Nënshtetësia e krishterë

“Ju veç, silluni në mënyrë të denjë në ungjillin e Krishtit, që, kur të vij e t’ju shoh, ose nga larg kur s’jam aty, të dëgjoj për ju se qëndroni fort në një frymë të përbashkët, duke luftuar bashkë me një shpirt për besimin e ungjillit, duke mos u lënë të trembeni në asnjë gjë nga kundërshtarët; kjo është për ta një provë humbjeje, kurse për ju shpëtimi, edhe kjo nga ana e Perëndisë. Sepse juve ju është dhënë hiri për hir të Krishtit, jo vetëm që të besoni në të, por edhe të vuani për të, duke patur të njejtën beteje që e patë në mua, dhe tani po dëgjoni që është në mua” (Filipianëve 1:27-30).

Parathënie

Përshtypja e mirë apo e keqe që kanë për ungjillin ata që nuk e njohin Krishtin, varet nga mënyra se si jetojnë besimtarët e krishterë. Të krishterët duhet të njihen prej të tjerëve si njerëz, që i dalin përkrah shenjtërisë dhe perëndishmërisë, e jo si njerëz hipokritë apo kompromentues.

Politika jonë

Fjala “sjellje” ka kuptime të ndryshme në Bibël. Zakonisht ajo përkthehet si ‘mënyrë jetese’. Në fakt, fjala ‘politikë’ e ka prejardhjen prej fjalës greke ‘politeuesthe’, që do të thotë ‘sjellje’. Kështu, pra, ungjilli është politika jonë, ngaqë ungjilli është ai, që na e kontrollon mënyrën e të sjellurit dhe të të jetuarit në shoqëri. A është “e denjë” sjellja jonë, apo e turpërojmë ungjillin? Duhet të jetojmë në mënyrë të atillë, që t’i sjellim lavdi dhe nder Zotit. Nëse i vëmë qëllim vetes për të qenë nënshtetas të mirë të Qiellit, atëherë do ta kënaqim Perëndinë, duke shkëlqyer për Të këtu në tokë. Në greqisht, pasazhi i mësipërm na tregon se të krishterët duhet të jetojnë, duke e patur Parajsën gjithmonë në mendje.

Sipas vlerësimit që bën Bibla, një kishë nuk është e mirë nga numri i anëtarëve që ka, por nga mënyra se si sillen ata me botën që i rrethon. Është interesant fakti se Pali iua shkroi këto fjalë kishës së filipianëve, ngaqë Filipeu konsiderohej si “Roma e vogël” dhe ishte krenar që ishte koloni e perandorisë romake. Përfaqësuesit zyrtarë të Filipeut donin që çdo qytetar atje, edhe pse nuk ishte me trup në Romë, të jetonte prapëseprapë vetëm për perandorin e Romës. Kjo duhej vënë re në gjuhën që flisnin, në mënyrën si visheshin, në zakonet dhe traditat që mbanin në jetën e përditshme. “Dhe dita e Zotit do të vijë si një vjedhës natën; atë ditë qiejt do të shkojnë me krismë, elementët do të shkrihen nga të nxehtit dhe veprat dhe toka që janë në të do të digjen krejt. Përderisa të gjitha këto gjëra duhet të shkatërrohen, si të mos duhet të keni një sjellje të shenjtë dhe të perëndishme, duke pritur dhe shpejtuar ardhjen e ditës së Perëndisë, për shkak të së cilës qiejt marrin flakë do të treten, dhe elementët të konsumuar nga nxehtësia do të shkrihen? Por ne, sipas premtimit të tij, presim qiej të rinj dhe toka të re, në të cilët banon drejtësia” (2 Pjetrit 3:10-13).

