Në luginë

Davidi ishte biri i atij Efrateut të Betlemit të Judës, që mbante emrin Isai dhe kishte tetë bij. Në kohën e Saulit, ky njeri ishte i plakur dhe i shtyrë në moshë. Tre bijtë më të mëdhenj të Isait kishin shkuar në luftë me Saulin: emrat e tre bijve të tij që kishin shkuar në luftë ishin: Eliabi, i parëlinduri, Abinadabi i dyti dhe Shamahu i treti. Davidi ishte më i riu dhe tre më të mëdhenjtë kishin shkuar pas Saulit. Davidi përkundrazi shkonte dhe vinte nga Sauli për të kullotur kopenë e atit të tij në Betlem. Filisteu u dilte përpara në mëngjes dhe në mbrëmje, dhe vazhdoi të dalë dyzet ditë me radhë. Isai i tha Davidit, birit të tij: “Merr për vëllezërit e tu një efë nga ky grurë i pjekur dhe dhjetë bukë dhe çoji shpejt vëllezërve të tu në kamp. Dërgo edhe këto dhjetë forma djathi komandantit të mijëshes së tyre; shiko si janë vëllezërit e tu dhe më sill një peng nga ana e tyre. Sauli me gjithë vëllezërit e tu dhe gjithë burrat e Izraelit janë në luginën e Terebintit për të luftuar Filistejtë”” (1 Samuelit 17:12-19).

Parathënie

Goliathi po krekosej mbi majën e malit, kurse ushtria izraelite po dridhej nga frika në luginën e Elahit. Izraelitët i kishin humbur fare shpresat për fitore. I kishte zënë frika dhe nuk i ngjiteshin dot malit për ta shkatërruar atë, që po merrte nëpër gojë emrin e Perëndisë e po tallej me popullin e Izraelit.

Furnizime të freskëta

Isai ishte bërë merak për tre djemtë e tij, Eliabin, Abinadabin dhe Shamahun, të cilët kishin shkuar vullnetarisht në betejë, në ushtrinë e Saulit. Isai ndoshta e kishte marrë vesh se beteja kundër filistenjve nuk po shkonte aq mirë, ngaqë lugina e Elahut ishte afër Bethlehemit. Ai donte të dinte nëse bijtë e tij ishin akoma gjallë, prandaj edhe dërgoi furnizime me ushqime për komandantin e batalionit. “Ushtarët ishin vullnetarë, ose forca rezerviste, që furnizoheshin herë pas here prej miqve apo anëtarëve të familjes me ushqime” (Nga komentimi që i bëjnë Biblës autorët Xhejmisën, Foset dhe Braun).

Është interesant fakti, që Isai dërgoi Davidin, birin e tij më të vogël, në një vend me shumë rrezik, edhe pse të gjithë e konsideronin atë si “djalosh” (1 Samuelit 17:56). Isai nuk shkoi vetë, ngaqë ishte i moshuar. Po qe se Davidi ishte thjesht një djalë i vogël, siç e përshkruajnë librat me figura për fëmijë, atëherë i ati u tregua jo vetëm i marrë, por gjithashtu edhe i shkujdesur. Por Davidi nuk ishte fëmijë. Isai e dinte se ai ishte i shkathët, i fortë dhe me plot kurajo. E gjithë familja e konsideronin Davidin si “një njeri të fortë dhe trim, të shkathët në luftim” (1 Samuelit 16:18). Ka shumë të ngjarë që Davidi të mos ketë qenë akoma 20-vjeç, prandaj edhe nuk i plotësonte kushtet e pranimit në ushtri. “…Duke numëruar emrat e të gjithë meshkujve, një për një, nga mosha njëzet vjeç e lart, të gjithë ata që ishin të aftë të shkonin në luftë” (Numrat 1:22). Kjo na tregon gjithashtu edhe marrëzinë e mbretit Saul, sepse ai e kishte bërë Davidin “shqyrtar” (ose mbartësin e mburojës së mbretit) (1 Samuelit 16:21).

Dyzet ditë

Për dyzet ditë me rradhë, Goliathi e kishte vënë në lojë ushtrinë izraelite. Për dyzet ditë me rradhë, askush nuk ishte treguar trim, për të luftuar kundër armikut të Perëndisë. Është e qartë se ushtarët ishin lodhur së dëgjuari herë pas here të sharat dhe fyerjet, që vinin prej malit. Por, në të njëjtën kohë, mund ta imagjinojmë Goliathin të lodhur prej kësaj shfaqjeje teatrale, të luajtur prej tij, dy herë në ditë, për dyzet ditë me rradhë. Numri “dyzet” është një numër i rëndësishëm në Bibël, sepse është numri i gjykimit, ose i sprovës. Gjatë përmbytjes së botës, ra shi për dyzet ditë (Zanafilla 7:5-10). Moisiu ishte dyzet vjet në pallatin e faraonit (Veprat e Apostujve 7:20-23). Populli i Izraelit i ra rrotull shkretëtirës për dyzet vjet me rradhë (Eksodi, Nehemia 9:21). Zoti Jezus Krisht kaloi dyzet ditë në shkretëtirë, i tunduar prej Satanait (Mateu 4:1-11, Luka 4:1-13).  

Përfundim 

Pse nuk ishte regjistruar Davidi në ushtri, për të luftuar kundër filistenjve, meqë ishte “i fortë dhe trim“? Pse nuk e thirrën që t’i binte harpës, për t’iu dhënë zemër ushtarëve të tjerë? Pavarësisht se ishte trim, Davidi, siç do ta shohim edhe në studimet e ardhshme, ishte thjesht një bari, i pastërvitur në artin e luftimit. Përgjigja ndaj të gjitha këtyre pyetjeve qëndron tek koncepti i kohës së Perëndisë dhe i planit të Tij të përsosur. Davidi shkoi në betejë në kohën e duhur, për t’i sjellë lavdi Perëndisë dhe fitore Izraelit.

Mbrapa

Advertisements