Në fillim (pjesa 3)

Në fillim Perëndia krijoi qiejt dhe tokën” (Zanafilla 1:1).

Parathënie

Evolucioni, i çfarëdo lloj forme qoftë ai, bie në kundërshtim me atë, që na mëson Bibla, lidhur me origjinën e këtij universi dhe jete në tokë. Ata të ashtu-quajtur ‘të krishterë’, të cilët besojnë në një teori të tillë, janë bërë armiq të Perëndisë, ngaqë nuk e kanë bazuar jetën e tyre tek fjala e Tij. Në këtë pjesë të studimit tonë, do të zbulojmë arsyen e evolucionit.

Themeli

Ajo, që na mëson Bibla rreth krijimit të botës, është pjesë themelore e besimit tonë të krishterë. Një besimtar, që e quan mith librin e Zanafillës, e ka quajtur gënjeshtar vetë Perëndinë. Për më tepër, një besimtar i tillë e ka humbur si besimin, ashtu edhe shpëtimin. Themeli, në të cilin bazohet e tërë Bibla, do të shkatërrohet plotësisht, po qe se nuk besojmë në një krijim të botës në gjashtë ditë, në një Adam dhe Evë të vërtetë, si edhe në një djall, që i magjepsi ata të dy. Sapo të fillojmë të themi se vargjet e para të Zanafillës janë fantazi, atëherë do t’i konsiderojmë edhe shumë mrekulli të tjera të Perëndisë si budallallëqe të pabesueshme. “Por në fillim të krijimit, Perëndia i bëri mashkull e femër” (Marku 10:6). E si mund të shpresojë njeriu se Shpëtimtari i shpirtit të tij do ta pranojë atë në Parajsë, nëse po ky njeri thotë se Jezusi nuk i dinte mirë të gjitha faktet, se Ai besonte në një mith dhe se Ai kishte nevojë për inteligjencën e Darvinit?

Mosbesimi

Të shumtë janë ata, që thonë se dyshimi dhe mosbesimi janë dy nga shkaqet kryesore e formulimit të teorisë së evolucionit dhe të miratimit të saj prej shkencëtarëve dhe sistemit arsimor të kësaj bote. Njerëz të tillë, duke e hedhur poshtë atë që thotë Bibla lidhur me krijimin, nuk e shohin të nevojshme ta pranojnë Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e tyre personal. Kjo është pak a shumë e vërtetë, sepse vetë Zoti Jezus Krisht i tha Nikodemit: “Në qoftë se ju fola për gjërat tokësore dhe ju nuk besoni, si do të më besoni nëse ju flas për gjërat qiellore?” (Gjoni 3:12). Është e vërtetë se mendja e atij që nuk beson në Zot, nuk arrin ta kuptojë dot fjalën e shfaqur të Perëndisë. “Në fakt mendja e kontrolluar nga mishi është armiqësi kundër Perëndisë, sepse nuk i nënshtrohet ligjit të Perëndisë dhe as nuk mundet” (Romakëve 8:7)… “Dhe njeriu natyror nuk i rrok gjërat që janë të Frymës së Shenjtë; sepse për të janë marrëzi dhe nuk mund t’i njohë; sepse ato gjykohen frymërisht” (1 Korintasve 2:14). Me pak fjalë, pra, ata që besojnë tek teoria e evolucionit, nuk janë të shpëtuar. “Sepse drejtësia e Perëndisë është zbuluar në të nga besimi në besim siç është shkruar: “I drejti do të jetojë me anë të besimit” (Romakëve 1:17).

Arsyeja

Siç e pamë më lart, mosbesimi i Biblës është një nga arsyet, (por jo arsyeja kryesore) që i shkakton njerëzit të besojnë në teorinë e evolucionit. Teoria e evolucionit nuk i ka rrënjët tek shkenca, por tek mëkati. Është pikërisht mëkati ai, që nxorri në dritë një nga konceptet më të neveritshme të njohura ndonjëherë prej njeriut. Teoria e evolucionit e pati fillimin e saj brenda mendjes së Satanait, kur ai vetë e pyeti Evën: “A ka thënë me të vërtetë Perëndia” (Zanafilla 3:1). E bëri këtë pyetje, jo me qëllim që Eva t’i arsyetonte gjërat vetë, por, përkundrazi, që të sillte mëkatin në botë, nëpërmjet mosbindjes ndaj fjalës së Perëndisë. Nuk ishte tundimi, por mëkati ai, që solli të ligën dhe vdekjen. “Prandaj, ashtu si me anë të një njeriu të vetëm mëkati hyri në botë dhe me anë të mëkatit vdekja, po ashtu vdekja u shtri tek të gjithë njerëzit, sepse të gjithë mëkatuan” (Romakëve 5:12).