Asnjë besimtar dhe asnjë kishë nuk duhet ta çnderojë apo ta turpërojë kauzën e Krishtit, duke jetuar në kundërshtim me fjalën e zbuluar të Perëndisë. Nëse themi se i besojmë ungjillit, atëherë duhet të jetojmë në mënyrë të denjë, duke u sjellë mirë, me drejtësi e shenjtëri. “ në çdo gjë të nderojnë mësimin e Perëndisë, Shpëtimtarit tonë” (Titit 2:10)… “Edhe veshët njeriun e ri, që përtërihet në njohurinë sipas shëmbullit të atij që e krijoi…Vishuni, pra, si të zgjedhur të Perëndisë, shenjtorë dhe të dashur, me dhembshuri të brendshme, mirësinë, përulësinë, zemërbutësinë dhe me durimin, duke duruar njeri tjetrin dhe duke falur njeri tjetrin, nëqoftëse dikush ankohet kundër një tjetri; dhe sikundër Krishti ju ka falur, ashtu bëni edhe ju. Dhe, përmbi të gjitha këto gjëra, vishni dashurinë, që është lidhja e përsosmërisë” (Kolosianëve 3:10, 12-14).

Pozita jonë

Kisha duhet të jetë e bashkuar, sepse, ashtu si edhe ushtarët në betejë, edhe neve na duhet të qëndrojmë të fortë së bashku për ungjillin. Duhet të bashkohemi kundra armikut të së vërtetës e jo t’i kundërvihemi njëri-tjetrit. Mungesa e bashkimit vërteton se nuk jemi miq të vërtetë të Krishtit. “Sepse shumë nga ata, për të cilët ju kam folur shpesh, edhe tani po jua them duke qarë, ecin si armiq të kryqit të Krishtit” (Filipianëve 3:18). Djalli kërkon ta mundë kishën, duke përdorur taktikën: “Përça e sundo!”. “Tani vëllezër, ju bëj thirrje në emër të Zotit tonë Jezu Krishtit të flisni që të gjithë të njëjtën gjë dhe të mos keni ndasi midis jush, por të jeni plotësisht të bashkuar, duke pasur një mendje dhe një vullnet” (1 Korintasve 1:10)… “Duke u përpjekur të ruani unitetin e Frymës në lidhjen e paqes” (Efesianëve 4:3). “Uniteti i Frymës” ka të bëjë me mënyrën e denjë të të jetuarit, ndërsa i shërbejmë Zotit. “Unë, pra, i burgosuri për Zotin, ju bëj thirrje që të ecni denjësisht sipas thirrjes për të cilën u thirrët, me çdo përulësi e zemërbutësi, me durim, duke e duruar njëri-tjetrin në dashuri, duke u përpjekur të ruani unitetin e Frymës në lidhjen e paqes” (Efesianëve 4:1-3).

Në pasazhin në hyrje të këtij studimi, si edhe tek Filipianëve 4:3, shprehja “të luftuarit bashkë” përdoret në fushën e sportit, për të përshkruar përpjekjet e mëdha që bëjnë mundësat në një ndeshje mundjeje. Vini re, pra, se si Pali i nxit besimtarët që të luftojnë së bashku e jo kundra njëri-tjetrit. Pikësynimi ynë duhet të jetë që ta largojmë të keqen prej kishës, d.m.th. na duhet ta hedhim poshtë çdo gjë, apo çdo njeri, që mundohet për ta shkatërruar të vërtetën apo unitetin e kishës. Duhet të punojmë së bashku, si një skuadër, për ta mundur armikun e përbashkët dhe për ta mposhtur të gjithë opozitën. “Shumë të dashur, ndërsa isha ngulmues që t’ju shkruaja për shpëtimin e përbashkët, ndjeva nevojën t’ju shkruaj juve, dhe t’ju bëj thirrje të luftoni për besimin, që u qe trasmetuar shenjtorëve një herë e përgjithmonë” (Judës, vargu 3)… “Jini të përmbajtur, rrini zgjuar; sepse kundërshtari juaj, djalli, sillet rreth e qark si një luan vrumbullues, duke kërkuar cilin mund të përpijë. Kundërshtojeni, duke qëndruar të patundur në besim, sepse e dini se të njëjtat vuajtje po i heqin vëllezërit tuaj të shpërndarë nëpër botë” (1 Pjetrit 5:8-9). Kur një anëtar skuadre del jashtë fushe, ose kërkon të duket mbi të tjerët, atëherë një veprim i tillë i bën dëm të gjithë lojtarëve të tjerë, duke shkaktuar madje edhe humbjen e ndeshjes.

