Ngritja e Krishtit në Qiell dhe Mandati i Apostujve

Kemi arritur në studimin përfundimtar të Ungjillit sipas Markut. Këtu shohim atë që zakonisht quhet “Mandati i Madh”, që Zoti iu dha apostujve të Tij. Si rezultat, ky mandat duhet të zbatohet prej të gjithë pasuesve të Jezus Krishtit. Gjithashtu, në pasazhin e mëposhtëm, na jepet një përmbledhje e shkurtër e ngritjes së Krishtit lart në Qiell.

Aktiviteti i Madh

Pastaj u tha atyre: “Dilni në mbarë botën dhe i predikoni ungjillin çdo krijese” (Marku 16:15).

Shkoni, pra, dhe bëni dishepuj nga të gjithë popujt duke i pagëzuar në emër të Atit e të Birit e të Frymës së Shenjtë, dhe duke i mësuar të zbatojnë të gjitha gjërat që unë ju kam urdhëruar. Dhe ja, unë jam me ju gjithë ditët, deri në mbarim të botës. Amen” (Mateu 28:19-20). E tërë bota ka nevojë për të dëgjuar lajmin e mirë rreth Jezus Krishtit, sepse, në çdo pjesë të globit, njerëzit janë njëlloj, d.m.th. janë mëkatarë, të korruptuar dhe armiq të Perëndisë, ndaj kanë nevojë për shpëtimin me anë të gjakut. Pavarësisht se ku jetojnë fëmijët e Adamit, qofshin ata paganë, myslimanë, katolikë, ateistë, të bardhë, të zinj, të kuq apo të verdhë, prapëseprapë, ata nuk kanë shenjtëri, besim, njohuri për Perëndinë, apo shpëtim. Perëndia “i urdhëron të gjithë njerëzit dhe kudo që të pendohen” (Veprat e Apostujve 17:30)… “Dhe në asnjë tjetër nuk ka shpëtim, sepse nuk ka asnjë emër tjetër nën qiell që u është dhënë njerëzve dhe me anë të të cilit duhet të shpëtohemi” (Veprat e Apostujve 4:12). Mesazhi i shpëtimit duhet t’i ofrohet falas gjithë njerëzimit, sepse, përndryshe, vargu i famshëm ungjillor bëhet i pavlefshëm: “Sepse Perëndia e deshi aq botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindurin, që, kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme” (Gjoni 3:16). Ata që presupozojnë se janë mes të zgjedhurve të Perëndisë, shpesh e kufizojnë gjakun shpëtim-dhënës të Krishtit, duke thënë se Ai iu jep shpëtim vetëm pak vetave. Por Bibla nuk thotë asgjë rreth një doktrine të tillë të neveritshme: “Dhe Fryma dhe nusja thonë: “Eja!”. Dhe ai që dëgjon le të thotë: “Eja!”. Dhe ai që ka etje, le të vijë; dhe ai që do, le të marrë si dhuratë ujin e jetës” (Zbulesa 22:17). Perëndia “nuk do që ndokush të humbasë, por që të gjithë të vijnë në pendim” (2 Pjetrit 3:9). Në Shënimet e tij mbi Dhiatën e Re, Xhon Uesli shkroi kështu: “Zoti ynë flet pa kufizime. Prandaj, në çdo epokë, nëse ka patur ndonjë krijesë, që nuk e ka dëgjuar Perëndinë, atëherë, ose ata që duhej të predikonin, ose ata që duhej ta kishin dëgjuar fjalën e Tij, ose që të dyja palët, janë fajtorë, ngaqë e kanë shkuar dëm këshillën e Perëndisë”.

Pranimi i madh

Ai që beson dhe është pagëzuar, do të jetë i shpëtuar; por ai që nuk ka besuar, do të jetë i dënuar” (Marku 16:16).

