit tonë shpirtëror. Po të ishte e vërtetë se kjo fuqi varej nga ndriçimi i shpirtit tonë, atëherë ç’lloj niveli ndriçimi do të na duhej të kishim për të kuptuar Perëndinë? Si do ta dinim se e kemi arritur atë nivel? Besimi vepron me një siguri më të plotë, kur shpirti është i ndriçuar nga Fryma e Perëndisë. Shumë besimtarë ngatërrohen lidhur me këtë çështje, sepse ata, jo vetëm që nuk kanë dijeni për qëllimet e djallit (2 Korintasve 2:11), por gjithashtu nuk e dinë se zemra dhe natyra e tyre janë të mashtruara, të gënjyera (Jeremia 17:9) dhe se Perëndia ka fuqi t’i çlirojë.

Shpirtrat në disfatë të vazhdueshme
Është e vërtetë të themi se të gjithë ne jemi në nivele të ndryshme të ndriçimit shpirtëror dhe se po rritemi çdo ditë e më shumë (në të kuptuarit e Fjalës). Por ka nga ata, që duken sikur janë në një gjendje të vazhdueshme disfate shpirtërore. Pse ndodh kjo?

Si fillim, duhet të theksojmë se nuk po sugjerojmë se këta njerëz (besimtarë) nuk janë të shpëtuar. Rilindja e re vepron fuqishëm në ndërgjegjen dhe vullnetin e një mëkatari të kthyer (tek Zoti). “Egoja” ose “Un-i” kryqëzohet me Krishtin dhe vullneti ndryshohet dhe bëhet një me Zotin (Galatasve 2:20). 
Nga ana tjetër, shenjtërimi ka të bëjë me “mëkatin që banon në mua” (Romakëve 7:17), me atë helm, që qëndron akoma i fshehur në dëshirat tona, në pasionet, kujtesën, mendjen dhe imagjinatën tonë, me atë helm, që e vë vazhdimisht vullnetin tonë të rinovuar dhe të transformuar nën tutelën e mëparshme shpirtërore.

Jo unë, por mëkati 
Ne të gjithë e dimë se ka diçka në zemrat tona, që është në kundërshtim me natyrën e re (shpirtërore). Ata që e kanë pranuar fjalën e Perëndisë, e kuptojnë nevojën për t’u shenjtëruar. “Un-i” i kryqëzuar me Krishtin është “Un-i” i transformuar dhe nuk na bën të pësojmë disfatë. Por është vetë mëkati, që na shkatërron. Ashtu si virusi, kur hyn në trup, shkakton sëmundje, ashtu edhe mëkati shkakton disfatë (shpirtërore). Ashtu siç virusi nuk është pjesë e trupit të njeriut, ashtu edhe mëkati nuk është pjesë e trupit të ri (shpirtëror). Shenjtërimi ka për qëllim ta çrrënjosë “mëkatin që banon në” secilin prej nesh (Romakëve 7:20). Ky mëkat e tregon veten e tij në shprehjet: “Nuk dua!”, “Nuk mundem!”, dhe “Nuk besoj!”- një trinitet korruptues i së keqes, që e helmon gjithë natyrën tonë. 
Nëse ia kemi dorëzuar me të vërtetë jetën tonë Krishtit dhe kemi vendosur ta ndjekim Atë me besnikëri, atëherë nuk e ka vullneti fajin. Nuk ia vlen që të përpiqemi ta përdorim vullnetin për t’i korrigjuar dhe për t’i pastruar zemrat tona. Fuqia pastruese duhet të vijë nga jashtë: është diçka jashtë kontrollit të “Un-it”. Kjo fuqi është gjaku i Jezusit, dhe është vetëm besimi, që e përshtat dhe e aplikon këtë gjak mbi shpirtrat tanë të stërmunduar dhe shpeshherë të mundur. 

Krishti u shfaq për të shkatërruar veprat e djallit
Si mund të çlirohemi prej së keqes, që është akoma e pranishme në natyrën tonë? Së pari, duhet ta pranojmë se këtë të keqe (këtë mëkat) nuk e mbollëm vetë brenda nesh me duart tona. Djalli na e futi në zemër nëpërmjet mashtrimit, por Biri i Perëndisë erdhi për të shkatërruar të gjitha veprat e djallit… “Kush kryen mëkat është nga djalli, sepse djalli mëkaton nga fillimi; prandaj është shfaqur Biri i Perëndisë: për të shkatërruar veprat e djallit” (1 Gjonit 3:8). E meqënëse ne vetë nuk mund ta çrrënjosim këtë mëkat, a nuk duhet që thjesht të besojmë tek Ai që mundet ta çrrënjosë? Dhe atëherë, në vend që të stërmundohemi me disfata të vazhdueshme, do të ecim në dritë dhe do të përulemi nën dorën e fuqishme të Perëndisë. 

Përgjegjësi personale
Kjo mund të duket shumë punë e lehtë, sikur po ia hedhim fajin dikujt tjetër për mëkatin. Nëse nuk e ka fajin “Un-i”, atëherë ç’rol luan përgjegjësia personale në këtë çështje? 

Perëndia nuk na e vë ne fajin pse kemi një natyrë mëkatare. Fakti është se ne jemi të lindur me një natyrë të tillë, nuk e kemi zgjedhur vetë. Megjithatë, Perëndia na vë neve përpara përgjegjësisë, kur ne e ruajmë këtë natyrë, sidomos kur Ai na e ka siguruar mjetin e përsosur për pastrimin e shpirtit. Vetëm krenaria, përtacia dhe mosbesimi na pengojnë ne që të mos e marrim shenjtërimin. 

Përfundim
Duhet që me gjithë zemër ta dëshirojmë që Krishti t’i shenjtërojë zemrat tona. Do ishte e lehtë ta gënjenim vetveten duke menduar, se meqënëse nuk është faji ynë, atëherë s’mund të bëjmë asgjë. Por një veprimi i tillë na sjell ndëshkim… “Tani gjykimi është ky: Drita erdhi në botë dhe njerëzit deshën errësirën më tepër se dritën, sepse veprat e tyre ishin të mbrapshta. Sepse kushdo që bën gjëra të mbrapshta e urren dritën dhe nuk vjen te drita, që të mos zbulohen veprat e tij; por kush bën të vërtetën vjen te drita, që veprat e tij të zbulohen, sepse u bënë në Perëndinë” (Gjoni 3:19-21). Ne mund ta besojmë se Perëndia do të na çlirojë nga mëkati brenda nesh dhe se do ta shohim punën e Tij të përfunduar tek ne.

Mbrapa

Advertisements