Persekutimi ynë

Mësuesit e rremë dhe autoritetet zyrtare gjithmonë do të përpiqen për të na frikësuar, me qëllim që ta kompromentojmë besimin tonë. Njerëz të tillë do të mundohen të na e çnderojnë Zotin, por ne duhet të vazhdojmë ta lavdërojmë Atë edhe më shumë. Nëse i qëndrojmë besnikë së vërtetës, do ta shohim se kemi për t’u ballafaquar me zemërimin e Satanait. Prandaj edhe neve, ashtu si Palit, do të na nevojitet fuqia e Perëndisë, për t’iua predikuar dhe për t’iua mësuar të tjerëve me besnikëri fjalën e Tij. Besnikëria është një element i rëndësishëm i dëshmisë sonë për Krishtin. Armiqtë e Perëndisë gjithmonë kanë për të na kërcënuar me burgosje apo me persekutim, por të gjithë ata, që i kundërvihen ungjillit, kanë për të përfunduar në Ferr, përgjithmonë të dëshpëruar për atë që kanë bërë.

Të jetuarit për Krishtit ka pasojat e veta. Pali përdor fjalën greke ‘agona’, që do të thotë ‘vuajtje’, duke na treguar kështu se jeta e krishterë nuk është fushë me lule. Kjo fjalë përdorej gjithashtu edhe për të përshkruar agoninë, që vuante atleti, për t’ia arritur qëllimit. Tek 2 Timoteut 3:12, Pali na thotë se “të gjithë ata që duan të rrojnë me perëndishmëri në Krishtin Jezus do të përndiqen”. Edhe Jezusi i paralajmëroi pasuesit e Tij për një opozitë të tillë. “Atëherë do t’ju dorëzojnë në mundime dhe do t’ju vrasin; dhe të gjithë kombet do t’ju urrejnë për shkak të emrit tim” (Mateu 24:9). Pjetri na thotë gjithashtu: “Shumë të dashur, mos ju duket çudi për provën e zjarrit që u bë ndër ju për t’ju provuar, se si ju ndodhi diçka e jashtëzakonshme. Por gëzohuni, duke qenë pjestarë të mundimeve të Krishtit, që edhe në zbulesën e lavdisë së tij të mund të gëzoheni dhe të ngazëlloheni. Në qoftë se ju fyejnë për emrin e Krishtit, lum ju, sepse Fryma e lavdisë dhe Fryma e Perëndisë prehet mbi ju; nga ana e tyre ai blasfemohet, kurse nga ana juaj ai përlëvdohet… por, nëse dikush vuan si i krishterë, le të mos ketë turp, por le të përlëvdojë Perëndinë për këtë” (1 Pjetrit 4:12-14, 16).

Persekutimi tregon se armiqtë tanë e kanë humbur tanimë betejën dhe se një ditë do të pësojnë disfatë përfundimtare. Ata që qëndrojnë të fortë në kohë të vështira, e tregojnë veten se janë me të vërtetë pasues besnikë të Zotit. Pali ishte shembull besnikërie në periudhën e persekutimit, ndaj edhe ne nuk duhet ta humbim besimin, kur beteja bëhet akoma edhe më e ashpër. ‘Luftojmë’, për të marrë çmimin, që na jep vetëm Krishti. “Prandaj edhe ne, duke qenë të rrethuar nga një re kaq e madhe dëshmimtarësh, duke hedhur tej çdo barrë dhe mëkatin që na qarkon vazhdimisht duke na joshur, le të rendim me durim në udhën që është përpara nesh” (Hebrenjve 12:1).                   

Përfundim                                         

Është e pamundur që një kishë të qëndrojë e bashkuar në kohë persekutimi, nëse anëtarët e saj nuk janë të bashkuar në unitetin e besimit. Uniteti është një bekim tepër i madh, që nuk duhet neglizhuar. “Ja, sa e mirë dhe e kënaqshme është që vëllezërit të banojnë bashkë në unitet! Është si vaji i çmuar i shpërndarë mbi krye, që zbret mbi mjekrën e Aaronit, që zbret deri në cep të rrobave të tij. Është si vesa e Hermonit, që zbret mbi malet e Sionit, sepse atje Zoti ka vënë bekimin, jetën në përjetësi” (Psalmi 133).

Mbrapa

Advertisements