Ata që e kanë vendosur besimin e tyre tek Krishti, duhet të pagëzohen me pagëzimin e të zhyturit plotësisht në ujë. Ata që besojnë e që janë të pagëzuar, janë të shpëtuar. Por ata që nuk besojnë, janë të humbur. Shumica e njerëzve kujtojnë se, ngaqë janë pagëzuar, kur ishin foshnjë, ata janë anëtarë të kishës së Krishtit. Por, nga ky varg e shohim se është e pamundur që foshnjet të arrijnë ta kuptojnë të predikuarit e Ungjillit dhe domosdoshmërinë e tyre për Shpëtimtarin. Kombi ynë është i mbushur plot e përplot me njerëz, që janë të pagëzuar, por nuk janë të shpëtuar. Mungesa e besimit në Jezusin iua ka mallkuar shpirtin. Ata që e mësojnë dhe e vënë në praktikë pagëzimin e foshnjeve, në fakt, janë fajtorë, sepse po i çojnë shpirtrat e njerëzve drejt rrugës së humbjes. E megjithatë, çdo njeri duhet ta marrë në konsideratë faktin se, një ditë, ai vetë do të qëndrojë përpara fronit të Perëndisë: “Po të ishin të urtë do ta kuptonin këtë, do të merrnin parasysh fundin që i pret” (Ligji i Përtërirë 32:29). Mesazhi i shpëtimit duhet të përmendë si Qiellin (Parajsën), ashtu edhe Ferrin.

Shpërndarja e Dhuratave

Dhe këto janë shenjat që do t’i përcjellin ata që do të besojnë: në emrin tim ata do t’i dëbojnë demonët, do të flasin gjuhë të reja; do t’i kapin me dorë gjarpërinjtë, edhe nëse do të pijnë diçka që shkakton vdekjen, nuk do t’u bëjë asnjë të keqe; do t’i vënë duart mbi të sëmurët dhe këta do të shërohen” (Marku 16:17-18).

Këto vargje, ose nuk jepen fare, ose paraqiten si shënime në fund të faqes në botimet e korruptuara të Biblës. S’ka dyshim se Satanai nuk dëshiron që kisha ta njohë fuqinë dhe autoritetin, që Krishti iu ka dhënë atyre që e ndjekin. Vini re përdorimin e fjalës “Dhe” në fillim të këtij vargu. Kjo fjalë përdoret këtu, me qëllim për ta lidhur këtë varg me vargjet e mëparshme. Nëse këto dhurata nuk kanë të bëjë më me kishën e ditëve të sotme, atëherë as dhurata e shpëtimit nuk ka më vlerë për sot. Nëse besimtarët besojnë, atëherë edhe besimi i tyre duhet të pasohet prej shenjave (apo mrekullive). Në librin e tij, ‘Mendime Shpjeguese mbi Ungjijtë’, autori J.C. Rajëll bën një koment, që nuk gjen aspak miratim në Bibël. Ai thotë: “S’ka dyshim që epoka e mrekullive ka përfunduar. Ato nuk kanë patur asnjëherë si qëllim për të vazhduar së vepruari edhe pas themelimit fillestar të kishës”. Këto shenja (apo mrekulli) përfshihen në ‘Dhuratat e Frymës’ (shiko 1 Korintasve 12). Njerëzit, të cilëve iu drejtua Pali, ishin besimtarë jo-hebrenj – ata s’ishin pjesë e “themelimit fillestar të kishës”. E megjithatë, Pali i mëson dhe i drejton ata, në lidhje me dhuratat shpirtërore.

Ngritja e Lavdishme

Zoti Jezus, pra, mbasi u foli, u ngrit në qiell dhe u ul në të djathtë të Perëndisë” (Marku 16:19).