Teoria e evolucionit është e rrënjosur në mëkat. Me pak fjalë, pra, njeriu ka zgjedhur teorinë e evolucionit si një alternativë ndaj fjalës së shfaqur të Perëndisë, ngaqë ai do të mëkatojë, pa u ndjerë fajtor prej shenjtërisë hyjnore. Kaini gjeti një rrugë tjetër për t’iu afruar Perëndisë, ngaqë “mëkati [po e ruante] tek porta” (Zanafilla 4:7). Kur e kuptojmë këtë fakt, atëherë e kuptojmë arsyen pse njerëzit marrin vendim për të besuar në teorinë e evolucionit, në vend që të vijnë tek Krishti për shpëtim. “Por ju nuk doni të vini tek unë që të keni jetën” (Gjoni 5:40)… “Tani gjykimi është ky: Drita erdhi në botë dhe njerëzit deshën errësirën më tepër se dritën, sepse veprat e tyre ishin të mbrapshta. Sepse kushdo që bën gjëra të mbrapshta e urren dritën dhe nuk vjen te drita, që të mos zbulohen veprat e tij” (Gjoni 3:19-20).

Teoria e evolucionit i jep njeriut rastin për ta hedhur poshtë ligjin e Perëndisë e për të mëkatuar, pa patur frikë se do të gjykohet një ditë. Njerëzimi, duke përfshirë këtu edhe Çarls Darvinin, donte të mëkatonte e të bënte si t’i donte qejfi dhe e vetmja mënyrë për t’ia arritur kësaj ishte duke e hequr mendjen prej çdo lloj njohurie, që kishte lidhje me Perëndinë. “Dhe meqenëse nuk e quajtën me vend të njihnin Perëndinë, Perëndia i dorëzoi në një mendje të çoroditur, për të bërë gjëra të pahijshme, duke qenë të mbushur plot me çdo padrejtësi, kurvërim, mbrapshtësi, lakmi, ligësi; plot smirë, vrasje, grindje, mashtrim, poshtërsi, mashtrues, shpifës, armiq të Perëndisë, fyes, krenarë, mburravecë, trillues ligësish, të pabindur ndaj prindërve, të paarsyeshëm, të pabesë, pa dashuri të natyrshme, të papajtueshëm, të pamëshirshëm” (Romakëve 1:28-31). Teoria e evolucionit ia grabit njerëzimit jo vetëm shpëtimin, por edhe fuqinë për të arsyetuar siç duhet. Prandaj edhe fëmijëve sot iu mësohet në shkollë se kanë ardhur prej majmunit, në vend që t’iu thuhet se janë krijuar sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë. Ata nuk dinë gjë fare as për Krijuesin, as për krijimin. “Por kujto Krijuesin tënd në ditët e rinisë sate” (Predikuesit 12:1). Prandaj edhe nuk do të mund të shpëtojnë dot prej gjyqit, që po afron. “Sepse zemërimi i Perëndisë zbulohet nga qielli për çdo pabesi e padrejtësi të njerëzve, që mbysin të vërtetën në padrejtësi” (Romakëve 1:18).

Përfundim

Sepse njerëzit do të jenë egoistë, lakmues parash, mburravecë, krenarë, blasfemues, të pabindur ndaj prindërve, mosmirënjohës, të paudhë, të padhembshur, të papajtueshëm, shpifës, të papërmbajtur, mizorë, që s’e duan të mirën, tradhtarë, kokëshkretë, fodullë, dëfrimdashës më fort se perëndidashës, të perëndishëm në dukje, por mohues të fuqisë së saj; edhe nga këta largohu” (2 Timoteut 3:2-5).

Ata që besojnë se Bibla është e vërteta, e kanë për detyrë që ta predikojnë, ta mësojnë e ta mbrojnë atë. Por, së pari, duhet ta studjojmë atë për veten tonë, që të mund t’iu tregojmë të tjerëve se kush është Perëndia. “Madje shenjtëroni Zotin Perëndinë në zemrat tuaja dhe jini gjithnjë gati për t’u përgjigjur në mbrojtjen tuaj kujtdo që ju kërkon shpjegime për shpresën që është në ju, por me butësi e me druajtje” (1 Pjetrit 3:15). Ka raste, kur do të na duhet ta hedhim poshtë teorinë e evolucionit. Por, s’ka dyshim se do të na duhet gjithashtu, që t’i ndihmojnë ata, që besojnë në një teori të tillë, ta shohin se janë mëkatarë, që kanë nevojë për Shpëtimtarin. “Kjo fjalë është e sigurt e denjë për t’u pranuar plotësisht, që Krishti Jezus erdhi në botë për të shpëtuar mëkatarët” (1 Timoteut 1:15). Ata, që thonë se janë të shpëtuar, por që mbeten të bindur se teoria e evolucionit është e vërteta, nuk bëjnë gjë tjetër veçse shkatërrojnë veten. “Duke pasur besim dhe ndërgjegje të mirë, sepse disa, duke e hedhur poshtë, u bënë lundërthyerje në besim” (1 Timoteut 1:19)… “Në fakt cilësitë e tij të padukshme, fuqia e tij e përjetshme dhe hyjnia e tij, duke qenë të dukshme nëpërmjet veprave të tij që nga krijimi i botës, shihen qartë, me qëllim që ata të jenë të pafalshëm” (Romakëve 1:20). Pak rëndësi ka sesa të drejta mund të duken justifikimet e atyre, që nuk pranojnë të vijnë tek Krishti për shpëtim. Prapëseprapë, duhet të mos harrojmë se ndërgjegja e njerëzve të tillë është e ndotur prej mëkatit.

Mbrapa