Ngritja e Krishtit në Qiell përmendet tek Ungjilli sipas Markut, sipas Lukës dhe në Veprat e Apostujve. Luka shkruan: “Pastaj iu priu jashtë deri në Betani dhe, si i ngriti lart duart, i bekoi. Dhe ndodhi që, ndërsa ai po i bekonte, u nda prej tyre dhe e morën lart në qiell. Dhe ata, pasi e adhuruan, u kthyen në Jeruzalem me gëzim të madh” (Luka 24:50-52). Luka na jep informacion të mëtejshëm lidhur me këtë ngjarje tek Veprat e Apostujve 1:1-11: “Tregimin e parë e bëra, o Teofil, mbi të gjitha gjërat që Jezusi nisi të bëjë dhe të mësojë, deri në ditën në të cilën u muarr në qiell, pasi u kishte dhënë urdhërime nëpërmjet Frymës së Shenjtë apostujve që ai kishte zgjedhur. Atyre, pasi pati vuajtur, iu paraqit i ngjallur me shumë prova bindëse, duke u parë prej tyre për dyzet ditë dhe duke folur për gjërat e mbretërisë së Perëndisë. Dhe, duke u gjendur bashkë me ta, i urdhëroi ata që të mos largoheshin nga Jeruzalemi, por të prisnin premtimin e Atit: “Që, tha ai, e keni dëgjuar nga unë, sepse Gjoni pagëzoi me ujë, por ju do të pagëzoheni me Frymën e Shenjtë, mbas jo shumë ditësh”. Kështu ata që ishin mbledhur bashkë e pyetën, duke thënë: “Zot, a do ta rivendosësh në këtë kohë mbretërinë e Izraelit?”. Por ai u tha atyre: “Nuk ju takon juve të dini kohët dhe momentet e përshtatshme, që ka përcaktuar Ati me autoritetin e vet. Ju do të merrni fuqi kur Fryma e Shenjtë do të vijë mbi ju dhe do të bëheni dëshmitarët e mi në Jeruzalem dhe në gjithë Judenë, në Samari dhe deri në skajin e dheut”. Mbasi i tha këto gjëra, ndërsa ata po e vështronin, u ngrit lart; dhe një re e përfshiu dhe ua hoqi prej syve të tyre. Dhe, si ata po i mbanin sytë e ngulitur në qiell, ndërsa ai po largohej, ja dy burra në rroba të bardha iu paraqitën atyre, dhe thanë: “Burra Galileas, pse qëndroni e shikoni drejt qiellit? Ky Jezus, që u është marrë në qiell nga mesi juaj, do të kthehet në të njëjtën mënyrë, me të cilën e keni parë të shkojë në qiell”.

Vënia në zbatim nga ana gjeografike

Pastaj ata dolën dhe predikuan kudo, ndërsa Zoti bashkëvepronte me ta dhe e vërtetonte fjalën me shenjat që e shoqëronin. Amen” (Marku 16:20).

Përsëri, e shohim shkallën e domosdoshmërisë së predikimit të Ungjillit. Ai duhet të predikohet “kudo”, në “të gjithë botën” e para “çdo krijese”. Të mos veprosh kështu, do të thotë të mos i bindesh Perëndisë. Jezusi iu premtoi dishepujve të Tij se fjala e tyre do të bëhej realitet, nëse ata do të predikonin me besnikëri. Ky varg lidh bashkë dy thëniet e mëparshme të Krishtit në këtë pasazh. Prandaj, ky varg nuk ka thjesht kuptim historik, por ka edhe kuptim për të ardhmen, sepse, përsa kohë që mbi tokë të egzistojë qoftë edhe një mëkatar i vetëm, mesazhi i shpëtimit duhet t’i predikohet edhe atij dhe, kur ndodh kjo, do të vihen re edhe shenjat e dhëna nga Perëndia. Krishti pushon së vepruari në kishën e Tij, në momentin kur krishtërimi pushon së qëni i natyrës misionare dhe ungjillore.

Përfundim

I kemi ardhur fundit të përmbledhjes, që i bën Marku jetës së Krishtit. Mund të kishim shkruar edhe më shumë rreth këtij ungjilli, por lutem që, ajo që është paraqitur këtu, t’i inkurajojë ata që kërkojnë ta dinë të vërtetën, që të gërrmojnë më thellë në fjalën e shenjtë e të frymëzuar të Perëndisë.

Mbrapa

Advertisements